Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/09

Vullnetarët rusë përkrah serbëve në luftën për Kosovën


Nga Shaqir  Vukaj 
Rusia, ashtu si vendet e tjera të mëdha, ka qenë burim vullnetarësh ose mercenarësh në luftëra të ndryshme civile, midis shteteve apo blloqeve ushtarake. Vullnetarë ose mercenarë rusë kanë luftuar në katër anët e botës, që nga Kina në  Amerikën e Jugut, nga Spanja  në Ballkan, e jo rrallë në krah të palëve kundërshtare, pra kundër njeri tjetrit. Kështu në Luftën Civile në Spanjë, rusët kanë luftuar kundër njeri tjetrit, disa në brigadat internacionaliste, të tjerët në krah të ushtrisë së Frankos. Gjatë Luftës Dytë Botërore, vullnetarë rusë kanë luftuar përkrah forcave aleate kundër nazi fashistëve, e të tjerë kanë luftuar përkrah forcave naziste…….
Në Ballkan, vullnetarë apo mercenarë rusë kanë luftuar që në shekullin e XIX. Sipas burimeve ruse, vullnetarët rusë kanë ardhur për herë të parë në Ballkan për të ndihmuar serbët në v. 1807, dhe kanë vazhduar në v. 1875, kur në krye të ushtrisë serbe u vu gjenerali rus Çernijev. Vetëm në armatën e Moravisë, në v. 1875 kanë marrë pjesë 2200 vullnetarë rusë, nga të cilët 650 oficerë dhe 300 infermierë, per të vazhduar me luftën e Serbisë e Malit të Zi të v. 1876 kundër Turqisë, ku kanë marrë pjesë rreth shtatë mijë vullnetarë rusë. Vullnetarë ose mercenarë rusë kanë marrë pjesë në të gjitha luftërat e viteve 90-të, të zhvilluara në ish Jugosllavi, që nga Kroacia, Bosnje – Hercegovina e deri  në luftërat e fundit në  Kosovë e Maqedoni. Po sipas këtyre burimeve, nuk ka asnjë luftë të serbëve, gjatë dy shekujve të fundit, që të mos ketë pas vullnetarë rusë në ndihmë të tyre.
Siç dëshmojnë dokumentet,  vullnetarë ose mercenarë rusë janë ndeshur herët me shqiptarët në tokat shqiptare. Fatkeqësisht, vullnetarë apo mercenarë rusë kanë vazhduar të luftojnë kundër shqiptarëve, në tokat shqiptare deri vonë, deri në vitin 2001 në Maqedoni.
Në vitet 20-të të shekullit të kaluar, shumë bjellogardistë rusë të ushtrisë së Vrangelit, që kishin përfunduar në Mbretërinë serbo-kroato-sllovene (Jugosllavi) janë angazhuar nga Beogradi në Shërbimin Kufitar të Mbretërisë së sapokrijuar, i cili, problemet e shumta me fqinjët, e në radhë të parë me shqiptarët, donte ti zgjidhte me grykën e pushkës. Nga shumë dokumente ruse e serbe del se në kufirin me Shqipërinë, ku ekzistonin problemet me të mprehta me fqinjët, Beogradi kishte angazhuar mercenarë nga rrallët e bjellogardistëve rusë. Sipas këtyre dokumenteve dhe kujtimeve të disa pjesëmarrësve, rezulton se  “bjellogardistët janë përplasur me armë me shqiptarët” shumë herë.
Dokumentet tregojnë se mercenarë rusë kanë marrë pjesë edhe në lëvizjen e Gjon Marka Gjonit, i cili me rekomandimin dhe ndihmën e Beogradit, në korrik të v. 1921 shpalli “Republikën e Mirditës”. Sipas kujtimeve të  pjesëmarrësve, mercenarë rusë kanë marrë pjesë edhe në operacionin e spastrimit në Drenicë, ku u vranë shumë shqiptarë, ndërmjet te cilëve edhe Azem Galica dhe u shpërbe Arbania e Vogël, siç quhej në atë kohë zona e lirë e kryengritësve.  Por, siç dihet angazhimi më i madh i mercenarëve rusë në tokat shqiptare  (deri në v.1999) ka qenë ai për sjelljen në pushtet të Ahmet Zogut në v. 1924. Pavarësisht se ç’thonë sot disa që duan ta vënë A. Zogun aty ku nuk duhet dhe ku nuk i takon, ky ishte akti i parë i turpshëm  i tij, në kuadrin e shumë veprimeve antikombëtare e antishqiptare. Dokumentet e botuara dhe shumë të tjera të pabotuara, tregojnë se Beogradi e financoi, e pajisi me armë,  i përgatiti trupat mercenare ruse (sigurisht edhe shqiptare) në krye të të cilave vuri një oficer të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave (edhe ai mercenar rus, ish kolonel i Ushtrisë Cariste ), rrëzoi Nolin   dhe solli në pushtet A.Zogun.
Duke kërkuar neper materiale të ndryshme ruse, kam gjetur materiale interesante që flasin për pjesëmarrjen e mercenarëve rusë në operacionet e ndërmarra kundër popullsisë shqiptare të Kosovës gjatë Luftës Dytë Botërore. Aleksandër Pisarevski në studimin e tij mbi aktivitetin e “Korpusit rus” në Ballkan gjatë Luftës Dytë Botërore (Korpusi rus ka qenë një formacion ushtarak i krijuar nga nazistët gjermanë me mercenarë rusë që jetonin në Jugosllavi dhe Bullgari, ku shumica e tyre ishin nga rrallët e bjellogardistëve), shkruan se ata janë angazhuar për ruajtjen e mbikëqyrjen e rrugës hekurudhës që kalonte neper Kosovë. Por, siç shkruan ai, mercenarët rusë janë aktivizuar edhe në masat represive kundër shqiptarëve, të cilët, sipas tij ndëshkoheshin sepse ata “shkatërronin kishat serbe, persekutonin serbët” etj. Sipas këtij autori, pjesëtarët e “Korpusit rus” kanë bashkëpunuar dhe me çetnikët e Drazha Mihajlloviçit, prej të cilëve merrnin të dhëna për partizanët e mbështetësit e tyre në rrallët e popullsisë shqiptare….
