Rreze Abdullahu vjen prej një fshati të Ferizajt. Është rritur aty, në gjithë situatat që i sollën frikë, sfidë e pak hare.
Ka përfunduar shkollën fillore aty, jo çdo herë e lumtur me atë që i është servuar, në të shumtën e kohës e ndierë e paplotësuar, e zbrazët në informacion dhe krijimtari, në ankth për mungesë motivacioni.
Ka vazhduar me gjimnazin, atë të gjuhëve, ku po thyente pritshmëritë e të tjerëve për të; të bëhej mjeke apo arkitekte, gjë që sot e bëjnë krenare vendimet që ka marrë me mendjen dhe zemrën e saj.
Kjo është Rrezja këmbëngulëse dhe luftarake.
Pas gjimnazit, ajo është drejtuar rreth dy fushave për studim; asaj të Psikologjisë dhe Ekonomisë, për ta zgjedhur pak më vonë psikologjinë si shkencën që do ta përqafonte gjithë jetën. Pa e lënë anash pasionin e saj të fëmijërisë, që ishte të shkruarit e që e ndjek edhe sot.
Në kohën e gjimnazit kishte një shtysë nga një profesor i saj, i cili insistonte se Rrezja duhej të vazhdonte të shkruante, duhej të studionte letërsinë, gjë që nuk ndodhi, por që nuk e ndaloi të shkruante.
Sot ajo vazhdon të shkruajë dhe ka të botuar ditarin e saj të fëmijërisë në kohë lufte, që kritika i ka bërë një nder duke më krahasuar me Ana Frankun.
Ajo vazhdon të shkruajë poezi kohë pas kohe, t’i botojë ato, vazhdon të shkruajë në përgjithësi, por më së shumti i pëlqen të trajtojë çështjen e gruas, njëkohësishtë me shumë dashuri dhe dhimbje, e që një libër të tillë ka në dorëshkrim.
“Fëmijëria ime më kujton një gjë; mes krismave të plumbave hapësirën për të ëndërruar, e një ditë për t’i kumtuar gjithë botës se fëmijët ëndërrojnë veç për paqe dhe jeta ndryshe nuk është e bukur. Kjo më kujton një shprehje të mamit tim; ’lufta u ka rritur para kohe’”, ka thënë ajo.
Ajo tani e kryen profesionin e psikologes që momentalisht është duke kërkuar alternativa të reja për studime jashtë vendit.
Në jetë gjithmonë e ka tërhequr të merret me njerëzit që më së shumti hasin në diskriminim, që më së shumti shkilen e nënçmohen. Prandaj, është shumë e lumtur të dijë se do të mund të shtriej kontributin e saj pikërisht fushave ku komuniteti ka nevojë, e që momentalisht po punon me personat me aftësi të kufizuara, gjë që e bënë shumë krenare, për mënyrën e kapërcimit të peripecive të çdo dite, për vullnetin për t’ia dalë mbanë dhe për të dëshmuar se njerëzit janë të barabartë.
Për peripecitë dhe sfidat që ka hasur në karrierë ajo ka thënë që si vajzë e re është shumë e vështirë të krijojë qasje në shoqëri dhe të ndërtojë karrierën mbi qëllimet që i vë vetes.
“Çdo ditë ballafaqohesh me shoqërinë ku të kujtohet se s’ke pse të merresh me punët e huaja, pa e menduar ndonjëherë se ne qëndrojmë këtu ku jemi dhe se secili zgjedh të kursejë veten dhe të prijë me konkluza të dëmshme për njerëzit që përpiqen e me paragjykime që më së shumti i vrasin gratë”.
Ajo thotë se ia ka dalë, falë këmbëngulësisë së saj dhe familjarëve të ngushtë, njerëzve që kanë besuar në të dhe që kanë krijuar hapësirë për vullnetin e saj. Rrezja thotë se është shumë mirënjohëse, sepse sipas saj të jesh e vetme është më e vështirë.
Ajo ka mësuar se gjërat ose bëhen me dashuri ose nuk bëhen fare, një frymë që i ka shërbyer deri sot, dhe mendon se të qenit grua dhe të ndjekësh karrierën, në vendin ku jeton, do të thotë të rrezikosh diçka dhe çdo ditë të cenohesh.
Ka qenë dhe është e gatshme për të mbrojtur karrierën sepse sipas saj kjo është jeta dhe s’mund ta lë përgjysmë, s’mund ta jetojë të zbrazët, në ankthin e pritjes se kur gjërat do të ndryshojnë.
Për më tepër ajo potencon se ndryshimin mund ta nisim vetë, aty ku i përkasim, aty ku kemi zgjedhur ne apo kemi qenë të detyruara.
“Kjo është përgjegjësia jonë dhe veç njerëzit e dobët i ikin”,shprehet Rrezja.Ndërsa për rolin e gruas në shoqëri ajo ka thënë se deri më tani gruaja ka vazhduar të ekzistojë veç si një dorë e dytë; e shtypur, e dhunuar, e sharë, pa ndonjë vlerë shoqërore.“Kësaj unë i përkushtohem më së shumti dhe sa herë kur shkruaj për të, janë plot sosh që më përgëzojnë për guximin, më shkruajnë se unë jam zëri e frymëzimi i tyre, ndaj në çast unë ndiej shumë dhembje, sepse për fat të keq të gjitha mendimet e mia mbi gruan dëshmohen.
Të shkruash për një të vërtetë, të flasësh se si qëndrojnë gjërat, të tregosh se çfarë mentaliteti të rrethon dhe si shtypet gruaja, konsiderohet guxim, frymëzim e krahë. Kjo ngase shumica prej tyre nuk guxojnë të flasin dhe mbyllen përjetë në vorbullën e fatkeqësisë së tyre”.Rrezës i vie tepër keq që shumë prej grave s’mund të jenë zëri i vetës, s’mund të ngrenë zë e të thonë MJAFT sepse edhe unë jam njeri po aq sa burri. Ajo dëshprohet nga tendenca për ta paraqitur gruan në pozitë më të mirë se e kaluara, sipas saj kjo nuk është aspak e vërtetë, të paktën jo prej vendit kah vie ajo.
Rrezja është shprehur se në Kosovë gratë që ndjekin ëndërrat e tyre ende merren për lavire, gratë që nuk martohen herët, por ndjekin karrierë merren për lavire, gruaja merret për kukull dhe në të shumtën e rasteve sipas saj shërben veç për seks.
E revoltuar për ndryshime ajo bënë apel mesazhin e saj për gruan kosovare:
“Ne kemi heshtur mjaft dhe tani është koha të tregojmë fuqinë tonë, u kemi borxh brezave që do të vijnë.Bashkë do t’ia dalim, unë kështu besoj”, ka përfunduar Rrezja.