2013-04-10

Djemtë që thyen kufirin dhe kthyen shpresën



Shkruan: Anton Quni



Para 14 viteve, më 8 prill 1999, luftëtarët e Brigadave 131, 134 dhe BDV-së, të bashkuara në GO-3, po i merrnin instruksionet e fundit. Të gjitha prëgaditjet kishin përfunduar.
Pak orë na ndanin nga fillimi i operacionit.
Pritnim terrin që të pavërejtur t’i zinim pozicionet. Koha ishte e zymtë, me reshje, borë, shi, ftoftë, me erë të lehtë, majat e maleve të mbuluara me re.
Ushtarët edhe një herë kontrollojnë paisjet, sasinë e municionit, armët, ndihmën e parë, mbrojtëset kundërhelm, helmetat etj.



Kryesisht zotëron heshtja, aty këtu ndonjë batutë, pak të qeshura dhe prapë heshtje.
Minutat ishin të gjata. 150 luftëtarët të ardhur nga katër anët e botës shikonin njëri-tjetrin, duke i sjellë kujtimet nga fëmijëria, shkollat, dashurinë e parë, sherret, protestat, demonstratat, pajtimin e gjaqeve, mbylljen e shkollave, arrestimet, rrahjet, zhdukjet, ushtarët në arkivole, thyrjen e portave, britmat, krismat, rafallet, tankset, djegiet, egzekutimet massive.
Kujtojnë vendimin për t’u mobilizuar, bekimin e prindërve, veshjen e uniformës, komandat shqip, përgatitjet, stërvitjet, mësimet nga shkenca dhe arti i luftës, aksionet e para, betimin e luftëtarit, qepjen në krah të emblemës së UCK-së.


Në orët e para të 9 prillit heshtjen e thyen komanda: “Nisemi”!
Togjet, skuadrat, grupet, vëzhguesit, minierët, diverzantët, snajperistët, kundërajrorët, kundërblindët, artilierët, komunikuesit, transportuesit, teknikët, mjekët, lëvizin, marshojnë, vrapojnë, infiltrohen, zënë pozicionet dhe prapë bien në heshtje.
Me rrezet e para të diellit, nën komandën “ZJARR!”, shpërthen e tërë energjia e mbledhur me dekada e dhimbjeve, lotëve, poshtërimit, ndarjeve dhe okupimit.
Detonimet, plasjet, predhat, breshëritë, flaka, bien mbi pozicionet e forcave të armikut.
Hapen kalimet në fushat e minuara, rrjetet me gjemba, krijohen krateret, shëmben transhetë, rrafshohen bunkerët, elimonohen pozicionet e zjarrit.
Luftëtarët tanë kapin objektet një nga një: Kokën, Maja Kokës, Shkozen, Rrasa e Koshares, Gomuret, Mriqen, Gushën, piramidat e kufirit bien njëra pas tjetrës.
Në ditën e dytë, Batalioni 54 kufitar i AJ-së prej 350 ushtarakëve ishte në rrethimin e hekurt brenda karaullës, ata po kërkonin ndihmë nga njësitë operative në thellësi.
Nga mesazhi i kapur në mjetet e përgjimit, dëgjojmë: “Mbahuni, po i dërgojmë njësitë më të fuqishme, mos u frigoni, ata ende janë në kohën e feudalëve, do i përplasim në det!”.
Po vërtetohej “teza” se ushtarakët serbë, ishin bërë viktima të gënjeshtrave të historianëve, letrarëve dhe politikanëve serbë.


Ata nuk e dinin të vërtetën e popullit shqipëtar, nuk e besonin se historianët e lashtë na përshkruanin si zotëruesit e deteve, se në krye me Aleksandrin e Madh ne eksploruam Lindjen e Mesme dhe rrjedhën e lumit Nil, se Mbreti i Epirit Pirro ishte njohësi më i mirë i artit ushtarak në kohën antike, se ushtaraku iliro-dardan Konstantini arriti famën në krye të Legjioneve romake në Britani.
Ata shumë pak dinin për famën e Komnenëve, Gjergj Kastriotit Skënderbe, jeniqerët shqiptarë, Batalionin shiptar të Napoleonit, Stratiotët e Republikës së Venedikut, për legjendat e Arvanitasëve në More, Beoti e shumë e shumë BETEJA heroike të shqiptarëve anëkënd Gadishullit Ballkanik në luftërat për çlirimin e kombit.


Ata tani do të binden edhe vetë se ishin viktimë e miteve të rreme. Batalioni 54 Kufitar do të fshihet nga faqja e dheut në karaullën famëkeqe nga ku ishin organizuar shumë ekspedita ndëshkuese ndaj popullatës dhe do të ngrihet në shenjë fitoreje flamuri i Kombit Shqiptar.
Shumë shpejt në regjionin e gjerë të Koshares, në bjeshkët e Junikut, në anën Jugore të Alpeve Shqiptare dhe nga Rrafshi i Dukagjinit do të vërsulet e tërë makineria ushtarake dhe policore e armikut, e përbërë nga Brigada 125 e Mekanizuar; Brigada 63 e Parashutistëve; Brigada 72 për Operacione të Vecanta; Batalioni Diverzanto-Vëzhgues; Batalioni i Policisë Ushtarake me tërë arsenalin luftarak, artileri, sisteme raketore, aviacion, tankse, transportera, helme etj.



