Prof.dr.sc.Begzad Baliu
(Studime, vepra, komunikime, imazhe, vlerësime, dokumente, dorëshkrime) (Fragmente nga një studim më i zgjeruar)
Janë shumë rrethana që e arsyetojnë interesimin tonë për t’u marrë me studimet arbëreshe të Profesor Jup Kastratit, në një konferencë si kjo që i kushtohet Kontributit të studiuesve shkodranë për arbëreshët e Italisë. Vepra e tij është e gjerë në shumë anë të saj: si materie (disa mija faqe studimi, dokumente, letërkëmbim, fotografi etj.); si fusha studimi (gjuhësi, albanologji, letërsi, folklor, histori, pedagogji, publicistikë etj.); si lëndë (e botuar, në dorëshkrim, e përkthyer, e transliteruar, e përshtatur) etj. Ngado që të merren studimet e tij, ato paraqesin një mal të madh materialesh, problemesh e trajtimesh.Në një hyrje për Studimet arbëreshe të Profesor Jup Kastratit, sinteza e thelluar shumëdimensionale as që mund të mendohet, por njëkohësisht ajo mund të paraqitet e plotë përmes një pasqyre të dendur dhe të plotë për lidhjet e Profesor Jup Kastratit me arbëreshët dhe me kontributet e tyre historike, gjuhësore, etnokulturore dhe letrare në përgjithësi. Sikur mund të shihet prej arkivit të tij, prej botimeve të tij dhe aktiviteteve të tij kulturore, arsimore dhe shkencore, ato janë të natyrës historike, kulturore, profesionale, personale dhe madje intime.Sot, po të shikohet vepra shkencore dhe intelektuale e Prof. Jup Kastratit në linja sado të ngushta, studimet arbëreshe dhe deradiane gjithsesi do të nxjerrin krye, pavarësisht prej veprave të mëdha që ka dhënë në fushë të albanologjisë, të gramatologjisë, të letërsisë dhe të bibliografisë. Për disa dekada me radhë, nuk është zhvilluar asnjë manifestim, sado i vogël apo i madh qoftë, në të cilin të mos ketë qenë edhe Profesor Jup Kastrati. Për disa dekada me radhë, zor të gjendet një redaksi e botimit të letërsisë arbëreshe e sidomos veprës letrare dhe shkencore të Jeronim de Rades, në të cilën Profesor Jup Kastrati nuk e ka pasur vendin më të rëndësishëm, madje jo vetëm në Shkodër e Tiranë, por edhe më gjerë ndër arbëreshët e Italisë[1]. Sot është vështirë të gjendet një fushë hulumtimi, botimi a studimi në fushë të studimeve arbëreshe, e cila nuk lidhet me emrin, me interesimin dhe më në fund me kontributin e Profesor Jup Kastratit.Është e kuptueshme prandaj, pse edhe në këtë rast, kur këtu ne paraqesim një hyrje në studimet arbëreshe në përgjithësi dhe studimet deradiane në veçanti, e shohim të arsyeshme që të paraqesim edhe një pasqyrë sado të përgjithësuar të veprës së botuar, veprës së hulumtuar, arkivit dhe veprës në dorëshkrim të Profesor Kastratit.Profesor Jup Kastrati ka shkruar shumë artikuj dhe studime monografike të karakterit shkencor, por në serinë e veprave të tij dhe sigurisht edhe në serinë e vëllimeve të botuara deri më tash vepra Studime arbëreshe mbetet jo vetëm një nga kryeveprat e tij, por edhe kryevepra më e plotë e studimeve arbëreshe. Pse mund të thuhet kështu?Hulumtimet, studimet dhe sintezat e Profesor Jup Kastratit për arbëreshët e Italisë, nisin që në dekadën e parë të kërkimeve shkencore dhe kulmojnë me sintezat e mëdha me emrin e shkrimtarit më të madh të kolonisë shqiptare në Itali, Jeronim de Rada[2]. Prej këtij viti, për pesëdhjetë vjet me radhë nuk do të kalojë pothuajse asnjë vit e të mos botojë e ribotojë me dhjetëra artikuj brenda një viti, në të cilët dijetarët arbëreshë, veç e veç dhe historia, gjuha, letërsia, kultura, arsimi etj., si tërësi ose si sintezë nuk bëhen objekt kërkimi, studimi e vlerësimi[3], për të lënë edhe një mal dorëshkrimesh të pakrahasueshme në studimet e deritashme albanologjike.Jeta dhe vepra e personaliteteve arbëreshe, vepra e tyre etnohistorike dhe sidomos gjuhësore dhe letrare, konceptet e tyre për identitetin dhe veçoritë materiale, shpirtërore e sidomos gjuhësore, etj, për më shumë se një gjysmë shekulli kanë qenë objekt studimi e referimi në shumë institucione kulturore, arsimore dhe shkencore, të themeluara nga arbëreshët në Itali[4].Kjo është arsyeja pse edhe veprat në të cilat është trajtuar kultura, tradita dhe historia gjuhësore e letrare e autorëve në radhët e arbëreshëve ka qenë e përmasave të ndryshme: traktate (Histori e albanologjisë)[5], monografi (Histori e gjuhësisë shqiptare. Pjesa e parë (1497 – 1944)[6], Gramatologjia e gjuhës shqipe[7], Dhimitër Kamarda) studime (Mbi rolin e arbëreshëve të Italisë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Dr. Mikel Markianoi dhe ndihmesa e tij në folklorin arbëresh, Arbëreshët për ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kulturore të popullit tonë)[8], studime të thelluara shkencore e paraqitje fejtonistike në shtypin ditor, botime me karakter shkollor dhe botime me karakter shkencor, përkthime nga gjuhët në të cilat kanë shkruar shkencëtarët dhe letrarët arbëreshë gjatë disa shekujve të veprimtarisë së tyre në Itali etj. Jeronim De Rada dhe fillimet shkencore të Jup KastrtatitNëse shënime për versionet dhe variantet e botimit të monografisë për Faik Konicën, si dhe botimin e veprës së tij, kemi pasur rastin t’i lexojmë për shkak se monografia e tij për Faik Konicën u botua atëherë kur Konica ishte një prej personaliteteve shumë të theksuara në jetën politike, shkencore dhe kulturore, shënime personale të tij rreth përpjekjeve për botimin e veprave të plota a të zgjedhura për Jeronim de Radën nuk i kemi gjetur, në mënyrë të veçantë, as nuk ia kemi dhënë rastin t’i tregojë në intervista ekskluzive ku ai do të sillte informacione më shteruese se sa shumë studiues në veprat e tyre shkencore. Sigurisht për shkak se veprën e plotë të Jeronim de Radës nuk arriti ta botonte të plotë, ashtu sikur e kishte planifikuar as në fillim të viteve ’50, as diku në fillim të viteve ’90, Profesor Jup Kastrati nuk ka shkruar apo sjellë përvojën e tij në mbledhjen, studimin, përkthimin, botimin dhe sintetizimin e veprës së Jeronim de Radës.Mirëpo nëse i qasemi Arkivit të Profesor Jup Kastratit nuk të mbetet gjë mangut, pavarësisht nëse ke të bësh me ndërtimin e personalitetit të tij, apo me zhvillimet albanologjike të kohës kur jetoi ai. Prej arkivit privat të tij do të mund të kuptojmë se historia e interesimit të Profesor Jup Kastratit për arbëreshët e Italisë është e lidhur me emrin e Jorenim De Radës, prandaj është e kuptueshme pse jetën dhe veprën e tij do ta trajtojë shumë herë dhe do ta trajtojë në shumë vepra të tij, madje të botuara e të plotësuara[9]. Pavarësisht nga botimi i parë i një monografie për jetën dhe veprat e Jorenim de Radës në vitin 1962 dhe botimit të dytë të plotësuar të vitit 1979, autori e ka përgatitur një dorëshkrim tjetër, i cili në shumë pika plotëson jetën e tij, trajton në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme veprën e tij diturake, historike, gjuhësore, letrare, arsimore, publicistike etj., ndërsa duke ju referuar parathënies së librit, kuptojmë se autori njëkohësisht punon edhe një vepër për studimet gati njëshekullore deradiane 1903-1993. Po të vlerësohet vetëm kontributi i madh i punës së Profesor Jup Kastratit në mbledhjen dhe botimin e veprës së De Radës, do të mund të shihet se vetëm në studimin e jetës dhe veprës së tij, ai ka ngritur një trilogji, të cilën deri më sot nuk e kemi bërë për asnjërin prej shkrimtarëve tanë.Dorëshkrimi Studime për De Radën, për herë të parë trajton në mënyrë shteruese jetën, Autobiologjinë (autobiografinë) e tij, pikëpamjet kulturore, filozofike dhe sidomos politike, pa pengesat ekstrashkencore që i dilnin dikur, kontributin e tij për gjuhën shqipe: tezën pellazgjike të prejardhjes së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, te artikujt, Hyjni pellazge (1840), Identiteti i pellazgëve me shqiptarët (1846), Lashtësia e kombit shqiptar dhe afri e tij me helenët dhe latinët (1864), Pellazgët dhe helenët (1885), Konferenca mbi lashtësinë e gjuhës shqipe (1893), Pellazgo-shqiptarët (1897), Tiparet e gjuhës shqipe dhe përmendoret e saj në periudhën parahistorike (1899), e cila njëkohësisht është edhe tezë kryesore e rilindjes kombëtare shqiptare në përgjithësi. Në këtë vepër autori ka trajtuar edhe disa probleme të toponimisë, një fushë gjuhësore e lëvruar kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, por me të cilën, sikur ka vënë re Profesor Jup Kastrati, sado me koncepte të paragjykuara është marrë edhe De Rada, tek studimet Toponimia historike shqiptare, Toponime për Lezhën në revistën «Fjamuri i Arbërit» (1885) etj.Ashtu sikur edhe rilindësit më të shquar jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit, edhe De Rada do të merret me dy çështje themelore të gjuhës dhe të kulturës së popullit shqiptar: me alfabetin e gjuhës shqipe (Çështje të alfabetit të gjuhës shqipe), dhe me përpjekjet për të shkruar gramatikën e gjuhës shqipe (Gramatikë e gjuhës shqipe, 1870 dhe Fonetikë dhe gramatikë e gjuhës shqipe, 1894) me vlerat historike dhe gjuhësore të të cilave Profesor Jup Kastrati është marrë madje jo vetëm këtu. Përtej saj, Profesor Kastrati, do t’i qaset studimit të një vepre jo aq të njohur dhe jo aq të popullarizuar përgjithësisht edhe sot në studimet albanologjike (Fjalori i Rapsodive, 1884). Duke këmbëngulur që të japë një pasqyrë sa më të gjerë dhe më të thellë, si të zhvillimeve gjuhësore ndër arbëreshët e Italisë, të lidhura me veprën e De Radës, ashtu edhe me kontributin vetjak të tij, profesor Kastrati do të shkruajë për ngjarje me rëndësi historike, për gjuhën dhe kulturën shqiptare ndër arbëreshët e Italisë (Kongresi në Koriljano-Kalabro, 1895; Kongresi në Lungro 1897), ashtu edhe për artikuj që De Rada i shkruante në raste nga më të ndryshmet (Dinjiteti i gjuhës shqipe, 1861; Shqipëria përballë Evropës, 1880, Shënime gjuhësore (1883 – 1884); Tri fjalë shqipe, 1884; Vërejtje gjuhësore, 1885; Gjurmë të vendbanimeve tona të lashta që rrojnë endè, 1887; Mësime për gjuhën shqipe, 1891), të cilët jo gjithnjë kufizohen brenda problemeve të ngushta linguistike. Kjo është arsyeja pse njërin prej studimeve të tij do ta përfundojë me këtë vlerësim: «De Rada ishte i pushtuar nga ideja fisnike që të ringjallte Atdheun e të parëve dhe kështu, nën shtytjen atdhetare, shkencën e ktheu në një fushë beteje, ku ai luftoi me zjarr, siç bën edhe rilindës të tjerë. Këtë ai e realizoi pothuajse në çdo vepër të tij. Pra, edhe në mes të lajthitjeve, vepra e tij gjuhësore do të mbetet në historinë e albanologjisë si një përpjekje fisnike e një shqiptari të madh, i cili, me gjithë mungesën e përgatitjes filologjike dhe linguistike, me gjithë mungesën e akribisë shkencore, me gjithë mungesën e anës materiale, me gjithë vuajtjet e mëdha shpirtërore dhe kushtet e disfavorshme, arriti të zgjojë kureshtjen e botës shkencore të dijetarëve të kohës. Veprat e tij historiko-filologjike hyjnë në fondin e artë të traditës së shekullit XIX. Ato bëjnë pjesë në korpusin “Trashëgimi ynë kulturor – Monumente të gjuhës shqipe”, në historinë e mendimit shkencor gjuhësor shqiptar»[10].