Pavarësisht se pjesëmarrja e vullnetarëve rusë në luftërat e viteve ’90-të në ish Jugosllavi është një temë delikate për Moskën zyrtare, dokumentet, materialet e librat e botuara vitet e fundit në Rusi e jashtë saj, tregojnë se që me fillimin e veprimeve ushtarake aty, pra që në v. 1991, vullnetarët rusë kanë marrë pjesë në te gjitha këto luftëra, në Kroaci, në Bosnjë – Hercegovinë e së fundi në Kosovë e në Maqedoni…….
Siç kanë shkruar disa prej këtyre vullnetarëve, në të gjitha këto luftëra, ata kanë luftuar përkrah serbëve, për të “mbrojtur sllavizmin dhe ortodoksinë”. Nga dokumentet dhe dëshmitë e tyre, në radhët e vullnetarëve rusë ka pasur kategori të ndryshme pjesëmarrësish. Mihail Poliparkov në librin e tij “Vullnetarët. Ditar ballkanik” shkruan se “Ata shkuan në Ballkan për arsye morale, fetare, politike. Ndonjë kërkonte aventura, dikush i fshihej Mafies, dikush policisë….”. Dëshmitarët tregojnë se  një numër i madh prej tyre kanë qenë ish ushtarakë të ushtrisë sovjetike apo ruse. Në Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë, ata kanë luftuar si në përbërje të forcave ushtarako policore serbe ashtu edhe në njësi të krijuara vetëm nga rusë, si për shembull në njësitë “Ujqit caristë” , “Ujqit e bardhë” etj. Një pjesë e tyre ishin nga ata që kishin luftuar më parë në Transdnjistria (Moldavi) e Nagorni Karabak (Azerbajxhan). Një numër i konsiderueshëm prej tyre kishin luftuar në Afganistan. Pra njerëz që e kishin zanat luftën…
Sipas disa të dhënave të botuara në Rusi, në luftërat në ish Jugosllavi kanë luftuar  mbi 600 vullnetarë rusë përkrah serbëve (rreth 50 vetë janë vrarë, si dhe janë plagosur një numër i madh prej tyre, disa prej të cilëve rëndë dhe sot janë invalidë).  Sipas disa të dhënave të tjera, numri i tyre është shumë më i madh, madje sipas radios Europa e Lirë, atje kanë shkuar rreth 5000 vullnetarë rusë (Duhet pas parasysh se në këtë numër përfshihen dhe vullnetarët nga Ukraina e Bjellorusia, që konsideroheshin si rusë, si dhe nga republikat tjera të ish Bashkimi Sovjetik)). Dokumentet ruse tregojnë (gjë që e vërtetojnë shumë  nga vullnetarët rusë) se në Kosovë, ata kanë luftuar më shumë se kudo tjetër në ish Jugosllavi, qoftë për nga numri i vullnetarëve, qoftë për nga pjesëmarrja në veprime e aksione luftarake, apo edhe për nga roli që kanë luajtur dhe detyrat luftarake që kanë kryer. Autorë të ndryshëm, përfshijë edhe ish vullnetarë që kanë luftuar në Kosovë, përmendin shifrën prej rreth 300 vetë. Disa të tjerë përmendin shifra shumë më të mëdha, por siç pohohet nga disa ish vullnetarë apo studiues që janë marrë me këtë problem, asnjëherë nuk do të merret vesh e vërteta dhe të jepen shifra të sakta…..
Para disa kohëve, një ish vullnetar rus që kish marrë pjesë në luftimet në Kosovë, shkruante: “Tema për pjesëmarrjen e vullnetarëve rusë është një temë që fshihet, që heshtet për të në Rusi”. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe sot, mbas kaq vitesh, shumë prej atyre që shkruajnë kujtime apo japin intervista, përdorin pseudonime. (Në të njëjtën mënyrë veprohet edhe për shumë nga këta ish vullnetarë, kur përshkruajnë operacione ushtarako policore dhe rolin e tyre sepse për vite me radhë ata janë kërkuar nga  Gjykata e Hagës).
Pjesëmarrja e vullnetarëve rusë në Ballkan, në ndihmë të Serbisë ka shpjegimin e vet. Ajo është e lidhur në radhë të parë me qëndrimin e politikën ruse ndaj Ballkanit, mbasi Rusia historikisht ka qenë e lidhur me Ballkanin, sepse për të, kontrolli mbi Ballkanin do të thotë kontroll mbi basenet e detit Mesdhe dhe detit të Zi. “Historia e Ballkanit është vazhdim organik i historisë së Rusisë, pjesë e ndërgjegjes së saj kombëtare” është një tezë mjaft e përhapur në Rusi, mbi bazën e së cilës është ndërtuar politika e vjetër dhe e re ruse ndaj këtij rajoni. E për të realizuar këtë politikë, Rusia gjithmonë zgjidhte e ndihmonte sllavët e ortodoksinë, e në radhë të parë Serbinë, tek e cila mbështetej dhe e mbështeste. Duke ndjekur një politikë të tillë historikisht pro serbe, duke e ndihmuar atë në çdo rast, ajo i binte ndesh, në radhë të parë shqiptarëve e kërkesave të drejta të tyre për krijimin e shtetit të pavarur. Edhe në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë e përgjysmimin e territorit të saj, roli i Rusisë ka qenë tepër i rëndësishëm, në mos vendimtar…..
Duke folur per politikën e Rusisë ndaj nesh, studiuesi i njohur rus, Prof. Dr. A. G Zadohin (Shef i Katedrës së Politikës së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Akademinë Diplomatike të Moskës) në v. 2000 (kur ishin ende të freskëta kujtimet e luftës për Kosovën) shkruante:
“Duhet pranuar se qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes shqiptare ka qenë tepër proserb….Kjo e ka bërë Shqipërinë dhe diasporën shqiptare, vendet e popujt e tjerë ballkanikë, që në periudha të ndryshme, të përplasen me shfaqjet e shovinizmit serbomadh dhe rusocentrizmit……….Në qoftë se do flasim për çështjen shqiptare dhe problemin e Kosovës, ato për një kohë të gjatë kanë pasur rëndësi të ndërvarur në politikën ballkanike të Rusisë, mbasi ajo, tradicionalisht ka zgjedhur ortodoksinë, para së gjithash popullsinë sllave dhe shtetet përkatëse, gjë që përcaktohej nga popullariteti i doktrinës pansllaviste dhe humoret sllavofile  në shoqërinë ruse dhe në qarqet politike”.
