2016-11-08

Opinionistët grekofilë në sulm ndaj PDIU-së


Nga Arben Llalla

Vazhdojnë goditjet nën brez të opinionistëve dhe gazetarëve tiranas, të cilët janë trembur keqas se mos PDIU merr ndonjë portofol ministri.

Tani që në Dibër janë humbur shumë baste, ish-shefat e kuadrit të medias, më saktë çunat e ish-Bllokut kërkojnë të gjejnë fajtorët në skenarët e filmave action me mafiozë, kartel droge apo shitblerës vote. Në fakt, në Dibër ka ndodhur një humbje e rëndë dhe rianiminimi i kufomës politike të monstrës që polli në opozitë Lulzim Basha, ndihmon vetëm qëndrimin sa më të gjatë të Edi Ramës në pushtet.

Tashmë ngjajnë si hajgare vere përpjekjet e njërit prej matësve të sondazheve, i cili u përpiq ta nxjerrë PS dhe PDIU së bashku me 70 deputetë, duke pretenduar se pa LSI-në nuk mund të bëjë dot qeveri, as PS-ja dhe as PD-ja.

E vërteta është se askush nuk mund të parashikojë me siguri të plotë se cili fiton në zgjedhjet e vitit 2017 e jo më të parashikojë portofolet e ministrive.

Mediat e dorës së dytë që mbahen gjallë me të hollat e mafies politike duke botuar gjithnjë shkrime disinformuese shprehin shqetësimet herë pas here për përfshirjen e PDIU-së në institucionet shtetërore të Shqipërisë. Tashmë, edhe Athina zyrtare është pajtuar se PDIU është një forcë politike serioze, e cila luan rol të rëndësishëm në vendimmarrjet e Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë së sotme. Kanë qenë vetë zyrtarët e pushtetit vendor të Filatit dhe Thesporitsë (Epirit të Jugut), të cilët kërkuan të vendosin kontakte me drejtuesit e Bashkisë së Konispolit që drejtohet nga PDIU. Disa herë përfaqësues të PDIU-së që drejtojnë institucionet shtetërore të Shqipërisë janë ftuar zyrtarisht në Greqi dhe asnjëherë nuk janë shfaqur shqetësime nga Athina.

Dihet që në PDIU nuk ka vetëm anëtarë dhe drejtues që janë me origjinë nga Çamëria, por në këtë parti gjen shqiptarë nga Himara, Korça, Shkodra, Dibra e gjetkë. Është mirë që gjërat të thuhen ashtu siç janë dhe jo të deformohen, të hidhet baltë, të krijohen frikësime nga forcimi i kësaj partie, e cila nuk lindi si parti e interesave për punësimet momentale, as si ideologji partiake dhe as si një parti klanore e shkëputur nga partia mëmë. PDIU lindi si nevojë për zgjidhjen paqësore e çështjes së fundit kombëtare, ajo e shqiptarëve të Çamërisë, sepse pak a shumë shqiptarët në ish-Jugosllavi kanë disa të drejta njerëzore të shkollimit dhe përdorimin e simboleve kombëtare.

Për ta pranuar lexuesit dhe servilat opinionistë tiranas të vërtetën në rradhë të parë duhet të çlirohen nga pafytyrësia, servilizmi, dembelizmi dhe hajdutëria, përndryshe asnjëherë nuk do ta shikojnë të vërtetën në sy. Të gjithë shqiptarët nuk duhet të tremben nga zëri për zgjidhjen e çështjes çame, askush nuk duhet të bëj ndarjen midis çamit, labit, dukagjinasit, sepse të tërë jemi shqiptarë dhe duhet të ndejmë të njëjtën dhimbje për çështjet e pazgjidhura kombëtare, në këtë rast ajo çame.

Për fat të keq si pasojë e deputetëve kriminelë, hajdutë, të pafytyrë, bota po na quan pa të drejtë popull legen, por në të vërtetë ky epitet duhet t’i shkojë për shtat klasës së lartë të politikanëve që ditën shahen me libër shtëpie, ndërsa natën puthen nëpër faqe si miq të ngushtë për të ndarë eurot e vjedhura nga arka e shtetit.

