2013-04-09

SHQIPËRIA PËRLA E BALLKANIT


Gentiana Zagoridha
SHQIPËRIA PËRLA E BALLKANIT
Shqipëria ndodhet në pjesën juglindore të Evropës,në gadishullin e Ballkanit. Fqinjë të saj janë: Greqia, Serbi-Mali i Zi, Kosova, Maqedonia. Në perëndim ka një bregdet 362 km të gjatë në detin Adriatik dhe në detin Jon.
Në lashtësi ajo banohej nga fiset ilire. U pushtua nga romakët dhe u bë pjesë e perandorisë së tyre nga viti 167 para erës sonë deri në vitin 395 të erës sonë. Më pas,për disa shekuj, ra nën sundimin e perandorisë bizantine. Pas vitit 1393 u pushtua nga perandoria osmane. Në vitet 1443-1468, nën udhëheqjen e Skënderbeut, kundërshtoi pushtimin e vendit nga perandoria osmane. Pas vdekjes së tij, nga viti 1468 dhe deri në vitin 1912, vendi ra sërish nën sundimin osman. Fitoi pavarësinë nga Turqia në 28 nëntor 1912. Gjatë Luftës së Dytë Botërore u pushtua nga Italia më 7 prill 1939. Më pas u pushtua nga Gjermania naziste. U çlirua më 29 nëntor 1944. Festë kombëtare ka Ditën e Pavarësisë, 28 nëntorin .
Klima është me verë të ngrohtë dhe dimër të butë e me reshje. Në zonat malore dimri është i ftohtë. Relievi i vendit është kryesisht malor, sidomos në pjesën veriore,lindore dhe jugore. Zonat fushore ndodhen në pjesën perëndimore të vendit,përgjatë detit Adriatik. Shqipëria ka shumë male ; si Korabi me lartësi 2753m që është dhe mali më i lartë, Jezerca,Tomorri, Dajti, Gramozi, Nemërçka, Dhëmbeli, Taraboshi dhe shumë të tjerë. Lumi më i gjatë i Shqipërisë është Drini me gjatësi 285 km. Lumenj të tjerë janë: Mati, Buna, Erzeni, Semani, Shkumbini, Vjosa, Osumi etj. Në territorin e Shqipërisë gjenden disa liqene natyralë. Më kryesorët janë liqeni i Shkodrës, i Ohrit, liqenet e Prespës, liqenet e Dumresë, liqenet e Lurës. Prodhimet bujqësore janë: gruri, misri, perimet,duhani, foragjeret,si dhe drurë frutorë si mollët, agrumet,ullinjtë rrushi etj. Blegtoria rrit gjedhë, dhen e dhi. Vendi ka rezerva mineralesh të ndryshme si naftë, gaz natyror, qymyr, bitum, hekur-nikel,bakër,krom,mermer etj. Por mbi të gjitha Shqipëria ka një vijë bregdetare që favorizon turizmin. Ja cilat janë disa nga plazhet më të bukura që ka vendi ynë duke u nisur nga Veriu në Jug.
Plazhi i Velipojës është plazhi më verilindor i Shqipërisë,i njohur për rërën e tij kurative. Sapo kalon Urën mbi lumin Drin në Shkodër,rruga të shpie drejt Velipojës, e cila nuk është më shumë se 35 km larg qytetit. Kjo është një qendër turistike mjaft e bukur, me peisazh të larmishëm ku ndërthuren: deti, plazhi, lumi, delta me ishuj, kodra, fusha,laguna, pylli. Ky fshat bregdetar, laget nga deti Adriatik dhe ndodhet shumë pranë kufirit me Malin e Zi, me të cilin e ndan lumi Buna me grykëderdhjet e tij. Velipoja ka klimë mjaft të mirë dhe dallohet për pastërtinë e ujit dhe të rërës. Plazhi ka një gjatësi prej 14 km dhe një gjerësi prej 200m, me rërë të imët, e cila quhet prej banorëve “rëra e dermanit”,për vetitë e saj kuruese. Plazhi rigjenerohet çdo vit nga baticat dhe zbaticat,duke bërë që rëra të ketë një përqindje të madhe të jodit. Një tjetër vend i mrekullueshëm në plazhin e Velipojës është dhe plazhi i Rrjollit,ende i panjohur dhe i pashfrytëzuar plotësisht,pasi rruga për atje kalon nëpër një urë vetëm për këmbësorë. Ai ka një vijë bregdetare rreth 4 km, me gjerësi rëre 200 m dhe shtrihet në një zonë me pyll shkurresh, duna të vogla rëre dhe pranë ka malin që bie thikë në det.
