Nga Kruja, kryeqendra e heroit tonë kombëtar, kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje Edi Ramës të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të kandidojë si politikan i mirëfilltë, dhe jo të merret me alternativën e nxirjes, duke nisur me historinë kombëtare, e duke përfunduar me vizitën e presidentit amerikan Xhorxh Bush
TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u ndal në qytetin e Krujës, simbol i qëndresës shqiptare, ku inauguroi një sërë veprash publike, investime të buxhetit të shtetit. Berisha inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë - Abazaj, investim me vlerë 38 milionë lekë si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë. Gjithashtu, kryeministri Berisha inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rikonstruksionin e rrugës para bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë.
Në 8 vitet e qeverisë socialiste në bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliardë e 550 milionë lekë.
Gjatë një takimi të zhvilluar me banorët e Krujës, kryeministri deklaroi se vetëm në katër vite, Shqipëria pësoi ndryshime rrënjësore dhe kjo në sajë të vullnetit të palëkundur të mazhorancës së djathtë, në ndërtimin e infrastrukturës, rritjen e pagave dhe pensioneve, realizimin e reformave për anëtarësimin në NATO, dorëzimin e kërkesës për statusin kandidat dhe liberalizimin e shpejtë të vizave, për të gjithë shtetasit shqiptarë. Të gjitha këto arritje madhore, u realizuan në sajë të reformave të gjëra të kabinetit “Berisha”.
Kreu i qeverisë u shpreh se përballë kësaj alternative të zhvillimit dhe progresit ka dhe një alternativë tjetër që është alternative e nxirjes, alternativa e damkosjes, alternativa në të cilën thuhet në mënyrë absolute; Rroftë karrigia dhe poshtë Shqipëria. Berisha i kërkoi zyrtarisht Edi Ramës të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë dhe të kandidojë si deputet. Gjithashtu, Kryeministri i bëri thirrje kryesocialistit që të gjejë kurajën dhe të vizitojë Krujën, aty ku shpifi dhe trilloi për vjedhjen e orës së Presidentit George W. Bush. “Unë ju garantoj se midis shpifjes dhe trillimit për vjedhjen e orës së Presidentit Xhorxh Bush nga qytetarët e Fushë Krujës, që e pritën siç do të prisnin Skënderbeun; mitingut kobzi më 4 prill 2008, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO; kërkesave në kancelaritë e Evropës për të mos anëtarësuar Shqipërinë në NATO; pa përfunduar zgjedhjet qëndron një lidhje, një qëndrim ogurzi që është karrigia e tij. Ai nuk di gjë tjetër përveçse mbi nxirjen dhe mohimin të ngrejë karrigen e tij. Dhe së fundi me gazetën e tij dhe me mediat e tij, ndërmori sulmin më të turpshëm dhe më të pashembullt ndaj Skënderbeut. Skënderbeun, ju krutanët dhe të gjithë shqiptarët e mbajtët në shpirt dhe në zemër nga brezi në brez, por pavarësinë dhe kultin ia ngriti Evropa, e cila pa tek ai legjendën e mbrojtjes së saj. Ishte Evropa që shkroi me mijëra vëllime, poema dhe histori ndaj tij. Ata që u përpoqën që Skënderbeun ta nxjerrin serb, ata nuk janë gjë tjetër veçse vasalë të Dushanit, të cilët në këtë kohë, me këtë komb dhe me moralin e tij nuk kanë asgjë të përbashkët. Natyrisht, janë qesharakë. Por, Skënderbeu aq saç është i gdhendur në gurët dhe shkëmbinjtë e këtij vendi, të këtij qyteti, po aq është edhe në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve. Unë jam i bindur se kjo alternativë, alternativa e mohimit dhe e përçarjes, do të marrë ndëshkimin më të merituar më datë 28 qershor. Megjithatë unë i bëj thirrje zotit Rama; hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i bashkisë dhe të dalës në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor. Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të bashkisë, pas karrigeve të bashkisë. Pavarësisht nga ato që ke shpifur dhe trilluar, dil, hajde këtu dhe uroj që të të japin pak trimëri, por e sigurt është disfata e thellë, humbja më e madhe që ka njohur ndonjë herë ndokush në zgjedhjet në Shqipëri”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh i sigurt për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, duke thënë se shqiptarët do të zgjedhin alternativën e kësaj mazhorance për një Shqipëri që ndryshon përmes reformave të thella dhe investimeve prej disa miliarda dollarëve.
“Kjo alternativë po ndryshon qartësisht jetën tonë, po ndryshon emrin tonë, po ndryshon qenien tonë”, tha kryeministri.
Më tej në fjalën e tij, Berisha u shpreh se ndihej i kënaqur që ishte në Krujë, aty ku, siç theksoi kryeministri, janë rrënjët e kombit tonë.
“Erdha këtu për të ndarë më ju gëzimin e inaugurimit të një rruge në lagjen tuaj më të vjetër, me gjatësi 1.1 kilometër dhe një investim me vlerë 38 milionë lekë, si dhe ndërtimin e sheshti të qytetit tuaj. Unë erdha para së gjithash t’ju përshëndes dhe t’ju shpreh nderimin tim më të thellë. Në Krujë kam ardhur shumë herë dhe do të vij shumë e shumë herë të tjera, sepse këtu në Krujë janë rrënjët e kombit. Në Krujë janë rrënjët e ekzistencës sonë kombëtare. Kruja është kryeqyteti historik i Shqiptarëve”, vlerësoi Berisha.