2013-04-12

Shuflaj i shkruan Lumo Skendos: Shqipëria në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Venedikut...



Tiranë

Fort i nderuar mik

Më gëzoi shumë letra juaj e datës 18 qershor, me anë të së cilës më lajmëroni se Qeveria Shqiptare vendosi të vazhdoi botimin Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia duke siguruar mjete financiare për një projekt të tillë në shumën prej 75.000 frangash ari dhe që kjo punë shkencore m’u besua mua. Mirënjohjen time do t’ia shpreh me shkrim zotit Ministër të arsimit shqiptar, në një letër tjetër.
Në vazhdim po i përgjigjem pyetjes suaj: se si janë planifikuar punët për vazhdimin e hulumtimeve për përgatitjen e veprës “AA” [Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, m.a.], përgjigje të cilën nëse dëshironi mund ta botoni ne gazetën tuaj Diturija (sic!)
1. Nga viti 1918 e deri më sot unë nuk kam punuar asgjë rreth vazhdimit të botimit të veprës Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia [vëllimit të III-të, m.a.] për shkak të vdekjes së dy miqve të mi, dijetarëve Thallóczy-it dhe Jireèek-ut, por edhe për shkak të situatës së përgjithëshme të luftës dhe zhvillimeve të njohura pas saj, pra unë nuk kam asgjë të përgatitur. Megjithatë, unë mund të llogaris si një punë pjesërisht të bërë kopjimin e dokumenteve përmes kopjuesve [scribes, m.a.] në arkivat e: Barcelonës, Milanos e Palermos, për gjysmën e dytë të shekullit të XV. Meqenëse në vitin 1926, i kam huazuar profesorit nga Beogradi, Radoniæ, rreth 200 dokumenta, tërësia e këtij materiali u vu në dyshim, dhe unë duhet ta e bëj atë pjesërisht nga fillimi (për më shumë shih: revista Diturija, 3, 373).
2. Hulumtime dhe kërkime shkencore duhet të bëhen në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Venedikut. Në Dubrovnik dhe Venedik për periudhën kohore 1344-1571. Në vëllimin e dytë të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia nuk është botuar asgjë nga arkivi i Vatikanit. Në shtojcën e vëllimit të dytë, /f. 253-260/, janë botuar të përmbledhura vetëm regestat e dokumenteve nga ky arkiv, për vitet 1344-1406, të cilat tani duhet të kopjohen në tërësi dhe të botohen të plota, si shtojcë e vëllimit të tretë. Meqenëse ne kemi vendndodhjen e këtyre dokumenteve ato mund t’i gjejë lehtë secili arkivist i Arkivit të Vatikanit. Unë shpresoj se ju mund të siguroni kopjimin e këtyre dokumenteve.
3. Për hulumtime e kërkime shkencore dhe për vjeljen e materialit arkivor në arkivat e Dubrovnikut, Vatikanit dhe Venedikut për katër vëllimet e tjera që duhet të botohen të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia nevojitet e pakta 6 muaj për secilin arkiv. Kërkimet dhe hulumtimet në arkivat e Dubrovnikut dhe të Venedikut to t’i bëj unë vetë, ndërsa në arkivin e Vatikanit mund të punojnë kopjues sipas udhëzimeve të bëra nga unë. Në Venedik duhen kopjuar “in extenso” (të plota) më shumë se 100 dokumente dhe ato nga fondet: Senato Misti, Misti Mar, Misti Terra, Secreta Consilii, Libri Domm., Consiglio de X), etj, ndërsa në Vatikan duhen kopjuar rreth 400 dokumente, ndërsa numri më i madh dokumenteve që duhen kopjuar janë nga arkivi i Dubrovnikut më shumë se 700, një pjesë: “in extenso” ndërsa pjesa tjetër “in extracto” (në formë të shkurtuar). Në Venedik mendoj se duhet të paguhet një scribes [kopjues, m.a.] për 6 muaj, sepse qëndrimi im për 6 muaj është i pamjaftueshëm. /Unë mendoj se kërkimet në Venedik duhet të vazhdohen për disa vite nga 6 muaj/. Duke pasur parasysh vëllimin e madh të materialit të arkivit Raguzan, do ishte më mirë, që punën atje ta bënte vetë redaktori [editori, që në këtë rast është Milan Sufflay, m.a.], që të mos kopjohet material i panevojshëm dhe i tepërt arkivor.