Ishulli i Shëngjinit rrethohet nga Veriu me lumin Drin, nga juglindja me luginën e Vainit, nga perëndimi me plazhin e Vainit ndërsa në lindje rrethohet nga qyteti i Lezhës. Turizmi në këtë zonë është shfaqur që herët me pushtimin turk, por që kulminacionin e arriti në shekullin XX me ndërtimin e Hotelit të Gjuetisë gjatë luftës së dytë botërore, i cili ishte shumë i frekuentuar. Gjatë periudhës së komunizmit për çudi, frekuentohej më shumë. Në vitet 1990-1992rrënohet për t`iu kthyer turistëve në vitet 2000. Është akoma shumë i frekuentuar nga shqiptarët e të huajt. Karakterizohet nga pastërtia e detit, ajri i pastër, si dhe qetësia që ofron. Për këto arsye si dhe për pejsazhin e mrekullueshëm ku kombinohen natyrshëm pylli me pisha dhe bregdeti me rërë të imët , ai është një nga plazhet më të frekuentuara në Shqipëri. Gjithashtu edhe plazhi i Tales fqinj me të i cili i përket komunës së Shënkollit deri dje “ i virgjër”, pas përfundimit të rrugës lidhëse me autostradën Lezhë-Tiranë po popullohet çdo ditë dhe më tepër për të njëjtat arsye: ujë i pastër, rërë e imët e kurative, ajër i pastër, qetësi, komoditet.
Gjiri i Lalëzit shtrihet rreth 30 km në veri të qytetit të Durrësit,midis Bishtit të Pallës dhe kepit të Rodonit.Kjo është një qendër e re turistike tepër interesante,ku harmonizohet bukuria e ujërave të kaltra të gjirit,plazhet me rërë të imët dhe të pastër, shkëlqimi i diellit, gjelbërimi i pamasë i pyllit të pishave. Këtij mozaiku natyror i shtohet bukuria e ndërtimeve karakteristike turistike, të zhytura në bimësinë pyjore dhe kaltërsinë e ujit të Adriatikut,bukuria e fshatrave të vendosura në kreshtat më të larta të kodrave të Rodonit për të kursyer tokën dhe për të vrojtuar detin dhe rrugën.
Plazhi i Durrësit i cili përshkohet nga një vijë bregdetare rreth 60 km, por i shfrytëzueshëm deri tani janë afro 33 km. Kjo vijë bregdetare kalon nga plazhi i këtij qyteti, për të vazhduar siç e quajnë vetë durrsakët te plazhi i Shkëmbit të Kavajës, ai i Golemit, Malit të Robit e deri në Qerret të Kavajës. Vija bregdetare e Kavajës,e cila fillon tek përroi i Agait (kufiri me Durrësin) e deri tek grykëderdhja e lumit Shkumbin, ka një gjatësi prej afro 35 km. Relievi tepër i larmishëm i kësaj gjatësie bregdeti, me brezin e rërës që shkon rrëzë kodrave, e bëjnë bregdetin e Kavajës një ndër pikat turistike bregdetare më të bukura në Shqipëri. Përgjatë gjithëbregdetit shtrihen fshatra të shumtë,emrat e të cilëve i kanë dhënë dhe emrat plazheve të zonës: Karpeni, Bagosë, Spille dhe Grethi.
Plazhi i Divjakës. Rruga për në bregdetin e Divjakës kalon përmes një pylli të dendur. Plazhi i Divjakës shtrihet në një vijë bregdetare prej 23 km dhe një gjatësi që shkon deri edhe 100 metra dhe përbëhet nga një lloj rëre që banorët vendas e quajnë “kum”. Rëra e bregdetit të Divjakës është shumë e pasur me jod dhe është tepër kurative, sidomos për të sëmurët me reumatizëm. Pranë Divjakës ndodhet Laguna e Karavastasë, një nga më të bukurat në gadishullin e Ballkanit. Flora dhe fauna e kësaj lagune, është ndër më të rrallat. Këtu mund të gjesh edhe pelikan dalmat, një shpend me bukuri të rrallë.
