From: "letrat1@yahoo.com" <letrat1@yahoo.com>
To: floribruqi@yahoo.com
Sent: Monday, 8 April 2013, 21:17
Subject: Yves M. Chenneviere (disa poezi te perkth.) dhe Vaso Papaj (poezi)
To: floribruqi@yahoo.com
Sent: Monday, 8 April 2013, 21:17
Subject: Yves M. Chenneviere (disa poezi te perkth.) dhe Vaso Papaj (poezi)
Yves M. Chenneviere (disa poezi te perkth.) dhe Vaso Papaj (poezi)
Vaso Papaj
Vaso Papaj
(z. V. Papaj së bashku me "urimet me te perzemerta" na i përcjellë dhe "pershendetjet me te perzemerta" me dy poezi... qe do te perfshihen ne vellimin i cili del se shpejti, "Koncert nen "narkoze"")
SHI I SHPIRTIT TIM
Shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga…
Zbutmë plagët,
Plagët e përgjakura të mundit,
Mos i lerë të zenë merimanga.
Miku im i mirë,
Shi plot hir.
Shuama grahmën e dhembjes.
Freskomë qelizat e mendjes.
Të mos rend kuturu.
Ngreje vetullën tënde,
Ylberin,
Ja, kështu:
Bashkoja kreun dhe fundin,
Mirësinë dhe mëshirën…
Shi i shpirtit tim,
Për mua,
Bëje më të mirën!
Se je shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga.
M’i zbut plagët,
Mos të kem më danga…
AUGUSTIN
Agustin!
Katër mure, mik me hiçin, në një odë me lagështinë,
Bora hesht, bora rëndon, mbi pullaz zgërlaq çatinë.
Nga poshtë dheu e rrëmben, po e çon nëpër rrëpinë,
Agustin.
Agustin!
Një e çarë aty në mur, nga lart poshtë si zhgarravinë,
Muri pis, si dërrasë e zezë dhe ti vetëm psherëtin,
Por mbi kryq Krisht i gozhduar sikur të largon vetminë,
Agustin.
Agustin!
Sonte ma rrëmbeve gjumin, ma afrove Perëndinë,
Që kur the me sy të shuar: e lashë shkollën, malet nxinë,
Qiellin e kapa me duar, gozhdët duke i kërkuar, shpalla zinë,
Agustin.
Agustin!
Pse në fshat rri i gozhduar, je bërë Krisht në Dukagjin.
Nga kush fort je i ngujuar, librat kush t’i ka larguar, dashurinë?
Veç trumcakë sot cicërijnë, ngrirë e tharë përmbi qershinë,
Agustin.
Agustin!
Në folè, në atë shpat mali, qen i vetëm, i harruar, angullin.
Çantën sheh me sytë e shkruar, në gozhdë varur, Krishtin fqinjë,
Gozhdë, që kurrë nuk u mbaruan, duar shpuan, zemra ngrinë,
Agustin.
- - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - - -
Yves M. Chenneviere - Miku i mirë i shqiptarëve
(Poezi - Përkthyer nga: Luan Rama)
TRAKTAT ANATOMIE
* * *
Vdes
dhe lind
dhe vdes
kujtesa,
palimpsest i koduar i tregimit themeltar,
i mundshëm për shpikësit e enigmës-nënë,
vdes dhe lind dhe vdes
kujtesa e lindur;
* * *
Kush vallë e vrau nënën time
me një plumb pas zverkut?
kush do ma thotë
kush do dojë të ma thotë
kush do dijë të ma thotë?
vështroj tokën
detin dhe qiellin,
vështroj të gjallët
të cilët nuk më shohin,
vështroj qentë
që nuk më lëpijnë,
vështroj ujqit
që nuk më kafshojnë,
vështroj ushtarët
që nuk më therin,
marr frymë ajrin e vakët,
marr frymë erën e thatë,
ndjej aromën e algave,
aromën e gjetheve,
prek gurët ngrohtë
prek pellgjet e ujit;
prek gurët e ngrohtë
prek gëmushat,
prek duart e rreshkura,
prek fytyrat,
askush nuk më përgjigjet,
askush nuk i përgjigjet pyetjes time të vetme:
kush pra e ka vrarë nënën time
me një plumb pas zverkut?
