NGA VASIL TABAKU
Shpresoj që një ditë Kosova të më jetë mirnjohëse për punën time krijues në adresë të Luftës dhe perpjekjeve të Kosovës për liri dhe pavarsi nëpërmjet krijimtarisë sime letrare dhe publicistike.
Kjo krijimtari fillon herët, në vitin 1978 kur isha student në fakultet, botova në revistën e atëherëshme letrare “NËNTORI” një poemë kushtuar Kosovës dhe përpjekjeve shekullore për liri, ishte një kohë kur edhe regjimi i diktaturës Komuniste të Partisë së Punës, nuk e inkurajonte krijimtarinë letrare për Kosovën.
Po kështu në të gjithë librat e mi me poezi të botuar si para viteve 1990 edhe pas viteve 1990 unë kam patur një kapitull më vete për Kosovën.
Në vitin 2006 botova romanin tim me titull “Baleti i drerit të plagosur” kushtuar luftës dhe përpjekjeve titanike të Kosovës për liri e pavarsi.
Në periudhën 1992 deri në vitin 1998 kam punuar gazetar I Ceshtjes Kombetare ne Televizionin Shtetëror Shqiptar, ku kam realizuar një cikël emisionesh dhe dokumentarësh kushtuar Cështjes së madhe te luftës së Kosovës dhe njerëzve të saj.
Përmend këtu Dokumentarin Televiziv kushtuar Ceshtjes së mbylljes së Universitetit të Prishtinës nga rregjimi diktatorial serb, po ashtu një dokumentar kushtuar mbylljes së Akademisë së Shkencave në Prishtinë nga Serbia, dokumentar kushtuar poetit dhe shkrimtarit qëndrestar Myrteza Nura ose sic quehj ndryshe Xaj Nura.
Dokumentar për kulturën Kosovare dhe përpjekjet e sajë për ti mbijetuar ASIMILIMIT SLLAV .
Etj.Etj.
Janë me dhjetra emisione Televizive dhe radiofonike kushtuar Kauzës së madhe të Luftës për liri të Kosovës.
Të gjitha këto dokumentarë dhe emisione janë në arkivin e RTSH.
Po ashtu janë me qindra analiza,shkrime dhe artikuj të botuar në shtypin periodik shqiptar për një periudhë prej 30 vitesh.
Dua të theksoj edhe ciklet e mi poetike të kohëve të fundit kushtuar Kosovës.
Të gjitha këto janë thjesht për një informim të miqëve të mi të nderuar të pendës , artit, kulturës dhe publicistikës në Prishtinë dhe në Tiranë.
Faleminderit.
***************
Vasil TABAKU (10.9.1953 - )
Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”.
Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.
Në vitin 1977 ka përfunduar Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.
Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.
Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:
- l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.
- 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
- 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.
-1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.
- 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.
- 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.
- 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.
- 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.
- 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.
- 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.
- 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.
- 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në Zvicër etj.
- 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet i papunë.
- Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.
SHKRIME, TRAJTESA E PUBLIKIME NË FUSHËN E PUBLICISTIKËS:
Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe:
“Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”, “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.
- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.
VEPRAT LETRARE:
1. “Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976.
2. “Në të gjitha ditët“, poezi, 1981.
3. “Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987.
4. “Ndërrimi i epokave“, studime, 1988.
5. “Bota në sytë e mi”, ese, 1990.
6. „Klithmë drite“, poezi, 1998.
7. “Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.
8. “Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.
9. “Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.
10. “Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.
11. “Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.
12. “Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.
13. ”Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.
14. “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën persishte, Teheran, 2004.
ËSHTË PREZANTUAR:
15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003.
16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”, Holzminde/Germany, 2003.
Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm që përmendëm më lart Vasil Tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjese e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njehë mirë italishten dhe rusishten.
Vasil Tabaku, jeton në Tiranë.
KOSOVA IME
Është ngjyra e gjakut shqiptar,
KOSOVA,
Klithma jone e lirisë
Dhe njgyrat e ëndërrës së madhe….
