Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka thënë se tenderët janë një burim i pashtershëm i aferave korruptive në Kosovë.
“Korrupsioni i imët nuk është problem në Kosovë. Ne kemi një polici rrugore jo të korruptuar, një mjekësi familjare primare jo të korruptuar. Problem janë tenderët, problem mbetet prokurimi publik, problem mbetet fusha ku zyrtarët e pandërgjegjshëm po tentojnë të përfitojnë shumë dhe shpejtë”, ka theksuar Preteni për “REL”.
Preteni thotë se janë investimet kapitale të cilat në shumicën e rasteve kanë dështuar për shkak të parregullsive në fushën e prokurimit publik.
Ekspertët në Kosovë thonë se niveli i lartë i korrupsionit në fushën e prokurimit publik vlerësohet të ketë pasur efekte negative edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ka shtuar se vetë përfaqësuesit e disa shoqatave ekonomike në Kosovë, kanë treguar se ka raste të shumta që bizneset ankohen për parregullsitë në fushën e tenderave.
Ai ka thënë se për dy mandate sa e ka drejtuar AKK’në, kjo agjenci ka bërë punë të pavarur dhe asnjëherë, sipas Pretenit, nuk është akuzuar për afërsi me pushtetin.
“Agjencia Kundër Korrupsionit është një institucion model në Kosovë, duke qenë e pavarur dhe e papolitizuar. Asnjë zyrtar nuk është pjesë e familjeve të liderëve partiakë dhe nuk ka familjarizim”, është shprehur ai.
Preteni ka bërë të ditur se pas largimit nga kreu i AKK’së, aktualisht është i papunë.
Ish Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni në një emisionin “Euro Tribuna”, ka thënë se për dhjetë vite punë në këtë agjenci në aspektin profesional nuk ka krijuar favore për askënd.
Preteni ka thënë se asnjë kallëzim penal nuk është bllokuar nga ana e tij, duke shtuar se ende ka kohë për tu pensionuar dhe normalisht që është duke shikuar që të gjej një punë tjetër.