2013-04-09

(Tempulli) : Poemë-baladë kontemporane - Adem e Hamzë Jasharit… dhe të tjerëve të Epokës së Nderit

Flm z. Bruqi, thone fotot flasin aq shume gjithmone, sa "njemije fjale" secila, gjithmone vlen ajo formula 1F=1000F, shume bukur dhe "noble" eshte ta rikujtojme historine e lavdishme, ta mbajme te fresket kujtimin per ata qe dhane ate me te skajshmen ne altarin e nderit, per sakrificat dhe ne pergjithesi, pervuajtjen e nje populli te tere... - une po ju pershendes me nje poeme hedhur ne leter nga une copeza-copeza dikur, ne v 1999, titulluar EPOKA E NDERIT 
poema "fizikisht" eshte publikuar ne vellimin e revistes evropiane "Hamus", me 2004 (ka aty ne Haemus menjehere pas poemes dhe nje pasthenie prej 2-3 faqesh si tribut per frymen e flijimit te deshmoreve, ne nderim te Agim Ramadanit... por nuk e kam tani te shtypur si tekst elektronik, mbase eshte diku ne ndonje dosje por s'e kam gjetur dot)

(poema qe ripergatitur me 2007 si dic "ab honores" per nje konkurs letrar ne Zvicer, ku u nderua atehere me cmimin e pare, "Agim Ramadani 2007")

Lidhur me poemen Dr. Agron Tufa dikur qe shprehur, nder te tjera:
"Peisazhet psikologjike të intimës së Guraziut janë raportet e tradura të përjetimeve direkte e diskrete me mahninë e së bukurës ... // ...që modelojnë embrionet estetike të botërave të ardhme (mixha Tush tek poezia "Fshihu pas trupit") apo apokalipsisi kolektiv i tragjikës nacionale me zhaurimën mortore të kasphanës serbe mbi popullatën e Kosovës.
Me që ra fjala, cikli i Kosovës, edhe pse i shkruar si ditar shokues meditativ gjatë kohës së spastrimit masiv të shqiptarëve, qëndron krejtësisht unik me ligjërimin e ngjeshur e të pandashëm të intonacionit, si një ligjërim në makth, në trans, çka e afron me "përroin psiqik
".

ne poemen mund te kihet qasje ne faqen personale Ars Poetica (por po provoj dhe ta atashoj ketu, mbase nuk coroditet renditja, ja... te shohim)

http://www.letrat.eu/alfa-sg_arspo_fp.php?id=12

perzemersisht,
sguraziu

Epoka e Nderit
S. Guraziu 





















(Tempulli) 

Poemë-baladë kontemporane - Adem e Hamzë Jasharit… dhe të tjerëve të Epokës së Nderit

I 
Ballkan, veshkë e sëmurë Evrope
damarët e tu ngjizur në gjak
portë e pasme ku këlyshë lëpijnë eshtrat 
backdoor1 a la wild-wild west2
nga porta-flutur dritat t'i marrin sytë 
ndërsa nga pas thikën në sy, tytën në gojë 
se nuk sheh Evropë kopshtin tënd në errësirë 
më pak vlerë paska kjo skutë për një llamburiçkë
se sa tualetët e tu – keramikë muzeumeve të Indisë
aso ku uleshin zonjat e diplomatëve 
të Londrës, të Berlinit, Moskës, Parisit
tash të paprekshmit3 shohin në tualetët e tu, 
Evropë futuristikën e nevojtoreve të tyre publike
ditën kur të rilinden pa etiketa "të paprekshëm" 
presin frymimin kur do t'jenë me nder: të prekshëm
jo të njollosur, të vulosur - e si ta dinin,
as ëndërruar nuk kanë për flush-teknikat 
pastaj për krenarinë e urinimit në porcelan 
shkumbëzim, mbase avullim i bardhë 
e njerëzit (ah, njerëzit…!) dhe ndër këta njerëzit
të paprekshmit, më të ulëtit 4 bhangi5
flitet se ndër bhangi-t gjeneralët-fëmijë 
njëjtë, lëshojnë brekushet në lojën e tyre ushtarake
tatata-trrrrrrrr… të vrava bhangi i vogël 
se kam pushkën më të mirë, më i zoti jam
si ata që bënë historinë e turpshme 
dy-treqind vjet pas keramikës lule-lule 
pothuaj kualitet porcelani kinez, 
ngrohur nga bythët-fildish të zonjave
a nuk është ironike (vallë) tash tualetët e tu
vezullojnë muzeumeve të tyre, Evropë 
e ti nuk brengosesh çfarë do shëndrisë këtu 
ndonjëherë… në kopshtin tënd wild-wild east 
kthyer në karabahçe6 – harruar!