Fillimisht paralajmronin me pompozitet dhe demonstrim të forcës, të përcjellura me këngë. Por duke hyrë thellë në zonën e luftimeve, i lëshonte forca, zëri u shterrej dhe teknika nuk u bënte punë.
Ata ktheheshin mbrapa të përgjysmuar, të përkulur, duke u tërhequr zvarrë.
Për 70 ditë radhazi, në luftimet e përditshme, Brigada 138 “Agim Ramadani” nga radhët e veta i kishte humbur 114 luftëtarë, por tani numëronte 2500 luftëtarë të përhershëm, të përgatitur dhe të pajisur mirë, me përvojë të madhe, me besim të palëkundur në stafin komandues.


Vija e frontit në gjatësi 20-22 km ishte stabile, në hapësirën e liruar organizohej jeta e përditshme. Ne i mbanim pozicionet dominante dhe mund të godisnim deri në 20 km largësi, forca e zjarrit ishte e fuqishme.
Tani ishim në gjendje t’i ndanim në dysh forcat serbe në Rrafshin e Dukagjinit.
Këtë gjë e dinin edhe analistët ushtarakë të Serbisë, e dinin edhe ushtarakët rusë të dërguar si eksperta në ndihmë forcave serbe, ku dy nga ta u vranë në fshatin Koshare.


Të vetëdijshëm se Brigada 138 dhe njësitë tjera të UÇK-së tani mund të ndërrmarin operacione më komplekse dhe duke e studiuar forcën mobilizuese të rekrutëve të rinj, që vinin nga gjitha anët e botës, ata u përpoqën, që një ditë para kapitullimit edhe njëherë të bindin faktorët politiko-ushtarakë të NATO-s se nuk e vlen të ndërhyjnë për shqiptarët, për një “popull agresiv” dhe luftënxitës, johuman dhe vetijak, qyqar dhe të frikshëm, të përqarë në fise, bajraqe, fe, parti e fraksione. Ushtarakët serbë ishin në pritje të përgjigjes.
Një ushtarak i NATO-s del nga errësira e një këndi të tendës dhe në tavolinën përballë oficerëve serbë e përplas një dosje.


Këtu shkruan ndryshe, këtu thuhet se janë popull paqësor dhe shembulli më mirë është Presidenti i tyre, simboli i paqes dhe rezistences paqësore Dr. Ibrahim Rugova, këtu shkruan se janë human dhe popull solidar dhe shembullin më të mirë e kanë bijën e tyre dhe nënën e botës, Nënën Tereze.
Ju i quani qyqarë dhe frikacakë, por ne do të mësojmë për guximin, trimërinë, fisnikërinë dhe bujarinë e komandantit të tyre legjendar Adem Jasharit, për Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin, Ilir Konushevcin, Ahmet Krasniqin, vëllezërit Haradinaj, Fehmi e Xheve Lladrovcin, Iliaz Kodrën, Gasper Karaqin, Edmond Hoxhën, Mujë Krasniqin, vëllezërit Lleshi……


Ju thuani se ata janë të përçarë në fise, bajraqe, fe, regjione, parti a fraksione, ju them unë të vërteten, ata djem që ju mundën në Koshare, që ju mposhtën dhe ju turpëruan, janë nga gjitha viset shqiptare, Gegë dhe Toskë, myslimanë dhe të krishterë, të djathtë dhe të majtë, por janë unikë dhe të fjalës dhe shembulli më mirë janë komandantët e tyre, tani të rënë në mesin e 114 dëshmorëve Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaqi, Ali Hasi etj.
Këta djem e hoqën kufirin, e kthyen shpresën, kurse ju po numëroni ditët e fundit. Në qendrat e tyre po përgatiten me mijëra të rinj që të mësyjnë kufirin në Majë të Pllumit, Qafë të Prushit, Koritnik dhe ne do i mbrojmë nga ajri. Ju keni vetëm dy mundësi, të pranoni tërheqjën në marrëveshje me NATO-n, apo të kapitulloni para UÇK-së.



Të nderuar deputetë.
Në lozhën e këtij Kuvendi janë familjarët e heronjve dhe dëshmorëve, stafi komandues i Betejës së Koshares, janë po këta që para 14 viteve nën komandën dhe urdhërat e kolonelit Rrustem Berisha morën vendime të rëndësishme për çështjen e kombit. Në shenjë respekti për të gjithë veteranët, invalidët, dëshmorët, heronjtë dhe për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre u flijuan dhe kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ju lus që t’i përshëndesim me duartrokitje.

Lavdi të gjithve të rënëve për Liri!

(Anton Quni ka qenë Komandat i ish-BDV-së dhe Kryeshef i Shtabit të Brigadës 138 “Agim Ramdani”, aktualisht është deputet në Parlamentin e Kosovës. Ky është fjalim i mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës më 8 prill 2013)
__._,_.___

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...