2013-04-12

SALI GJUKA, DELEGAT I KOSOVËS NË KUVENDIN E PAVARËSISË



                                                “Rrofshin ata fatbardhë, që do të
                                                           bëhen mesues në Arbërinë e lirë!”
                                                         

Nga: Prof. Murat Gecaj,publicist e studiues-Tiranë
                                               

Sali Gjuka ose i njohur dhe Sali Gjukë Dukagjini, lindi në qytetin e Pejës, në vitin 1876, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Shkup, ku familja e tij u vendos si shkak i përndjekjeve të pushtuesve osmanë. Pasi kaloi vështirësitë e kohës, mundi të regjistrohej student në Fakultetin e Drejtësisë, në Selanik. Pas mbarimit të studimeve, nisi punën në gjykatën  e atij qyteti dhe e vijoi veprimtarinë në shërbim të çlirimit të Atdheut të robëruar.

                
                Sali Gjukë DukagjinI “Mësues i Popullit”

Në vitin 1909, megjithëse ilegalisht, Sali Gjuka punoi pa u lodhur për çeljen e shkollës  shqipe në Pejë. Ndërsa në vitin 1910, me përkrahjen e atdhetarëve Bajram Curri, Hasan Prishtina etj., u bë mësuesi i parë i shqipes  për nxënësit shqiptarë, në shkollën Normale dhe Gjimnazin e Shkupit. Aty pati përkrah atdhetarin e njohur Bedri Pejani.
Gjatë jetës, Sali Gjuka u mor gjerësisht edhe me studime në fushat e gjuhës, historisë, etnografisë etj., shumë nga të cilët i publikoi në shtypin e kohës. Të gjithë ata përshkohen nga ndjenjat e larta atdhetare, nga dashuria e pakufishme për traditat tona të çmuara, që këshillonte t’ua edukojmë breznive të reja.
            Në vitet e kryengritjeve të mëdha mbarëpopullore antiosmane të viteve 1910-1912,  Sali Gjuka u dallua si një luftëtar e veprimtar i shquar, ndër më popullorët e kohës. Me nismën e tij, në prill 1912 u formua në Selanik, Klubi i ri me emrin kuptimplotë  "Bashkimi", i cili propogandoi edukimin e ndjenjave atdhetare, përhapjen e gjuhës e të arsimit shqip.
            Në Nëntorin e stuhishëm të vitit 1912, Sali Gjukën do ta gjejmë  përsëri përkrah luftëtarëve e mendimtarëve më në zë të  kohës. Me thirrjen, që u kishte bërë atdhetari i flakët, Ismail Qemali, drejt Vlorës udhëtonin  sa e sa delegatë, përfaqësues të popullit luftëtar, nga e gjithë Shqipëria e trojet tjera shqiptare. Ndërmjet tyre, si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, ishte dhe atdhetari e mësuesi i palodhur i gjuhës shqipe dhe i ndjenjave atdhetare, Sali Gjukë Dukagjini.
            Në aktin përfundimtar për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i cili ka nënshkrimet e 60 delegatëve, pjesëmarrës të Kuvendit të madh të 28 Nëntorit 1912, përkrah emrave të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Nikollë Kaçorrit, Jani Mingës, Dervish Himës, Bedri Pejanit, Babë Dudë Karbunarës e atdhetarëve të tjerë, dallohet qartë dhe firma e Sali Gjukës. Ky ishte një vlerësim i merituar, që i bënte  atij populli shqiptar për përpjekjet e shumta dhe sakrificat e mëdha, që kishte bërë deri atëherë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Kuvendi i Vlorës, duke marrë parasysh veprimtarinë e gjerë atdhetare të Sali Gjukës, e zgjodhi atë këshilltar në përbërjen e Pleqësisë (Senatit), detyrë që e kreu me përgjegjesi.
            Në kohën e qëndrimit në Vlorë, Sali  Gjuka ishte ndihmës i ministrit të Arsimit Luigj Gurakuqi. Së bashku me kolegët, ai shkroi programin e Qeverisë për zhvillimin e arsimit, në Shqipërinë e lirë dhe të pavarur. Për këtë gjë dëshmojnë dhe artikujt e botuar me firmën e tij, në gazëtën  "Përlindja e Shqipnisë". Janë domethënëse fjalët e tij: “Si çdo komb edhe shqiptarët më të madhen rëndësi do t’i japin degës së arsimit, se vetëm  këtu e shohin dhe duhet ta shohin shpresën e qytetërimit”. Po kështu, urimi e thirrja: “Rrofshin ata fatbardhë, që do të bëhen mësues në Arbërinë e lirë!” (Nga gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, gusht, 1913).