«De Rada ka qenë jo vetëm mbledhës i këngëve popullore, por edhe studiues i hollë i tyre. Ky kontribut i vyer i tij në historinë e folkloristikës shqiptare nuk është vënë në dukje»[11]. Kështu e mbyllë kapitullin e studimit të tij për kontributin e De Radës dhënë folklorit shqiptar. Nëse ndihmesa e tij në këtë fushë deri më tash është parë kryesisht duke u nisur prej pasurisë etnografike dhe folklorike që sjellin veprat e tij letrare, studimi i Profesor Jup Kastratit, niset nga artikujt programatik të De Radës (Rapsodi të një poeme shqiptare, 1861; Rapsodi kombëtare, 1883; Hyjnizime etnografike, 1886), vlera e të cilëve këtu kuptohet edhe prej ekstrakteve të shpeshta, me të cilët pasurohet kapitulli për këtë temë.Rilindja kombëtare shqiptare, ka pasur shumë personalitete letrare e shkencore të cilët kanë qenë të përkushtuar ndaj arsimit kombëtar, por nuk besoj të kemi rilindës, i cili ka punuar me kaq përkushtim për organizimin jo thjeshtë të një mësonjëtoreje shqipe për çuna a vasha, por për një shkollë kombëtare me të gjitha nivelet e nxënies së gjuhës dhe dijes. Është e kuptueshme prandaj pse Profesor Jup Kastrati një kapitull më vete ia kushton ndihmesës së De Radës për shkollën shqipe, për tu ndalur pastaj në mënyrë të veçantë në aktivitetet konkrete të organizimit të shkollës shqipe nga De Rada dhe bashkëkohësit e tij (Themelimi i Katedrës së gjuhës shqipe, 1849; Kolegji arbëresh i Shën Adrianit, 1861; Manifesti i gjimnazit «Garopoli», 1868; Kolegji arbëresh dhe ministrat e Italisë, 1876, Kolegji arbëresh, 1884; Kolegji arbëresh në Shën Adrian, 1886; Kolegji i Shën Adrianit, 1887; Rivendosja e Katedrës së Shqipes, 1889), por edhe për ndonjë projekt të karakterit pedagogjik, sikur është ai: Kolegji arbëresh i Shën Adrianit, a do të jetë Seminar Korsini apo Gjimnaz-licé italo-grek, me ndonjë degë universitare kishtare?, 1891 dhe manifesti Katedra e shqipes në Shën Mitër Korone, 1892. E kësaj natyre është edhe Antologji shqipe, 1896, dhe Proluzioni: Ligjëratë për periudhën e vitit të ri shkollor,1902, me të cilat Profesor Jup Kastrati merret njëherë në mënyrë të veçantë me secilën dhe më pastaj me sintezën e tyre në përmbyllje.Ashtu sikur edhe me veprat më të mëdha dhe më të vogla të gjuhësisë edhe me veprat letrare artistike të Jeronim De Radës, Profesor Jup Kastrati do të merret në shumë aspekte. Ndryshe nga gjendje e gjertashme e studimit te veprës se tij letrare, ku studiuesit e periudhave të ndryshme kanë hulumtuar, trajtuar dhe bërë sinteza kryesisht vetëm për veprat letrare të shkruara në gjuhën shqipe, apo edhe të përkthyera a transliteruara, në veprën e tij Studime për De Radën, autori është marrë me veprat e shkruara në gjuhën shqipe, me veprat letrare të shkruara në gjuhën italiane dhe me veprat e shkruara në gjuhën shqipe e italiane paralelisht. Duke u mare me veprat letrare më të hershme (Odiseu, 1832, 1847; Krutani i mërguar, 1832 – 1833, 1841; Disa poezi dhe proza ritmike, 1834 – 1840), apo më të vona, më të vogla apo më të mëdha (Këngë të Milosaut, 1836, 1847, 1873; Serafina Topia, 1839, 1943); Një pasqyrë shtegtimi njerëzor, 1897), të botuara në një variant apo në më shumë variante (Skënderbeu i pafat,1872 – 1884), ai njëkohësisht është marrë edhe me ngritjen cilësore letrare e artistike të veprës letrare të De Radës, me kulturën letrare dhe gjuhësore të tij, me konceptet moderne të kohës në letërsi, me vlerësimet e kohës për poezinë e tij etj. Duke u marr me pikëpamjet letrare të De Radës, Profesor Jup Katrati njëkohësisht do të merret më gjerësisht se deri më tash dhe mbase për herë të parë në mënyrë të plotë edhe me pikëpamjet estetike të De Radës (Parime të estetikës, 1861) etj.Për të plotësuar botën diturake të Jeronim De Radës, Profesor Jup Kastrati në veprën e tij dorëshkrim Studime për De Radën ka hulumtuar dhe i ka bërë objekt trajtimi edhe dy gazeta të De Radës Fjamuri i Arbërit (1883-1887) dhe Shqiptari i Italisë (1848). Si gazeta e parë ashtu edhe e dyta dallohen për veçoritë e tyre historike, politike, kulturore dhe shkencore. Fjamuri i Arbërit, ka shkruar Profesor Jup Kastrati «është revista e parë letrare, kulturore, artistike, folkloristike, etnografike dhe publicistike në gjuhën shqipe. Organi luajti një rol të madh në fushën e politikës shqiptare, të lëvizjes sonë politike dhe asaj mendore»[12]. Më këto fletore De Rada i ka vënë vulë lëvizjes së përgjithshme të Rilindjes Kombëtare jo vetëm ndër shqiptarët e Italisë por edhe në lëvizjen e saj përgjithësisht. Aty janë botuar pjesë nga veprat letrare të De Radës dhe të shkrimtarëve të tjerë të kohës. Artikuj publicistikë, kulturorë e politikë të ardhur nga e gjithë bota shqiptare, prandaj është e kuptueshme pse vlerësimet shembullore për gazetat e De Radës vijnë jo vetëm nga shtypi shqiptar i kohës në Shqipëri, në Kolonitë shqiptare të Rumanisë, Stambollit e Egjiptit, por edhe nga shtypi i huaj i kohës.Vepra Studime për De Radën e Profesor Jup Kastratit mbyllet me kapitullin që ju kushtohet veprave autobigrafike të De Radës (Një autograf, 1885; Autobiografi, I, II, III, IV, (1898 – 1899); Testamenti politik, 1902). Ndonëse për autorin ato ishin vepra të njohura, prej më shumë se tri dekadash, veprat autobiografike të De Radës, nuk ishte e mundur as të botoheshin të plota, as të bëheshin objekt trajtimi në të gjitha aspektet e mundshme. «Autori ynë ishte, aso kohe, 89 vjeç. Mbas pesë muajsh, më 28 shkurt 1903, ai u nda prej nesh, duke na lënë dhjatën e vet, në të cilën ishte sintetizuar gjithë veprimtaria e tij atdhetare, politike, letrare, gjuhësore, folklorike, publicistike, historike në shërbim të çështjes shqiptare, të gjuhës amtare, të kulturës kombëtare, të çlirimit të mëmëdheut të vet të dashur e të shtrenjtë»[13].Ashtu sikur veprat tjera e madje edhe studimet, edhe dorëshkrimi Studime për De Radën mbyllet me Bibliografinë e veprave të De Radës, konsultuar, shqyrtuar e përdorur nga autori në monografi, e cila zgjeron interesimet e studiuesve për kërkime të reja në fushë të studimeve arbëreshe në përgjithësi dhe në fushë të studimeve deradiane në veçanti. Në kërkim të sintezave të mëdhaNjë vend të veçantë dhe të përhershme për arbëreshët e Italisë paraqesin kërkimet e tij sistematike dhe sistematizuese në vëllimet