Kur problemi i Kosovës ishte shtruar për zgjidhje e Fuqitë e Mëdha (ShBA, Anglia, Gjermania, Franca etj.) gjithnjë e me shumë po angazhoheshin për gjetjen e rrugëve më të përshtatshme për zgjidhjen e problemit, Rusia vazhdonte të ndiqte të njëjtën politikë, siç e përcaktonte profesori i sipërpërmendur kur shkruante: “Në vitet ’90-të pozicioni i Rusisë ndaj çështjes shqiptare përsëri përcaktohej në rrjedhën e përgjithshme të politikës se saj ballkanike, si dhe në traditat dhe stereotipat ekzistuese”.
Duke ecur në këtë rrugë, për politikën e propagandën zyrtare të Moskës, e historiografinë e saj (me ndonjë përjashtim të rrallë), shqiptarët e Kosovës “nuk kishin të drejtë në kërkesat e tyre”, se “ata ishin të ardhur në tokën e shenjtë serbe të Kosovës” që ata e kishin “shqiptarizuar me dhunë” se “shqiptarët ishin nacionalistë, që vazhdimisht kishin krijuar trazira në Jugosllavi” se ata  “ishin varrmihësit e Jugosllavisë” dhe se ata vazhdimisht kishin ndjekur një politikë antiserbe, se “ata donin të krijonin një shtet mysliman fundamentalist në Europë” etj. etj. Me këto e të tjera ushqehej e bombardohej në atë periudhë opinioni rus.
Në qoftë se gjatë procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, në fillim të viteve ’90-të, Moska zyrtare  ka mbajtur një qëndrim pak a shumë neutral, krahas tjerave, kjo shpjegohet me faktin se të gjithë ata që po ndaheshin e luftonin kundër njeri tjetrit ishin sllavë, në rastin e shqiptarëve e të Kosovës, problemi shtrohej e përcaktohej “nga qëndrimi tepër pro serb i saj ndaj çështjes shqiptare”.
Nga ky kënd duhet parë propaganda e jashtëzakonshme në mbështetje të Serbisë në atë periudhë, ku u aktivizuan që nga politikanët më të lartë, gjeneralë, historianë e njerëz të shkencës, analistë e politologë etj. e që zinte vend në shumë shtresa të popullsisë ruse (për më tepër që për Shqipërinë, pa lë më për Kosovën, dihej shumë pak. Kjo edhe faktin sepse kishte mbi 30 vjet që në ish Bashkimin Sovjetik nuk flitej pothuajse asgjë për Shqipërinë). Për ata që kanë ndjekur politikën e Moskës në atë kohë, nuk ishte i papritur angazhimi i qindra e mijëra rusëve për të shkuar në Kosovë si vullnetarë apo mercenarë, për të luftuar përkrah serbëve. Është tepër kuptimplote deklarata e një ish vullnetari rus, i cili shkruan se “Rusia është më shumë se shtet, ndërsa atje në Jugosllavi, kalon kufiri ynë i largët, kufiri ynë shpirtëror, dhe ky kufi duhet mbrojtur….Prandaj unë nuk mund të mos shkoja në Kosovë për të luftuar në krah të serbëve”. Ndërsa Aleksej Popovkin në artikullin “Bamirësia ruse në Kosovë e Metohi” shkruan “A mund ta mbrojmë pasurinë tonë të përbashkët fetare dhe kulturore? Kosova është Serbi bërtasin në Beograd. Kosova është edhe Rusi. Kambanat dhe librat ruse, ikonat ruse, lutjet e vëllazërisë ruse në faltoren e Deçanit, gjaku rus i derdhur në ketë tokë….” (Gazeta Ruskaja Linija” 27.08.2009)
Në fund të v. 1998, kur NATO kishte filluar përgatitjet për bombardime, krahas deklaratave të politikanëve rusë për gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e problemit, dëgjoheshin edhe kërcënime e paralajmërime ndaj NATO-s e shqiptarëve. Tërheqë vëmendjen fakti se në këtë periudhë filluan të flasin edhe për mundësinë e dërgimit të vullnetarëve rusë në Kosovë. Kështu me dt. 13.10.1998, shefi i Marrëdhënieve me Jashtë në ministrinë e Mbrojtjes, gjenerali Ivashov (që më vonë do të ishte përfaqësuesi kryesor ushtarak i Rusisë në të gjitha takimet e bisedimet zyrtare të Moskës me përfaqësuesit e NATO-s, të ShBA, Europës etj. për problemin e Kosovës) deklaronte: “Në rast agresioni të NATO-s kundër Jugosllavisë, Moska….do të furnizojë Jugosllavinë me armatime të kohës, do të fillojë përgatitja e oficerëve dhe kuadrove jugosllave në shkollat ruse si dhe do të studiohet problemi i nisjes për në Ballkan i vullnetarëve rusë”.
Pak ditë më vonë, në Bjellorusi (aleatja më e ngushtë e Moskës në atë kohë) u krijua një shtab i posaçëm për regjistrimin, përgatitjen dhe nisjen e vullnetarëve për në Kosovë. Duhet theksuar se ky shtab merrej me regjistrimin e vullnetarëve jo vetëm nga Bjellorusia, por edhe nga Rusia….
Me thellimin e krizës kosovare, ashpërsimin e qëndrimit të NATO-s e përgatitjet e saj për të bombarduar Jugosllavinë, shtoheshin zërat për mundësinë e nisjes së vullnetarëve rusë në Kosovë, për të luftuar përkrah serbëve. Sigurisht që për këtë ndihmonte qëndrimi pro serb i shumicës së politikanëve e ushtarakëve rusë, medies, historiografisë etj.
Një ditë para fillimit të bombardimeve, politikanë e personalitete me peshë në jetën e Rusisë dolën haptazi me thirrje drejtuar popullit rus për të shkuar vullnetarë në Kosovë. Kështu kryetari i Dumes Shtetërore (Parlamenti rus) Seleznjov, deklaroi se “Rusia duhet t’i drejtohet popullit me thirrje për të dalë vullnetarë në ndihmë të serbëve”. Ndërsa  Qendra  Ndërkombëtare e Studimeve Sociologjike ruse, duke dashur të nxiste regjistrimin e vullnetarëve botoi të dhënat e një “anketimi” të bërë më dt. 23 mars për problemin e Kosovës, sipas të cilit, 42 përqind e të anketuarve ishin shprehur se janë gati të shkojnë në Jugosllavi si vullnetarë…..