           Në janar 1913, ai nisi nga puna drejtor i arsimit për qarkun e Beratit, që përfshinte edhe Fierin e Mallakastrën etj. Menjëherë, Sali Gjuka hapi shkollën Normale të përkohëshme, ku do të përgatiteshin mësuesit e parë dhe do të kualifikoheshin mjaft të tjerë. Pjesa më e madhe e tyre ishin  nga Kosova, të cilët më pas shkuan në vendlindje, ku çelën shkolla në gjuhën amtare. Gjithashtu, ranë në sy puna e zelli i madh i  tij për çeljen dhe funksionimin e mjaft shkollave shqipe, në ish-qarkun e Beratit
            Megjithëse shërbeu drejtor për arsimin në atë qark, Sali Gjuka nuk u shkëput nga ngjarjet politike e shoqërore të kohës. Ai ishte ndër organizatorët e Kongresit të Lushnjës, përkrahu Revolucionin e Qershorit 1924 dhe masat demokratike të Qeverisë së Fan Nolit etj.
            Personaliteti i shquar Bajram Curri, duke njohur e çmuar lart veprën atdhetare dhe ndihmesën e Sali Gjukë Dukagjinit në fushën e arsimit dhe të shkollës  kombëtare shqipe, iu përgjigj kështu Fan Nolit, kur ky i kërkoi mendim për postin e ministrit të Arsimit, në Qeverinë Demokratike, që doli nga Revolucioni i Qershorit 1924:
          "Si unë vetë, ashtu dhe tërë kosovarët e çmojmë plotësisht rëndësinë që ka Ministria e Arsimit dhe prandaj kemi të mëdhe dëshirën që atë vend ta zejë një njeri kompetent, i zoti i punës dhe që të ketë dhënë prova në jetën e vet të sakrificave, që bëri populli ynë...Këto cilësi i gjejmë mjaft të shkëlqyeshme në personin e Sali Gjukës".
            Armiqtë e ndoqën hap pas hapi trimin luftëtar e të ditur, Sali Gjuka. Në vijim të përndjekjeve të mëparshme, në  vitin 1920 e intriguan për një faj, të cilin nuk e kishte kryer. Saliun e akuzuan se, gjoja, kishte marrë  pjesë në vrasjen e Abdyl Ypit. Për këtë aesye e dënuan 10 vjet burg, 4 nga të cilat i vuajti.
            Pas fitores së Revolucionit të Qershorit 1924, kur e liruan të pafajshëm nga burgu, S. Gjuka punoi  pak kohë drejtor i shkollës plotore të Beratit. Por e kuptonte se vuajtjet e shumta të jetës dhe sëmundja e tuberkulozit po e mposhtnin. Kështu, i mbylli sytë përgjithnjë në atë qytet, më 25 tetor 1925.
            Sali Gjukë Dukagjini është nderuar me titullin e lartë, “Mësues i Popullit”, me këtë motivacion: "Patriot i shquar dhe veprimtar i palodhur për përhapjen e arsimit e të mësimit të gjuhës shqipe; mësues i gjuhës shqipe në Normalen e Shkupit; pjesëmarrës në Kuvendin Kombatar të Vlorës për  shpalljen e Pavarësisë; drejtues dhe organizator i arsimit tonë kombëtar, në shtetin e pavarur shqiptar, në vitet 1912-1920".
            Fjalë vlerësimi e nderimi për të kanë thënë: Prof.dr. Aleksandër Xhuvani, Akademiku Aleks Buda e të tjerë. Me artikuj e studime, sidomos në vitet e fundit, gjithnjë e më tepër Sali Gjuka po bëhet i njohur në trojet shqiptare. Në vitin 1991, Dr. Muhamet Pirraku ribotoi në Prishtinë gramatikën e tij shqip-turqisht, të përkthyer në shqip dhe të pajisur me shënime e të paraprirë me një jetëshkrim të tij. Një shkollë e mesme në Urën Vajgurore të Beratit ka vite që mban emrin e nderuar të Sali Gjukës. Me jetën e tij, ai frymëzon breznitë e reja për t'iu përkushtuar sa më shumë Atdheut e diturisë.
            Në jetëshkrimin, që u botua kur ndërroi jetë Sali  Gjuka, u  thanë  dhe këto radhë profetike: "... Emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në mermerin e famës". Ndërsa një poet beratas , ka thurur edhe këto vargje domethënese, për Sali Gjukë Dukagjinin:  "Emri yt i ndritur, / balli i shkollës sonë,/ shikoje, moj Vlorë,/ Berat e Kosovë !".
            Festa madhështore e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, na bën të ndihemi krenarë për bij të tillë të shquar, si Sali Gjukë Dukagjini, të cilët, me pushkë e penë në dorë, ia përkushtuan jetën e tyre lirisë e përparimit të gjithanshëm të Atdheut tonë.