* * *
Kuajt e plagosur të mercenarëve fitimtarë
kalorësit e tyre harrojnë përgjumur mbi shalë,
duke humbur pjerrinave larg nga ushtria
me thundrat që u zhyten në baltën e gërxheve,
largohen nga fusha ku lufta bën kërdinë;
* * *
Një gri e shurdhët qielli,
gri e flokëve të prera,
e syve të lodhur nga vështrimi i tmerrit,
e duarve prej meiti
e këmbëve të gjymtuara,
e barqeve sterile, të kënaqura që janë ashtu,
e buzëqeshjeve të ndaluara,
e gojëve të hidhta,
e xhesteve vrasëse, të pamundura,
e mendimeve dështake që vdesin para se të lindin,
e ëndrave-fetus në embrion
një gri e shurdhët e qiellit,
gri e kohës për të jetuar;
* * *
Në sytë e fëmijës që vdes
është forma e fytyrave që ai nuk do i shohë,
janë trajtat e rrugëve që nuk do t’i ndjekë,
ngjyra e detrave që nuk do përshkojë,
shija e aventurave që s’do guxojë t’i nisë;
mbi buzët e fëmijës që po vdes
është ekoja e fjalëve që nuk do t’i thotë,
gjurma e ëndrave që nuk do përjetojë,
afshi i puthjeve që nuk do t’i japë
kujtimi i një jete që nuk do ta jetojë;
* * *
Ajo vjen,
a do të di vallë ta pres?
ajo përzë dritën e syve
ngrin buzëqeshjen mbi buzë
vendos tiparet dhe rrudhat
fytyrën dhe duart bën mavi
ngrin gjakun në vena
mishin e bën të akullt
than lëkurën
shterr lotët
mbyt të qeshurën në grykë
shuan ngrohtësinë
ngërç dëshirën
ajo do më privojë nga ngrohtësia jote
do më ndalojë të prek trupin tënd
do më ndajë nga ty
do më ndajë nga bota
dhe do më marrë me vete
përgjithnjë,
ajo vjen
a do të di vallë ta pres atë?
MISHËRIM FIKTIV
* * *
Në ndarjen e syve
bëhet ndarja e trupave,
te ty që vështroj
te ty që admiroj
pritja nis qetësinë,
kënga heziton
trondit shqetësimin
dhe ky zë
zëri im që ti dëgjon
dëshmitar i orëve pa ngjyrë është
zgjat mallëngjimin që ajo shuan;
* * *
Në gojën tënde
shenja e luftrave që do të vijnë,
mbi trupin tënd
shenja e vdekjeve të shumëfishuara
e mërgimit të pafundmë
e përkatësisë së përjashtuar,
e vetme
në këto lidhëza verbale
ti mban hapur
sytë e tu mbushur me mua
që brenda tyre më lexojnë,
në klithjen tënde
mishërohem
në heshtjen tënde
unë shprehem
në vështrimin tënd
gjej mesazhin
me të bëj strehë
atje ku ti më shpërbën
autor i kësaj eksaze
siguroj
me trupin tim të çarë
mbijetesën e trupit tënd
shpëtimtar;
* * *
Gishtërinjtë e tu
si qepalla
dridhen,
bashkëpuntore me orën
ato tradhëtojnë pritjen,
tokë gjaku
ngjizet me gishtërinjtë e mi
na mpleksin
ç’përfytyrojnë dukjen
trupit tim i japin
një gjerësi të përhershme,
gishtërinjtë e tu më mëshirojnë
më ngrenë
gishtërinjtë e tu
ku fiksohet zverku im,
nuk ka asnjë ëndër
që thurrin
në shkrimin e zhveshur
ti i shfaq
faqja zbukurohet me një beft afshi,
gishtërinjtë e tu
na kërleshin,
numëroj
hije të çara gjer në majë
hije bashkuese
të fjalëve dhe trupave tanë.