Më dt. 25 mars, pak orë mbas fillimit të bombardimeve, në Moskë, Shën Peterburg e në shumicën e qyteteve ruse u krijuan komitete të posaçme për regjistrimin e dërgimin e vullnetarëve në Serbi. Në njoftimet e asaj nate thuhej se ditën e parë janë regjistruar disa mijëra vullnetarë ….në krye të të cilëve janë ushtarakë, madje edhe gjeneralë aktivë të ushtrisë ruse. Njëri prej këtyre gjeneralëve, në thirrjen që i beri rusëve për të dalë vullnetarë (që u transmetua direkt në disa kanale televizive ruse) tha se atje duhen njerëz që të kenë shërbyer në aviacion, në mbrojtjen kundërajrore etj.
Me dt. 26 mars regjistrimi i vullnetarëve mori përmasa të jashtëzakonshme. Në Moskë, para ambasadës amerikane u vendosën tavolinat e regjistrimit dhe mijëra njerëz qëndronin në radhë për tu regjistruar si vullnetarë. Televizionet ruse transmetonin pamje direkt nga Moska dhe qytete e tjera ruse ku njerëzit regjistroheshin e sipas lajmeve që jepeshin, numri i vullnetarëve rritej me qindra vetë çdo orë…. E gjitha kjo u kthye në një fushatë të organizuar nga disa parti, ku dalloheshin veçanërisht komunistët, liberal-demokratët e nacionalistët,  të cilët ishin venë në garë se kush regjistronte më shumë vullnetarë.
Krahas regjistrimit, sipas njoftimeve që jepeshin nga kanalet televizive, të shoqëruara me pamje direkt, u kalua në krijimin e njësive ushtarake vullnetare, të cilat filluan menjëherë stërvitjet tekniko-taktike. Media njoftonte p.sh për një njësi të madhe të krijuar në Shën Peterburg, komandanti i së cilës deklaroi publikisht se së shpejti pjesëtaret e saj do të niseshin ilegalisht për në Serbi. Po ashtu u njoftua për një njësi me rreth 3 mijë vetë që ishte krijuar në Kaliningrad etj.
Regjistrimi e përgatitja e vullnetarëve, mori përmasa të atilla, sa vetëm mbas katër ditësh nga fillimi i bombardimeve, mediet ruse njoftonin se “deri atë ditë ishin regjistruar mbi 70 mijë vullnetarë e se regjistrimi vazhdon. ….”. Aq “patriotik” dukej ky veprim sa, si për tu krenuar, komandanti i qarkut ushtarak të Lindjes së Largët (me sipërfaqe disa herë më të madhe se krejt Ballkani) gjenerali Çiçikatov, doli publikisht, dhe krahas thirrjes për tu regjistruar si vullnetarë, deklaroi se ishte gati të shkonte vetë në krye të tyre.
Si për t’ju kundërvënë histerisë “vullnetariste” pro serbe që kishte përfshi ato ditë Rusinë, mediet ruse njoftonin për regjistrimin e një kategorie tjetër vullnetarësh për të shkuar në Kosovë dhe per të luftuar, por tashmë përkrah shqiptarëve, kundër forcave ushtarake serbe. Siç njoftonin ato ditë mediet ruse, në Tatarstan ishin regjistruar një numër i madh vullnetarësh për të luftuar përkrah shqiptarëve, ndërsa në Çeçeni ishte krijuar një njësi prej 1200 vetësh, që ishte gati të nisej për Kosovë, po me këtë qellim etj.
Ato ditë në Moskë shpreheshin dyshime, gjë që u pasqyrua edhe nga disa medie, për vërtetësinë e këtyre njoftimeve. Sipas disa analistëve, njoftime të tilla bëheshin me qëllim, nga njëra anë për ti treguar opinionit rus se shqiptarët janë fundamentalistë dhe si të tillë ndihmohen nga myslimanët e vendet myslimane, se ata duan të krijojnë një shtet mysliman në qendër të Europës etj. dhe se ja, edhe në Rusi po dalin myslimanët në krah të tyre. Por nga ana tjetër, kjo bëhej edhe për të ndaluar këtë valë regjistrimi vullnetarësh rusë, mbasi siç shprehej ato ditë një analist rus në kanalin televiziv NTV: “tashmë njësitë e para me vullnetarë rusë kanë arritur në Jugosllavi dhe siç po zhvillohen ngjarjet, ka të ngjarë që atje të ndeshen me njëri tjetrin armiqtë e vjetër, rusë e çeçenë”.
Moska zyrtare nuk ndjehej. As i përkrahte haptazi, por as nuk i dënonte. Është e vërtetë se kur filluan bombardimet kundër Jugosllavisë, Moska u gjend e papërgatitur, pa një plan të qartë veprimi, pa një plan të rakorduar midis Presidencës, Qeverisë e Dumes Shtetërore, madje edhe brenda vet Qeverisë. Ç’thoshte njeri nuk thoshte tjetri. Ç’thuhej sot, nuk thuhej të nesërmen. Qëndrimi i Moskës ato ditë shprehte qartë vetë situatën e brendshme të Rusisë, e cila, në fushën ekonomike ishte në krizë të plotë, ndërsa në fushën politike ishte e mbarsur me mosmarrëveshje, luftë për pushtet, rreziqe e paralajmërime për shkarkimin e Presidentit Jelcin, shpërndarjen e parlamentit, të qeverisë etj. e ku secili përpiqej të përfitonte për vete, për më tepër që kishin filluar edhe përgatitjet për zgjedhje….
Nga qëndrimet e deklaratat e shumë politikanëve, ditët e para mbas fillimit të bombardimeve, krijohej përshtypja sikur Rusia po përgatitej për luftë. Politikanë në pushtet bënin deklarata nga më të çuditshmet si: “Dalja nga regjimi i embargos ndaj Jugosllavisë, rivendosja e raketave bërthamore në Bjellorusi” (Ministri i Jashtëm, Ivanonv), “Rusia do të dalë nga regjimi i sanksioneve të armëve ndaj Jugosllavisë” (Ministri i Mbrojtjes Sergejev), “Moska nuk e konsideron veten të lidhur me embargon e OKB-së për furnizimin me armë të Jugosllavisë” (Kryetari i Dumes Shtetërore, Seleznjov) etj. etj. “Të furnizojmë Jugosllavinë me raketa S-300” dhe armët moderne bërtisnin disa gjeneralë. Nga fjalët u kalua në vepra. Kështu, një pjesë të flotës ushtarako-detare të detit të Zi filloi përgatitjet për tu nisur drejt Adriatikut, filloi dislokimi në Bjellorusi i bombarduesve strategjikë rusë, të aftë të godasin me raketa me krahë njëlloj si bombarduesit amerikanë B-52 etj. Në fushën politike, Duma Shtetërore ndërmori nismën për krijimin e Aleancës Rusi-Bjellorusi-Jugosllavi, që ishte veprimi më i pa mend e më i rrezikshmi që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë etj.
