Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/07

Ekzekutohet në lokal nate balerina 26 vjeçe, policia identifikon autorin


  • Luftë dhe panik në “Dream City”. Policia; vajza u vra në lokal, kemi identifikuar autorin
  • Dëshmitari; Sherri nisi mes balerinave dhe një tavoline me disa djem rreth të 30-ave


Policia e kryeqytetit ka bërë të ditur se ka identifikuar autorin e vrasjes së Sonila Tafës, balerinës e cila humbi jetën aksidentalisht në një klub nate në Tiranë. Autori i vrasjes dyshohet të jetë, 34-vjeçari Artur Kuliçit me origjinë nga një fshat i Tropojës dhe me banim në Durrës.

Policia pas identifikimit ka shpallur në kërkim autorin, ndërkohë që ka nisur kontrollin në banesë dhe negociata me familjaret për kapjen e tij.

Por sot policia ka bërë të mundur arrestimin e Edon Barajktarin si bashkëpunëtor të Artur Kuliçit. Nga hetimet paraprake mësohet se në banesën e Edon Barajktarit u gjet makina e Artur Kuliçit si dhe një armë e tipit kallashnikov.

Nikoleta Kovaçi

-Tmerr, panik, plumba dhe më pas një viktimë. Viktima është një vajzë vetëm 26 vjeçe. Quhej Sonila Tafa, e diplomuar në Akademinë e Arteve dhe e punësuar si balerinë në lokalin që është kthyer në shesh-betejë dy net më parë. Është qëlluar për vdekje. Policia nuk ka ende asnjë version për ngjarjen, veç faktit se vajza nuk ka qenë objekt i sulmit me armë të personit që ka qëlluar në lokal me kallashnikov. Vajza është nisur në drejtim të Spitalit Ushtarak me një plumb në kokë dhe një në trup. Janë shpërndarë turma dhe bashkë me ta ka ikur edhe autori i krimit. Policia ende nuk e ka arrestuar por orëve të vona bëri me dije se është identifikuar. Janë shoqëruar të gjithë personat që janë gjendur në vendin e ngjarjes si dhe ato që kanë qenë para se të shkonte policia. Është shoqëruar personeli dhe të gjithë personat që kishin dijeni për ngjarjen. Policia ka dalë me një deklaratë mesditën e djeshme, duke sqaruar vetëm emrin e viktimës, ndërsa asnjë e dhënë tjetër nuk e shoqëron ngjarjen e rëndë, ku vajza 26 vjeçe është qëlluar për vdekje në ambientet e lokalit. Policia bën me dije se gjithçka ka ndodhur pas një sherri mes të rinjsh në lokal, ndërsa vendngjarja ditën e djeshme ka qenë spostuar në ambientet e jashtme të lokalit. Aty policia kishte rrethuar vendin ku kishin mbetur gëzhojat. Policia jo zyrtarisht ka bërë me dije se janë mbledhur 6 gëzhoja, ndërkohë që gjithë ambienti është nën fokusin e kamerave të sigurisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në “Dream City”, në afërsi të “Casa Italia”, ose e njohur ndryshe si zona e Kasharit.

Ngjarja në versionin e dëshmitarëve okular

Mësohet se gjithçka ka ndodhur rreth orës 03.00 të mëngjesit të djeshëm. Sherri ka nisur në afërsi të banakut vendit ku kërcenin balerinat. Dyshohet se një tavolinë të rinjsh ka nisur debatin me balerinat. Madje sipas dyshimeve të para bëhet me dije se njëri prej tavolinës nga ku është nisur sherri, sinjalin e ngacmimit e ka patur pikërisht për balerinën që më pas humbi edhe jetën. Gjithçka tregohet nga dëshmitarë okular që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, ndërsa personi me të cilin kontaktoi “Shekulli” ditën e djeshme, tregon se ndodhej larg tavolinës ku ka nisur edhe sherri. Ai thotë: “Kam parë të fluturohen shishe, të ulërihet dhe të plasë një panik i madh në ambientet e brendshme. Me grupin e miqve të mi, kemi tentuar të dalin përjashta, por dera ka qenë e zënë dhe jemi mbështetur te muri për të bërë të mundur daljen sa më parë, momentin kur të lirohej dera. Nuk dimë se si kanë rrjedhur ngjarjet, pasi secili shikonte për të shpëtuar veten. Por kemi parë të qëllohet me armë. Nuk jam i sigurt, nëse personi i armatosur ishte brenda apo ka ardhur nga jashtë, por që di që gjithçka ka nisur nga një tavolinë djemsh të cilët ishin në moshë rreth të 30-ve dhe se ishin thuajse të gjithë të së njëjtës krahine, pasi në momentet e sherrit, dëgjohej i njëjti dialekt”.