II
Një mençurak do të klithë - ngrini një Tempull, mungon Tempulli, duhet një Tempull për Perëndinë, pastaj punët shkojnë më mbarë! Dikush ia kthen (bërtet) - ne kemi një të tillë me shekuj, e kemi pasur gjithmonë këtu në zemrën e tokës sonë, s’na duhet monument përpjetë si ndonjë raketë, asnjë shenjë, as gur, shtatore, lapidar as fanar!

III
…Tempulli është ngritur pra, shihni
mbi pullazët e argjendtë si pushojnë
balada, gojëdhëna, mite si frymojnë 
I veshur në ar dhe legjenda, i bekuar
ndër kohëra e mbretëri, për t'mbetur
përrallor sikur nga kristale, i kulluar 
Nga aty do t'ushqehe(n)shin ëndrrat
nga aty do t'mprehe(n)shin vizionet
nga aty do t'rendite(n)shin legjionet 
Nga aty do t'dridhet-j mali i lindjes
nga aty do t'merr-te dritë ylli i ditës
nga aty do t'shuhet-j plagë e grigjës

(Ndër) më të krisur, prej besëlidhjes
disa patri(k)otë me taka, pëshpëritet
si çdo mëngjes trazuakan mallkimet 

...dhe ja, dëgjoni vajtimet, thirravajet
qaramanët, qaralaqët, qyqet me zë
thonë nuk ka kitara,
harpa tel për ta,
këngëzim s’e quajnë,
poezi hëpërhë
e Tempulli frymon rëndë
peshon rëndë
rrënjëzon
ka rrënjët thellë, të forta
përthekon fuqishëm
zemrën e tokës
lëshon hije
(është hijerëndë)
në tokën e zgjedhur
thuaj, ku s’ishin
(s’janë) të huaj
ata, ti, unë
gjithsecili
frymor

IV
frymon
gjallëron,
rritet, merr frymë
beson në frymën e vet të djeshme, të sotme
beson në frymën e kësaj toke, 
lutet për frymën e tokës së vet, të huaj
përreth çdo tokë jep e merr me tokën e bekuar, 
me tokën e "zgjedhur" - palca tokësore
kthehet në djep ku bëhet gjumi i parë i rritës (egoiste), 
sepse çdo rritje qenka një lloj egoizmi i natyrshëm qelizor, 
që nga fryma e parë, shkëputja e parë e qelizave
lidhet me frymën e “djepit”, me synimin: 
për t'u bërë djep i ëndrrave – prapë
çdo ëndërr shkrihet, bashkëdyzohet në secilën kimi 
në secilën formulë organikisht dhe inorganikisht 
shihni: ”mashtrohen” dhe vetë akademitë
legjenda pëson metamorfozë, bëhet shkencë, 
nga akademikë-alkimistë, në ëndërr kombi… 
simbol ngulur pingul në qiell, ngrehur përpjetë, 
monolit, i ngjan atij në Washington, si kunj modern
asgjë nuk ec mbarë pa të – me të bekohen prijësit e mëdhenj, 
ata të bekuar bëhen të fisnikruar, të urtë misionarët
se kunji është vetë shtylla kurrizore e Tempullit 
si tragjedia që nis në epiqendër të legjendës 
ku shëtisin duarlidhur… ndër mëngët, magjistarë 
vullkanoidë urtakë me mjekrra, me xharre… pelerina 
përkëdhelin mjekrrat me butësi shekullore; 
të egra, të zeza, herë të thinjura, 
herë valë-valë valëzuar (aspak si të Gandalf 7)
mërmërisin pandërprerë diç, sytë përdhe 
nën xharret e zezë-korb rituale me shekuj të gjatë
aq shumë ujë i shenjtë spërkatur ndër foshnjet
aq shumë lutjesh e formulash pëshpëritur, 
dritë dhe kripë e ngjyer, bukë e thyer
plleshmëri e kësaj toke për fëmijët e Perëndisë
edhe gjeneralët pelegrinë të Tempullit 
e njohin aromën e ujit në ballin prej foshnjeje
(madje flitet tinëzisht se qenkan lazdruar si tepër)
edhe ata çdo të dielë janë frymëzuar 
nga predikimet e misionarëve, janë magjepsur
janë bekuar për bukën dhe kripën
janë rritur nga drita e uji, nga buka dhe kripa, 
sa nuk rritet më shumë njeriu!