Tiranë, 4 nëntor 2012

 (Sali Gjuka, vizatim)

       
                                               

Dy shkrime të Sali Gjukë Dukagjinit:

                        PËR    ZHVILLIMIN  E ARSIMIT  NË  SHQIPËRI

           
Si çdo komb edhe shqiptarët ma të madhen randësi kanë me i dhanë degës së arsimit, se vetëm  këtu e shohin, duhet me e pa uzdajën e qytetnimit.
            Veç  me përparimin e arsimit mund të humbet o të tretet mjegulla e errësisë së verbueshme; kështu fitohet lumnia e shekullit qi ndohemi, ndryshe nuk shitohet kulshedra e padijes.
            Lirimi i Shqipnisë prej Turqisë ka me kjenë kobi i paditunisë.
            Sundimi shqiptar e vendoi që të çilet në çdo sundimtari nga një Normale përgatitore, në të cilat si nxanës do të pranohen ata  qi kanë këto kushte:
            a) Kush ta ketë krye së pakti shkollën ruzhdije o çdo shkollë qi asht baraz me te;
            b) Ata shqiptarë qi kanë kjenë kudo mësues;
            c) Kush s' asht me ndonji sëmundë të ngjitshme;
         ç) Ata qi s'i kanë shkue të tridhetë vieçët;
         d) Kush mundet  me dalë fitues në provimt' të së hymes.
            Pranimi i mësuesvet nuk  do të jetë nji me t'atyne qi s'janë rrye me këtë mjeshtëri të bekueme.
            Ata qi janë kjenë mësues nën rrogë të qeveries do të përgjigjen: pak këndim e shkrim; nji grimë nga gjeografia fillestare; mirë prej katër punëve të numërimit.
            Tjerët do të provohen: mirë nga katër punët e numërimit, prej numrit të coptueshëm; shkurtazi nga gjeografia e historia edhe prej shkrimit e këndimit.
            Sundimi ynë ka marrë parasysh të varfnit, prandej atyne qi u provohet skamja, kur mos t'jenë me shtëpi ku ndodhet Normalja, do t'u japë nga gjashtë mexhide në muej.
            Ministria e Arsimit i urdhnoi të gjithë sundimtarët qi të zanë nga nji shtëpi për shkollë Normale; t'i kryejnë të tana të mbetat.
            Pra, tashti detyra e madhe iu varet atdhetarëvet për me ia ngashnjye popullit arësimin, për me ia u tregue nevojën, dobien, shenjtnien e ditunien. Ata qi janë të zotët e mësimit, ata qi guxoin me thanë se jemi therorët e Shqypnies, le të mundohen për zgjimit të zogjëvet të saj.
            Vetëm me arsim munt ta shpëtoim Atdheun prej çdo shkelmit të mallkuet.
            Gjer mos ta hiekim ndryshkun e Turqisë, sa të kenë fuqie paria, qi kënaqet tyke thithë gjak në kurriz të gjindes shqyptare; gjer mos të mësohet njerëzia qi asht për t'u adhurue gja, përveç nomit; deri të dihet ma e madhja nderë, vdeka për të bamet të detyrës; sa mos ta dimë qi trimnia asht urtësia e se theroria asht vdekë në luftë tu i dhanë pat zyrtari, s'munt të bahet as njana prej atyne qi dishrohen. Këto nevojë na i tregon prova, do të na i mësojë arsësimi me rreze driatare të saj.
            Kush e do jetimin (jetesën,-shënimi im,-M.G. ) e Shqyptaries, të vrapojë e të hyjë në këtë ushtrie për me luftue me padijen.
            Rrnofshin ata fatbardhë, qi do të bahen mësues në Abnie të lirë!
                                                                                                                                    S.Gj.D.
  