bibliografike[14]. Veprat dhe studimet e tij, tashti janë bërë literaturë e përhershme referimi edhe në meset shkencore të institucioneve arsimore, kërkimore e kulturore të arbëreshëve të Italisë. Profesor Jup Kastrati në dhjetë vjetshin e fundit të jetës së tij, qe bërë anëtar i shumë institucioneve kulturore të arbëreshëve të Italisë. Ka lexuar kumtesa në sesione shkencore, në mbrëmje përkujtimore (jubilare), konferenca albanologjike, kongrese gjuhësore, kuvende studimore dhe ka bërë gjurmime bibliotekare për tekstet e vjetra shqipe në Romë, Napoli, Torino, Firence, Salerno, Leçe, Kalabri, etj.Ai ishte anëtar shumë aktiv i veprimtarie të veçanta dhe të përhershme kulturore e shkencore, i organeve kulturore e shkencore që botohen atje, duke dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë etnokulturore e gjuhësore, zhvillimin e saj dhe çuarjen përpara të kulturës bashkëkohore të arbëreshëve të Italisë. Ishte anëtar i redaksisë së revistës Lidhja (L’Unione), Kozencë (1991 - 1992) etj. Punimet shkencore të Prof. Jup Kastratit janë përfshirë në përmbledhje dhe në vëllime studimesh, të botuara nga Universiteti i Napolit, Universiteti i Kalabrisë, Universiteti i Salernos etj.Profesor Jup Kastrati në arkivin e tij ka sistemuar një letërkëmbim shumë të pasur me arbëreshët dhe madje me studiuesit Italianë të kulturës shqiptare në përgjithësi dhe të kulturës arbëreshe në veçanti, sikur janë: Giuseppe Ferrari, Giuseppe Schiro Juniori, Carmel Candreva, Francesco Salono, Carmine de Padova, Antonio Bellusci, Giuseppe Gradilone, Francesco Altimari, Italo Costante Fortino, Giovanni Battista Pellegrini, Giuseppe Retelli, Mario Bolognesi, Andrea Bellucci, Vincenzo Belmonte, Ernesto Tocci, Giuseppe Camillo De Rada, Francesco De Belsi, Emanuel Giordano, Agosto Mauro, Michele Rizzo, Addolanta Landi[15] etj.Ndonëse i penguar për shkaqe jashtëshkencore dhe pa mundësi për të botuar në mënyrë të rregullt në organet shkencore dhe kulturore të arbëreshëve të Italisë, Jup Kastrati ka botuar disa dhjetëra artikuj shkencorë dhe kulturorë ndër revista e periodikë që dalin në Itali nga shoqata dhe institucione shkencore, të cilat merren me studimet arbëreshe[16], si dhe në institucione arsimore, kulturore e shkencore të studimeve albanologjike në Shqipëri e jashtë saj[17]. Në Shqipëri ndërkaq, ai ka botuar dhe ribotuar disa vepra shkencore, të cilat i janë publikuar gjithashtu edhe në Kosovë, për t’u bërë ndër veprat më të referuara ndër studiuesit e kësaj ane.Dhe jo vetëm kaq. Hulumtimet e tij kurrë nuk kanë pushuar ndër arkiva të Ballkanit, Europës dhe veçanërisht ndër arkivat e arbëreshëve të Italisë, ndërsa pena e tij kurrë nuk ka pushuar së shkruari studime të ndryshme dhe së bëri sinteza nga më të mëdhatë për autorët, veprat dhe rezultatet shkencore të tyre. Ai ka një varg veprash studimore në dorëshkrim, që në të vërtetë paraqesin të arriturat më të mëdha në fushë të studimeve arbëreshe në përgjithësi dhe në fushë të studimeve deradiane në veçanti, duke filluar me vëllimet: Veprat historiko - filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës[18]. Shkodër. 1999, 1.850 f. të daktilografuara, në tre versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe. Jeronim de Rada, Skanderbeku i pafanë, në tri versione: italisht, arbërisht (transkriptim), përshtatje në gjuhën e sotme. Vepra hapet me një studim introduktiv problemor dhe me aparat shkencor, Shkodër, 1999, 1.240 f. të daktilografuara. Për të përfunduar me korpusin e madh shkencor, që përtej studimeve historike, gjuhësore, letrare, kulturore e publicistike, paraqet veprën jetësore të Profesor Jup Kastratit për qytetërimin arbëresh[19].Kontributi i tij në studimet arbëreshe përfshinë vepra monografike për autorë, personalitete të mëdha historike, shkencore dhe kulturore, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Nikollë Keta, Vinçenc Dorsa, Vinçenc Librandi, Nilo Borxha, Gaetano Petrota, Marko la Piana, Françesko Solano (1914 – 1999) etj., pjesa më e madhe e të cilave ende nuk janë botuar. Vetëm monografia e tij për De Radën ka dy versione të botuara e të ribotuara dhe dy vëllime në dorëshkrim, të cilat përbëjnë tërësinë e kontributeve të tij për jetën dhe veprën e këtij kryerilindësi shqiptar jo vetëm në Koloninë arbëreshe të Italisë, por edhe për rilindjen shqiptare në përgjithësi. Ndonëse në dorëshkrim, dhe të përfshira brenda vëllimit Studime arbëreshe, edhe studimet për këta autorë paraqesin monografi më vete, si për hulumtimin dhe studimin e plotë të veprës së tyre ashtu edhe për vëllimin në të cilin janë trajtuar, nga 120-450 faqe dorëshkrimi për autorë.Duke hapur Parathënien[20] e shkurtër për një vëllim kaq të madh studimesh, madje të pazakonshme në përvojën e studimeve kastatiane, autori kujtonte se fjala është për një vëllim me studimet më të mira të shkruara nga viti 1956 deri në vitin 2000. Në të vërtetë ato përfshijnë studime të fushave të ndryshme, të cilat fillojnë me gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë, folklorin, etnografinë etj., disa prej të cilave tashmë janë lexuar në konferenca shkencore, janë botuar në vëllime shkencore, në revista shkencore kombëtare e ndërkombëtare[21]. E shikuar nga një kënd tjetër, nga këndi i fushave të studimit, Studimet arbëreshe të Profesor Jup Kastratit trajtojnë tema:- nga historia: reflektime dhe angazhime mbi Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Berlinit, Çështjen e pavarësisë së Shqipërisë etj.; - nga historia e kulturës dhe letërsia: letërsi e vjetër, letërsi e rilindjes dhe përkimet e saj me letërsinë evropiane, letërsia e gjysmës së parë të shekullit XX dhe letërsia bashkëkohore; - nga folklori dhe etnologjia: autorë dhe vepra, si Markianoi, De Rada, Antonio