KOSOVA nuk preket
KOSOVA
është toka e shënjtë
Ku liria e vërtetë ka ndërtuar
Qytetet e magjishëm të gurit
Me malet
Prej shpirti tonë të dlirë
Nën retë e vuajtjeve tronditëse
Ku tragjeditë
Rendin
Mbi shpinën e murrëtyer të rrufeve
Nuk preket KOSOVA
Ndryshe
Përvëlohesh
Prej flakës së shenjtë të zemrimit tonë
Dhe DASHURISË së pamat
Asaj DASHURIE madhështore
Që përmes jetëve tona
Rilind shpresën dhe dritën
Mes horizonteve pa kufij
KOSËOVA është SHQIPËRI.
Është fjala ime e pathënë
Dhe betimi I kombit të shenjtë
Ndërtuar
mbi bjeshkët e betimit shqiptar
KOSOVA
Dashuria jonë prej kënge dhe drite
Prej puthjeje dhe përqafimi hyjnor,
Një uragan shprese dhe dashurie
Mbi krahët e shqiponjës që nuk ndalet…
KOSOVA
Dashuria ime e pajetuar
Dhimbja ime prej ajri dhe qielli
Zjarri I një malli që digjet
Mbi Botën e trazuar
KOSOVA
Puthja ime prej gjaku
Dhe përqafimi im prej mali
Mbi supet I mi
Pikojnë lotët e tu
prej ZONJE madhështore
Nëpër eterin e kesaj dite pa emër…
KOSOVË
Lokja ime e mirë,
e urtë dhe fisnike
Jam yti
Ashtu si dielli
zgjohet në gjirin e qiellit…
Jam yti
Dhe përjetë të jetëve
Do të jem yti KOSOVË…
DASHURISHT KOSOVA IME
Dashurisht Kosovë
Të bie në gjunjë
Prej dhimbjeve të thella
Sepse…kam parë
si përgjakeshin trendafilat e tu
dhe qiejtë
mbusheshin me petale të kuqe
jetët e bijëve të tu
derdheshin si uji
në zemrën e LIRISË
nënat që puthnin dhimbjen
vajzat e pamartuara
me puthjen të mbetur peng
mbi buzët e virgjëra
ku vdekja derdhte pakursim
ngjyrën e zezë…
sa shumë dhimbje
sa shumë dashurui të mbetura pezull
mbi pragje ëndërrash…
Sa shumë KOSOVË, ah sa shumë…
Ndaj askush të mos guxoj
Të luaj me lirinë
Me dhimbjen tënde
Të bërë bjeshkë e lart gjer në qiell
Unë dua të shoh në duart e tua
Monumentin e dashurisë
Zjarrin e dridhshëm të puthjeve
Mbi Prizëren, Pejë, Gajkovë dhe Prishtinë
Ndaj të them KOSOVA ime dashurisht
Je zemra ime e dashurisë…
TË IKËSH NGA ATDHEU…
Të ikësh…
Ku të ikësh
Me një qiell dhimbje
Mbi shpinën e kërrusur,
Me një brez rrugësh
Të thurur
Rreth mesit
Dhe një trëndafil
Të vyshkur
Në cep të syve
Ku lotët
Ujitin kopshtin e shpresës
Të ikësh
Për ku të ikësh
Mali im I vendlindjes
Kërrusur
Nën peshën e varfërisë
Me dhimbjen
Dhëmbshtërnguar
Dhe urinë e fëmijëve
Të mbetur peng
Në duart e ashpra
Plot plasaritje
Nga mungesa e punës…
Të ikësh
Po ku të ikësh
Kënga ime
E shndërruar
Në vajtim të heshtur…
Pas kam lënë shtëpinë
Me ëndrra të thara
Si degë pemësh të prera
Kam lënë varret
Dhe dashurinë time të parë
Puthjen e pafajshme
Dridhjet e supeve
Dhe dënesën e trishtë
Ku heshtja
Ndërton një çerdhe
Për zogjtë jetim..