V 
Drenicë, ti nuk je legjenda e Atlantidës
e gjallë je më pavdeksisht se kurrë, 
e vogël si zemër pulson në një trup të sëmurë, 
ti nuk ke faj; se asht… të Ballkanit, mish e lëkurë 
baladat i rëndojnë, ngjeshur rëndë si topuzë 
hijet e kreshnikëve, të bajlozëve ndër mote dhe shekuj
parazitojnë, e kotë të perëndojnë, të shkojnë
ushtri të panumërta parakalojnë, debutojnë 
marshojnë nga (dhe për në) të gjitha anët
me gjasë këtu kryqëzohen gjitha rrugët e rruzullit 
por, mos vallë për ty çdo rrugë qenka e mbyllur
një gjeneral me ushanka8 të zezë pati thënë kështu
apo, ishte thjesht krekosje për një tjetër të sojit 
ardhur nga Azia, ky me tubeteika9 të kuqe - 
ranë në dyluftim - shkas: kokëfortësia
kush na paska vallë përparësi 
në udhëkryqin më të çoroditur të planetit
pa semaforë të asnjë mbreti, pa drita të asnjë mileti
të tjerët nuk shihnin, nuk dëgjonin, 
edhe më vonë shtireshin se s'kanë sy dhe veshë
Avrupa “bënte plane” të përtej-oqeaneve
të nënshtronte ata me tomahawk10, me bumerang11
ashtu dy kontinente pushtohen, shumë ishuj e thesare 
pse t'mos lësh në mjerim një karabahçe
s'ke kohë të humbasësh me pashallëqe 
të shesësh trimëri me nizamë, me kapedanë 
ata nuk besojnë në zbulues botësh, asnjë sulltan 
në kolumbianë - fat i mirë pra – se ndryshe keq 
t'iu tekej osmanlinjve të shtiren ameriganë 
mrekulli që nuk dinë, nuk janë –
përtej oqeanit lëkurëkuqtë në wigwam12
më tutje engjëjt aborigjinë australianë
ngrini vetëm pak sytë ju të verbër evropianë 
dilni nga kjo errësirë mesjete, mprehni ëndrrat
nisni veloret; çfarë pret ti kokëmadhi Amerigo
mos shiko asnjë sulltan, mos u huto… 
më mirë çajë detin injoro ethet aziatike, koshmaret ballkanike
zjarrin ndër veshkë të nënës Evropë 
se një veshkë nuk është zemër (bënë dhe pa një) 
brengat fundosi mes gjinjsh të zonjave 
kur të pudrosen tualeteve të Berlinit, Vjenës 
mos ki dert, me pak diplomaci ato ia dalin 
(për një vezir do bëjnë punë buzëqeshjet e sisëbardhave,
parfumet e shtrenjta, muzikat e salloneve) 
dhe ushtritë e sulltanëve thjesht do mrizojnë 
aty ku janë… në Ballkan!

VI 
Dhe ja… tash Evropë, prapë si dikur
zhurmë e trishtë, llahtari, klithma nga një skaj në tjetrin,
vaje rrënqethëse nga zemra e tokës, miliona dridhje, 
miliona shkundje e lëkundje baltës rrahur nga lloj-lloj thundrash, 
miliona eho, miliona gjëmime përvidhen damareve
nëpër mote e motmote barten, tërhiqen, rrëshqasin
në këtë fundshekull, si në tobogan13
shpalosje e një turpi të ri – njollosur, 
faqepërlyer histori, justifikuar nga neo-gjeneralë
ushanka gjithfarëngjyrëshe, hije fantazmash
bekuar nga fustanellëzinj të kërleshur
në emër të Tempullit, të populizmit të verbër
mobilizohuni, le të trazohen shpirtrat, eshtrat 
le të kthehen në hi e pluhur – dhe shih
një agshol i vetëm i nxjerrë bojën një shekulli
ngopur përbuzje, nëpërkëmbje, ngopur grykësi
athua vallë dikush (me bekimin e Perëndisë) lindka
për të djegur, për të kthyer çdo gjë në pluhur…14
shih Evropë e verbër si vriten fëmijët e tu 
më parë një Srebrenicë-masakër u desh të bindesh 
monument tmerri, si portë e turpit (ndoshta stargate)
të pasosh, të hysh në mijëvjeçarin e ri 
madje dhe talleshin me gjeneralët e tu, Evropë
ke parë fort mirë ata, ke ndier në lëkurë 
njëjtë pelegrinë të tempullit, dikur
prisnin frazat e bekimit, foshnje njësoj të padjallëzuar, 
engjëj të kësaj bote, me gishtin e madh të thithur
me shkëlqimin e larë nga lot-kristali në sytë 
kërthizëlidhur (mbase) nyjëzuar ngutazi 
kromozom i vulosur për një foton drite
për një tik-tak të kohës së çalë ballkanike
tash të largët, të verbër, të humbur në errësirë
kushedi sa shekuj verbëri, sa shekuj mugëtirë
me ftohtësi Karpatesh në bebzë, akull Siberie
të falur, të dhuruar, të huazuar, të vjedhur e të gjetur,
të blerë, të stërblerë, të shitur, të stërshitur
si robër djajsh

