Avni Jashari
E gjithë kampanja elektorale në SHBA e cila u zhvillua tash e sa kohë pati reagime e kundër reagime nga qarqe të ndryshme politike e analitike pothuaj në tërë globin. Në SHBA sot kurorën e të parit e mori Donald Trump, duke e mposhtur bindshëm kundër kandidaten nga radhët e demokratëve, ish/Sekretaren e shtetit dhe ish/Zonjën e Parë, Hillary Clinton.
Shumë analistë botërorë e kishin cilësuar zonjën Clinton si të pamposhtur përballë Trump duke pasur parasysh përvojën e saj të gjatë politike dhe poashtu pozitat me rendësi që kishte mbajtur në qeverinë amerikane.
Tek ne shqiptarët thashethemet janë sikurse buka dhe ujë, pa të cilat nuk jetojmë dot. Sapo Donald Trump (tashmë President i zgjedhur i SHBA-ve) doli si kundërkandidat i Clinton, disa politikanë filluan me preferencat e tyre dhe madje me një gjuhë goxha banale në raport me kandidatët për president të SHBA-ve, fillimisht politikanët shqiptarë (disa prej tyre) duhet ta dinë që bota nuk sillet rreth shqiptarëve.
Deklarimet për preferencat e tyre në një formë apo tjetrën janë ndërhyrje me ose pa dashje në punët e brendshme të një shteti demokratik. Një udhëheqës politik gjatë garës zgjedhore në një shtet tjetër duhet të jetë neutral, ku pas përfundimit të garës ta urojë ose përgëzojë homologun ose X- Y personin e zgjedhur duke respektuar vullnetin dhe demokracinë e atij vendi.
Elitat politike tek ne nuk hezituan që ta mbështesin e madje edhe ta festojnë fitoren para përfundimit të lojës, ku më pas basti i tyre del humbës dhe fjalët e thëna nuk tërhiqen dot mbrapsht.
Pavarësisht këtyre, politikat amerikane nuk ndryshojnë brenda natës siç janë mësuar politikanët tanë ti bëjnë këtu tek ne. Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të jemi të gëzuar që kemi një MIK siç janë SHBA-të, dhe siç edhe thotë një fjalë e urtë popullore e jona: “Mikut mos iu përziej asnjëherë brenda shtëpisë”.