(Kushtuar dëshmorit Ismet Qorraj,
vrarë nga policia serbe në Deçan)
Mos qaj, moj nëna e Ismet trimit,
se biri yt në ballë të kushtrimit,
ra si yll i këputur që flakëron dritë,
për kushtetutën Kosova-republikë.
Ai bëri frymën zjarr në demonstratë,
të bëhej shkrumb e hi robëria e gjatë,
të fitonte lirinë e gjithë Kosova
Deçani, Mitrovica, Gjilani, Gjakova…
Moj nënë, ai fundmarsi i Ismetit,
Ishte thirrje për fundin e kiametit,
të shporrej çizmja sllave në çdo anë,
kufijve të lashtë të truallit Ilirian.
Ismeti u vërsul në ballë të betejës,
pa përfillur plumba e gaz lotsjellës.
Ai u priu trimave në atë log trimash,
si sokol krahëhapur mes vetëtimash.
Dhe aty përballë hijenave të policisë,
shpalli vendimin e dënimit të Serbisë,
fatin që i priste të gjithë barbarët,
pasi të rroknin armët kosovarët…
Si të gjithë trimat, në çaste heroike,
Ismeti tha për ty, moj nënë stoike:
“Mos loto për mue, amanet kam lanë,
se të kam nderue ty e Kosovën-nanë!”
Hakun e birit tënd njëzetenjë vjeçar,
morën mijëra djem e vajza kosovarë,
në rreshtat e UÇK-ës legjendare,
prandaj, moj nënë, mos qaj në varre;
Se biri yt dhe një jetë tjetër të kishte,
prapë në ballë të betejës do të ishte,
se ai kishte në deje gjak shqiptari,
dhe për pavarësi do të sulej i pari…
O moj nënë dardane, nënë heroi,
Ismeti yt ra që Kosova të rrojë,
prandaj ai trim nuk ka vdekur,
është sërish i gjallë e zemërhekur.
Dhe nuk ka për të vdekur kurrë,
se u bë shqipe për flamurë,
të valëvitej mes luftës e acarit,
në batalionin e Adem Jasharit,
Më pas kur e prisje të bëhej burrë,
të sillte në shtëpi nusen me flamur,
u bë dhëndër heroik i bajrakut kuqezi,
në dasmën e madhe Kosovë-Shqipëri.