Eh
Të iki
Po ku të iki
Rruga ime e fëmijërisë
Ku flenë ecjet e mia
dhe vrapimet
hapat e mi prej gjethesh
dhe plagët e trëndafilta
nga gurët e kalldrëmit…
Të iki
Po ku të iki
Shqipëria ime
Zonjë e madhe
Dhe fisnike…
Shqipëria ime e braktisur
Shqipëria imë e plagosur
Shqipëria ime e grabitur
Shqipëria ime e zhgënjyer
Shqipëria ime e bukur
Me vraga lotësh
Nëpër sytë e plasaritur
Nga pritja e gjatë
Shqipëria ime e mrekullueshme
Tradhtuar mizorisht nga politikanët…
Të iki
O Zot
Po ku të shkoj
Me këtë peshë dhimbjeje
dhe brengash pafund
Ku të ndalem
Në cilin shteg
Në cilën portë
Në cilën strehë…
Ah Shqipëria ime
Po iki
Me njërën dorë
Tek gjoksi yt amësor
Dhe dorën tjetër
Tek dhimbja jote e pafund…
Po iki
Shqipëria ime Shqipëri
Ti krenaria ime
Malli im i pashuar
Magjia e ëndrrës
Dhe mrekullia e shpresës…
Ah, po iki Shqipëria ime
Më fal
Për këtë ikje
Por nuk ka rrugë tjetër
Ka vetëm ikje…
Me fal Shqipëria ime
Dashuria dhe malli im
Shpresa dhe drita ime
Më fal Shqipëri…
PRISHTINA
Miqve te mi poet te Kosovës
Një toke
E bere prej shpirtit tim
Prej dhimbjes dhe krenarisë
Prej dritës dhe zjarrit te zemrës sonë…
Prishtine.
Emri I identitetit tim shqiptar
Fjala e dashurisë sime te madhe
Dhe puthja prej qielli
Ku përqafohen horizontet…
Kam rene ne gjunjë para teje
Qytet i lirisë.
Nëpër gurtë e rrugës
Lëmoj hapat e heronjëve
Jeta e tyre
Është shndërruar në buzëqeshjen tende
Na mallin tënd,
Në përqafimputhjen
Dhe lotëdritezimin tënd Prishtine…
Jam dashuria jote
Jam zëri yt prej pike loti
Dhe grimca lumturie pakufi
Jam zambaku i çelur ne kraharorin tend
Prishtine,
Frymëmarrja jote
Mbush qiejt
I jepe jete gjithë bijve te KOSOVES
Nëpër krahët e plagosur te rruzullit
Ata si zogjtë
Presin tu forcohen krahët
Për te rendur ne një fluturim pakthim
Drejt teje Prishtine…
Epokat
Shfletojnë horizontet
Si fletë te historisë
Përmes gjëmimeve te viteve
Gishtat e mi te druajtur
Shkruajnë kryeemrin e paqës
Prishtine…
KUMANOVË 2015
Një sulëm i pabesë i ushtrisë maqedonase
ndaj popullsisë shqiptare në Kumanovë
Pse ma vratë dhimbjen?
Ngjyra e gjakut
Është bërë
E kuqja e dridhshme
E ditës
Me emrin KUMANOVË…
Petale
Trëndafilash të gjaktë
Mbi plagët e mia
Prej shqiptari
Të prerë në besë..
Ku është
Buza e përzhitur e lirisë
Lotët e shiut
Dhe buzëqeshja e vrarë
E dashurisë sime
Të mbetur peng
Në rrënojat e dhimbjes
Ku qyteti që flet shqip
Që ëndërron shqip
Që këndon shqip
Që dashuron shqip
Që jeton shqip
Qyteti që zemrën e ka shqiptare
Sytë me dritë Shqipërie
Me krenari shqiptare
Dhe trimëri shqiptare
KUMANOVA
Më sytë nga drita e LIRISË
Atje
Ku zgjohen
Ditët me frymë Shqipërie
Të puth qytetit im
Më fal që nuk munda
Të ti ndalja plagët e hapura
Nga plumbat e pabesisë
Dhe pabesia e njerëzve
Të vdekjes së trishtë
Me emër të huaj të shkisë..
Më fal KUMANOVË
Që nuk munda
Të ndal rrjedhjen e gjakut
Dhe të çel gjithë lulet
Për dashurinë tënde të madhe
Që di të flas vetëm shqip…
EDHE QIEJTË GJUNJËZOHEN…
…sepse zëri im
Udhëton
Mbi shpinën e rrufeve
Nëpër rrugët e muzgjeve
Ku qajnë dashuritë…
Bota
Është ndërtuar
Prej gurëve të zjarrtë të yjeve
Dhe puthjet tona
Rendin këmbëzbathur
Mbi drithërimat e vetëtimave
Me përqafime zjarri
Ku pak nga pak
Digjet heshtja e virgjër
Mes mijëra dashurive
Unë
Njoha buzët e tua të trëndafilta
Që prisnin aty
Ndoshta që nga përtejjeta
Nga përtejdashuria
Dhe zgjonin stuhitë e puthjeve…
Ne nuk e denim
Dashuria jonë
Ishte djepvarri ynë
Dhimbjeëndërra jonë
Dhe dëshpërimi
I ngritur në një vargmal vuajtjesh
Përtej durimit dhe forcës
Përtej shpresës
Nën ylberet e shndërritshme
Të pasioneve të përflakura…
Nuk e dinim
Se jeta jonë
Liria e shpirtit rebel
dhe guximi barbar
përgjoheshin
nga sytë zezanëve
të veshur me pushtet
perandorë të pakurorëzuar
O Zot!
