Floripress ,ka siguruar emrat e tre kosovarëve të cilët ditën e djeshme u arrestuan nga Policia e Kosovës, duke tentuar të shkojnë në Siri.
Ata janë Tahir Isufi (29 vjeqar) nga Mitrovica, Ismail Zeneli (21 vjeqar) nga Vushtrria dhe Nora Zuzaku( 20 vjeqare) nga Gjilani.
Që të tre dje ishin nisur nga aeroporti i Shkupit për në Turqi, ku edhe janë kthyer mbrapa nga autoritetet e atjeshme. Më pas të dyshuarit janë arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, pasi që në bashkëpunim janë kthyer nga autoritetet turke përmes Republikës së Maqedonisë.
Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një njoftimi për medie.
Më poshtë keni komunikaten e Policisë se Kosovës:
Më 15 nëntor 2015 , Drejtoria Kundër Terrorizmit në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste” neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e mbetur në tentativë, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.
Të dyshuarit janë arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, pasi që në bashkëpunim janë kthyer nga autoritetet turke përmes Republikës së Maqedonisë.
Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent dhe me autorizimin e këtij të fundit janë intervistuar tre të dyshuarit dhe gjithashtu si vazhdimësi e hetimeve më urdhër të prokurorit dhe të gjyqtarit të procedurës paraprake janë bastisur edhe dy lokacione të të dyshuarve.
Gjatë bastisjes në këto dy lokacione janë gjetur dëshmi relevante, të cilat ndërlidhen me rastin dhe gjithashtu ndihmojnë në vazhdimësinë e hetimeve të këtij rasti.
Me urdhër të prokurorit të tre personat e dyshuar janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, deri në paraqitjen pranë gjykatës kompetente, përfundon njoftimi.
Nora merret vesh se ishte në lidhje romantike me njërin nga dy të dyshuarit që së bashku dje tentuan të marrin rrugën për Siri. Madje ajo dyshohet se ka qenë e martuar, por që e ka shkëputur këtë martesë për të filluar një jetë të re me të dashurin e ri, në tokën e premtuar të Shamit.