Gentiana Zagoridha
Ujërat termale apo llixhat janë nga më të rrallat në botë kur bëhet fjalë për fuqinë e tyre shëruese. Përveçse mund të shërojnë një numër të madh sëmundjesh,ato shërbejnë dhe për relaks e çlodhje. Shëndeti është baza për një jetë më të mirë,por është akoma më mirë kur kujdesi për të pasur një shëndet të mirë, alternohet me kënaqësi. Edhe në Shqipëri si në shumë vende të tjera të botës shfrytëzohen këto burime natyrore në shërbim të popullsisë.
Vlen të përmenden ujërat termale të Bilajt në Fushë-Krujë,të pasura me sulfat dhe lëndë minerale,të cilat kanë efekte kurative të reumatizmit, lëkurës dhe sistemit nervor. Këto burime termale dalin nga depozitimet e lagunës së Ishmit. Ato ndodhen pranë kryeqytetit në rrugën nacionale Vorë_Fushë-Krujë në fshatin Bilaj,pranë urës së Gjolës.
Gjithashtu edhe burimet e ujërave të Bënjës kanë vlera të veçanta për trajtimet e lëkurës. Këto burime gjenden 14 km larg qytetit jugor të Përmetit në komunën Petran,vetëm 3 km larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lëngaricës. Janë gjithsej 6 burime. E veçanta e tyre është se këto janë burime të hapura në natyrë. Temperaturat e tyre janë 26-32 gradë Celsius. Njëri burim shërben për trajtimin e sëmundjeve të stomakut, një tjetër për trajtime të lëkurës. Trajtime të tjera janë për sëmundjet kronike të reumatizmit. Shfrytëzimi i parë i këtyre ujërave është bërë që prej vitit 1964. Shfrytëzimi i këtyre ujërave sot bëhet në mënyrë ambulatore.
Llixhat e Peshkopisë ndodhen pranë qytetit verilindor të Peshkopisë. Ato burojnë nga fondacionet e gipseve të malit të Korabit. Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35-43,5 gradë Celsius dhe me prurje prej 14 litrash për sekondë. Llixhat e Peshkopisë përmbajnë kalium dhe sulfate, efektet e të cilave trajtojnë sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes,reumatizmat,sëmundjet e lëkurës dhe problemet gjinekologjike.
Ujërat termalë të Vronomeros gjenden 10 km në jug të qytetit të vogël të Leskovikut. Ato janë burime të pasura me kripëra të ndryshme,të cilat trajtojnë disa lloje sëmundjesh. Temperatura e ujërave këtu është 29-40 gradë celsius.
Vlen të përmenden gjithashtu dhe banjat e avullit të Postenamit, si dhe ujërat kurativë të pijshëm siç janë: Kroi i Bardhë në komunën e Selitës në Mirditë, Kroi i Nënës Mbretëreshë në parkun kombëtar të Qafë Shtamës.
Por unë do të doja të ndalesha më së shumti tek Llixhat e Elbasanit për të vetmen arsye se i kam vizituar dhe më kanë lënë mbresa të mëdha. Këto llixha janë të njohura dhe të përdorura që gjatë periudhës së romakëve. Mosha e këtyre ujërave termale llogaritet në rreth 5 shekuj,por vetëm në shekullin e XIX-të mund të thuhet se shfrytëzimi kurativ i zonës nisi të hyjë në rrugën e shkencës mjekësore. Hoteli i parë në këtë zonë është ndërtuar në vitin 1932 nga sipërmarrës privat. Ujërat e këtyre burimeve shquhen për vlera të larta terapeutike. Këtë e kanë vërtetuar analiza të shumta të kryera dhe nga specialistë të huaj. Aty trajtohen :
-sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes
-sëmundje të sistemit nervor
-sëmundje të ndryshme të lëkurës
-sëmundjet e stomakut
-gurët në tëmth
-anemitë
-sëmundjet reumatizmike
-probleme te ndryshme gjinekologjike
-probleme kozmetike
Veç burimeve natyrore,e tërë zona përfshihet në 178850 ha me pyje ku rriten më së shumti dushk,frashër,shkozë,shqopa murrizi dhe kryesisht pisha e kultivuar. Ndër kafshët e egra përmenden lepuri i egër,dhelpra,kunadhja si dhe shpendët : mëllenja, harabeli, pëllumbat e egër, qukapiku, kumria e thëllëza. Rrugës për në Llixha të shoqëron një erë e fortë squfuri që gati gati të bëhet e bezdisshme,por shumë shpejt ambientohesh me të. Në vendin e quajtur “Llixhat e vjetra” ndodhen 15 burime me ujë të stërmbushur me squfur. Ai vjen nga thellësitë e tokës, atje ku gjërat janë ende në gjendje të përflakur. Temperatura e ujit arrin deri në 65 gradë Celsius, Uji që vjen nga burimet me anë tubash depozitohet në disa vaska të mëdha. Prej burimeve nxirret balta, e cila ruhet një muaj, më pas ajroset për dy ditë më radhë dhe kështu është e gatshme për përdorim. Në vaskat me ujin termal nuk duhet ndenjur më shumë se 5 maksimumi 7 minuta përndryshe efekti kurues shndërrohet në veprim vrastar. Fshati i vërtetë në fakt shtrihet në të majtë të një përroi që ndan qendrën me hotelet nga pjesa më e madhe e shtëpive të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën me shumë tuba plastikë për arsye se pjesa më e madhe e shtëpive janë shndërruar në qendra kurative private. Një pikë tjetër llixhash janë dhe llixhat Hidraj të cilat ndodhen rreth 2 km e gjysmë larg qendrës së komunës. Fshati më i afërt këtu është Shelcani. Këtu ndodhen tri burime të vendosura në vijë të drejtë në një distancë prej 500 m. Burimet e ujërave termale në llixhat e Elbasanit janë përqendruar në zonën e poshtme(fshati Tregan) ndërsa burimet e sipërme (fshati Hidrait). Burimet e zonës së poshtme kanë pasur një prurje rreth 20 litra për sekondë, nga të cilat rreth 11 litra në sekondë i ka pasur burimi “ Nosi “.Ujërat termale të llixhave të Elbasanit klasifikohen si burime shumë të nxehta sulfurore që burojnë nga thellësi shumë të mëdha të nëntokës. Thellësia e formimit të tyre është afërsisht 12 km. Sasia mjaft e madhe e gazrave të rrezikshëm për shëndetin e njeriut,bën të pamundur përdorimin e ujit termal ashtu siç del nga burimi. Reduktimi i gazit do të sillte dhe reduktimin e elementëve kimikë, e për pasojë do të ulte cilësinë kurative të ujit. Për këtë arsye,trajtimi bëhet nëpërmjet banjave me vaska. Për të arritur temperaturën optimale të ujit termal, i cili arrin në impiant në temperaturën rreth 53 gradë Celsius, gjatë natës, një pjesë e sasisë së ujit depozitohet në basenet e ujit të ftohtë,ku ftohet deri në temperaturën e ambientit. Kjo sasi përzihet me ujin e nxehtë që vjen direkt nga burimi,në një sistem deposh që ndodhen ngjitur me baterinë e vaskave të banjës me ujë termal dhe kështu arrihet një temperaturë e afërt me atë të trupit të njeriut.
Para vitit 2000 llixhat e Elbasanit kishin vetëm 3 komplekse. Ndërsa sot veprojnë rreth 50 operatorë. Tregues ky që vërteton më së miri rritjen e kërkesave të popullsisë për këtë lloj shërbimi sa kurativ aq dhe shlodhës e relaksues.
No comments:
Post a Comment