Komisioni qeveritar për persona të zhdukur sot ka diskutuar për ngjarjet e fundit në procesin e gërmimeve vlerësuese që EULEX-i ka filluar në veri të vendit.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj tha se sipas skicave dhe planeve që janë dorëzuar nga pala serbe, vendet e dyshuara në varrezat myslimane në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës kanë rezultuar me gjetje.
Prandaj, sipas Gjetaj autoritetet serbe kanë informata të sakta edhe për vendet e tjera të dyshuara në Kosovë dhe në Serbi.
Ai tha se duhet që të vazhdoj presioni nga bashkësia ndërkombëtare.
Gjatë këtij vitit në plan të veprimit të Departamentit të Mjeksisë Ligjore janë paraparë 23 lokacione për gërmime vlerësuese.
Deri tash, gjatë këtij viti, EULEX-i dhe DML –ja , ”kanë kryer 18 operacione në terren në Pejë, pjesën jugore të Mitrovicës, në pjesën veriore të Mitrovicës, në Suharekë, Prizren, Gjakovë, Klinë dhe Skenderaj.
Shtatë nga këto kanë rezultuar me zhvarrosje, ku janë gjetur mbetjet mortore të 28 personave”, thuhet në fund të njoftimit nga misioni EULEX.
Ndryshe edhe 1745 persona janë ende të zhdukur nga lufta në Kosovë.