Duma (Parlamenti i Rusisë), nga fjalët kaloi në vepra dhe me një shpejtësi të jashtëzakonshme (brenda dy-tre ditëve) aprovoi krijimin e Aleancës politiko-ekonomiko-ushtarake Rusi-Bjellorusi-Jugosllavi, që po të dekretohej nga Presidenti Jelcin, kushedi në ç’qorrsokak do të futej Rusia….. pse jo edhe më gjerë. Pikërisht ky veprim i Dumes, duket i zgjoi rusët, e në radhë të parë politikanët e rajoneve. Me tu marrë vesh ky vendim absurd i Dumes, u ngritën njëri pas tjetrit guvernatorët e Moskës, Shën Peterburgut, Novgorodit etj. Tërhoqi vëmendjen veçanërisht dalja hapur kundër këtij vendimi i presidentëve  të Ingushetisë,  Tatarstanit, Bashkirisë, Dagestanit, Osetisë etj. Me deklarata e thirrje kundër kësaj aleance e “vullnetarizmit” dolën edhe përfaqësuesit e fesë myslimane të Rusisë……
Regjistrimi i vullnetarëve për të shkuar në Kosovë,  gradualisht po merrte , ose më mirë të thuash po i jepnin ngjyrime fetare……çka u duke shumë qartë në qëndrimin që mbajtën përfaqësuesit e rreth 25 milionëve myslimanë që jetojnë në Federatën Ruse, të cilët, kundërshtuan njëzëri vendimin e Dumes Shtetërore. Disa prej tyre, jo vetëm dolën haptazi kundër regjistrimit të vullnetarëve rusë për të shkuar në Kosovë, por i benë thirrje “të vetëve” që të regjistroheshin vullnetarë për të shkuar atje, për të luftuar përkrah shqiptarëve.
Kundërshtimet ndikuan mbi Kremlinin, i cili u detyrua të merrte parasysh edhe opinionin e tyre dhe të shumë të tjerëve që u bashkuan me ta. Aq i ndjeshëm filloi të bëhej ky problem sa një gazetar shkruante në “Njezavisimaja Gazeta” se “Kur flasim për vëllazërinë sllave, nuk duhet harruar se në hapësirat e Rusisë jetojnë miliona banorë, për të cilët as bjellorusët, as serbët nuk janë vëllezër, as me gjak, as me fe”.
Mbas këtyre zhvillimeve, vrulli i regjistrimit të vullnetarëve ra, madje ra ndjeshëm. Edhe mediet e propaganda ruse e ulën dukshëm angazhimin dhe gjithnjë e me pak flitej për vullnetarët rusë që kishin shkuar apo që do të shkonin në Kosovë. Angazhimi në rritje i Moskës për të gjetur rrugë e mundësi për ndalimin e luftës, emërimi i ish kryeministrit Çernomërdin si përfaqësues i posaçëm i Presidentit Jelcin për zgjidhjen e problemit të Kosovës, shmangja e deklaratave inkurajuese për Millosheviçin etj. e ulën dukshëm propagandën, dëshirën e vullnetin e shumë rusëve për të shkuar në Kosovë si vullnetarë.
Duhet theksuar se, megjithëse sipas Kodit Penal të Federatës Ruse (Neni 359) pjesëmarrja e shtetasve rusë në konflikte ushtarake të vendeve të tjera (vullnetarë ose mercenarë ) dënohet, në ata kohë askush nuk u kujtua te merrej me këtë problem dhe pavarësisht nga emërtimi, vullnetarë apo mercenarë, qindra e qindra rusë u nisën për Kosovë, në ndihmë të ushtrisë e policisë serbe…..
Me të drejtë shtrohet pyetja se përse shkuan pak rusë në Kosovë, kundrejt atyre dhjetëra mijërave që u regjistruan e që mund të shtoheshin shumë më tepër. Këtu ka shumë faktorë, por ndër më kryesorët  është se edhe pa rusët, ushtria serbe ishte tepër e madhe dhe sipas llogarive te Beogradit ajo mund ti bënte ballë e vetme UÇK-së. Do të krijohej një situatë krejtësisht tjetër sikur NATO të ndërmerrte operacione tokësore. Po të ndodhte kjo, Beogradit do i duheshin forca të mëdha ushtarake, e në një rast të tillë, siç komentohej në atë kohë në Moskë, mund të vërshonin mijëra e mijëra rusë në ndihmë të Serbisë…..Siç thamë edhe më sipër, ushtarakët serbë ua kishin bërë të qartë rusëve se Beogradi kishte nevojë për specialistë ushtarakë, veçanërisht të fushave të radiolokacionit, aviacionit, raketave, zbulimit etj, e kryesorja  për armatime bashkëkohore që Millosheviçi vazhdonte ti kërkonte Moskës.
Dokumentet ruse tregojnë se edhe për dërgimin e tyre drejt Kosovës, u bë  një lloj seleksionimi, për çka flet edhe fakti se kush u angazhua me këtë punë. Pavarësisht se kush u mor me regjistrimin e tyre, përgatitja e stërvitjet u lanë në dorë të specialistëve ushtarakë, ndërsa nisja e tyre u organizua dhe u drejtua nga disa organizata e institucione. Siç dëshmojnë disa ish vullnetarë, me këtë problem u angazhua Bashkimi i Veteranëve të Luftës në Afganistan, Ambasada Jugosllave në Moskë, Patriarkana e Moskës etj.
Siç shkruan Aleksandër Borodej, një vullnetar rus pohonte se ai “kishte arritur të përfshihej në njësitë jugosllave me ndihmën e Patriarkanes së Moskës”. Ndërsa Gazeta “Duel” dt.3.09.2003,  botonte intervistën e një vullnetari rus, i cili pohonte se “Nga krahina e Donit, ishin regjistruar 12 mijë vullnetarë (kozakë) për të shkuar në ndihmë të serbëve, por në Ambasadën Jugosllave në Moskë, u kishin thënë se 12 mijë vetë jeni tepër shumë”. Vlen të përmendet se mbas Revolucionit Socialist të Tetorit, neper botë filloi shfaqet një forcë e re vullnetarësh ose më mirë të thuhet mercenarësh rusë, ajo e kozakëve (kështu quhet një grup sub-etnik i popullit rus, i cili që nga Mesjeta ka pasur një organizim te veçantë ushtarak me detyrime e privilegje të posaçme).