Përse e gjithë kjo…
Ne vinim
Nga fushat e pafund të lirisë
Ku kuajt e azdisur të puthjeve
Pushtonin hapësirat e pafund
Të pasioneve të marra
Dhimbje krenarë
Që nuk njohin asnjë pushtet
Dhe perandori…
Ne jemi dashuria
Jemi liria
Dhe qiejt madhështor
Ku zgjohen gjithë mrekullitë…
Jemi triumfi i të kaltrës
Magjia e të kuqes së trëndafilit
Dhe perëndia e përqafimit….
SHPIRT GRUAJE
…sepse buzëqeshja
E ka burimin
Tek puthja jote e trëndafiltë…
Një krua zërash
Derdhet mbi supet e mi
Fjalë të shndërritshme,
Me kristale drite
belbëzime magjike
nën ofshamën e kaltër
të zambakut që çelë
në kraharorin tënd dehës…
…sepse aty
Përkulen edhe Perënditë
Gjunjëzohem unë
Duke pritur
Bekimin e puthjes….
Gjithçka
Mbanë psherëtimë gruaje
Përkëdheli pafund
Një lëndinë ledhatimesh
Dhe drita shpërthyese
E qiejve të dashuruar…
Shpirt i madh gruaje
Ku Bota
Ka zbuluar
Folenë e vet magjike
Shpir gruaje
Ku rënkojnë oqeanet
Dhe shpërthejnë detet
Ndërsa gjithë krojet e Botës
Derdhen
Nëpër trupin tënd skllavërues…
Jam rob i kurmit tënd mahnitës
Ndër duart e mia
Zgjohen të trembur
Pëllumbat e bardhë të gjinjve
Duart e tua prej ëndrre
Më prangosin
Me përqafime
Ndërsa ti më thua,
Mos ik
Rri i dashur
Rrime mua
Gjersa të thinjet me ne dashuria,
Mos ik
Eja të zgjojmë fëmijët
Nga puthjet tona
Të ndërtojmë Botën
Dhe të bëjmë të lumtur
Vet LUMTURINË
Eja më thua
Mos ik
Mos e braktis
Këtë shpirt të bukur gruaje
Jepi vlerë dhe kuptim
Natës sonë të dashurisë
Dhe falëm qiejt
Për të prerë
Fustanet e mi të marrëszisë…
Eja,
Mos ik
Bëhu Zot i këtij shpirti gruaje
Ngrihe dhimbjen time
Mbi malet e trishtë
Dhe falëm vetëm dashuri…
HYRJA E PRANVERËS
Nga gëmusha e bleruar
U ngrit zogu
Dhe nga krahët
Shkundi dimrin.
Marsi
Me mijëra manushaqe
Puthi tonën…
Me një lirikë
Pranverën putha edhe unë…
Gëzuash pranverë
Afshi yt
Është në çeljen e luleshqerrës
Në biqet e grurit
Dhe bisqet e pemës
Në frymëmarrjen e blerimit
Në receptorin ku telefonon kjo vajzë
Adresën time të largët veriore…
Është në kopshtin e këtyre fëmijëve
Që emrin tënd
Cicërojnë brenda një vjershe.