VII
Evropë, përtej oqeanit askush s'të fali kulaç 
as seminollë, as apaçë s'të fali kush një pëllëmbë
e pra, edhe në Ballkan tokat zotër kanë;
“e kujt është Ilirida” - u kollit një burrë në Prekaz
i vuri diellin verbërisë shekullore, si me lloz ndali për një çast
gjithçka ndali - vetë historinë tënde, Evropë
do të tretem, të shkrihem… nëse jam borxh e kam
e ti barbar pretendo të më zbrampsësh, 
provo të bësh turpin e shekullit, 
unë isha dhe jam - mbes gjithmonë i gjallë
eshtrat ilirikë fosilizohen në kristal 
s'duhen shkenca as akademi për t'i parë 
frymojnë frymën e të parëve, nderin e baballarëve 
a nuk është ironike ti shtypës, thundërzi gjakatar i un-it tim, 
ti shpirtzi tankset, topat e tu qysh në uzinat “bekuar”
nga misionarët spërkatur me hijeshi, fort mirë besa, 
sa mrekulli ndërsa grykëhollën time paskan “mallkuar”
sa të çuditshëm shërbëtorë perëndie, ata sojlinj!
Dhe shih muret e kullave - kanavac qëndrese 
façadat e kësaj dite art i kulluar janë, barbar
e sheh pra - art i brushave të Diellit mëngjesor, i kësaj përflakjeje 
art i rilindjes, i qëndresës, i besës dhënë nënëlokes 
për qumështin, për djepin, për ninulën… për tokën
ku kam lindur dhe do mbroj nderin të shuhem -
besë qe e njeh gjithë bota, gjithë kontinentet
anembanë të gjithë mbretërit, e ti barbar s'deshe
por do ta njohësh sot, të betohem në këtë ditëbardhë 
të mëdhenj e të vegjël do i kesh 
si për t'u bindur se ç'rrisin djepat shqiptarë; 
ke parë çerdhe shqiponjash ndonjëherë, barbar?
Do i shohësh sot… ja Mic Sokolat nëpër istikame 
gjithkah do i kesh, besëlidhur mes këngësh, mes zjarresh, 
mes tytash, me dhëmbë plumbat t'i ndalin, flijohen
bëhen një me dheun, prapë i mprehtë është, 
vigjëlim shqipesh është, frëngjive shekullore në logje mejdani, 
në fushëbetejë kolona cep më cep Iliridës, krenari arbërore – 
dhe dëgjo, ti vrasës karpatesh, dëgjo,
do kthehem në çelik sot, do shkrijë shkëmb
të të përpijë toka, të të dridhet nën këmbë 
xhamadanin do bëjë parzmore titaniumi, 
dhëmbët plumba argjendi, projektilë termosenzorë 
ndoshta, të të ndjekin për majëtyte 
të të ngulen në bebzë, as dhe një t'mos shkojë huq
vargonjtë do i këpus copë-copë njëherë e përgjithmonë!