YVES MABIN CHENNEVIÈRE - MIKU I MIRË I SHQIPTARËVE
Iv Maben (Yves Mabin Chennevière) është ndër poetët me emër të Francës, pjesë e asaj gjenerate që u rrit jo vetëm me poezitë e Rembosë, Verlenit, Bodlerit, apo Apolinerit, por edhe të poetëve të pasluftës së Dytë Botërore, si Eluar, Aragon, Sent Xhon Pers, Rëne Shar e shumë të tjerë. Ky njeri tepër modest dhe plot mirësi ka brenda tij një poezi të veçantë, ndryshe nga ajo e bashkëkohësve të tij, herë të trishtë e mortore, herë sensuale dhe klithëse e herë ngazëlluese për shpirtin dhe trupin njerëzor, sepse në poezinë e tij, shpirti dhe trupi janë një, sepse ngjethja dhe drithërima janë pjesë e shpirtit të ngjizur në duar, krahë, gjinj dhe kraharorë. Ai i këndon gjithësisë dhe vetes, historisë dhe mikut, njeriut dhe qiellit, duke kërleshur gjithçka me një ritëm meditues, të qetë, të brendshëm, fjalë që të bëjnë për vete dhe të thithin atje ku bota ende gurgullon e jeton.
Iv Maben është nga Bretanja, i lindur në vitin 1942, i rrahur nga erërat e detit; rritur nga tregimet e vjetra të detit dhe tokës, kapur fort pas erës dhe jehonës së zërit njerëzor. Krijimtaria e tij poetike shtrihet mbi hapësirën e katër dekadave. Një poezi në rritje, duke parë gjithnjë e më shumë thellësitë e shpirtit njerëzor, qëmtues humnerash që rrallë shohin dritën diellore.
Iv Maben është nderuar me dy nga çmimet më të njohura të poezisë franceze: “Çmimi Max Jacob” në vitin 1996, për vëllimin e tij poetik “Meditim metek” (“Méditation métèque”) dhe “Çmimin Paul Verlaine” për vëllimin poetik “Traktat i trallisjes” (“Traité du vertige”). Që nga viti 1969 ai filloi të botojë rregullisht poezi, ese dhe romane. Botoi vëllimet poetike “Mëshirimi fiktiv” ( “L’inca
ation fictive”), 1992, “Solisti” (“Le Soliste”) 1993, “Zhytje rebele” (“Immersion rebelle) 1999, “Shpikja e heshtjes” (“L’invention du silence”), 2000, “Kujtesa e një kohe të mundshme” (“Memoire d’un temps éventuel”), 2001, “Furia e engjëllit”, (“La Fureur de l’ange”), 2002, “Traktati i trallisjes”, 2003, etj. Gjithashtu ai ka botuar romanin “Trishtimi i Turakose” (“La Tristesse du Touraco”), 1998, Grasset, “Njeriu i dashur” (“L’homme tendre”), 1992, “Shpërfytyrimi”, 1995, etj.
Iv Maben është një mik i mirë i shqiptarëve, shumë prej të cilëve intelektualë, janë të njohur të vjetër të tij. Por për së pari ai ishte miku i madh Jusuf Vrionit. Rasti e ka sjellë që të bashkohem me ta në kafenetë pariziane dhe të ndjek bisedën e tyre filozofike dhe tepër tokësore, ku miku francez çmonte virturtet e shqiptarit „fisnik” siç e quante ai Jusufin „Jusuf, le Noble” Pasi „Fjala” në vetvete, në bisedën e tyre, ishte art, dhe për fjalën diskutimi bëhej pasionant, duke humbur në histori, libra, romane e poezi.
Poezite janë marrë nga vëllimet poetike „Traktat anatomie” dhe „Mishërim fiktiv”, të botuara në Paris.
(Publikuar ne Poeteka)
Ars Poetica [ www.letrat.eu ]
No comments:
Post a Comment