Frymëmarrja jote pranverë
Është në dashurinë e ushtarit
Që në jakën e kapotës
Mban të çelur një burbuqe
Afshi yt është kudo stinë ripërtëritëse…
POEZIA E NËNËS
Retë dridhen lehtë përmbi hënë
Si shamia jote përmbi thinja
Paske dalë t’më presësh
Paske dalë mok e mira nënë,
Me njërën dorë nga gëzimi
Harruar tek zemra…
Paske dalë,
Buza ç’tu dridhka prej mallit…
Ç’mendon ashtu moj e mirë
Ç’mendon?…
Mos valle dhimbjet e ditëve te largëta…
Si rrezja
Fijen e njomë të barit
Më rrite
Ngrohtësia jote
U bë dashuria ime…
Puthjet e tua
Ëndrrat e mia
Dhe qumështi yt
Janë vet jeta
Vet dashuria…
FËMIJËRIA
Macja
Që loz
Me lëmshin e kaltër të mbesës
Nuk shthur thjeshtë një lëmsh
Kujtimet e mia zgjidh,
Fijet e jetës
Shpleks lehtë-lehtë,
Ditët e para të fëmijërisë…
Ditët e para të rritjes,
Këmbët e vrara nga gurët,
Këmishën e zbardhur
Varur në gardh…
Festa e abetares
Rrepa dhe gjyshi i bardhë
Një këngë e sapo mësuar
Tek fluturonte mbi gjithë kopshtin
Një pushkë druri sipër tavolinës
Me inicialet e gdhendura të emrit tim
Dhe një flamur i vogël
Në duart e mia…
U rritëm kaq shpejt…
Po fëmijëria
Më duket sikur
Zgjuar,
Gjithë zëra, prapa derës është…
Loz macja
Loz edhe mbesa ime Shpresa
Ngadalë lëmshin e kaltër mbledhin
Ngadalë sikur druhen
Mos fëmijërinë time trembin…
URA E QABESË
(Baladë)
Urë e largët në Lindje
Urë me gurë të mëdhenj
Nxirë si muzgje
Me shpinën shekullore
Kërrusur nga pasha e qindra ushtrive…
Ushtri që dynden drejt Orientit
Mbytur në zheg e pluhur.
Duke mbartur mbi vite
Peshën qiklopike të tragjedive…
Bir i Shqipërisë
Kaloi mbi ty
Mbi ty treti rininë
Nën flamuj e klithma të huaja
Poshtë qiellit zhuritës
Të saharasë së vdekjes
Urë e Qabesë
Si hyre kështu në këngët tona
Në pikën e lotit të nënave
Në ëndrrat e brishta të vajzave
Në dridhjen e buzëve që thaheshin,
Ndërsa në krahët e grave
Mbetej emri i nizamit pa varr?…
Urë e Qabesë
Kënga jote e zezë
Këndohej si himn i dhimbjes
Nën çati prej kashte
Rrënuar nga pritja…
Oh, mallkuar qofshin
Gjithë luftërat e pafund!
Ushtari i varrosur atje larg
Thërriste i trishtuar…
mbeç more shokë mbeç…
Eh moj urë e zezë
E zeza urë
Mbi shpinën tënde
Gjithë gunga ngrënë nga ikja
Si deve e gjymtuar në shkretëtirë
Nuk ngrihen më re pluhuri
Nga këmbët dhe arabatë
Ti mbete e varrosur brenda këngëve
Monument dhimbjeje
Por arkitektura jote e shëmtuar
Rishfaqet nga shekulli në shekull
Në imagjinatën e kombeve…
VLORA
(Baladë)
Ecnin, ecnin ata trima
Në luftë drejt Jugut shkonin
Edhe këngën “Vlora… Vlora”
Ndezur epope këndonin.
Ndezur epope këndonte
Edhe trimi gunëbardhë
Si ortek zemërimi zbriste
Të rreptët male radhë radhë.
Zbriste malet radhë radhë
Në ballë puthja seç i digjte
Puthje vashës atje larg
Si e dashurisë lulëkuqe
“Vlora…Vlora…Vlor’ e rrallë”
Ç’janë gjithë këta dasmorë
Me flamur ç’po ndodh vallë,
Deti ç’ka që nxinë moj Vlorë?
Oh nxin deti me dushmanë
Mbushur plotë me gjëmime,
lulet janë trazuar me plagë
seç u skuq pranvera ime…
tufa lulesh mbi të rënët
një zambak plag’ e Selamit
gunën lart çonin erërat
rënë mbi telat e dushmanit.
