2013-04-12

MITINGU I POEZISË NË GJAKOVË I KUSHTOHET DOAJENIT TË POEZISË SHQIPE ALI PODRIMËS


Manifestimi më i madh dhe më i rëndësishëm poetik në trojet shqiptare, Mitingu i Poezisë në Gjakovë, sivjet do të shënon edicionin e tij të 49-të. Nami i arritur deri më tash, por edhe tradita e gjatë gati një gjysmë shekulli, i ka obliguar organizatorët e këtij manifestimi që t'i rreken shumë seriozisht përgatitjeve për këtë festë të fjalës së bukur poetike. E, organizator i këtij manifestimi tash e disa vjet është klubi letrar "Gjon Nikollë Kazazi" i Gjakovës, i cili e ka mbështetje n e Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe Drejtorisë komunale të kulturës në Gjakovë.
Është hapur konkursi për veprën më të mirë
"Ka kohë që i kemi filluar përgatitjet për edicionin e sivjetshëm të mitingut dhe mund të them se këto përgatitje janë duke shkuar mjaft mirë. Meqenëse koha e mbajtjes së mitingut të 49-të po afrohet gjithnjë e më shumë, angazhimet tona vetëm sa janë intensifikuar me të vetmin qëllim që çdo gjë që ka të bëjë me këtë eveniment të jetë me kohë e gatshme", ka thënë për "Kosova Sot" Muharrem Kurti, kryetar i klubit letrar "Gjon Nikollë Kazazi". Siç bën të ditur Kurti, tashmë është caktuar edhe data kur do të jetë dita qendrore e mitingut dhe kjo do të jetë 11 maji, ndërsa një javë më parë fillojnë veprimtaritë që do të organizohen në kuadër të "Javës së Mitingut", e ku janë të përfshira një sërë orësh letrare, promovime veprash dhe tribuna letrare. "Më 1 të këtij muaji është hapur edhe konkursi për veprën më të mirë të poezive të botuara në periudhën ndërmjet dy mitingjeve dhe ai do të jetë i hapur deri në fund të këtij muaji, më 30 prill. Të interesuarit për të konkurruar për këtë çmim, në adresë të organizatorit (në bibliotekën rajonale "Ibrahim Rugova në Gjakovë) duhet të dërgoi tre ekzemplarë të veprës me poezi të botuar në këtë periudhë, kështu që juria speciale e ngritur për këtë qëllim do të ketë kohë që të vlerësojë të gjitha veprat që konkurrojnë për këtë çmim", ka shpjeguar Kurti.

Miqtë nga bota nderojnë Podrimjen
Siç pohojnë zyrtarët e organizatorëve të mitingut të sivjetshëm, ai do të kalojë i tëri në shenjë të nderimit për poetin tonë të madh, Ali Podrimja, që kohë më parë ka ndërruar jetë. Kështu tashmë dihet se në tryezën tradicionale të mitingut do të debatohet në temën "Vepra e Ali Podrimjes", ku, siç është paralajmëruar, do të referojnë shumë njohës të mirë të veprimtarisë së Podrimjes jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe nga vendet të ndryshme të botës. "Jo vetëm kaq, por edhe çmimin për poezinë më të mirë të mitingut e kemi pagëzuar me emrin e të madhit Ali Podrimja. Nga ana tjetër, tashmë, pjesëmarrjen e tyre në këtë manifestim e kanë konfirmuar shumë miq të poetit të ndjerë që vijnë nga trojet shqiptare, por edhe nga Greqia, Franca e SHBA-ja. Të gjitha këto dëshmojnë se ky miting do të kalojë në shenjë të Ali Podrimjes", ka thënë Muharrem Kurti, duke shprehur optimizmin e tij se edhe interesimi i gjakovarëve për këtë eveniment, sikurse edhe deri më tash, edhe kësaj here, nuk do të mungojë.


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...