Një vjet më parë në emisioninin Rubikon të KTV-së, u shtjellua tema se “Çka me demarkacionin me Malin e Zi”, ku mysafirë ishin Florim Isufi, profesor i Gjeografisë dhe Shpejtim Bulliqi, gjithashtu profesor, njëherësh deputet i Kuvendin të Kosovës nga radhët e LDK-së.
Florim Isufi tha se ata kanë qenë tek kryeministri Mustafa, por që nuk e kanë parë vetën fajtorë pse nuk kanë arritur ta bindin atë se kanë të drejtë. Sipas Isufit, ata kanë menduar se e kanë bindur kryeministrin, por kjo nuk ka ndodhur, meqë siç ka thënë ai në takim kryeministri nuk kishte këshilltarë që merren me këto fusha, transmeton Koha.net.
Në pyetjen se ku i kanë marrë hartat me të cilat arsyetojnë kufirin e Kosovës me Malin e Zi ndër vite, profesori Bulliqi ka thënë se ata hulumtojnë gjatë gjithë kohës por që pas përfundimit të luftës shtabi ushtarak i Ushtrisë së Jugosllavisë, i vendosur në Muzeun e Kosovës, pas braktisjes ka lënë mijëra ekzemplarë, të cilat i kanë marrë në Degën e Gjeografisë.
Profesori Florim Isufi ka prezantuar disa harta që argumentojnë kufirin e vërtetë të Kosovës, që sipas tij, nuk është i njëjtë me atë të demarkacionit, dhe të gjitha hartat ishin prodhim i jashtëm, kryesisht jugosllav, për të shmangur dyshimet.
Harta e parë është një hartë me të cilën kanë mësuar nxënësit e shkollave në Malin e Zi, dhe kjo, sipas Isufit, dëshmon se demarkacioni i vendosur së fundi nuk është në rregull.
Harta tjetër është e vitit 1985 e bërë nga Enti për botim të teksteve, dhe sipas Isufit, në atë kohë të vështirë nuk ka pasë mundësi të bëhen devijime nga shqiptarët.
Harta tjetër është nga Enciklopedia e Jugosllavisë e viteve të ’60-ta, e cila gjithashtu sipas dëshmive të profesorëve, del të jetë gabim demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.
“Kemi shkuar në Arkiv të Kosovës dhe kemi punuar dy orë ku kemi gjetur dhjetëra fakte. E aty Agjencia Kadastrale është vetëm një kat më lartë dhe nuk i ka gjetur ato”, ka thënë profesori Bulliqi.
Në fund Isufi tha se nëse bëjmë mbivendosje të pronave kosovare dhe malazeze tek kufiri atëherë del edhe zona "NULL", territori i askujt.
Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili njëherit ka dalë kundër demarkacionit me Malin e Zi në formën siç është aktualisht, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit Drejtues të LDK-së është diskutuar kalimthi çështja e demarkacionit.
Me këtë, Bulliqi i është përgjigjur kryeministrit Isa Mustafa i cili ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka dhënë pëlqimin për ratifikimin e demarkacionit, meqë janë hartat e SHBA-ve ato që e kanë përcaktuar saktësisht vijën kufitare.
Po ashtu Mustafa ka ironizuar edhe me Bulliqin dhe ekspertët tjerë, duke thënë se ata nuk i dinë as megjat e tokës së vet, e lërë më ato të shteti.
Ky është postimi i plotë të Shpejtim Bulliqit në Facebook:
Të nderuar miq
Sot ndër tjera në mbledhjen e KP te LDK-së, për herë te parë u diskutua në strukturat e LDK-së kalimthi edhe çështja e demarkacionit mes Kosovës e Malit te Zi. Ne këtë diskutim të zhvilluar nga disa anëtarë të këshillit të LDK-së u paraqiten edhe fakte nga terreni, vërejtjet dhe brengat rreth këtij procesi dhe me kërkesën qe të përdoren të gjitha mjetet për të fituar të vërtetën e këtij procesi përmes rishqyrtimi.
Të vetmit që ishin dhe janë kundër këtyre fakteve dhe në një forme bënin përpjekje për ta arsyetuar ketë proces si “të drejtë” dhe “në dobi” të territorit të Kosovës ishin ata te cilët nuk kanë njohuri profesionale për procesin dhe mendimet e të tjerëve i marrin si të gatshme pa i shtjerre të gjitha faktet dhe faktografitë shkencore dhe ligjore. Këto fakte dhe faktografi janë të punuara dhe publikuara nga institucionet shtetërore dhe te sigurisë të një periudhe kohore ku baballarët tanë dhe shërbyesit e atij shteti as qe kane guxuar t'i vënin në pikëpyetje dhe tani kur janë ne dobi të Kosovës përpiqen t'i hedhin si te pa sakta.
Opinionit të gjerë i bëjmë me dije edhe njëherë se hartat, faktet dhe dokumentacionet e shfrytëzuara nuk janë tonat por janë të ish -Jugosllavisë, SHBA, Britanisë se Madhe, Gjermanisë, Rusisë, te cilat dëshmojnë vërtetësinë e kufirit deri më 31.12.1988.
SH. B.