            ( Sali Gjukë Dukagjini,në gazetën " Përlindj' e Shqypnies ", botim  i
                                       Qeverisë Kombëtare, Viti I, Vlorë, 24/6, gusht 1913)

                                   
                       RROTULL  DËSHIRIT  KOMBËTAR

“Ballkani asht për gjinden e tie; çdo komb Evropas ka te drejtë me e sundue vetë-veten”
           
Shumitsa e dijetarëvet t' Evropës, ma të teprit e shkrimtarëvet të drejtësisë ndërkombëtare kienë tue thirrë e thanë, se Ballkani asht për gjinden e tie, çdo komb Evropas ka të dreitë me  e  sundue vetë-veten. N'atë kohë të mnershme ankimet, vaitimet e Bullgarëve e të Grekëve ishin tue u ndie deri në kupë të qiellit. Atë herë Bullgarët kienë tue u thirrë, tu' u pre fyta-fytaz, tue u vra kamba në dorë, me tradhtarë të tyne, me grekë e me ushtrien Turke.
             Si Bullgarët  ashtu edhe Grekët ishin tue liftue e u përpiekshin me mish e me shpirt për me ia këputë shtatit Turk Maqedonien, d.m.th. qafën. Atë herë Shqypnia s'ish tue tregue gjallnie per vete, kie tue ndejë si mos me kienë; zani i saj kie ngurrue e s'u ndiete ku; ishim si mos zot ma keq, po si nji bulk qi pranon çfarë do zotnie e kuiton se asht le, ka kienë e duhet me rrnue gjithmonë në robni.
            Shqypnia kie tue u njoftë si nji vend i shkretë me nierëz të pa veshë e të pa gojë; prandej ish tu' u bisedue se si me u pjestue ndermjet fuqivet e qysh me na farue prej jetet. N'atë kohë të terqethshme, të parët e qeveries me ç'do mënyrë  e fuqie marriet të tyne u ndimoishin anmiqe ,tue na e pre giuhën, tue na i mshelë shkollat, tue na i dënue e dëbue të ritë; tue dërgue metropolit  serbi në Dibrë, tue shpifë ngatrrime fetare. Fletoret e kombit sundues, të tanë të këndueshmit shqyptarë i paraqitshin si të pa fe, italian, austriak e të padishmit: t' egrë e të flliqët; por mos të harroim se vet ishin të pa besë e gjith qysh me nder ne. Shpirti i tyne dote me kienë sundues, ata nuk kienë anmiqët e gjuhës, të flamurit e të dijetarëvet të vetë, pra sallde kah kto pika kienë ma fisnikë se na!
            Shqypnia kie si sod me plagë faruese e me krymba helmuese; po me shkolla të huja e me vese tradhtare.
            Qeveria zyrtarisht e shtrengote shqyptarin orthodoks me u njoftë grek, katolikun e dite latin; kështu pra ajo dote me na fshie prej faqes së dheut. Na me e pasë hupë giuhën, patëm me u njoftë të pa asnjë të dreitë, kreit si muhamedanët e Maqedonies.
             Dikur qeveria i pat njoftë për shqyptarë do faqezie të pa shokë, si: Arif Hiqmetin e Kumanovës e Sulejman Amborien e Korçës. Njeni prei tyne e thjeu qafën prei kalit në rangë të Serbies, tu u mundue me e prishë e me e poshtnue  Atdhenë, tietri ditë për ditë po i lutet Evropës për me lanë Grekien në Shqypnie. Ah, i mjeri sy verbti shqyptar edhe sod po i parapëlqen njato farë këshillime fikashpijet e të njasi farë nierëzve.
                                                                                                                        S.G.D.
                                 (Sali Gjukë Dukagjini, gaz. "Populli", nr.41, e                                                    mërkurë, 
                                                        28 prill 1915 ,faqe 4 )

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...