Belushi, Folklora arbëreshe dhe trashëgimia e saj etj.; - nga gjuhësia dhe shkollat e fushat e studimit të saj (filologji-linguistikë-albanologji): historia e albanologjisë, filologjisë dhe linguistikës, dialektologjisë, gramatologjisë, sintaksologjisë, leksikologjisë e leksikografisë, morfologjisë, fonetikës dhe fonologjisë, ortografisë, transliterimit e transkriptimit, përkthimit e kulturës së leximit, kritikës gjuhësore, polemikës e letërkëmbimit; - nga bibliografia e autorëve dhe për autorët: bibliografia e gjuhësisë, letërsisë, folklorit dhe publicistikës. Bibliografi të veçanta madje ka përgatitur për Gjergj Guxetën, për Pal M. Parrinon, për Nikollë Ketën, për Engjëll Mashin, për Gjon Skiroin, për Vinçens Dorsën, për Dhimitër Kamardën, për Niko Borxhan, për Gaetano Petrotan, për Mark la Pianen, për Mateo Shambren; për Françesk Solanon, për Nilo Catalanon, për Francesco Maria da Lecce-n, etj.Ka trajtuar në këtë vepër me një skrupulozitet të shumanshëm çështje të historisë së arbëreshëve të Italisë, rolin e arbëreshëve të Italisë në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizenit (1878 – 1881), historinë e vendosjes dhe të jetesës së arbëreshëve në Leçe (shek. XV – XVII), historinë e themelimit dhe të punës së Seminarit Arbëresh të Palermos (1734) dhe Kolegjit Arbëresh të Shën Adrianit (1736), vijimësi e të cilëve në jetën nacionale, arsimore, kulturore e shkencore janë edhe dy kongrese gjuhësore për gjuhën arbërore ndër arbëreshët e Italisë (1895, 1897). Brenda një kaptine të veçantë autori trajton çështje të etnografisë së arbëreshëve të Italisë. Fjala është për kontributin e arbëreshëve të Italisë për ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar. Me po kaq përkushtim dhe thellësi autori hulumton dhe trajton çështje të folklorit të arbëreshëve të Italisë. Brenda këtij problemi hyjnë studimet që trajtojnë fondin e përbashkët të poezisë popullore arbëreshe dhe të ciklit të këngëve legjendare të kreshnikëve, folkloristikën arbëreshe të shekullit XVIII dhe të gjysmës së parë të shekullit XIX, si dhe ndihmesën e dr. Mikele Markianoit dhënë folklorit arbëresh.Nëse trajtimi i historisë, etnografisë dhe folklorit të arbëreshëve të Italisë nga Profesor Jup Kastrati ka qenë pjesë e përkushtimit të tij për Studimet arbëreshe trajtimi i çështjeve të gjuhësisë shqiptare ndër arbëreshët e Italisë në shekullin XVII, ka edhe shumë arsye të tjera. Historia e albanologjisë ka qenë dhe mbetet një prej fushave në të cilën është angazhuar shumë Profesor Jup Kastrati, ndërsa gjuha e arbëreshëve të Italisë ishte dhe është një prej vlerave të mëdha gjuhësore, kulturore dhe shkencore, pa studimin e të cilës nuk mund të arrihen rezultate të rëndësishme shkencore në fushë të albanologjisë. Në këtë fushë ai me përkushtim ka trajtuar periudha, autorë dhe vepra të rëndësishme shkencore, si: Nilo Katalano (1637 – 1694), Lëvizja mendore gjuhësore në mjedisin arbëresh të Italisë në shekullin XVIII, Gjergj Guxeta (1682 – 1756), Pal M. Parrino (1710 – 1765), Nikollë Keta (1741 – 1803). Përtej një interesimi të Profesor Jup Kastratit për gjuhën e arbëreshëve të Italisë, si lëndë për studime krahasuese në fushë të dialektologjisë, leksikografisë e gramatologjisë etj., përkushtimi i tij do të lidhet me gjuhësinë si dije nacionale, e cila si askund ndër shqiptarët, tek arbëreshët e Italisë sillte përvojën e shkollës evropiane të kohës. Fjala është për studimet dhe studiuesit e arbëreshëve të Italisë të shekullit XIX: Engjëll Mashi (1758 – 1821), Mikel Skutari (1762 – 1830), Zef Krispi (1781 – 1859), Xhusepe Angelo Noçiti (1831 – 1899), Dr. Gjon Skiroi (1835), Jeronim De Rada (1814 – 1903), Dhimitër Kamarda (1822 – 1882), Vinçenc Dorsa (1823 – 1859), Vinçenc Librandi (1897); po edhe për dijetarë e gjuhëtarë arbëreshë të shekullit XX, disa prej të cilëve edhe sot vazhdojnë të hulumtojnë, trajtojnë dhe çojnë përpara përvojën shekullore të shkollës së arbëreshëve të Italisë në fushë të gjuhësisë: Nilo Borxha (1870- 1942), Gaetano Petrotta (1882 – 1952), Marko la Piana (1883 – 1958), Mateo Shambra (1914 – 1967), Françesko Solano (1914 – 1999), Anton Belushi (1934 -); Emanuil Jordani (1963).Prej veprave gjuhësore kryesisht të karakterit filologjik e etnografik të brezit të parë dhe të dytë dhe prej veprave gjuhësore kryesisht të karakterit gjuhësor e linguistik të brezit që sot vazhdon të merret me studimet albanologjike ndër arbëreshët e Italisë, Profesor Jup Kastrati jo vetëm e ka plotësuar veprën e tij me rezultate të reja, por në gjuhësinë shqiptare ka sjellë rezultate të reja, të cilat gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, përgjithësisht ia kemi atribuuar gjuhësisë dhe studiuesve austro-gjerman. Kur një ditë të jetë botuar vepra e plotë e Profesor Jup Kastratit, përkatësisht sintezat e tij për historinë e albanologjisë ndër arbëreshët e Italisë, në mjaft pika mendimi për shkollat, konceptet shkencore, domenet dhe nocionet e studimit të albanologjisë, si dhe tezat, sikur është ajo e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe, do të ndryshojë në interes të dijes shqiptare.Njohësit e jetës dhe veprës së Profesor Jup Kastratit e dinë se si formim arsimor ai ishte dialektolog, prandaj është e kuptueshme pse përkushtimi i tij për dialektologjinë në përgjithësi dhe për të folmen veriore në veçanti, ishte plotësuar edhe me të dhënat për të folmet e arbëreshëve të Italisë, strukturën gramatikore të saj, disa veçanti morfologjike, gjendjen e sotme të shkrimit të saj etj. Nëse me probleme të historisë, etnografisë e etnologjisë, folklorit e traditës përgjithësisht kulturore të arbëreshëve të Italisë Jup Kastrati merrej për të plotësuar korpusin e tij të madh të studimeve arbëreshe, me gjuhësinë