Prenk Kaçinari, lindur në Mitrovicë më 1910, dipllomuar për filozofi më 1937 në Lion të Francës, emruar professor në gjimnazin e Shkodres, është një ndër ata idealist, që vunë tërë fuqitë intelektuale në shërbim të kombit, por që u “Shpërblyen” egër nga sistemi komunist mbas vitit 1944. Ai është mbase përfaqësuesi më fatkeq i atij brezi të persekutuar mizorisht, të cilët me aq ngjyra realiste dhe tragjike i përshkruan Pertef Kruja në romanin “Brezi krahëthyer”.
Ja një çast siç e përshkruan Vedat Kokona në librin “Endur në tisin e kohës. Kujtime”, faqe: 176.
“Një ditë, kur kisha dalë për shëtitje andej nga Currilat, takoj Prenk Kaçinarin, të cilin e njihja që në vitet e para të liceut atje në Korçë…. Më duket sikur e kam edhe sot para syve atë djalë shtat lartë, flokëverdhë, fytyrëqeshur që binte në sy menjëherë midis të tjerëve…. Gjatë atyre pak minutave që qëndruam bashkë, një e dy e kthente kokën nga prapa sikur priste njeri. Më tha se e përgjonin, dhe ish më mirë që të mos rrija me të…”
Pa hyrë në hollësi më 1947 arestohet në Durrës, gjykohet dhe dënohet, së bashku me Arshi Pipën, Hysen Ballhysën dhe të tjerë.
Sipas dosjes, nr. 1167. Akuzohet:
. Ka vazhduar shkollën nëpërmjet klerit katolik.
. Ka bashkëpunuar për ardhjen e fashizmit.
. Kur erdhi Italia u hodh në mal me “Ballin Kombëtar”, dhe në kishë tek priftërinjtë shtypte trakte… Gjoja i sëmurë rrinte mbyllur në shtëpi.
Ka punuar për të rrëzuar pushtetin popullor, dhe për shkëputjen e lidhjeve me bashkimin Sovjetik, për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo – Amerikanët.
. Ka propoganduar për të rezuar pushtetin me vjolencë…. Etj.
Si është përgjigjur Prenka ?
. Jam ken professor në Shkodër.
. Në korrik 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar”, për t’i ik kuesturës.
. Jam antifashist.
. Mbas 1944, nuk jam angazhue në politikë. Ata që më akuzojnë nuk e dij mbi ç’baza më akuzojnë.
Kush ka pak njohje për dënime politike të asaj kohe, nuk çuditet që, pavarësisht se akuzat nuk qëndronin dhe nuk pranoheshin, i pandehuri zor se shpëtonte pa u dënuar. Kështu edhe Prenka u dënua në fillim me vdekje, pastaj me burgim të përjetshëm, më vonë me 25 vjet, që më pas u la me 20 vjet burg. (Vendimi nr. 704 datë 04. 12. 1947)
Ç’faje kishte bërë “profesori” që u dënua kaq ashpër ?
Ata që urdhëruan dhe ata që e dënuan e dinin mirë se ai s’kishte bërë asnjë faj, por dinin po aq mirë se mbi të rëndonin edhe “ca mëkate”, që veç mendja e tyre mund t’i kuptonte e t’i sajonte:
Së pari, faji më i rëndë ishte se, Prenk Kaçinari kishte lindur në Mitrovicë, në Kosovë në një familje atdhetare me qëndrim të theksuar antiserb. I ati LLesh Kaçnari përmendet në shtypin e kohës. Gazeta”Posta e Shqypnis” nr. 104. Shkodër 5 dhjetor 1917, në artikullin “Një motmot jetë” shkruhet: “Dishmojmë se nima ma e madhe na ka ardh prej … z. Llesh Kaçinarit në Mitrovicë”… Kështu, po të zbresim pak në kohë në vitet 1945-46-47 dhe mes 48-tës, cilido që e njeh sado pak atë periudhë, kur Shqipëria po shndërohej në një republikë të Jugosllavisë, elementi antiserb nuk do të bënte hije mbi dhe. Pasojë dhe rezultat i përulësisë të pështirë deri në krim dhe antishqiptarizëm të pushtetarëve tanë komunistë.
Një “faj” tjetër, si i padukshëm dhe tinzar, ishte se, Prenka rastisi moshatar me Enver Hoxhën. Njiheshin me njëri – tjetrin, ndaj dhe i a njihte mirë zullumet. Fatkeqësi mosha, por më shumë fatkeqësi, se shkeli në ato vende ku shkeli edhe diktatori. Studioi në Liceun e Korçs, vazhdoi universitetin në Francë të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera, ndërsa diktatori brodhi për tre vjet me radhë rrugëve të Monpeliesë dhe nuk dha asnjë provim. Dy tipa e karaktere të ndryshëm. Të dy morën pjesë në luftë kundër pushtuesit, por në pzicione krejt të kundërta. Diktatori fare rastësisht u bë komunist, ndërsa Prenka si nacionalist i lindur dhe i bindur u bë antar i Komitetit drejtues të “Ballit Kombëtar” në Shkodër. I njohur për veprimtarinë e tij atdhetare antifashiste, për të shmangur arestimin nga kuestura mer armët dhe del në Shllak dhe së bashku me kolegë, të rinj dhe gjimnazistë, u bashkuan me plot luftëtarë të tjerë në luftën e “Reçit”. Ai dinte shumë…
Nuk është e tepërt të themi se mbi të rëndonte edhe “mëkati” tjetër: Prenka ishte i besimit katolik. Një luftë e njohur, por e pashpllur kundër klerit dhe në veçanti ndaj intelektualëve katolik, por që vazhdoi gjatë për shumë vite me rradhë. “Profesori” i njohur dhe i nderuar nga nxënësit dhe qytetarët, si mund të lihej mënjëanë. Së paku t’i mbyllej goja….
