Teksa Kina e fitoi të paktën për momentin betejën me koronavirusin, radhën për të luftuar e ka pjesa tjetër e globit. Për të parën herë, shifrat e koronavirusit janë më të larta jashtë Kinës sesa brenda këtij vendi.
Infektimet, Kinës tani po i vijnë nga jashtë. Autoritetet në Pekin thanë se 6 shtetas të huaj, 4 spanjollë dhe 2 britanikë rezultuan të infektuar, teksa brenda këtij vendi, infektimet janë minimale dhe pjesa më e madhe e rajoneve nuk kanë shënuar asnjë të infektuar të ri.
Kontinenti europian është më problematiku në gjithë botën për sa i përket përhapjes së koronavirusit dhe numëron mbi 2 mijë të vdekur. Pas Italisë që të dielën shënoi rritjen më të lartë ditore, me 368 viktima duke e çuar numrin total të tyre në mbi 1800, Spanja e pas Franca po shënojnë përhapje me ritme të shpejta. Dy vendet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Numri i viktimave në Spanjë arriti në 292, dyfishim brenda 24 orëve. Ndërsa në Francën që renditet e treta në kontinent, viktimat janë 127. Autoritetet e këtij vendi thanë se përhapja po është për momentin jashtë kontrollit.
Gjermania mbylli kufijtë me Spanjën, Austrinë e Zvicrën. Ky vend numëron 13 viktima por ka mbi 5 800 të infektuar dhe është vendi i tretë në Europë për nga përhapja.
Mes rrugëve të boshatisura, si shenjë e mposhtjes së frikës, Papa Françesku shkoi më këmbë në një kishë në Romë, jashtë territorit të Selisë së Shenjtë, për t’u lutur që pandemia e koronavirusit në gjithë botën të marrë fund sa më shpejt.
Në gjithë globin numërohen rreth 6500 viktima e afro 169 mijë të infektuar prej fillimit të përhapjes.