Nga Edlira Devolli.
Në mjedise të ndryshme shoqërore dëgjojmë shpesh fenomene, të cilat sjellin ndërmend luftën e klasave. Madje, disa ngjarje të këtyre ditëve, është se kanë filluar në masë të transferohen punonjës nga qyteti ku banojnë në qytetin më të skajshëm të mundshëm. Por, cila është arsyeja? Arsyeja është se nuk shfaqin simpati për partinë në pushtet. Dhe duke i larguar në këtë mënyrë, do të dorëhiqen “vullnetarisht”. Madje, disave që nuk janë dorëhequr u është thënë se nuk pritej që ata do të shkonin të punonin aq larg familjes. Këto ngjarje u ngjajnë internimeve të kohës së diktaturës dhe luftës së klasave, e cila u rrënjos në atë kohë dhe ka mbetur e përjetshme ashtu si revolucioni proletar synonte. Por përse, dhe ku ka rifilluar të ndihet lufta e klasave? Së pari, luftë klase politike. Diktatura nuk mund të pranonte diversitetin politik. Të parët që u sulmuan ishin pjesëtarët e Ballit, Legalitetit etj.
Ata nuk i përkisnin bindjes politike të PPSHsë, ndaj pas lufte dhe gjatë diktaturës u persekutuan, u masakruan e u pushkatuan. U përndoqën ata që kishin studiuar jashtë vendit dhe ata kishin shfaqur aftësi në punën që kryenin. Por, situata nuk ka ndryshuar. Sepse të parët që u përndoqën nga puna ishin të djathtët, edhe nëse ndonjë ka mbetur në punë aksidentalisht, (si u shpreha më lartë) përndiqet tani, sepse nuk i përket aleancës së pushtetit. Nuk vlen eksperienca dhe dija e tyre, rëndësi ka kontributi politik. Bindja politike ndikon jetën e përditshme të qytetarit. Kështu që zjarri i luftës së klasave mbahet i ndezur. Së dyti, tregtarët. Ata u konsideruan si klasë sunduese kapitaliste. Dhe PPSH e shpëtoi popullin nga zgjedha e okupatorëve feudale– borgjeze.
U krijua koncepti që çdo tregtar ishte njeri i poshtër. Biznesmenët filluan të shiheshin si e keqja e shoqërisë. Ata më të gjallët, më punëtorët, më të pasurit shpalleshin kulakë, shpronësoheshin, u merrej toka, bagëtia, pa harruar fushatën e mbledhjes së floririt. U vihej tatim i lartë, kush nuk i paguante, futej në burg. Fakt i e turpshëm është se, si atëherë dhe tani, kontribut të rëndësishëm dha spiunimi. Aset funksional i PPSH-së dhe Rilindjes së sotme. Çfarë kemi parë në tri vitet e fundit? Kemi parë të njëjtin sistem. Spiunë të sanksionuar me ligj, të cilët u vërdallosen bizneseve për të parë nëse është prerë kuponi tatimor. Pa marrë parasysh se në vendin tonë njerëzit marrin ushqime me listë. Dhe nuk dihet kuponi duhet prerë kur merret malli, apo kur bëhet pagesa. Tregtarët janë ata të cilët po “pengojnë” rilindjen e ekonomisë. U gjet shkaku, armiku i klasës, ndaj pasoja dihej, e njëjta si në sistemin e diktaturës. Gjoba, sekuestrime, mbyllje, taksa të larta, hekura në duar dhe tregtarët e vegjël pas hekurave. U arrit denigrimi i biznesit privat dhe u venit ajo pak mirëqenie sociale, që ekzistonte.
Ajo që tremb është se dhunën duan t’ia ngulisin në mendje popullit si shtetbërje. Por çfarë shohim? Shohim se shoqëria civile nuk funksionon si në vendet europiane, aty ku aspirojmë të shkojmë. Shoqëria në vendin tonë pret nga shteti gjithçka, si në diktaturë. Dhe vetë pushteti nuk lë gjë jashtë kontrollit. Ashtu si në kohën e xhaxhit Enver, edhe shoku Edi merr përsipër punësimin dhe arsimimin e të gjithëve. Më pas zbulon grupet armiqësore, të cilat pengojnë realizimin e planit. Grup armiqësor doli edhe në ndërtim. E goditën. Moratoriumi i ndërtimit, falimentoi ata që ishin më të dobët. U arrestuan disa fshatarë, të cilët po rregullonin tjegullat e çatisë pa leje. Por, moratoriumi ishte selektiv. Ata biznesmenë, të cilët mundën të qëndrojë në heshtje, (si ariu në gjumin letargjik) se kishin mundësi ekonomike ta përballonin situatën, ia dolën. Më të vegjlit falimentuan. Ata të përkëdhelurit e shokut Edi nuk e morën vesh se ç’do të thotë moratorium. Sigurisht, sepse ata i përkasin një klase tjetër. Ndërtimet e tyre lulëzuan në vendet e lulishteve.