Per të arritur në Serbi janë përdorur rrugë e mënyra të ndryshme, por tërheqë vëmendjen fakti se pothuajse të gjithë ata që niseshin për Jugosllavi si vullnetarë, që në Moskë ishin të pajisur me viza të rregullta. Sipas disa ish vullnetarëve, oficerë serbë  ishin ngarkuar ti prisnin ata në kufirin jugosllav dhe ti drejtonin për në vendin e grumbullimit dhe të përgatitjes. Por, po sipas gazetës së sipërpërmendur “Duel”, oficerët serbë që merreshin me pritjen e tyre,  fillonin seleksionimin që aty dhe sipas deklaratës së një vullnetari rus, ata (oficerët serbë) që në kufi kthenin shumë nga vullnetarët e në këtë kuadër  “kishin kthyer mbrapa një grup vullnetarësh prej 300 vetash që vinin nga Lindja e Largët”.
Vullnetarët rusë që kanë shkuar në Kosovë ndahen në dy kategori. Në të parën bëjnë pjesë ata që kanë marrë pjesë më parë në luftërat e tjera në ish Jugosllavi  (Kroaci, Bosnjë – Hercegovinë) dhe që kanë pasur lidhje të hershme me ushtarakë serbë, ndërsa të tjerët përfshiheshin në grupin e dytë. Pavarësisht nga kjo, të gjithë kanë kaluar neper kampe, ku janë përgatitur për të vepruar në vendet më të vështira, si në zbulim, për kryerjen e akteve terroriste, për të çarë mbrojtjen e armikut etj. Përgatitja e organizimi i vullnetarëve është bërë ne afërsi të Beogradit, në Bubon Potok, ku fillimisht, me përgatitjen e tyre është marrë Arkani (një ndër kriminelët më të njohur serbë). Sipas dëshmisë së një vullnetari rus, aty janë përgatitur 1017 vullnetarë rusë. ( Gazeta “Duel” 3.09.2002).
Por krahas Bubon Potokut, për përgatitje më speciale, vullnetarët rusë janë dërguar edhe në kampe të tjera. Kështu siç shkruan një vullnetar me pseudonimin Sasha në “Rosijskaja Gazeta”, “disa prej tyre i kishin përgatitur për luftë anti partizane në një kamp afër Nishit”.
Prej këtyre kampeve përgatitore, vullnetarët rusë, në grupe 10-15 vetash niseshin  drejt Kosovës, ku përfshiheshin në njësitë serbe, ushtarake, policore apo speciale, në të katër anët e Kosovës (Vëmë ne dukje se në luftimet e zhvilluara në Kroaci apo Bosnjë Hercegovinë, vullnetarët rusë kanë luftuar në njësi luftarake të krijuara vetëm nga rusë si p.sh “Ujqit Caristë”, “Ujqit e Bardhë” etj).  Sipas deklaratave të këtyre vullnetarëve, shumica e atyre që kanë luftuar në Kosovë, janë dërguar në përbërje të njësive serbe të dislokuara në afërsi të kufijve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, në pikat “më të nxehta”, ku siç shkruan një ish vullnetar rus “serbët i kanë përdorur rusët si mish për top”.
Udhëheqja ushtarake serbe, nuk ka lejuar krijimin e njësive ushtarake të përbëra vetëm nga rusë (siç kishin vepruar në Kroaci apo në Bosnjë) sepse siç shkruan një ish vullnetar “serbët i frikësoheshin përqendrimit të grupimeve te mëdha ruse”. Ndërsa  Oleg Valecki ne librin “Veprimet luftarake në Kosmet”, duke folur për këtë problem shkruan se “një gjeneral serb kishte deklaruar se përvoja e Bosnjës na ka mësuar ne, se kur rusët janë bashkë, ata janë të papërmbajtshëm dhe fillojnë të vrasin popullsinë civile”. Siç shpjegon Valecki në librin e tij, vullnetarët rusë qendrorin shumë më lart se ushtarakët serbë, qoftë për nga zbatimi i rregullave dhe disiplinës, qoftë për nga përgatitja dhe  aftësitë luftarake.Ai shkruan se edhe marrëdhëniet midis ushtarakëve serbë dhe vullnetarëve rusë linin shumë për të dëshiruar.
Duke lexuar librat, kujtimet e intervistat e disa prej këtyre vullnetarëve, del qartë se ata kanë operuar  në zonat më “problematike e më të nxehta” për serbët, duke i vënë në shumë raste ballë për ballë me luftëtarët e UÇK-së, si në Drenicë, Deçan, Prizren, Rahovec, Koshare etj. por kryesisht në zonat kufitare me Shqipërinë. Oleg Valecki shkruan se “Në rajonin e Prizrenit kishte relativisht shumë rusë, dhe me ta mund të dislokohej një njësi vullnetarësh”. (Nga libri Veprimet luftarake në Kosmet). Një vullnetar tjetër rus shkruan: “Në një njësi kanë luftuar 12 rusë. Më shumë nuk na lejohej….Një herë njësia ruse u fut brenda territorit shqiptar, në një kamp ku përgatiteshin kosovarët. Tanët nuk pyesnin për kufi dhe i ndoqëm shqiptarët rreth 3 kilometra brenda kufirit të Shqipërisë….”.
Ndërsa një tjetër shkruan se “Në rajonin e Prizrenit ka marrë pjesë njësia  zbuluese-diversioniste e vullnetarëve rusë me rreth 20 vetë. Ajo komandohej nga një ish oficer i ushtrisë ruse, i ardhur nga Lindja e Largët. Ajo ka marrë pjesë në 15 operacione luftarake….Aq shumë kanë luftuar vullnetarët rusë në zonën e Rahovecit (aty ku e kishin qendrën) sa popullsia shqiptare, mbas lufte nuk lejoi paqeruajtësit rusë të futeshin në atë zonë”.
Një tjetër vullnetar shkruan në kujtimet e tij: “Në Kosovë kanë luftuar shumë vullnetarë rusë. Pothuajse në çdo njësi serbe ka pas vullnetarë tanë. Një grup vullnetarësh ka vepruar në vijën e kufirit. Ata hynin në Shqipëri dhe sulmonin kampet shqiptare. Përreth qytezës së Junikut, ku janë zhvilluar luftime të ashpra, ka vepruar një njësi e jona e përberë nga dhjetëra vetë….”.