Vrasja

Referuar të dhënave të policisë mësohet se gjithçka ka ndodhur në ambientet e lokalit, por që nga hetimet e para të ditës së djeshme është mësuar se Sonila Tafa, nuk ka qenë objekt i atij sulmi me armë. Sipas të dhënave, njëri nga djemtë pas sherrit që ka patur në ambientet e lokalit, ka dalë përjashta, ka shkuar te makina e tij, ka marrë armën dhe ka hyrë brenda. Ka qëlluar në ajër dhe plumbat kanë kapur vajzën. Fillimisht u tha se plumbat kanë bërë rekoshet, por fakti që janë zbuluar dy plagë në trupin e balerinës profesioniste, policia ka ngritur dyshimin se dyshohet mos vajza është vrarë qëllimisht nga autori i cili ka ikur në drejtim të paditur.



Policia bëri me dije ditën e djeshme se personeli i lokalit ka theksuar gjatë dëshmisë se gjithçka ka qenë aksidentale dhe se personi nuk ka pasur si qëllim vrasjen e vajzës, por nga fakti që është nxjerrë përjashta nga rojet e sigurisë së lokalit, ai ka dashur të qëllojë mbi personelin e sigurisë. Gjithashtu policia në vendin e ngjarjes, jashtë lokali ka rrethuar 4 vende ngjarjeje ku thuhet se janë gjetur gëzhojat e armës automatike, ndërsa nuk bëhet me dije se sa plumba në të vërtetë janë nxjerrë nga armë, brenda dhe jashtë lokalit.

Policia: Kemi identifikuar autorin, do e kapim

Orëve të vona të mbrëmjes së djeshme policia ka pranuar se është identifikuar autori i krimit të rëndë. Gjithçka mësohet se është fiksuar nga kamerat e sigurisë së lokalit si dhe nga personat e panumërt që janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr. 6 dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertët më të mirë të krimeve të Rënda, ndërsa krerët e Policisë dje nuk kanë pranuar të japin asnjë detaj mbi ngjarjen e rëndë dhe të paprecedent. Sipas të dhënave të policisë bëhet me dije se personi është mësuar shumë vonë, ndërsa janë rimarrë në pyetje disa herë personeli. Janë siguruar dëshmitë e të gjithë të pranishmëve që kanë dijeni mbi ngjarjen dhe janë ekspertuar pamjet filmike të të gjithë sherrit që solli edhe vrasjen. Mësohet se familja e vajzës e ka tërhequr mjaft vonë trupin e pa jetë nga morgu ditën e djeshme, ndërsa lamtumira për profesionisten e baletit është përcaktuar për ditën e djeshme. Ajo mësohet se është vajza e vogël në familje dhe se punonte prej pak kohësh si balerinë. Referuar të dhënave të policisë, saktësohet se janë dy versione të zbuluara nga dëshmitë; e para lidhet me faktin që autori ka hyrë i armatosur në lokal dhe ka qëlluar mbi tavolinën me të cilën ishte konfliktuar dhe plumbat kanë kapur balerinën, ndërsa versioni i tjetër që është dhënë nga personeli i lokalit të natës, ka saktësuar se personi ka bërë sherr në lokal, është nxjerrë jashtë nga rojet dhe më pas ka pritur derisa kanë dalë personeli i lokalit përjashta duke qëlluar mbi ta. Plumbi ka bërë rekoshet dhe ka vrarë Sonilën. Policia po punon intensivisht për të zbardhur ngjarjen e plotë, ndërsa në faqen zyrtare të “Dream City”, në Facce Book, është paralajmëruar se lokali do të jetë i mbyllur për një javë, pasi aty ka ndodhur një ngjarje e rëndë ku aksidentalisht ka humbur jetën një balerinë.

Deklarata e Policisë së Tiranës

“Ditën e sotme (dje) rreth orës 03.00’ është marrë njoftim se në një lokal nate në zonën e Kasharit në Tiranë, është plagosur me armë zjarri shtetasja Sonila Riza Tafa, 26 vjeç, banuese në Tiranë. Menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë duke formuar grupin e posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit dhe ekspert kriminalist, me synim zbardhjen e rrethanave dhe motiveve. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti midis të rinjsh në këtë lokal nate, ku viktima është qëlluar dhe si pasojë më pas ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (djeshme). Aktualisht nga strukturat e Policisë së Tiranës, po punohet intensivisht për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen tërësisht të kësaj ngjarje, duke mbledhur dhe administruar provat si dhe marrë në pyetje disa dëshmitarë okularë në vendngjarje. Për çdo ecuri të këtij hetimi në drejtim të kapjes së autorëve do t’ju informojmë sërish.”

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...