Të humburit ishin ata që mbetën pa punë. Me këtë pseudoreformë lanë pa bukë tavolinat e shumë shqiptarëve. Natyrshëm vjen në mendje teoria e qoftëlargut, edhe bar do të hamë. Pra, kemi një qeverisje, që nga njëra anë premton hapjen e vendeve të punës dhe në anën tjetër harton politika, të cilat ulin punësimin. Luftë klasash në arsim. Të kujtojmë pak se kush e kishte të drejtën e arsimimit në kohën kur lufta e klasave po rrënjosej më së miri në kombin tonë. Arsimimin e kishin fëmijët e komunistëve dhe pak nga shtresa e mesme. Arsimi orientohej nga shteti. Ata dinin se sa inxhinierë, mësues, mjekë, agronomë, mekanikë, rrobaqepës, etj. i duhen vendit. Situata nuk ka ndryshuar, sepse sot kryeministri na del përkrah me ministrin e Mirëqenies Sociale, duke thënë se Shqipëria nuk ka nevojë për intelektualë apo individë, të cilët kanë investuar për dijen e tyre. Sot Shqipërisë u duhen kasapë, hidraulikë, mekanikë dhe profesione të tilla.
Ndaj, ai bën thirrje se të rinjtë nuk duhet të synojnë universitetin, por shkollat profesionale. A thua se djemve të tij do t’i jepte profesionin e kasapit apo të mekanikut. Duket qartë se sistemin universitar, mundësisht jashtë vendi duhet ta zotërojnë vetëm pasardhësit bllokmen. Klasa bllokmene nuk mund të bashkëpunojë me individë me prejardhje të thjeshtë. Ja pra që jemi në të njëjtën situatë. Ata dinë se çfarë profesioni i duhet popullit për t’u punësuar. Nuk ka rëndësi prirja e studentit, rëndësi ka çfarë kërkon partia, ajo duhet bërë. Ndaj dhe u shpik një ligj, i cili kushtëzon të drejtën për arsimin e lartë për nivelin mesatar të jetesës në Shqipëri. Se ata të cilët i përkasin nivelit të ulët ekonomik, jo e jo. I rikthehem luftës së klasave edhe për një faktor tjetër të rëndësishëm. Lufta e klasave në diktaturë vrau, internoi, dogji ëndrra dhe jetë. Lufta e klasave penalizonte nëse kishe dajë apo xhaxha të arratisur ose kishte qenë pjesë e Ballit apo Legalitetit.
Çfarë ndodh sot? Sot penalizohesh dhe përndiqesh nga opinioni partiak, sepse familjari yt apo një mik ka bindje politike ndryshe. Po, kjo ndodh sot, pas 25 vitesh demokraci vazhdon lufta e klasave në gjirin e shoqërisë dhe të familjes. Por, edhe sa do të vazhdojë lufta e klasave në Shqipëri? Lufta e klasave dhe diskriminimi politik po e mbajnë shoqërinë nën presion, të cunguar nga e drejta dhe civilizimi. Duket qartë se tik-taku i orës së Rilindjes ka mbetur në rezonancë të plotë në atë që baballarët e tyre realizuan për 50 vite në Shqipëri. Reformat dhe dogmat kanë ndryshuar ngjyrë, por në thelb janë të njëjtat, janë aq identike sa edhe në të shprehur kanë mbetur të njëjta. Duket se fantazma e komunizmit me luftën e klasave na përndjek pafundësisht, përjetësisht, siç diktatura proletare e kërkonte. Duket se ardhja nga sistemi diktatorial cungoi zhvillimin e shoqërisë civile. Siç përmenda dhe më lartë, shteti di, shteti bën, shteti vendos. Shoqërisë sonë ka filluar t’i mungojë liria sërish. Pasi ç’do vendim e merr shteti dhe e imponon duke prekur të drejtën e qytetarit. Kjo është kauza, e cila e thërret shoqërinë civile të reagojë.