dhe me letërsinë ai merrej për të ngritur dy nga majat më të larta të studimeve të tij: Historinë e letërsisë shqiptare dhe Historinë e albanologjisë. Në një rreth më të ngushtë, do të mund të shikohej edhe interesimi i tij për letërsinë e arbëreshëve të Italisë. Nëse interesimi i tij në Studimet arbëreshe lidhet sa me historinë, dijen si kulturë, gjuhën, folklorin, etnografinë etj., për të plotësuar sa njërën periudhë sa tjetrën dhe sa njërin autor sa tjetrin, interesimi i tij për letërsinë është i lidhur para se gjithash me përkushtimin dhe dimensionet e shumanshme të tij për Jeronim De Radën (Jeronim de Rada. Fjalor Enciklopedik Shqiptar, 2001), për jetën e tij, (Jeronim de Rada (monografi). Përmbyllje, 1962; Autobiografia e de Radës. Parathënie, 2001), për veprën artistike dhe letrare të tij (Këngë të Milosaut. Parathënie, 1956); për veprën diturake të tij (Rassegna di Studi Albanesi. Recension, 1964); për publicistikën e tij Fjamuri i Abërit, Parathënie, 1967) etj. I prirë për të parë nga shumë drejtime të kaluarën dhe të sotmen e arbëreshëve të Italisë, Profesor Jup Kastrati, më në fund do të shkruajë edhe oponenca (Poezia e De Radës: oponencë për Klara Kodrën (1981), përshtypje udhëtimi, reportazhe etj.Pra, vepra e tij madhore, nga më të mëdhatë deri më tash në studimet arbëreshe këtej deti, kap një fushë të gjerë studimore, si: çështje të historisë së arbëreshëve të Italisë, çështje të etnografisë së arbëreshëve të Italisë, çështje të folklorit të arbëreshëve të Italisë, çështje të gjuhësisë dhe të gjuhës së arbëreshëve të Italisë, çështje të letërsisë së arbëreshëve të Italisë dhe çështje të publicistikës së arbëreshëve të Italisë. Dhimitër Kamarda një nismë e pakurorëzuar e sintezave të mëdha shkencoreNga fundi i jetë së tij, më 18 nëntor 2000 Profesor Jup Kastrati më shkruante nga Shkodra: “Monografinë “Dhimitër Kamarda 1821-1882 (jeta, veprat, idetë, roli i tij në lëvizjen mendore shqiptare të viteve 1864-1882, rëndësia dhe vendi i tij tejet e madhe në gjuhësinë shqiptare dhe në kulturën kombëtare, veprimtaria albanologjike e kohës)”, e kam projektuar për ta përfshirë në vëllimin e dytë të traktatit “Historia e albanologjisë”, që përmban periudhën shkencore të studimit të gjuhës shqipe, që nga Franz Bopp (Berlin, maj 1854) e deri vdekjen e Norbert Jokl-it (Vjenë, maj 1939). Deri më sot (18 nëntor 2000) kam shkruar 300 (treqind) faqe të daktilografuara. Kaq vend do t’i jap Kamardes në këtë monografi. Por unë do të vazhdoj punën për viganin e gjuhësisë shqiptare ndër arbëreshët e Italisë. Pasi të përfundoj së botuari vëllimin e katërt të veprës në fjalë (që përmban vetëm aparatin shkencor), unë do të vazhdoj punën për hartimin e monografisë shteruese: “Dhimitër Kamarda (1821-1882)[22]”.Pak vite më parë ndërkaq kishte përfunduar serinë e sintezave të gjëra për të gjithë gjuhëtarët më të rëndësishëm arbëresh, si kapituj të veçantë të “Historisë së albanologjisë”, por që zinin vend të merituar me studime përgjithësuese në projektin jetësor “Studimeve arbëreshe”, dhe përtej tyre mund të botoheshin edhe si monografi më vete. Në mesin e tyre ai shquante studimin e tij për Nikollë Ketën[23], nga dorëshkrimi i të cilit nuk kishte botuar madje as edhe një fragment, . Po këtu mund të shquheshin edhe monografitë për albanologë të shquar arbëresh, sikur janë Pal Parrini e të tjerë. Dorëshkrim i pabotuar. Varianti i zgjeruar. Nga 140 faqe që ka teksti, janë botuar vetëm 20 faqe në: Gjuhësia shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XIX ndër arbëreshët e Italisë[24], me shkruante mjeshtri im. Me këtë mënyrë dhe me këtë elan te pafundmë pune, bibliografia e botimeve shkencore të Prof. Jup Kastratit për kulturën kombëtare shqiptare të arbëreshëve të Italisë, vetëm për një periudhë 45-vjeçare (1953 – 2002), kap 236 zëra, si edhe shënimeve bibliografike për të. Në vend të përfundimit: vlerësimet e Çabejt, Justin Rrotes dhe të botës arbëreshe Në Arkivin e letërkëmbimit të pasur të tij me gjithë albanologët e kohës në Shqipëri dhe në botë, gjejmë edhe një dosje posaçërisht të vëllimshme, në të cilën është ruajtur letërkëmbimi me mikun e tij të jetës Profesor Eqrem Çabejn. Të sistemuara me kujdes sipas kohës së dërgimit, në të cilën ka jo vetëm letra përshëndetëse e kartolina urimesh për ndërrim motesh, po edhe diskutime, përshkrime, fragmente studimesh në dorëshkrim etj. Që në letrën e trembëdhjetë gjejmë të bashkangjitur me një letër që ka karakter personal edhe një dorëshkrim të Profesor Eqrem Çabejt, që në të vërtetë është recension/rekomandim për një dorëshkrim për botimin e veprave të zgjedhura të Jeronim de Radës[25]. Fjala është për veprat 1. Këngët e Milosaut, 2. Një pasqyrë e jetës njerëzore (Serafina Topia), 3. Skanderbekku i pa-faan, 4. Poezi shqipe, 5. Odiseu, 6. Rapsodi shqiptare dhe 7. Gramatika shqipe e Zef de Radës, një pjesë e të cilave ishin të plotë, disa fragmentare dhe disa të tjera vetëm analiza. Në dorëshkrimin e Profesor Çabejt, pas pjesës përshkruese për veprat e Jeronim de Radës, të planifikuara nga Profesor Jup Kastrati për botim, janë dhënë gjerësisht edhe gjykimet e përgjithshme, vërejtjet e veçanta me karakter parimor, vërejtjet rreth transkriptimit, vërejtjet për konsonantat, për përkthimin (parafrazën) e Milosaut, si dhe shënime rreth vërejtjeve (komenteve) të veprës Milosaut. Këtë recension Profesor Çabej e fillon: “M’u dhanë nga Instituti i Shkencavet për shqyrtim këto vepra të de Radës përgatitur për botim nga ana e Prof. J. Kastratit, thuhet në fillim të recensionit të Profesor Eqrem Çabejt, për të vazhduar më tej[26]: 1. Këngët e Milosaut, botim i parë:a) Parathënieb) Shënime mbi alfabetin e de Radësc) teksti origjinal (transkribimi)d) përshtatje në gjuhën e sotme me bazë dialektin toskërishte) Shënime e komentime (vetëm I-XVI këngë)f) botimi i dytë. Vetëm transkribimi bashkë me përkthimin italisht prej vetë poetit.2. Një pasqyrë e jetës njerëzore (Serafina Topia):a) analiza e veprës ( shkon vetëm gjer në f.14)b) teksti origjinal (transkribimi)c) përshtatje në të folmen e sotmed) shënime gjuhësore (3 ½ faqe)3. Skanderbekku i pa-faan, vol. V, libri IV, historia IV:a) teksti origjinal (transkribimi)b) përshtatje në të folmen e sotmec) shënime gjuhësore 4. Poezi shqipe, 5 histori: Teksti origjinal. Vetëm transkribimi bashkë me përkthimin italisht të de Radës vetë. 5. Odiseu, (3 faqe) 6. Rapsodi shqiptare. Jepet një “analizë e veprës” që s’është tjetër veçse përkthimi i së dy prathënievet italisht. 