Qytetarët të cilët vijnë nga vendet e mbipopulluara zakonisht mbajnë maska mbrojtëse si preventivë ndaj infeksioneve dhe viruseve të ndryshme.
Në Kosovë kjo nuk ka qenë e zakonshme, por në kohën e fundit për shkak të koronavirusit qytetarët janë duke i përdorur ato në masë të madhe.
Por në vende të ndryshme është ngritur kjo çështje në debat duke thënë se maskat nuk na mbrojnë nga viruset dhe njerëzit e shëndoshë nuk kanë nevojë ta përdorin atë.
E infektologu dr.Valbon Krasniqi, i cili profesionin e tij e ushtron në Klinikën Infektive në QKUK, thotë se ka lloje të ndryshme të maskave, të cilat nuk e kanë efektin e njëjtë.
Ai thotë se maskat mbrojtëse nuk duhet patjetër të mbahen nga njerëzit të cilët nuk kanë pasur ndonjë kontakt me dikë nga të infektuarit, nëse nuk kanë ndonjë grip ose ftohje apo simptomë tjetër.
Dr.Krasniqi shton se si masë preventive ndaj viruseve rol të madh luajnë edhe dezinfektuesit, e që më së shpeshti është duke u përdorur alkooli etilik me masë prej 70%.
E qytetarët thonë se situata e fundit në botë ka bërë që maskat t’i fusin në përdorim çdo ditë. Ata besojnë se ato janë preventiva më e madhe ndaj koronavirusit, për atë edhe janë duke respektuar rekomandimet që janë duke u dhënë vazhdimisht.
Edhe pse ka mendime të ndryshme për efektin e maskave mbrojtëse, megjithatë qytetarët janë duke i vënë ato si një masë shtesë sigurie.
Ndërsa, vazhdohet të rekomandohet kujdesi më i madh ndaj higjienës, të lahen duart më shpesh dhe të kihet kujdes në distanca të afërta me njerëz.
Të burgosurat në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan (QKFL) kanë filluar prodhimin e maskave kirurgjikale.
Lajmi bëhet i ditur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili njofton se në kuadër të implementimit të planit operativ “Corona Virus” me qëllim mbrojtjen e të burgosurve dhe punonjësve të këtij shërbimi nga pandemia e koronavirusit COVID-19 ka filluar prodhimi i maskave kirurgjikale.
Prodhimi i këtyre maskave bëhet me rekomandim të mjekëve profesionistë dhe po përdoret material në të cilin nuk depërtojnë mikroorganizmat. Pas përllogaritjes të kostos së prodhimit, ka rezultuar se këto maska kushtojnë vetëm 0,10 cent për copë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes këtij prodhimi synon në uljen e shpenzimeve ekonomike për maska kirurgjikale dhe në rritjen e nivelit të parandalimit nga pandemia COVID-19 nëpër të gjitha institucionet korrektuese në vend.
Maskat e prodhuara nga të burgosurat e QKLF-së, fillimisht do të përdoren për nevojat e brendshme të të gjitha institucioneve korrektuese dhe atyre të paraburgimit, e nëse është e nevojshme edhe për institucionet të tjera shtetërore.