Për këdo në atë kohë ishte e qartë se fati i luftës ishte i paracaktuar dhe sado e fortë që të ishte Ushtria Jugosllave ajo s’mund të përballej me NATO-n. Pjesëmarrja e disa qindra vullnetarëve rusë nuk do të zgjidhte fatet e luftës. Megjithatë, ardhja e tyre ishte mbështetje e frymëzim për serbët, që përdorej nga Beogradi si një armë e fuqishme psikologjike në mbështetje të serbëve dhe për të mbajtur me “gajret” të vetët…..Kjo edhe për faktin se disa javë mbas fillimit të bombardimeve edhe në ushtri e repartet policore jugosllave u krijuan probleme, nga ku filluan të dezertonin vullnetarë serbë, madje edhe ushtarakë e policë aktivë.
Tërheqë vëmendjen fakti se krahas propagandës që bëhej për pjesëmarrjen e vullnetarëve rusë në luftime, për të cilët thureshin himne si trima, specialistë, heronj etj.  propaganda serbe përpiqej ti paraqiste rusët para popullsisë shqiptare si njerëz të pashpirt, kriminelë e sadistë të padëgjuar. Siç shkruan një vullnetar rus “Ndodhte që, në se një shqiptar i kapur rob nuk pranonte të fliste para hetuesve serbë, thërrisnin një vullnetar rus, i cili që në fillim nxirrte thikën dhe fillonte të priste diçka me të, dhe robi shqiptar fillonte të fliste menjëherë pa pritur pyetjet…”.
Serbët i kanë përdorur vullnetarët rusë per të kryer krime si ndaj popullsisë civile shqiptare ashtu dhe ndaj robërve të luftës, aq sa për këtë është i detyruar të flasë edhe ndonjë prej tyre. Kështu, një ish oficer që shkruan me pseudonim, pohon se ka  komanduar një  njësi prej 21 vullnetarësh rusë, dhe se “njësia e tij ka derdhur shumë gjak në Kosovë”. Një vullnetar tjetër  nuk e thotë haptazi se ka marrë pjesë në masakrat kundër shqiptarëve, por pohon se “ai ka qenë dëshmitar në pushkatimin e 36 shqiptarëve të zënë robër”. Oleg Valecki në librin e sipërpërmendur duke dashur të tregojë nxitjen e serbëve për masakra kundër shqiptarëve shkruan “ka mundësi që komandanti i batalionit (serb) në thellësi të shpirtit shpresonte se “kriminelët rusë” do të vrasin ndonjë prej tyre, (shqiptarëve të zënë rob) por rusët nuk kishin asnjë dëshirë të ngacmonin shiptarët, për më tepër që këtu kishte “trima” sa të duash. ( Edhe Valecki i quan shqiptarët në mënyrë ofenduese “shiptarë”, njëlloj si nacionalistët serbë, ndoshta pa ditur kuptimin e vërtetë dhe qëllimin përse i kanë quajtur “shiptarë” ).
Gazeta amerikane “Newday” në një nga numrat e qershorit të v.1999, në një material të posaçëm kushtuar pjesëmarrjes së vullnetarëve rusë në luftimet n Kosovë, shkruante: “Duke u mbështetur në të dhënat e shërbimeve sekrete serbe, një njësi, ku bënin pjesë disa dhjetëra vullnetarë rusë, kishte vepruar në rrethinat e qytetit të Prizrenit dhe kishte marrë pjesë në vrasjen e dhjetëra  banorëve civilë shqiptarë, si dhe në grabitjen dhe shkatërrimin e disa vendbanimeve shqiptare…..Kjo njësi ka qenë në vartësi të Ministrisë Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe ka realizuar taktikën e “tokës së djegur” në fshatrat shqiptare”. Duke folur rreth këtij problemi, sekretari i shtypit i Pentagonit. Kenet Bejhou  ka deklaruar: “Ne e dimë saktësisht, se rusët kanë marrë pjesë. Vullnetarët rusë, mercenarë kanë vepruar bashkë me forcat serbe”.
Sipas të dhënave të po kësaj gazete, mbas hyrjes së forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, një grupim vullnetarësh rusë, i përberë nga rreth 60 vetë, është kapur nga paqeruajtësit gjermanë, të cilët, pa zhurme e bujë, mbasi i kanë çarmatosur i kanë dëbuar nga Kosova. Ky grupim komandohej nga një kolonel aktiv i Ushtrisë ruse.
Dua te vë në dukje një fakt interesant. Që me daljen në skenë të UÇK-së, propaganda zyrtare e mediet serbe, nuk kanë lenë epitet negativ pa përdorur kundër saj  (ashtu si edhe propaganda zyrtare ruse dhe fatkeqësisht edhe nga disa politikanë e “patriotë” në Tiranë). Por krahas kësaj, Beogradi, disa herë kishte deklaruar për asgjësimin e UÇK-së etj. Duke ndjekur me kujdes shumë deklarime, intervista, kujtime e libra të ish vullnetarëve rusë, tërheq vëmendjen fakti se disa prej tyre, në kundërshtim me vlerësimet e deklarimet zyrtare të Beogradit (shumë herë edhe të Moskës zyrtare e medieve ruse) japin mendime e vlerësime të tjera për shqiptarët e UÇK-në, madje në ndonjë rast edhe pozitive.
Mjafton të citoj disa pjesë të shkëputura nga libri i sipërpërmendur i Oleg Valeckit i cili ndërmjet tjerave shkruan:  “Shpartallimi i UÇK-së ishte bërë vetëm në letër. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Jugosllave, shpallte në fillim të prillit, se në Kosmet kanë mbetur   300-400 terroristë, por, në të vërtetë kaq luftëtarë mund të gjeje vetëm në Drenicë. ….Vetëm në rajonin e dislokimit të kompanisë tonë të zbulimit, ishin regjistruar dy grupime të UÇK-së. Njëri që numëronte rreth 20 luftëtarë të stërvitur mirë, ndërmerrte sulme të vazhdueshme dhe pavarësisht nga minat që kishim vënë ne dhe nga goditjet tona, ata nuk i lëshuan pozicionet, gjë qe tregon për disiplinë dhe komandë të aftë të UÇK-së. ……E gjitha kjo flet për organizim të kundërshtarit dhe për rritjen e përvojës luftarake ……Merita e shiptarëve qëndron në faktin se ata e përballuan Ushtrinë Jugosllave dhe e ruajtën UÇK-në. Sigurisht që taktika e tyre ishte “godit dhe tërhiqu”, gjë që është e kuptueshme. Por jo një herë ka ndodhur që ata kanë luftuar trimërisht dhe kjo tregon se midis tyre ka shumë luftëtarë të mirë”.
