“Pas disfatës lidhur me Kosovën Serbisë i duhet një fillim i ri dhe është koha që të përshëndetet me nacionalizmin”, vlerëson Vedran Xhihiq, anëtar i Institutit austriak për politikë ndërkombëtare, në shkrimin autorial në gazetën vjeneze “Die Presse”.
Sipas mendimit të tij drama lidhur me Kosovën është inskenuar dhe tani ajo po hynë raundin tjetër
“Serbia duhet ta njohë de facto Kosovën sepse nëse nuk e bën këtë, do të ndërpriten integrimet evropiane, e serbet e Kosovës do të fitojnë autonomi të gjerë por jo dhe kompetenca ekzekutive dhe gjyqësore. Tani po punohet që vetëm dikush opinionit t’ia kumtojë të vërtetën se Kosova është humbur”.
Edhe gazeta tjetër vjenez “Standard” vlerëson se dialogu duhet të vazhdojë.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se dialogu mbetet opsioni i vetëm i arsyeshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe ka shfaqur gatishmërinë për të pranuar ftesën për takim të përbashkët në Bruksel që do të organizohej ditëve në vijim nga baronesha Catherine Ashton.
"Dështimi i dialogut nuk duhet të jetë opsion as i Kosovës dhe as i Serbisë. Për këtë arsye mbetem i vendosur dhe i gatshëm të pranoj çdo ftesë të re për takim të përbashkët në Bruksel që do të caktohej ditëve në vijim nga Ashton”, ka thënë Thaçi për gazetën "Blic".
Ai pohon se Kosova tashmë ka bërë shumë kompromise dhe ka mbetur konstruktive në përpjekjet për t’u arritur marrëveshje kreative në përpjekjet e saj për arritje të marrëveshjes".
Duke vlerësuar se dialogu është i vetmi opsion i arsyeshëm, Thaçi thotë se të dy palët janë pajtuar se marrëveshja është e domosdoshme për të hapur kapitull të ri paqeje, tolerance e bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e zhgënjyer me refuzimin që pala Serbe i bëri propozimit të dhënë nga shefja e diplomacisë evropiane Catherine Ashton për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i tha RTK-së se propozimet e dhëna nga BE-ja ishin në funksion të paqes, stabilitetit dhe evropianizimit të rajonit dhe do të shënonin fillimin e përmbylljes së një konflikti historik në rajon.
Duke e komentuar refuzimin e Serbisë për pranimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovës, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, tha se Kosova asnjëherë nuk do të pranojë që të jetë fajtor kujdestar dhe të ndëshkohet për dështimin e marrëveshjes. Ai tha se Kosova e ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Ashton dhe sipas tij, fajtor kryesor është pala serbe e cila ende përballet me probleme psikike.
“Ne nuk i kemi besuar Serbisë që do të jetë ndryshe. Ata e kanë një problem psikologjik apo një traumë në të kaluarën që nuk mund të dalin lehtë. Por, në anën tjetër presim një presion të shtuar nga BE-ja dhe SHBA-të. Unë besoj se BE-ja tani e ka marrë një goditje, nëse më lejohet të them, më shumë se sa ne, ngase ne kemi qenë në këto pozita”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se Kosova tashmë ka bërë një varg kompromisesh duke përmendur Pakon Gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisaari. Ndërsa, shton se nga refuzimi i Serbisë për të arritur marrëveshje, janë sfiduar të tri palët e përfshira në procesin e bisedimeve.
“Dje është sfiduar Serbia në radhë të parë, jemi sfiduar edhe ne por në veçanti është sfiduar edhe BE-ja. Pas këtij dështimi i mbetet BE-së që ta jep një orientim të qartë. Unë besoj se kryeministri Thaçi do të konsultohet edhe me partitë politike të vendit tonë edhe me partnerët tanë ndërkombëtar dhe do ta shohim rrugëzgjidhjen”, theksoi Kuçi.
Sipas Zëvendëskryeministrit Kuçi, Kosova do t`i përdor të gjitha mjetet demokratike për integrim të territorit dhe sundim të rendit e ligjit në secilën pjesë të vendit.
No comments:
Post a Comment