VIII
Eh, ju mjeranë, ju vrastarë, si nuk e shihni fundin
në zezonën tuaj – të turpit mercenarë
në ballë me thika ravijëzuar reliktet e urrejtjes,
çdo bëni tash? Do hidhni puseve viktimat
në sytë e fëmijëve shashtisur (s'ka se si)
hijet e tmerrit nuk duken ndryshe, nuk shihen ndryshe
ata që masakrojnë pleq e fëmijë – krijesa të trishta
kërcejnë n'lumin e zi-katran, si alien-ë të Gigerit15
të çartur, sypëlcitur nga gjaku - humnerave
të gjejnë rrugët e ikjes; lemeri të dështuarish,
me nofkë o pa emër, tatuazh i mërdhezur 
gjetur metropoleve, mjerim pijanecësh
skutave më të ndyera të Lindjes, gjer në Siberi
për t'varguar fallangat, legjionet e zeza, 
hordhitë mizore – ja si hanë dhe misht' e vet
në emër (ndoshta) të mbijetimit kanibalistik
lloj-lloj njësitesh shfarosëse, “tigra” arkanoidë 
beret'kuqë-komando… - për çfarë “dorë e zezë” 
foshnjet t'i masakrosh, të luash crematoria? 
Tash nuk ke kohë as bishtin të ulësh, ork i ndyer
gjaku në alkohol kumbullash kthyer 
të kapërcesh kufomat e prishura prej kohësh,
hendeqeve, gropave - viktima të pafajshme, 
pleq, gra, fëmijë… këputur me dorën tënde mpirë
gjilpërash narkotike, sterilizuar në flakët e nëntokes 
të gjesh e të mbledhësh gjymtyrët tua tash 
për të fshehur pasionin apokaliptik
pas bishtit të atij që të solli, shtatë palë brirësh, 
shtatë herë përdredhur; të strukesh thellë bishë 
jazbinave më të errëta të ferrit, si gjakpirës
të arrish në tokën tënde i ndyer, i dërguar, i paguar 
për të ngordhur, për t'u shuar e, çuditërisht i gjallë
kthehesh!

IX 
Për të tjerët, të paemër legjionarë 
koshmaret vazhdojnë të quhen koshmarë;
ditë-netët mbesin skëterrë 
atje ndër strofka hijenash lebetitëse;
pluhuri shkundet nga fytyrat, uniformat
ndërsa gjaku, njollat e kuqe… nuk lahen lehtë,
asnjë ujë s'i pastron, sikur as mëkatet;
themelet e Tempullit i gërryen gjaku,
asnjë ngrehinë gënjeshtrash s'qëndron dot;
misionarët të groposur (verbëri urithësh)
me shputat e ndyera si të hijenave-totemë
gërvishtin luspat e pafajsisë së tyre,
zombi-statujat e zeza oborreve të turpit
duhet bërë ballë shigjetat e dritës, shtizat e së vërtetës
tek ngulen palcës që mban lidhur të ligat e shekujve,
frymimin e plogshtë të gjallimit, një milion shpifjesh ugurzeza, 
në agoni të kullufiten në një fund nga një e vërtetë e vetme - 
se kjo tokë e shkelur paska zot!

X
Në këtë fundshekull të përgjakur,
në këtë prag-shekull të shpresës
Tempulli akoma ushqehet me mitet, 
me gënjeshtrat, me përrallat dhe legjendat
ruan grahmën fisnike, frymën e vet stolisur 
me kurorën e gjembave - kurorë për kokën 
e zgjedhur me kokallë në zemrën e tokës së rrallë – 
shpallur djep i shenjtë i kombit 
djep zbukuruar me një milion emblema, relikte 
dhe me (vetëm) një sekret, një të vërtetë mykur 
në fshehje errësirës së katakombeve, labirinteve 
atje ku misionarët prapë përkëdhelin mjekrrat butësisht, 
luten, mishërohen, e trurët kriposen devotshëm 
për të verbërit e mileniumit të ri!

APPENDIX 

Lutja për Ballkanin!

