Hashim Thaçi, Agim Çeku dhe Ramush Haradinaj janë tre ish-kryeministra të Republikës së Kosovës të cilët janë ndalur me flet-arreste nga Serbia.
Mirëpo, para disa ditësh me të njëjtën akuzë është ndaluar, e më pas i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë, Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçit.
Ai u arrestuar në vendkalimin kufitar në Konçul, në bazë të urdhër-arrestit të autoriteteve serbe për, siç thuhet, vepër penale të terrorizmit.
Fajin për këto arrestime, avokati i njohur kosovar, Tomë Gashi ia hedh përgjegjësve kryesor të politikës në vend.
Në një prononcim për “Indeksonline”, ai thotë se politikanët e nivelit të lartë të Kosovës, që janë ndaluar me flet-arreste nga Serbia prej 12 qershorit 99’, janë përkujdesur vetëm për mirëqenien e tyre. Sipas tij, pa përkujdesje ndërkombëtare këta gjithë do të ekstradoheshin dhe do të dënoheshin në Serbi.
“Kosova faktikisht ka dështuar që t’i përdorë mekanizmat ndërkombëtar që i kemi pas këtu prej 12 qershorit 99, duke përfshirë UNMIK-un, EULEX-in, OSBE dhe gjitha që kanë funksionuar për 17 vite.
Bashkësisë ndërkombëtare është dashur t’i bëhet me dije që ta detyrojë Serbinë që t’i heq urdhër-arrestet për ish-pjesëtarëve të UÇK-së për shkak se janë politikisht të motivuara dhe ka mekanizma tjera ndërkombëtar që mund ta vlerësojnë se eventualisht dikush ka mundur të jetë i involvuar në ndonjë vepër të rënd penale që ka ndodhur gjatë luftës”, është shprehur ai.
Më tej, avokati Gashi thotë se dështimi i politikës ka sjellë deri në arrestimin e komandantit të Policisë në Mitrovicë, mirëpo kanë qenë edhe raste të tjera kur janë poshtëruar zyrtarët policor duke u arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, në pjesën e Kosovës, nga xhandarmëria, respektivisht policia serbe.
“Ka pas edhe shumë raste të tjera kur shqiptarët janë kidnapuar dhe janë dërguar në Serbi dhe janë dënuar pas 12 qershorit 99’.
Ndërsa të vetme raste që neve na kanë mbetur në mendje janë ato të politikan të lartë; Ndalimi i Hashim Thaçit në Hungari për disa orë, ndalimi i Agim Çekut (si kryeministër) si dhe Ramush Haradinaj në Slloveni.
Tre ish-kryeministria të Kosovës janë ndalur me flet-arreste të Serbisë jashtë territorit të Kosovës dhe këta s’kanë bërë asgjë që e njëjta gjë mos t’ju ndodhë të tjerëve”, ka thënë ai.