Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj, për rreth dy orë ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e kësaj agjencie, për punën e agjencisë në fjalë, si dhe për zhvillimet e fundit në këtë agjenci, me rastin e dorëheqjes së Latif Merovcit nga posti i së zëvendësdrejtorit të AKI-së. Madje kryetari i këtij komisioni Florin Krasniqi e ka quajtur Merovcin një humbës të keq.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Florin Krasniqi, tha se për këtë komision është i rëndësishëm funksionaliteti, stabiliteti dhe kredibiliteti i kësaj agjencie. Sipas tij largimi apo dorëheqja, e një zëvendësdrejtori dhe emërimi i një zëvendësdrejtori të ri, nuk e ka dëmtuar kredibilitetin, stabilitetin dhe as funksionalitetin e kësaj agjencie.
Ai tha se Smakaji ka dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme rreth largimit të zëvendësdrejtorit, i cili në mënyrë vullnetare ka dhënë dorëheqje. Ai madje thotë se shqetësimet e Merovcit , të cilat ai i ka paraqitur pas largimit nga pozita që ai mbante, janë shqetësime të një qytetari të këtij vendi dhe se kanë qenë të pa argumentuara. Ai madje e quan Merovcin një humbës të keq.
“Kësaj i thonë një humbës i keq. Në qoftë se ai pasi ka dhënë dorëheqje, ka shkruar një letër me një tufë ankesash, është një humbës i keq. Nuk mundemi ne me u marr me një humbës të keq. Nëse ai ka pasur shqetësime, gjatë punës së tij si zëvendësdrejtor, ka mundur në çdo kohë me ardh dhe me i shpreh shqetësimet e tij”, pohoi Krasniqi.
Për Krasniqin, lajm i mirë për AKI-në dhe Kosovën është emërimi në pozitën e zëvendësdrejtorit të kësaj agjencie të Muharrem Ajetit, nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi. Sipas tij emërimi në këtë pozitë nga një person brenda kësaj agjencie, tregon se në këtë rast nuk ka ndikime politike. Krasniqi nuk ka aspak dyshime për ndikime politike në emërimin e këtij posti, duke pohuar se edhe pse në Kosovë është e politizuar gjithçka, qëllim primar i komisionit që ai udhëheq, është që AKI, të depolitizohet dhe nga aty ti largoj duart politika.
Edhe Burim Ramadani, anëtar i këtij komisioni nga AAK, tha se mbështesin fuqishëm AKI-në, duke pohuar që është tejet e rëndësishme që të largohet çfarëdo tendence, për ndërhyrje politike në këtë institucion.
“Besoj se jashtëzakonisht e rëndësishme është se gjatë tërë kohës, t’i largohet çfarëdo tendence për ndërhyrje qoftë politike apo formave të tjera. Besojmë që institucioni po punon mirë, dhe besojmë që fuqizimi i këtij institucionit është forma më e mirë për fuqizimin e sektorit të sigurisë në Kosovë”, tha ai.
Ndërsa Fadil Demaku, anëtar i këtij komisioni nga radhët e PDK-së tha se çështjet e ndryshme që janë aktualizuar në opinion së fundi, japin me mëndu se duhet një mbikëqyrje dhe një punë shumë më e madhe në këtë agjencion. Sipas tij Merovci i cili është larguar nga pozita e zëvendësdrejtorit të AKI-së, ka zgjedhur rrugën më të keqe për t’i prezantuar parregullsitë, për të cilat ai pretendon.
“ Mënyrën se si e ka zgjedhur zoti Merovci të prezantohet tek komisioni përmes një letre, mbasi ka dhënë dorëheqje, mendoj se ka zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme”, tha ai.
Për Demakun, nuk do të thotë asgjë, se i emëruari në këtë pozitë është përzgjedhur brenda strukturave apo jashtë strukturave të këtij institucioni.
“Për mua nuk do të kishte prish punë fare dhe të ishte jashtë. Bile bile unë mendoj që forma që thuhet të vijnë nga brenda, atëherë çdo qytetar mund të mendoj se mos është ndonjë mik i drejtorit”, tha ai .
Ndryshe, dorëheqja e zv/drejtorit Latif Merovci, ka shkaktuar polemika të mëdha rreth besueshmërisë së AKI-së. Merovci kohë më parë kishte dërguar një letër presidentes dhe kryeministrit, duke i informuar mbi arsyet e dorëheqjes, ku ai ka folur për parregullsitë brenda AKI-së.