7. Gramatika shqipe e Zef de Radës. Analiza e veprës, d.m.th. një përmbledhje e përmbajtjes së kësaj. Gjykimi i përgjithshëm. Si shqyrtuam këtë punë nga krei e gjer në fund, në përfundim të analizës që i bëmë kemi arritë në këtë gjykim të përgjithëshëm: Nuk është zbatuar sa duhet një metodë rigoroze filologjike kombinuar me kriterin literat, metodë që na duket e domosdoshme në punime të këtij lloji. Në mënyrë të veçantë do të kërkohej një zotërim më i plotë i dialekteve arbëreshe të Kalabrisë. Veçse do thënë se të dyja këto janë punë të vështira, aq më shumë kur nuk kemi një studim rreth dialekteve të asaj treve.Këto të meta kundërpeshohen më anën tjetër nga një vullnet i mirë, një dashuri për temën, nga përpjekja për të zotëruar lëndën dhe nga një kujdes i madh që tregohet në këtë punë.Në këtë mënyrë është kryer një punë pozitive, që meriton të çmohet. Një meritë e veçantë është gatitja e këtyre teksteve për një rreth më të gjerë lexuesish, sidomos për shkolla.Vërejtje të veçanta me karakter parimora) Për sa i përket përkthimit në shqipen tonë, ky që të dalë sa më mirë duhet të arrijë këto cilësi: të jetë poetik që të ruaj kështu frymën e poetit, po me anë tjetër të ruaj edhe ritmin e veçantë të poezisë së de Radës, më anë tjetër të kuptohet prej publikut të Shqipërisë, për të cilin destinohet gjithë kjo punë. Të jetë pra përkthimi dhe i kuptueshëm dhe i hieshëm, pa humbur nga bukuria poetike e origjinalit.b) Sa kohë që përkthimi është bërë në toskërishten e sotme, të ruhen karakteristikat e këtij dialekti: si në fonetikë, si në ritëm, si dhe në fjalor.c) Dihet se de Rada ka një fjalor të vetin, fjalë, të cilat na duket se s’kanë nevojë për shpjegim; përkundrazi ndonjë fjalë është rrezik të mos kuptohet, me gjithë se kemi përkthimin, p.sh. kallëzoret te Milosau. Po ajo që bie në sy këtu është sidomos fakti që shënimet gjuhësore janë përsëritur, shpesh dhe më së një herë, shpjegimet e fjalëve të vështira. Kështu p.sh. shpjegimi i fjalëve gjellë, ruan, nëng, kopilje, ljinar, gardhi, garé, kurmi, i galjthër, u pruar. Për t’i evituar këto përsëritje të mërzitshme thom se do menduar se mos nuk është më mirë të mblidhen këto fjalë në një glosar të vogël, i cili do të shërbente kështu për të gjitha rasat kur ndeshin në këto fjalë. E në shënime të shtjelloheshin të tjera sende.d) Posaçërisht për Milosaon botuesi ka gatitur një botim të bazuar në edicionin e parë. Në edicionin e dytë de Rada sikundër dihet, ka shtuar disa këngë të reja. Prandaj si Gualtieri si Resuli i kanë pasur parasysh që të dya botimet. Le të shihet a mos nuk është mirë të shtohen në këtë botimin shqip edhe këto këngët e edicionit të dytë, të paktën si shtesë në fund.dhe) Për mënyrën e Transkribimit sh. më poshtë. Këtu vetëm do të shënojmë se trajtesat e gabuara në tekstin e de Radës është më mirë të mos riprodhohen në këtë formën e gabuar si bie fj. botta për bora te kënga e I-e Milosaut, Shugjeza, për shëngjeta të XVII, po të vihet në tekst trajta e drejtë dhe gabimi të shënohet në shënimet.e) Nga vërejtjet që kemi bërë rreth Milosut dhe Serafina Topisë mund të shihet se si mendojmë ne për përkthimin e për shënimet edhe përsa u përket veprave së tjera të de Radës. Kështu po ato vërejtje themi se mund të hyjnë në punë dhe për këto vepra”. E sollëm këtë fakt për arsye se del për herë të parë një dëshmi e Profesor Eqrem Çabejt për angazhimin e Profesor Jup Kastratit për të botuar veprën e Jeronim Deradës, të cilën nuk arriti ta botonte për të gjallë të tij, si dhe për të sjellë këtu dy aspekte të përpjekjeve të Jup Kastratit në fushë të veprimtarisë botuese: përpjekjen për botimin e veprës së tij dhe më parë se botimin e veprës së plotë të tij, botimin e plotë të trashëgimisë së albanologjisë në përgjithësi dhe trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të arbëreshëve në veçanti.Mirëpo, siç dihet, në këtë kohë botohet vetëm vëllimi Këngët e Milosaut[27], ndërsa vepra më e plotë e Jeronim de Radës botohet vetëm në vitin 1987[28].Dhe meqenëse për të gjallë të tij nuk arriti ta botonte as veprën shkencore të tij as atë pjesë të trashëgimisë letrare kombëtare, për të cilën kishte punuar një jetë të tij, sot mund të thuhet se e para si dhe e dyta sot janë testament i përbashkët i atij monumenti që i ka lënë këtij brezi.Arsyeja për të sjellë pjesën hyrëse të recensionit të Profesor Çabejt, ka të bëjë edhe me një diskutim që është bërë viteve të fundit lidhur me botimin e letërsisë arbëreshe në Tiranë dhe në Prishtinë[29], që as në përmasën e studimit kritik as në kontekst të kërkimeve, nuk solli ndonjë kontribut të ri në studimet arbëreshe. Përkundrazi, vlerësimi i plotë për kontributin e Profesor Jup Kastratit në mbledhjen, botimin, sistemimin dhe studimin e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore arbëreshe, nënkupton njohjen dhe botimin e disa dhjetëra recensioneve, studimeve dhe vlerësimeve të bashkëkohësve të tij, të botuara në shtypin ditor dhe atë shkencor apo të lëna në dorëshkrim. Studime[30], recensione në dorëshkrim dhe të botuara janë shkruar për të gjitha botimet, duke përfshirë këtu edhe ato që Profesor Kastrati i kishte në dorëshkrim, si dhe për studime të veçanta[31] kushtuar personaliteteve apo temave të veçanta arbëreshe: Këngët e Milosaos (1956), monografinë e parë: Jeronim de Rada - jeta dhe vepra (1962), Skënderbeu i pafan (...)