O Zot i Gjithëfuqishëm! Ne të lutemi para fronit hyjnor të na mëshirosh për bëmat tona; mëshirë për shkatërrimin kaq të madh të jetës, për gjakun që është derdhur në Ballkan, fëmijët që kthehen në jetimë, nënat që humbasin të dashurit djem, djemtë që kanë humbur etrit e tyre, qytetet që janë shkatërruar, shumë zemra që janë mbytur në gjak, shumë lotë që janë derdhur dhe shumë shpirtra që janë trazuar! O Zot! Ki mëshirë! Shuaj këtë frymim lufte, këtë flakë që gllabëron çdo gjë, këtë rrezik, këtë ngrysje-errësirë, nga faqja e tokës. Afro së bashku këto zemra. Le të ndriçojë dielli i së vërtetës mbi të të gjithë. O Zot! Kjo botë është në errësirë. Na udhëzo, na prij drejt një shkëlqimi drite; horizontet janë të zymtë nga retë e luftës. Shpërndaj këto re të papërshkueshme për ne. Na fal shenjtërinë dhe qetësinë; zhduk këto grindje, ngatërresa; mbush dritë horizontin e jetës, kështu që dielli i besnikërisë së vërtetë të shëndris me rrezet e tij. Le të ndriçohen këto zemra të errëta, le të shohin këta sy të verbër, le t'iu falet këtyre veshëve të shurdhër dëgjimi. O Zot! Mundëso që drejtësia hyjnore të shfaqet në këtë botë. Përbashko këta njerëz në festën ndërkombëtare të paqes, që të mund ta gëzojnë jetën me një dashuri të thellë. Le të përqafohen gjithë popujt dhe besimet me frymën e mirësisë universale, dhe le të harrohet urrejtja. O Zot! Vendos këtë qeverisje të drejtë që të arrihet paqja, le të ruajë sipri nëse nuk arrihen pajtimet në Ballkan. Le të ndriçojë drita e dashurisë dhe flaka tutje t'mos njolloset. O Zot! I Gjithëfuqishmi, Ti Gjithëmëshiruesi…

Abdu'l-Baha Publikuar në “The Christian Commonwealth” më 1 janar 1913, f.262-3 
Përktheu: S. Guraziu

1, 2 – derë e pasme e një restoranti (Saloon) në stilin e Perëndimit të Egër - America's Wild West
3 – të paprekshmit: Dalitët, pjesëtarë të kastës më të ulët në shoqërinë indiane (Indi) 
4 – untouchables = të paprekshmit (Dalitët) 
5 – Bhangi – personat në rangun më të ulët të Dalitëve që kryejnë punët më të “vështira”, të cilat punë konsiderohen të ulëta. Bhangi-t të ashtuquajtur “pastrues”, por në fakt kujdesen (shin) për nyjet sanitare publike (tualetë publik pa ujë dhe në kushte të rënda higjienike).
6 – karabahçe ~ (përafërsisht) = kopsht i zi, i errët
7 – Gandalf – një karakter fiktiv në veprat e zhanrit të fantazisë të J. R. R. Tolkien, ku ai shfaqet si një magjistar në “Hobbit” dhe në “The Lord of the Rings”, më vonë luan një rol të rëndësishëm në Luftën që përshkruhet në librat “War of the Rings”. J. R. R. Tolkien (John Ronald Reuel Tolkien) - Lindur: 3 janar1892, Bloemfontein, Afrikë e Jugut - Vdiq më 2 shtator 1973, në Bournemouth, Angli - Shkrimtar, akademik, filologjist - Magnum opus: The Lord of the Rings (Oxford Source: J. R. R. Tolkien: A Biography, by Humphrey Carpenter)
8, 9 – lloje kapelash ruse
10 – tomahawk – një lloj sëpate që përdorej nga indianët autoktonë të Amerikës (përdorej edhe si armë lufte).
11 – bumerang – iu përshkruhet aborigjinëve të Australisë, objekt i drunjtë i lakuar, përdoret për shumëçka; një lloj përdoret edhe si armë, nëse hedhet si duhet ai në lakoren e vet të rrugëtimit, kthehet në pikën e nisjes.
12 – wigwam – një lloj kolibe në formë kupole që përdorej nga fiset gjysmë-nomade të indianëve të Amerikës 
13 – toboggan – fjalë me prejardhje nga një fis autokton kanadez; sajë që përdoret nga fëmijët (si rekreacion) por dhe për tërheqje nga të rriturit 
14 – autori aludon në vargjet e kriminelit të luftës, Radovan Karaxhiq
15 – H. R. Giger – piktor, skulptor, dizajner, arkitekt interieri; surrealist zviceran, ideator i formës jetësore të trishtë (fantazi tmerruese) në filmin e mirënjohur klasik të zhanrit fantastik “Alien”, për çka mori çmimin Oscar në vitin 1980. Në natyrën e veprave të tij si fondamentale merret Estetika Biomekanike, një dialekt mes njeriut dhe produkteve makinale, duke prezantuar një univers në vetvete, paralelisht tmerrues dhe sublim.

S. Guraziu, 1999

Përgatitur për konkursin për poezi e pikturë, “Me Agim Ramadanin, 2007”, prill 2007.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...