(Vallë, mund të burgoset ndjenja në "bërthamat" e fjalëve, apo secila fjalë duhet të jetë e ëmbël rreth e rrotull zemrës së vet, e sheqerosur, e ëmbëlsuar bërthamje... si ndonjë fjalë-qershizë?)
S. Guraziu
Mos hamendëso, s'janë "lot krokodili"
fjalët e mia sot, por as lotësh të hidhur,
kristalesh fals, bërthamash të ndulkura,
as fjalë zemërbrydhur - si një qaralaç,
bohorritje, ky vajtim i shurdhër gjoja,
një ujvarë e bruztë pa asnjë lot, ehuuu
si bohorriten burrat... pa ndalë, si shiu
brerojnë ashtu imtësisht, një jetë
fjalësh pa zemra, imcake, lot-pikash
të pakuptimta, një Amazon e shterrojnë,
një Mississippi "mbrapsht" e kthejnë...
andej kah rrjedha e dhimbjes - dhe shih,
prapë buzëqeshin ëmbël, por s'ia dalin
dy fjalë t'i lidhin dot, t'i zbusin si frymë,
si pëshpërimë, lëvizje buzësh, "whisper"
skaj laprës së ngrohtë, vetëm dy fjalë
të "zakonshme, të lodhura nga e thëna,
që nga të vjetra të reja"* do ishin për ty,
dy fjalë që të bindin, vetëm dy sosh
që fashitin secilën dhimbje në zemër,
që vulosin vetë vulën e ndjenjës tënde,
dy fjalë si fryma jote... dhe ti të besosh!
* shprehje e huazuar, varg-segment... nga një vjershë e Alfonsina Storni
No comments:
Post a Comment