Gentiana Zagoridha
Durrësi është një nga qytetet më të vjetër të Shqipërisë. Si vendbanim ilir i fisit Taulant, ka dëshmuar jetën e tij që në prehistori, bazuar në gjetjet arkeologjike dhe dëshmive të autorëve antikë. Ka mbijetuar në shekuj deri në ditët e sotme. Është qendër e rëndësishme portale, administrative,fetare,ekonomike,tregtare,politike në shekuj, e kurdoherë i pranishëm në historinë e Pellgut të Mesdheut,veçanërisht në detin Adriatik. Muzetë dhe objektet e monumentet e vizitueshme, pasqyrojnë më së miri vlerat historike,arkeologjike,etnologjike,natyrore e urbanistike. Durrësi është themeluar në vitin 627 para Krishtit nga Epidamus i cili ishte një hero kulti i taulanteve një prej fiseve ilire,prej të cilit mori dhe emrin Epidamus. Më vonë ai u quajt Dyrrahu sepse kështu quhej në atë kohë gadishulli ku u ndërtua qyteti. Më pas, në një dorë të dytë ndërtimi limani i poshtëm i qytetit u quajt Dyrrah. Me kalimin e kohës, mbas një bashkëjetese të gjatë të dy emrave , Epidamus dhe Dyrrah, emri Dyrrah u bë sundues.
Durrësi është i vendosur në brigjet e detit Adriatik rreth 30 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ai përfshin një vijë bregdetare rreth 60km. Është qendra e sistemit hekurudhor, gjithashtu dhe porti më i madh e më i rëndësishëm i Shqipërisë. Pikënisja e korridorit të 8-të,si dhe kryqëzim i linjave më të rëndësishme të automobilizmit , ku më e rëndësishmja është linja Durrës-Kukës-Morinë e cila lidh Shqipërinë me Kosovën duke shkurtuar kështu distancën e udhëtimit ndërmjet këtyre dy vendeve. Trashëgimia arkeologjike e qytetit është ajo që e bën çdo durrsak të ndihet krenar për qytetin e tij. Durrësi i cilësuar si Taverna Adriatikut mirëpret në kohët moderne,turist e vizitor nga e gjithë bota. Në qytetin antik të Durrësit ndodhen shumë monumente historike ndër të cilat më të rëndësishmet janë:
Amfiteatri i cili konsiderohet si një nga monumentet më me vlera historike që ka mbijetuar nga ky qytet antik. Ai ka trajtë elipsi me diametër 136m e lartësi rreth 20m. Ka një arkitekturë romake dhe është 2700-vjeçar. Është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i shquar Vangjel Toçi.
Pusi i Tophanasë është një tjetër monument mesjetar i cili për disa shekuj me radhë kishte shërbyer si burim uji për lagjet qendrore të Durrësit. Dallohet për kolonat dhe pjesët e pusit,që janë rivendosur në hapësirën prej 25 metra katrorë. Sipas historianëve,pusi mesjetar i ka shërbyer më parë një punishteje për prodhimin e barutit,çka i dha dhe emrin “Tophane”.
Torra Veneciane është pjesë e Kalasë Bizantine të Durrësit,e cila në mesjetë konsiderohej si një nga fortesat më të fuqishme të bregut perëndimor të Adriatikut. Në gjysmën e parë të shek të XV-të kur Durrësi ishte nën pushtimin e Venedikut, Torra u rindërtua dhe mori pamjen që ka sot. Ajo ka formë rrethore me diametër të jashtëm 9m e lartësi 9,6m. Muret kanë trashësi 3,7m dhe janë të përforcuar me breza druri.
Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” për herë të parë u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për krijimin e një fortifikate në vitin 1916. Më pas mozaiku u mbulua e humbi, duke u rizbuluar nga arkeologu Vangjel Toçi më 1947. Ky mozaik ka zbukuruar një banjë private luksoze të një shtëpie në qendër të qytetit. Për ndërtimin e tij janë përdorur gurë zalli. Vajza përfaqëson hyjneshën EYLITHEA e cila ndihmon lindjen e shëndetshme të fëmijëve. Ky është mozaiku më i shquar dhe më i lashtë i gjetur në Shqipëri. Mozaiku i përket shek IV para Krishtit. Sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Vila Mbretërore e Durrësit ose e ashtuquajtura Vila e Mbretit Zog e cila daton aty rreth viteve 1925. Fillimisht përcaktohet si “Vila Presidenciale” pasi në atë kohë Zogu ishte President i Republikës. Në atë periudhë Zogu i posashpallur President i Republikës së Shqipërisë, i gjendur ngushtë për para iu drejtua Italisë për ndihmë ekomomike,e cila hapi një fond prej 50 milionë franga ari hua për Shqipërinë. Një pjesë e këtyre fondeve u përdor dhe për ndërtimin e vilës. Ndërsa pas vitit 1928,me shpalljen e Monarkisë,ajo u quajt “Vila Mbretërore “.Ajo shquhet për vlerat e saj arkitekturore dhe është si një dëshmi e gjallë e një periudhe lulëzimi për qytetin e Durrësit. Është ndërtuar në majën e një kodre dhe shërben si pikënisje e çdo udhërrëfimi për qytetin tonë.
Në Durrës gjenden aktualisht mbi 176 objekte antike dhe krejtësisht me arkitekturë italiane të viteve 1920-1939 duke qenë kështu shembulli i përkujdesjes së ish –Mbretit Zog I, lidhur me projektet e zhvillimit të qytetit. Ndër to përmendim disa që janë akoma funksionale si: godina e bashkisë së qytetit, shatërvani në qendër të qytetit, godinat në të dyja anët e bulevardit, ish hoteli “Iliria”, kanali kullues i bulevardit i cili është funksional dhe në ditët e sotme, ndonëse kanë kaluar 85-vjet nga ndërtimi i tij, Mitropolia ku ka qëndruar Fan Noli, objektet e konsullatave etj. Por nuk është vetëm historia e lashtë që e bën këtë qytet interesant. Durrësi ka një potencial të madh turistik. Ky potencial mbështetet në elementë realë që disponon vetë rrethi si: pozicioni i favorshëm gjeografik, port i rëndësishëm,pasuritë në monumentet e kulturës i qendrave muzeale apo natyrës shlodhëse. Turizmi përfaqëson një veprimtari të rëndësishme fitimprurëse sepse për të ka vazhdimisht një treg me kërkesa mjaft të larta dhe gjithmonë në rritje. Kombinimet panoramike të qytetit janë mjaft shlodhëse dhe shumë të bukura si në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. Njerëzit janë mjaft entuziastë dhe shumë mikpritës. Ato janë të prirur gjithashtu drejt emancipimit të jetës social-kulturore sipas modeleve të vendeve perëndimore të Evropës. Kjo pra është me pak fjalë panorama historike e qytetit tim në rrënjët e të cilit qëndron një kulturë e lashtë mijëravjeçare prej së cilës kemi lindur dhe jetojmë ne durrsakët dhe që një pjesë të saj ju ftojmë ta ndajmë së bashku.
No comments:
Post a Comment