Në përfundim po u them të gjithë atyre që tremben nga forcimi i PDIU-së dhe fshihen pas gishtit, përdorin Athinën si karton frikësimi për qeverinë e Tiranës; Mos u shqetësoni shumë, pasi Athina nuk mund të imponojë politikë të jashtme apo të brendëshme Shqipërisë, por janë vasalët e Greqisë që po ju rrëshket karrigia dhe kanë shitur nderin e tyre familjar dhe kombëtar, teksa çirren kohëve të fundit.

Kërcënimi me Athinën, Kali i Trojës ndaj PDIU


Sa herë që përflitet se Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet mund të marrë ndonjë portofol ministror, ashtu si tek e fundit dhe i takon prej kohësh, në disa media të printuara dhe elektronike lexojmë shkrime nxitëse se gjoja Athina, madje së fundmi dhe Bashkimi Europian janë kundër përfshirjes së kësaj partie në qeveri.

E vërteta është krejt ndryshe nga këto farë analizash që lexojmë në disa gazeta të dorës së dytë, pronarët e të cilëve ulen në çdo prehër, sa majtas-djathtas për interesat e tyre personale. Disa parti janë trembur nga rritja e PDIU-së dhe kjo është e qartë që rrezikon forcat politike shërbyese të agjenturave të huaja.

PDIU nuk është thjesht një parti ideologjike politike, por parti kombëtare, e cila ka lindur si nevojë e çështjeve të pazgjidhura shqiptare që lidhen ngushtë me ardhmërinë e shqiptarëve. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë reagim zyrtar nga Athina dhe Bashkimi Europian për drejtimin e ndonjë ministrie nga PDIU, sepse kjo do të thotë shkelje e të drejtës ndërkombëtare ose thënë më shkoqur: të fusësh hundët në punët e brendshme të Shqipërisë.

Duhet theksuar se PDIU nuk është parti e djathtë ekstremiste, as fashiste sikur ka parti të tilla në vendet anëtare të BE-së, përfshirë këtu Greqinë. Ka vdekur prej kohësh ajo kohë, kur Shqipërisë i imponoheshin kandidatët për deputetë dhe ministra nga Athina dhe Beogradi. Sa për veton që Greqia do vendoska për mos anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kjo nuk ka lidhje fare me PDIU, por me Ligjin e Luftës, konservimin e pronave të shqiptarëve në Greqi që kapin vlerën e mbi 4 miliardë eurove dhe çështjen e kufirit detar e tokësor ende të pacaktuar.

Greqia nuk është vend mik strategjik i Shqipërisë, por vendi që i vendos haraç Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe BE. Kjo tashmë dihet dhe nuk ka nevojë për kallauz.

Shkrimet e kohëve të fundit që shprehin shqetësimet se PDIU po drejton disa sektorë të Republikës së Shqipërisë kanë si burim partitë shqiptare të përbërë nga deputetë, opinionistë dhe drejtues shtetërorë që kanë ngrënë lugën e çorbës greke dhe sllave. PDIU nuk ka deputetë kriminelë, hajdutë apo një agjendë të huaj, ndërsa në Kuvendin e Shqipërisë gjenden me dhjetëra ligjvënës, të cilët kanë dosje kriminale dhe agjentë të huaj. Mos më thoni që nuk ka, sepse të gjithë i njohin këta njerëz të pafytyrë, pa dinjitet kombëtar dhe familjar, por heshtet, ngaqë krenaria e shqiptarit është nëpërkëmbur këto viteve të fundit.

Sipas të gjithë gjasave PDIU në zgjedhjet e 2017 do ketë një rritje në numrin e deputetëve nga 8 deri në 10 dhe kjo gjë ka trembur ata drejtues partish që e kanë qimen nën sqetull, që mendojnë se duke shtrënguar duart me kongresmenë, sekretar shtetërorë të SHBA apo vendeve të tjera mike të shqiptarëve do i shpëtojnë gjykimit të drejtësisë. Sado që zorra ngrënëse të ngushtohet me briskun e kirurgut ajo përsëri do zgjerohet, sepse është trashëgimi gjenetike…

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...