Plazhet e Vlorës. Sapo kalon Qafën e Llogarasë , vështrimi të mrekullohet me një pamje fantastike. Majat e maleve të thepisura zbuten në një det pafund, kaltërsia e kthjelltësia e të cilit joshin e mrekullojnë këdo. Bukurisë panoramike i shtohet dhe bukuria e rrugëve tashmë të asfaltuara të cilat gjarpërojnë faqeve të maleve duke e kthyer udhëtimin në një shfaqe të vërtetë argëtuese. Bregu i detit, i thyer e shkëmbor, me plazhe e gjire të shumta,laget nga uji i kripur e i kristaltë që i jep ngjyrime të çuditshme nga rrezatimi i Diellit.
Plazhi i Dhërmiut është ndër më të bukurit në vendin tonë. Fshati ndodhet në shpat të malit, në terren të thyer dhe duke qenë ndër fshatrat më të vjetër të zonës ka ndërtime karakteristike, ku dallohet dhe ai i stilit kullë. Interes për vizitorët qëpëlqejnë ndërtimet e vjetra është kisha e Shën Stefanit, në të cilën gjenden gjurmë të periudhës bizantine. Mbi fshat gjendet manastiri dhe kisha e Shën Mërisë, te cilat kanë një pamje të veçantë. Përgjatë përroit të fshatit janë edhe disa shpella karstike me interes për tu vizituar. Shkëmbinjtë që mbyllin plazhin janë labirinte të vërteta natyrore. Vijimi i shëtitjes përgjatë bregdetit shkëmbor, masive që bien thikë mbi det fshehin edhe shpella mjaft interesante për tu vizituar. E tillë është shpella e Pirateve, e cila gjendet në kodrën e Shën Todrit.Emri i saj rrjedh nga piratët që strehoheshin me anijet e tyre në vendin e fshehtë. Plazhi karakterizohet nga një sipërfaqe e madhe me gurë dhe zhavorr të imët rrethuar nga gjelbërimi,e natyrisht me ujin kristal të detit Jon. Një plazh gati-gati ekzotik,ku gurët e brezit të dytë zëvendësohen më pas me zhavorrin e imët. Plazhi i copëtuar në gjatësinë e tij rezervon gjire të pafund e zona të “harruara” ku mund të sigurosh qetësi dhe intimitet. Eksploratorët e botës nënujore mund të shijojnë këtu dhe zhytjet në ujin e pastër. Ujërat rezultojnë të pasura në faunë. Ato konservojnë në thellësitë e tyre dhjetëra specie,ambiente koralore dhe forma të gjalla jete, peshq të të gjitha llojeve e me ngjyra të çuditshme.
Plazhi i Palasës dhe ky plazh është mjaft i frekuentuar vitet e fundit. Fshati Palasë është i vendosur në faqen e malit të Çikës dhe është fshati i parë i bregut ,pasi kalon Qafën e Llogarasë. Plazhi i Palasës ka një shtrirje mjaft të gjatë prej më tepër se 1,5 km.Ai shërben si vend pritjeje për të apasionuarit pas sporteve të ajrit,të cilët hidhen me parashutë që nga Qafa e Llogarasë dhe bien mbi plazhin e Palasës. Karakteristikë e këtij plazhi është se atje nuk ka asnjë investim,gjithçka është e virgjër dorë e natyrës. Ky plazh emërtohet ndryshe si plazhi i rrugëve të bardha për shkak të bardhësisë së gurëve,por dhe rërës së këtij plazhi. Rrugët që të çojnë drejt tij janë krijuar nga përrenjtë që gjatë dimrit vërshojnë nga mali i Llogarasë.