[32]; Autobiografinë (1973/2003)[33] dhe në mënyrë të veçantë për monografinë Jeronim de Rada – jeta dhe vepra (1979)[34]. Për veprën Studime për De Radën (2003)[35], dhe Studime arbëreshe[36] vlerësimet dhe recensionet janë botuar madje disa vjet para se veprat të dalin nga shtypi. Prej recensioneve për botimet e këtyre veprave dhe sidomos prej recensioneve në dorëshkrim për diskutimin e tyre në redaksitë e botimeve dhe institucioneve shkencore e arsimore, në të vërtetë, lexuesi veç të tjerash do ta kuptojë kohën e përgatitjes së tyre për botim.Por t’i kthehemi edhe njëherë recensionit në dorëshkrim të Profesor Çabejt. Nga faqja katër e deri në të shatën Profesor Çabej ka paraqitur vërejtje e tij “për sa u takon konsonanteve”, duke i trajtuar ato në nga një, ndërsa nga faqja shtatë deri në trembëdhjetë, ka sjellë shembujt e veçantë të përkthimit, përkatësisht perifrazimit të Milosaut, duke dhënë shembujt përkatës sipas këngëve: I (12), II (5), III (3); VIII (8), IX (7), X (5+1), XII (3+1), XIII (1), XIV (6+1), XV (8), XVI (3+1), XVII (4), XVIII (1+1), XIX (12), XX (4), XXI (4), XXII (5), XXIII (9), XXIV (4), XXV (7), XXVII (4), XXXVIII (13), XXIX (3). Sikur mund të shihet, vërejtje e Profesor Eqrem Çabejt nuk kanë të bëjnë me të gjitha këngët. Prej tekstit të tij në dorëshkrim nuk është vështir të shihet se leximi ishte shumë i kujdesshëm dhe vërejtjet dilnin nga një lexim i tekstologut që më parëse sa të merrej me leximin e dorëshkrimit të përgatitur nga Jup Kastrati, kishte njohur gjerësisht të folmet e arbëreshëve të Italisë dhe më parë se ta bënte objekt vlerësimi dorëshkrimin e Jup Kastratit, kishte bërë objekt kritike edhe tekste të tjera letrare e gjuhësore të letërsisë së arbëreshëve ë Italisë[37] dhe madje kishte përgatitur edhe një dorëshkrim përbëtë letërsi[38]. Vërejtje të kësaj natyre nuk bëhen fare në këngët: IV, V, VI, VII, XI, XXVI. Brenda vërejtjeve të karakterit perifrazues hyjnë edhe ato të përgjithshme që Profesor Çabej i shënon me shprehjet apo sintagmat: “e errët”, “nuk është dhënë mirë”, “nuk shkojnë fort mirë”, “Gualtier e ka...”, “kjo shprehje nuk shkon tek ne”, “trajta e parë është gegërisht” etj. Pra, ndonëse gjen edhe ndonjë vërejtjet të natyrës gjuhësore apo estetike, nuk shënon propozimin e tij në të gjitha rastet. Duam të theksojmë këtu se pjesa më e madhe e vërejtjeve të Profesor Eqem Çabejt kanë të bëjnë me anën dialektore të fjalëve, kuptimin e disa fjalëve dhe sidomos trajtat dialektore gege apo toske në të cilat duhet të mbështetej Profesor Jup Kastrati në perifrazimin e tyre.Nga faqja e trembëdhjetë deri në fund (shtatëmbëdhjetë) Profesor Çabej ka radhitur shënimet rreth vërejtjevet (komenteve) të Milosaut. Fjala është për vërejtjet ekskluzivisht gjuhësore, të karakterit fonetik, morfologjik dhe madje etimologjik të disa fjalëve, të sjella sipas këngëve: I (5), II (4), III (1), IV (2), VI (4), VII (5), VIII (5), IX (3), X (shpjegime fjalësh të panevojshme), XI (shpjegime fjalësh të panevojshme), XII (1), XIII (2), XIV (2), XV (3), XVI (1). Duket se mungesa e vërejtjeve për fjalë apo shprehje të këngëve të tjera ka të bëj me përsëritjen e të njëjtave fjalë edhe në këngët në vazhdim. Kjo është arsyeja pse në studimin tonë po i sjellë edhe vërejtjet rreth e përgjithshme rreth transkribimit, të cilat në parim nuk kanë të bëjnë vetëm me anën gjuhësore të dorëshkrimit të Jup Kastratit, po edhe me letërsinë arbëreshe në përgjithësi, historinë e gjuhës, dijen e kohës në fushë të tekstologjisë dhe përpjekjet për botimin e letërsisë së vjetër shqipe në përgjithësi e të letërsisë së arbëreshëve në veçanti. Këtë e ka theksuar që në paragrafin e nënkapitullit të tij edhe Profesor Çabej: “Ajo që vlen për transkribimin e veprave të de Radës vlen përgjithësisht për tekstet shqip të Italisë. Transkribimi i këtyre nuk është një punë e lehtë, dhe ai kërkon një njohje të mirë të fonetikës së këtyre dialekteve, të mënyrës sesi e shqiptojnë këto shqipe. Ky shqiptim në shumë pika ndahet nga shqiptimi i gjuhës në të folët e Shqipërisë. Pesë shekuj zhvillimi të pavarur kanë përftuar këtu dhe atje sisteme fonetike mjaft të dalluara. Një transkribim i mirë do të synojë një besnikëri fonetike sa më të madhe. Pyetja parimisht më me rëndësi është se a do të bëhet një transliteracion apo një transkribim. Ndërsa e para konsiston në një riprodhim të shkronjës pa marrë parasysh tingullin që ajo përfaqëson, kjo e dyta, synon një riprodhim të shqiptimit, të tingullit që përmbahet në shkronjën përkatëse. Ne besojmë se në tekste relativisht të reja siç janë shkrimet e de Radës, ku shqiptimi në më të shumtat e rasteve dihet, transkribimi do preferuar pa tjetër përpara transliteracionit. Përveç së tjerave, kjo ka dhe këtë dobi që gjithë riprodhimi i tekstit është më konsekuent, se evitohen shumë inkoherenca e keqkuptime, siç do të shohim konkretisht më poshtë. Veçse do përpjekur që të arrihet një besnikëri, fonetike sa më të madhe, një afrim sa më i madh i shqiptimit të dialektit të poetit[39].Pikë së pari në të folët e kolonivet ruhet mirë edhe sot kuantiteti i silabave të theksuara. Vokalet e gjata shënohen te de Rada, siç dihet, me vokale dyfishe, po ashtu si të gjithë shkrimtarët e vjetër, të Shqipërisë e të kolonive: Ui të rii, tedit ree, zakoon. Theksi hundak si p.sh. në Ljumravet të Milosaut XIX.
No comments:
Post a Comment