4. Sipas llogaritjeve që kam bërë unë, sigurimi i tërë dokumenteve të nevojshme do të kushtonte rreth 30.000 franga ari. Pjesa tjetër prej 35.000 franga ari do të përdorej për përgatitjen dhe shtypjen e katër vëllimeve në vazhdim. Këto katër vëllime mund të arrijnë në rreth 160 tabakë shtypi. Tirazhi i dy vëllimeve të botuara nga Holzhausen-i ishte nga 400 kopje për secilin. Sipas përvojës sime, ky tirazh është shumë i vogël, prandaj mendoj se duhet rritur në 600 kopje secilin nga katër vëllimet e ardhshme. Nëse llogarisim se një kopje nga këto vëllime do të kushtonte 35 franga ari, atëherë shuma e përgjithshme nga të katër vëllimet do të ishte 84.000 franga ari.
5. Burimet arkivore do të përgatiten në atë mënyrë që nuk do të jetë patjetër i domosdoshëm i tërë materiali dokumentar të disponohet nga unë për të filluar punën me botimin e vëllimit të tretë. Vëllimet do të punohet një nga një. Unë mendoj se vëllimin e tretë duhet ta filloj me vitin 1407 (me pushtimin aragonaso-napolitan të Krujës) dhe eventualisht ta përfundoj në vitin 1457 (konfirmimi i privilegjeve të Krujës nga Alfonsi i V-të). Vëllimi i katërt do të përfshijë periudhën kohore deri në vitin 1479, ndërsa në dy vëllimet e tjera do të botohen të gjitha dokumentet nga shekulli XVI, sepse mendoj se nuk ka shumë dokumente për këtë kohë. Megjithatë, ndoshta për vëllim e tretë si vit më i sigurt përfundimi do ishte viti 1451, sepse në këtë vëllim planifikoj të botoj në tërësi Kadastrin e njohur të Shkodrës nga viti 1416, i cili është mjaft i vëllimshëm. (Dorëshkrimin e Kadastrit të Shkodrës, deri tani e ka botuar pjesërisht Ljubiæ, Starine, vëll. XIV; shih edhe Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia, vëll. 2, f. 222, nr. 730. Siç e cek Jireçeku në: Das christliche Element, në: “Sitzungsberichte der Kaiserliche Akademie der Ëisenschaften.” Ëien, 1897, vëll. 139, f. 20, ref. 2; shih edhe Sufflay, Glasnik srpskog geografskog drustva, 1927, Mikloshiqi kishte arritur të shtinte në dorë një kopje të plotë të këtij kadastri dhe e kishte bërë gati për shtyp, mirëpo kjo kopje është zhdukur pa gjurmë (ngjashëm është zhdukur edhe kopja e bërë nga Makushevi), dhe ne duhet ta kopjojmë përsëri dorëshkrimin që ruhet në Venedik.
6. Siç e ceka më lart, unë mendoj se ne mund të llogarisim si vit përfundimtar të këtij vëllimi, vitin 1457; përkohësisht, derisa të kemi në dorë tërë materialin e duhur për këtë vëllim. Puna e parë që duhet bërë është përgatitja e të gjitha regestave të dokumenteve shqiptare të botuara ose cituara për vitet 1407-1457, duke shënuar me saktësi origjinën arkivore të origjinalit të këtyre dokumenteve për të katër vëllimet. Këto regesta na ndihmojnë shumë sepse ne nuk do të rikopjonim këto dokumente edhe njëherë nëpër arkiva të ndryshme. Për arkivin e Venedikut, ne na hyjnë në punë në radhë të parë botimet e N. Jorgës, Ljubiqit dhe Makushevit, ndërsa për arkivin e Vatikanit botimet e Farlatit, Eubelit, Theinerit, Pastorit dhe për Dubrovnikun: Gelçiqi, Jorga etj. Disponoj informacione të sakta se Ljubiqi, Jorga dhe Makushevi, nuk kanë arritur të vjelin të gjithë lëndën arkivore nga Venediku për shqiptarët për vitet 1407-1457. Për Vatikanin janë të mjaftueshme të dhënat nga: Farlati, Theineri, Pastori dhe sidomos nga Eubeli. Ndërsa për Dubrovnikun, më të sigurtat janë të dhënat e Jireçekut, të cilat tani ndodhen në Sofje të Bullgarisë dhe të cilat duhet t’i shikoj personalisht dhe të porosis edhe njëherë kopjimin e tyre në Dubrovnik.