Pas këtyre pak radhëve, s’mbete vend për pyetjen, pse u arestua dhe u dënua. Më kot u mundua t’i largohej “Sherrit”. Kërkoi transferim për në Korçë, ku punoi për pak kohë, sepse pas disa muajsh transferohet si mësues në gjimnazin e Durrësit. U duk sikur shpëtoi, por nuk e dinte se Durrësi ishte zgjedhur si “Dhoma e paraburgimit”. Aty ishin grumbulluar plot nga mësuesit dhe intelektualë me zë të kohës, të cilët u arestuan dhe morën dënime të rënda, si Arshi Pipa, Ih-san Podgorica, Pashko Gjeçi, Simon Deda (e hodhën nga dritarja e hetuesisë). Ish gjimnazistët durrësakë të atyre viteve, Ramazan Kthupi dhe Zihni Dervishi, ky i fundit edhe bashkëvuajtës në burg me Prenkën dhe Arshi Pipën, tregojnë: “Të gjithë profesorët që transferoheshin në Durrës ishin personalitete më emër, por me “Njollë” në biografi, dhe Durrësi ynë ishte i vetmi qytet, ku mund të kontrollohej me lehtësi kushdo, pasi ishte si një ishull i rrehtuar me det. ”Urra e Dajlanit” ishte i vetmi kalim nga ku mund të hyje dhe të dilje nga qyteti.
Pasi bëri disa vjet burg, ku provoi edhe tmerret në tharjen e kënetës së Maliqit, u lirua. Mos vallë xhelatët ishin penduar ? Vështirë të besohet ! Pasi një dënim akoma më i rëndë e ndoqi pas. E lanë për një kohë të gjatë pa punë, deri sa e “Ndihmuan”, duke e çuar të jepte mësim në gjimnazin e Kavajës. Çudi … !? Për naivët, Po. Ndërsa për ata që provuan dhe njohën ferrin e sigurimit të shtetit, Jo.
Për Prenk Kaçinarin janë shkruar e botuar shumë artikuj, kumtesa dhe kujtime nga historianë, shokë, miq dhe ish nxënës të tij në Shkodër dhe Durrës. Të gjithë me ngjyrat më të bukura të fjalës, kanë bërë portretin e “Profesorit”, si njëri: I gjatë, elegant, i bukur, me karakter të fortë, shumë i ndershëm. Idealist dhe me shpirt të butë, kurdoherë fjalë-ëmbël. I shoqërueshëm dhe i gatshëm të ndihmojë të tjerët. Me kulturë të gjërë, njohës i disa gjuhëve. Asnjëherë nuk u ankua dhe nuk tha fjalën e keqe, edhe kur mbi të ranë një mal me halle. Po si mësues ? Eh ! Si mësues ishte i përkryer. Model për t’u admiruar, aq sa dikush e quan, jo “Mësues i popullit”, por “Edukator i Kombit”. Nacionalist dhe atdhetar i vendosur. I digjej shpirti për Kosovën e rrobëruar.
Profesori, si njohës i filozofisë, ishte antikomunist i bindur. Ja ç’kujton për dajën, nipi i tij Salvator Sotiri: “Pak ditë para se të ndodhte gjëma, më thirri dhe shkova në Kavajë. Duket e kishte ndarë mendjen, ndaj po na linte amanetet. Biseduam rreth dy orë dhe s’më harrohen porositë e tij. Mes të tjerave, më thotë: “Krijo familje pa u shtyrë në moshë”. Ishte penduar që vetë nuk u martua dhe, “Në asnjë mënyrë dhe për asnjë rrethanë mos u bëj anëtar partie”.
Salvatori më tej shton: “Mbas dhjetë vjetësh të vetëvrasjes së dajës, vjen dhe më takon si rastësisht një person nga Kavaja. Emrin nuk ma tha dhe unë nuk e pyeta. Si duket i kishte mbetur një peng në shpirt dhe donte ta nxirte. Më thotë: “Jam në besën tënde. Po më denoncove, më e pakta që do të pësoj, është burgu i Burrelit. Po nuk mund të rri i qetë pa ta thënë. Më rëndon si një gur në qafë, megjithse kanë kaluar kaq vjet. Prenga u vetëvra sepse i kërkuan të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit. Ai nuk e duroi dot”.
Kjo i jep përgjigje edhe hamendësive: Pse u vetëvra në shtator 1956, në moshën dyzet e gjashtë vjeçare, në kulmin e burrërisë ? Moment dobësie, apo krenarie ? Mund të jenë të dyja, por mendimi të shtyn te e dyta. Pse ? Ai nuk u thye nga torturat në hetuesi, as nga vuajtjet nëpër burgje. Atë nuk e lëshoi zemra edhe kur para syve i vritëshin dhe i mbyteshin shokët në kënetën e Maliqit. Nuk u tremb as nga varfëria. Nuk e dha veten edhe kur e çuan në Kvajë dhe e strehuan në një kasolle, ku i zoti i shtëpisë mbante një dhi. As u ligështua nga sëmundja e gjatë që i brente mushkëritë. Karakteri i tij i fortë, që nuk shkeli mbi dinitetin njerëzor, nuk e përballoi trysninë për t’u bërë agjent i sigurimit të shtetit.
Mbas rënies së diktaturës, “Profesor” Prenk Kaçinarit ju dhanë titujt e nderit, “Mësues i popullit” dhe “Martir i demokracisë”
Nga gjithë kjo jetë e trazuar e këtij martiri, a mund të pyesim: Si dhe kush e vrau Prenk Kaçinarin ? A mund ta quajmë “I vetëvrari i vrarë”?
No comments:
Post a Comment