Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/09

KOLOSË TË MUZIKËS KOSOVARE

Gentiana Zagoridha


Krijimtaria dhe zhvillimi i muzikës profesioniste të shqiptarëve të Kosovës, zë një vend të rëndësishëm sikurse Edhe zhvillimi i muzikës shqiptare në Shqipëri. Shumë nga kompozitorët kosovarë, krahas veprimtarisë së tyre muzikore ndërtuan dhe zhvilluan më tej muzikën, duke u mbështetur në folklorin e pasur dhe duke krijuar institucionet e para artistike, kulturore, mësimdhënëse etj. Megjithëse në kushte të vështira, për krijimin e artit të tyre këto kolosë të muzikës kosovare krijuan vepra muzikore vokale dhe instrumentale. Disa prej muzikantëve që lanë gjurmë në historinë e muzikës kosovare janë:

Lorenc Antoni i cili u lind në Shkup më 23 shtator 1909 dhe vdiq në Prishtinë më 21 tetor 1991. Aktivitetin muzikor e nisi që në fëmijëri në familjen e tij, e cila merrej me muzikë, kjo edhe për faktin se muzika popullore ka qenë motivuese dhe pjesë shumë e dashur e prindërve të tij e sidomos të atit. Ky ishte një tregues kuptimplotë që Lorenci të ndiqte rrugën e babait të tij, jo thjesht si instrumentist, por si krijues edhe reformues i muzikës kosovare shqiptare. Ai filloi veprimtarinë si mësues dhe më pas si dirigjent e cila do të shërbente si bazë e Shoqërisë Kulturore-Artistike “ Agimi “. Lorenc Antoni ishte një nga figurat më të njohura dhe më të shquara kosovare, i konsideruar si pionier e themelues i shkollës së parë muzikore kosovare. Ai është etnomuzikolog, folklorist, pedagog, dirigjent, organizator i jetës muzikore e kompozitor, i cili ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e muzikës shqiptare të Kosovës. Përpunimet e motiveve të këngëve në veprat e tij, janë shpalosje e momenteve më të bukura që mbart kënga jonë e bukur shqipe, të cilat ai arriti ti trajtonte me shumë sukses përmes strukturës, melodisë dhe ritmit. Kjo është arsyeja që krijimet e tij muzikore kanë zënë një vend të rëndësishëm në muzikën kosovare dhe dëgjohen me endje edhe tani. Që në moshë të re u mor edhe me mbledhjen e këngëve popullore shqiptare, në vise ku jetonin dhe jetojnë shqiptarë si në Mal të Zi, Maqedoni në Luginën e Preshevës etj. Pra, karriera e tij zë fill me muzikën popullore, ku u mbështet në krijimin e veprave të tij të para, ndërsa aktivitetin pedagogjik e nisi si arsimtar muzike, deri në çeljen e shkollës së parë muzikore në Prizren. Pesë këngët popullore për kor të përzier dhe orkestër, janë dëshmi e një pune të çiltër, shpalosin një botë të re, falë ndikimit të folklorit muzikor. Pra, këto 5 këngë janë dëshmi e një pune të zellshme e të ethshme dhe kanë një përmasë krejt tjetër, çka shpjegohet me mënyrën e re në përpunimin e këngëve popullore. Me elementet e muzikës popullore, krijon konstruktin për kompozime me vlera cilësore si një proces i komunikimit artistik. Lorenc Antoni ishte një studiues i madh i cili e meriton epitetin e të parit për atë që ka bërë dhe ka arritur në hulumtimin dhe studimin e folklorit shqiptar. Ai ishte mbledhës, përpilues i blejve, analitik, studiues pra etnomuzikolog me kuptimin e plotë të fjalës.

Mark Kaçinari u lind në Prizren më 1935 dhe vdiq në vitin 1985. Ai ishte pedagog, kompozitor, dirigjent, i cili me aftësinë e tij krijuese ka lënë një varg veprash të larmishme dhe shumë cilësore. Gjithashtu, Mark Kaçinari ndërtoi bazat e institucioneve muzikore, të cilat më parë nuk ekzistonin,jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai është një figurë artistike e ndërlikuar dhe komplekse, zotërues i trinomit krijues-interpretues-pedagog. Ndaj, me të drejtë mund të thuhet se ai ishte një erudit me orientime të Rilindjes dhe themelues i korit “Collegium Cantorum” i cili në Langolen të Anglisë zuri vendin e tretë në botë.