Plazhi i Qeparoit veçohet për bukurinë e natyrës,rërën e hollë dhe detin e cekët. Karakteristikë tjetër e këtij plazhi është se mbrëmjeve ndihet dukshëm era e jodit që vjen nga ofshama e dallgëve të detit. Në gjirin e vogël ndodhet moli i lashtë,një bankinë prej blloqesh guri,shpella e Frëngut dhe Hunda e Madhe. Rruga nacionale përmes ullishtave të çon në qendër të fshatit,përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Dhimitrit,i ndërtuar në vitin 1881.
Borshi është një tjetër plazh mjaft i frekuentuar. Ai ndodhet rreth 2 km larg fshatit Qeparo. Në lashtësi ky fshat quhej Meandria. Ky është plazhi më i gjatë i zonës. Këtu syri të rrok plazh,det pafund dhe qiell të kaltër. Ka të njëjtat karakteristika gjeologjike si plazhet e tjera të detit Jon.E veçantë është lagja në shkallën e Stenoit me shtëpi të shpërndara midis gjelbërimit të portokajve dhe limonëve. Kështjella e Sopotit është një nga objektet kulturore të Borshit që gjendet në majën e kodrës të quajtur Kala. Në pjesën perëndimore të kodrës së kalasë,në pjesën e brendshme që konsiderohet si vendndodhja e një qyteti antik,ruhen pjesë të një muri rrethues prehistorik. Një vendbanim i lashtë është gjetur gjithashtu në vendin e quajtur Musgo. Pra Borshi të ofron përveç natyrë e vetmi dhe legjendë e histori.
Himara shquhet për plazhet e saj shumë të bukur,shumica me zalle por edhe me rërë të bardhë e të imët. Këtu ndodhet plazhi i Maraçit me rërë e ujë të pastër,ndërkohë që plazhet e qendrës Spilea dhe ai i Potamit,janë vetëm dy hapa larg nga Vila Blu. Në shumë vende në brigjet e Himarës, uji është shumë i ftohtë,për shkak të ujerave nëntokësorë. Po të largohesh disa dhjetëra metra nga këto pika temperatura e detit merr vlerat fiziologjike. Në muajt e verës,afrohen barkat e shpejta për të bërë shëtitje në brigjet që ndodhen afër me Spilenë.
Rruga e bregdetit,që përshkon të gjitha fshatrat e bregdetit nga Vlora për në Sarandë është vërtetë mahnitëse. Qyteti i Sarandës ka një pamje fantastike ku shëtitorja e qytetit shtrihet përgjatë bregut të detit. Saranda është vendosur në shpat të një mali. Emri Saranda vjen nga një manastir i hershëm historian që i kushtohet Dyzet Shenjtorëve.
Ishujt e Ksamilit ndodhen rreth 7.5m deri në 15m mbi nivelin e detit dhe atje mund të shkosh me varka. Këta ishuj të vegjël shkëmborë të vendosur pranë njëri-tjetrit të mbuluar me një bimësi të shumëllojshme. E gjithë vija bregdetare e Ksamilit është e përthyer dhe e ndërprerë nga “xhepa”plazhesh. Deti është mjaft i pastër, dukshëm prej një të kaltër të thellë që përzihet nga një e jeshilët ngacmuese,e që të dyja përçojnë një përmasë kristalore të lëbyrtë. Përballë janë ishujt e Ksamilit të vegjël e të brishtë. Pjesë e kësaj panorame që nuk e has në asnjë plazh tjetër të Shqipërisë, është dhe ishulli i Korfuzit përballë.
Burimi i Syrit të Kaltër është një burim karstik,18 km nga Saranda dhe përbën një nga bukuritë natyrore më tërheqëse të zonës për ujin e kristaltë,ngjyrën e veçantë që ia japin gurët nga thellësia e tij dhe freskinë e pyllit të lartë që e rrethon. Burimi del në rrëzë të kodrave që ngjisin në Qafën e Muzinës. Është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të gjerë. Është shpallur monument natyre. Forma e tij është ovale e ngjashme me formën e syrit. Shpërthen nga toka,është i errët në mes dhe i kaltër anash. Thellësia e tij arrin deri në 45 m. Është burim me ujera të freskëta dhe të ëmbla, i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm. 

No comments:

Post a Comment

Enver Hoxha nga vrasjet e kryeministrave te arrestimi i 1400 studenteve ne 1 vit

Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22­të. Ai e mbajti këtë dety...