7. Për të përfunduar një punë të tillë, ku entuziazmi im nuk mungon, do të ishte mjaft i rëndësishëm momenti që unë të lëviz lirisht dhe të bëj kërkime dhe hulumtime shkencore në arkivat e përmendura, duke përtëritur lidhjet e mia të mëhershme me miq e kolegë të shumtë. Unë kam kërkuar pasaportë në muajin qershor të 1928, kur u emërova profesor për lëndën e “Historisë së Europës Juglindore” në Universitetin e Budapestit, por qeveria e Beogradit nuk më dha pasaportë as për Hungari e as për ndonjë vend tjetër. Ky sanksion nuk është hequr ende, as sot e kësaj dite. Në mbështetje të nderimit që më bëni dhe të punës që më besoni, në radhë të parë Qeveria Shqiptare dhe ju, kam ndërmend që sapo të marr aktin zyrtar nga Shteti Shqiptar, të bëj një kërkesë të re për pasaportë për të pasur mundësi të lëviz lirisht. Derisa të mos rregullohet çështja e pasaportës, jam i detyruar të mos them asgjë konkrete për vazhdimin e botimit të katër vëllimeve të Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Mirëpo, deri sa të siguroj pasaportën, unë do të përgatis kryesisht material nga arkivi i Venedikut, të cilin mund ta siguroj përmes kopjuesve. Nga ana tjetër, unë mund të filloj kërkimet edhe në arkivin e Dubrovnikut, por, për momentin kjo gjë është e pamundur. Pro domo: për të shkuar në Dubrovnik, fillimisht duhet të vë kontakt me Sofjen, (shih pikën 6 më lartë), gjë që momentalisht nuk është shumë e rekomanduar. Përveç kësaj, me rastin e një udhëtimi të tillë do të zgjoja dyshimin e policisë se mos po tentoj të largohem nga shteti i SKS pa pasaportë, dhe e fundit, nuk kam mjete financiare të mjaftueshme, dhe për këtë me nevojitet një paradhënie.
Unë kam bërë një parallogaritje e cilat duket kështu: për kërkime arkivore kam menduar shumën prej 50 franga ari, pa shpenzimet e udhëtimit. Këtë shumë të vogël për vete e kam llogaritur duke ditur se duhen paguar edhe kopjuesit, pastaj duhen hequr shpenzimet për përgatitjen e regestave të dokumenteve të botuara si dhe për treguesit lëndor, indeksat, etj, të cilat duhet të vihen në fund të çdo vëllimi, pra, e tërë shuma do të jetë 2.000 franga ari, për vëllim. Të paktën gjysmën e kësaj shume të çdo vëllimi duhet ta marr si paradhënie, kurse pjesën tjetër pas botimit të vëllimit përkatës. Për saktësinë dhe korrektësinë e këtyre përllogaritjeve të mia, kjo gjë do të shihet hapur pasi të botohet vëllimi i tretë i Acta et diplomata res Albaniae Mediae Aetatis Illustrantia. Nëse më vonë do të fillojë rrugë të re e hulumtimeve dhe kërkimeve shkencore, atëherë kërkesa do të jetë tjetër, sipas çelësit: numri i ditëve të qëndrimit për kërkime shkencore, shumëzuar me 50 franga ari ditën, duke shtuar edhe shpenzimet e udhëtimit të klasit të parë.

Zagreb, Gunduliqeva 25,
Përshëndetje të sinqerta,
I juaji besnik,
Milan von Sufflay

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...