Musa Piperku lindi në Dibër më 1 gusht 1945 dhe vdiq më 14 qershor 2005. Shkollën e mesme muzikore e kreu në Prizren e më pas edhe Akademinë Muzikore në Beograd. Pas diplomimit u kthye në vendlindje,ku punoi si profesor dhe zhvilloi një krijimtari të dendur. Ai formoi orkestrën e mandolinave dhe korin e shkollës. Ka zhvilluar aktivitet në gjirin e shoqërisë artistike “ Liman Kaba “ të Dibrës. Gjatë viteve 1971-1972 është bashkëpunëtor i muzikës në Radio Shkupi, kurse në vitin 1973 punoi në Radio Prishtina. Ai ka marrë pjesë në shumë edicione të “Akordeve muzikore të Kosovës”. Piperku ka krijuar rreth 600 këngë, por emblema e këngës zbavitëse është “Pranvera në Prishtinë” e cila ka hyrë në antologjinë e këngëve argëtuese shqiptare të tipit klasik. Ai ka fituar 7 “ Okarina “, 2 “Lyra të Argjendta” dhe 2 “Plaketa të Arta” siç emërtoheshin atëherë çmimet e këtij festivali. Gjatë kësaj kohe mori pjesë edhe në shumë festivale të tjera, si ai i Shkodrës, Prizërenit, Sarajevës, Tetovës e Gjakovës. Objekti i këngës së tij ka qenë në shërbim të kulturës, i të bukurës në art, orientuar nga realiteti.

Rauf Dhomi u lind më 4 dhjetor 1945 në Gjakovë. Shkollën e mesme e kreu në Prizren, kurse studimet universitare dhe ato pasuniversitare i përfundoi në Sarajevë. Punoi fillimisht në gjmnazin “ H. Dushi “ në Gjakovë. Njëkohësisht në këtë periudhë themeloi dhe korin e burrave të Gjakovës. Aktualisht mban postin e drejtorit të Filarmonisë së Operas së Kosovës dhe është profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Gjithashtu është dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që prej vitit 1996. Rauf Dhomi ka kompozuar vepra të gjinive të ndryshme me prirje të veçanta për muzikën vokale. Ai cilësohet si krijuesi i parë i operasë kosovare në vitin 2003. Është autor i shumë veprave ndër të cilat mund të përmendim:” Goca e Kaçanikut” , “Dasma Arbëreshe” , “Muzat e Kalasë “, baletin “ O e bukura more” etj. Ka marrë shumë mirënjohje, dekorata e shpërblime ndër to: Qytetar nderi i qytetit të Gjakovës më 1979, Shpërblimi i Dhjetorit 1980, Dekorata për merita për popull me rreze të artë në 1981, shpërblimi “ Muzika më e mirë” në Festivalin e Teatrove në Beograd më 1990( të cilin e ka refuzuar) , shpërblimi i parë për “ Kuartetin për harqe” në konkursin anonim të Rinisë Jugosllave më 1967 si dhe për këngën korale “Pogradeci”. Më 1968 shpërblimin e dytë për këngën korale “Zemra e Liqenit” në po të njëjtin eveniment.

Rexho Mulliqi u lind në vitin 1923 në Guci të Malit të Zi në treva të banuara nga shqiptarë dhe vdiq në Prishtinë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar pastaj në Shkup. Më 1946 u regjistrua në Akademinë e Muzikës në Beograd, por nuk i përfundoi dot studimet,sepse,për shkaqe politike u burgos. Pas vitit 1953 u kthye në Kosovë, ku fillimisht dha mësim në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren. Më 1956 shkoi në Prishtinë, pranë Radio Prishtinës ku drejtoi veprimtarinë muzikore të këtij institucioni. Së bashku me Lorenc Andonin, Rexho Milliqin është një ndër krijuesit e traditës muzikore profesionale në Kosovë. Ai është gjithashtu ndër të parët krijues të këngës korale, autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë. Vepra e tij e gjerë dhe e larmishme përfshin pothuajse të gjitha gjinitë muzikore dhe është ekzekutuar në veprimtaritë kryesore të jetës muzikore të Kosovës dhe ish Jugosllavisë. Rexho Mulliqi bëri një muzikë që ishte dhe mbeti thellësisht shqiptare, në të gjithë përbërësit e saj. Ndër veprat e tij skenike përmendim: “ Nita” (1975), “ Vjeshta” (1958), “ poemë për ata” , mëse 150 harmonizime dhe përpunime këngësh popullore. Ndër veprat simfonike përmendim: “ Fantazi” (1954), Simfonia Nr I (1955), “ Pastorale dhe loja” (1956),” Akuaretet e Prizrenit” (1958), “Uka e Bjeshkëve të namuna” (1968),” Era dhe liri”( 1979).Lidhur me muzikën e filmit dokumentar përmendim: “Kokë për kokë” , “Floriri i Kosovës I, II, III”, “ Tuneli 117. Nga muzika për teatër veçojmë: “ Omeri e Merima”, “ Tri motrat”, “ Tregimi i Irkutskut”, “ Martesa” etj.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...