Aftësitë luftarake të luftëtarëve shqiptarë i pranojnë edhe ish vullnetarë të tjerë kur flasin e shkruajnë për vullnetarët rusë të vrarë, të plagosur, të humbur apo të kapur rob. Madje ndonjë prej tyre shkruan se shqiptarët silleshin me dinjitet ndaj robërve rusë apo të plagosurve. Nga materialet e botuara, pranohet zyrtarisht se në Kosovë janë vrarë tre vullnetarë rusë si dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë, disa prej të cilëve kanë mbetur të gjymtuar për gjithë jetën. Në to flitet edhe për të humbur, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë deri më sot.
Lidhur me këtë fakt, tërheqë vëmendjen qëndrimi zyrtar i Moskës. Siç thamë më sipër, gjatë kohës, kur regjistrimi për të shkuar vullnetarë ne Kosovë, kishte përfshirë gjithë Rusisë, Moska zyrtare nuk ndjehej. Haptazi as nxiste, as frenonte. Më vonë, me ashpërsimin e luftimeve në Kosovë, politikanë e mediet ruse i shmangeshin problemit të pjesëmarrës së vullnetarëve rusë në luftime në Kosovë. Por, papritmas, më 21 maj 1999, Ministria e Jashtme e Rusisë doli me një deklaratë zyrtare ku, me nervozizëm hidhte poshtë Deklaratën e zëdhënësit të UÇK-së, sipas së cilës, në luftime me luftëtarët e UÇK-së ishte vrarë një oficer i ushtrisë  ruse, me gradën kapiten. Me të njëjtën gjuhë, ajo hodhi poshtë dhe një deklaratë tjetër te një komandanti të UÇK-së, i cili kishte thënë se “ne kemi deklaruar para një viti se ushtarakë rusë luftojnë kundër UÇK-së dhe popullit shqiptar”. Tingëllonte pak e çuditshme, por pak ditë më vonë, MP Jashtme ruse pranoi zyrtarisht se “oficeri i vrarë në Kosovë, kishe qenë oficer i Ushtrisë ruse, por “në lirim”.
Në materiale të ndryshme ruse për luftën në Kosovë, thuhet se në mbështetje të serbëve kanë shkuar vullnetarë edhe nga vendet tjera, ku në radhë të parë përmenden vullnetarë nga Greqia, madje shumë. Por ajo që tërheqë vëmendjen e të bën përshtypje të veçantë është pjesëmarrja e vullnetarëve hebrenj, kryesisht nga hebrenjtë e Rusisë, shumica e të cilëve ish ushtarakë të Ushtrisë Sovjetike, që kishin marrë pjesë në luftën e Afganistanit, apo në Çeçeni, por tashmë shumë prej tyre ishin shtetas të Izraelit dhe që janë nisur nga Izraeli (siç shkruan Valecki ne librin e tij, apo siç shkruajnë në kujtime apo kanë folur disa prej këtyre vullnetarëve).
Kështu intervistën që i ka dhënë gazetës izraelite “Ediot Ahronat”, një vullnetar me emrin Valeri, shtetas izraelit, ndërmjet tjerave thotë: “Në Kosovë kemi shkuar me ndihmën e Bashkimit të Veteranëve të Luftës në Afganistan. Ne ishim një grup prej 40 hebrenjsh, një grup luftëtarësh me përvojë, ku shumica ishim artiljerë. Serbët kishin nevojë për artiljerë. Unë kam luftuar në Kosovë një muaj. Serbët na kanë pajisur me armatime, veshmbathje, na kanë dhënë para etj. Nganjëherë kemi luftuar si njësi e posaçme hebrenjsh, nganjëherë në përbërje të njësive serbe…”.
Mbas përfundimit të luftës, në Kosovë, u futen forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, ku bënin pjesë edhe paqeruajtës nga Rusia. Gjatë përgatitjeve për nisjen e tyre në Kosovë, kishte zëra, madje edhe në medien ruse, se në radhët e tyre janë përfshirë edhe disa nga vullnetarët rusë që kishin marrë pjesë në luftë, dhe kjo sepse ata njihnin karakterin e shqiptarëve, terrenin etj.
Pavarësisht se në numër shumë më të vogël, vullnetarë rusë kanë marrë pjesë në krah të maqedonasve edhe në luftimet e zhvilluara në Maqedoni, në  v. 2001.
Dua të vë në dukje edhe një fakt interesant. Në shkurt të v. 2003, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë me kërkesë zyrtare, për dorëzimin e disa prej këtyre vullnetarëve, të akuzuar për krime lufte.
Në përfundim dua të shtoj, se siç shkruan në kujtimet e tij Mihail Polikarpov që ka marrë pjesë në shumë luftëra në ish Jugosllavi, që nga Kroacia, shkruan në “Vullnetarët rusë në Jugosllavi”: “Shumica e ish vullnetarëve rusë, sot punojnë në Rusi, në strukturat e sigurisë private, ose në punë të pa kualifikuara. Disa të tjerë punojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme ose në Ushtrinë ruse…..Lufta në Kosovë dhe pjesëmarrja e vullnetarëve rusë tregoi se në Rusi ekzistojnë kushtet dhe baza sociale, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish janë gati të shkojnë në një vend tjetër për te luftuar. Në radhë të parë për arsye ideologjike, por në qoftë se ka financime dhe ka kush merret me organizimin e tyre, mund të gjendet një numër tepër i madh njerëzish, të gatshëm të shkojnë të rrezikojnë”.
Mjaft kuptimplote është deklarata e ditëve të fundit e kolonelit Voronin, i cili në emër të Këshillit të Atamanëve dhe luftëtarëve kozakë deklaroi se “Në rast se OKB-ja do të njohe Kosovën, ne do të mbledhim Këshillin e Atamanëve dhe luftëtarëve ku do të analizojmë situatën në krahinë  dhe do të marrim masa për të ndihmuar Serbinë dhe popullin vëlla serb…”. 

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...