ISA VATOVCI
Krijuesit kosovarë janë duke e kaluar një periudhë jo të lehtë të punës së tyre artistike. Pothuajse pjesa dërmuese e tyre, për ta siguruar ekzistencën e ushtrojnë një punë primare, që në shumë raste nuk ka lidhshmëri me krijimtarinë. Ndërsa edhe përkundër talentit dhe krijimtarisë që bëjnë, arti për ta më shumë mbetet për kohën e lirë, apo si hobi. Janë të rrallë krijuesit tanë, të cilët mund të gjallërojnë nga puna e tyre. Përjashto një pjesë të tyre që janë më afër politikës dhe të cilët arrijnë t’i thithin financat publike për krijimtarinë e tyre, pjesa tjetër heq të zitë e ullirit derisa veprat e tyre dalin në dritë. Kjo është konfirmuar edhe nga krijuesit tanë.
Ndihma në distribuimin e librit
Krijuesi dhe studiuesi Avni Rudaku, në një prononcim për “Kosova Sot”, ka thënë se ndihmesa mund të jetë ekonomike, logjistike, por edhe me vlera. Ndihmesa, sipas Rudakut, nuk duhet të jetë vetëm ekonomike, por edhe në krijimin e infrastrukturës së gjerë, duke përfshirë ndihmesën në distribuimin e librit të botuar dhe duke krijuar hapësirë të angazhimit në pasurimin e jetës letrare. Ai ka thënë se disa krijues, edhe pas marrjes së shumës së parave nga komunat (Zyra e Kryetarit apo Kuvendi Komunal i jep disa subvencione, që mund të sillen prej 600-1000 euro), detyrohen që librin ta shpërndajnë falas te miqtë e tyre të letrave, apo të marrëdhënieve të tjera sociale. “Si mund të ofrojë ndihmë materiale Komuna apo MKRS-ja, kur këta autorë nuk ndihmohen që ta ndërkombëtarizojnë krijimtarinë e tyre për të bashkëpunuar me Ministrinë për Punë të Jashtme nëpërmjet ambasadave jashtë vendit? Pse ambasadat bëjnë shumë pak në bashkëpunimet ndërkulturore, duke sjellë qoftë krijuesit nga bota e jashtme në vendin tonë, qoftë afirmimin e krijimtarisë sonë në vendet e huaja?”, ka thënë ai, duke shtuar se duhet një sensibilizim dhe për të nxitur organizime për t’i vetëdijesuar sponsorët, bizneset, që ta ndihmojnë artin letrar, apo edhe të diskutohet për Ligjin mbi sponsorimin. Ndërsa ka theksuar se krijuesit duhet të ndihmohen nëpërmjet gjetjes së mekanizmave vendorë e të huaj që të ndihmohet përkthimi i tyre në gjuhë të tjera.
Arti, konsum luks
Ndërkaq në një prononcim për “Kosova Sot”, krijuesi Ardian Haxhaj është shprehur se në kohën e tranzicionit, të cilin edhe po e kalojmë, arti dhe letërsia janë konsum luks për qytetarin e zakonshëm dhe kjo, sipas tij, e ka atakuar drejtpërdrejt krijimin e letërsisë dhe krijuesit. “Kosova supozohet t’i ketë më pak se dy milionë banorë dhe lexuesit potencialë nga ky numër i paktë janë shumë, shumë në numër të vogël”, ka thënë ai, duke shtuar se është kinematografia ajo që në njëfarë mënyrë i ka thithur të gjitha kënaqësitë e shikuesve dhe të lexuesve alternativë të letërsisë. Ndërsa ka thënë se letërsia kosovare nuk mund të avancojë pa përkrahjen e institucioneve që janë të mandatuara në përkrahjen e zhvillimeve kulturore. Sipas tij, këtu te në trendi është negativ në këtë drejtim. “Për shembull, në Kosovën e varfër flitet për keqpërdorime shumëmilionëshe nga zyrtarët e korruptuar dhe të kriminalizuar, por nuk gjenden mjete financiare për përkrahjen e projekteve, të cilat mund të jenë reprezentative për opinionin botëror”, ka thënë Haxhaj.
Krijuesit disa ekzemplarë
Edhe krijuesi Ramadan Ibrahimi ka thënë se sot krijuesi ynë gjendet në një situatë të vështirë. Sipas tij, për të jetuar ata duhet të bëjnë një punë tjetër, që në të shumtën e rasteve nuk lidhet profesionin e tyre, e lëre më krijimi emocional për të krijuar. Ndërsa ka thënë se edhe kur veprat e tyre botohen me përkrahjen e fondeve publike, krijuesit nuk marrin asnjë pagesë për honorarët e tyre, bile as ekzemplarë të mjaftueshëm të librit të tyre. “Botuesi e merr fondin për botimin e librit dhe për ne krijuesit mbeten vetëm disa ekzemplarë të librit, nuk përfitojmë asgjë tjetër, përveç botimit të librit”, ka thënë Ibrahimi.