Rënë mbi telat e dushmanit
Heshtëte zemër e djaloshit
Pushk’ e nxehtë poshtë shkëmbit
Me vështrim përtej detit
Me vështrimin lart mbi det
U përkul një çast dielli
“Vlora… Vlora…” çeli buzët
Dhe pastaj përgjithmon’ fjeti
Fjeti trimi përgjithmonë
Atje larg e priste vajza
Me një grusht të bukur ëndrrash
Me një grusht ëndrrash të bardha…
Po veç shiu me ngadalë
Vinte tej nga perëndimi
E pikonte shkëmb e mal
Lot ’ paprerë hidhërimi
Bashkë me emrin e trimit
Stuhi erdhi vetë kënga
U ngrit mbi shiun e pikëllimit
Zjarr gjëmoi : “Vlora… Vlora…”
VALLJA E TRIMËRISË
(Kur i thanë Hamkos nënës së njërit prej trimave të Rrapo Hekalit se djali i saj ka rënë në male, ajo hoqi shaminë nga koka dhe nisi një valle që sot në Mallakastër e quajnë “Vallja e trimërisë”)
Hankua ish e lehtë si gjethi n’valle
Vajzat pas këngës vinin radhë radhë
Belin e hajthëm këputnin ngadalë
Herë ndezur flakë herë shtruar, shtruar…
Çelnin këngët nga gjoks’ i saj
Çelnin zemrat e vajzave për trimat
Plot dashurit’ ua jepnin pastaj
Djemve të fshatit si vetëtimat.
Një dit’ hanko stuhi doli në valle
Degët e çelura rrept tundnin pemët
Gonxhet pikonin lot ngjyrë alle
Ndërsa zi të dridhshme mbanin këngët
Larg në male kish rënë komiti
Pas istikamit kish heshtur një pushkë
Një rrëkezë gjaku nga shkëmbi zbriti
Dhe Flamuri ishte bërë i kuq prush…
Hankua e hoqi të bardhën shami
Mbi supe iu derdhën flokët e bardhë
Mbi dhimbjen u ngrit stuhi
Në vallen e trimit, gruaja e rrallë…
VJOLLCA
(Motrës)
Vjollca, Vjollca
Thirra tek dritarja e hapur
Dhe prita
Si atëherë të nderje gërshetat jashtë
Të rendnim nëpër kopsht
Në flok
Të të hidhja një grusht me xixëllonja
E gjer në lodhje
Të rendnim me zogjtë…
Ti kishe ikur
Rrugëve të jetës
Duke marrë me vete
Mallin tim
Gërshetat e bukur
Dhe dashurinë…
Në krahët e lumturisë
Qeshje me zë prej gruaje….
Është e vërtetë,
Ti një ditë
Do të ikje
Por nuk duhet të harrosh
Dritaren tonë Vjollca
Dritaren nga shikonim botën…
As kopshtin e vogël
Dhe rrugën tonë prej trëndafilash…
Zërat tanë
Rendin
Me mbresa drite mbi supe
Nëpër hapësirat e qytetit
Që ne të dy
Ndërtonim dikur
Në arkitekturën naive
të imagjinatës sonë…
GJITHMONË MBETET DIÇKA
Gjithmonë
Mbetet diçka mes nesh
Gjurmët e lodhjes
Dhe fytyra e lumturisë
Nga një grumbull zhavorri
E gurësh
Mbin një qytet…
Mbi egërsinë prej uji
Të një lumi
Ngrihet dritë
Mbi ashpërsinë e gjelbër
Të një mali
Mxherrim bukë
E mbi vitet që ikin dhe ikin
Lëmë zërin tonë…
DITA E NJË SHTATORIT
(Enkelejdës 6 vjeçare)
Është i pafund numri i luleve
Emrat e tyre, të panumërt janë
Ashtu si emrat e gjithë fëmijëve
Që sot ulen në bagën e parë…
Ngjyrat e luleve janë të shumta
Si ëndrrat tuaja o gjashtëvjeçarë
Aty ku fillon të hedh hapin A-ja
Krahët tuaj, fluturim kanë marrë.
Është ngritja juaj e dytë në këmbë
Rrugë e germave që të çon në jetë
Këtej janë nisur të gjithë nga kjo bangë
Të gjithë – heronj dhe njerëz të thjeshtë…
PASQYRIM
Saranda
Vajzë gazmore
E porsa zgjuar
Para pasqyrës së dridhshme të Jonit
Ri e drojtur
Me agrumet e shpleksura
Tek ia krehin erërat
Me kaktuset e gjelbërt si qerpik
Dhe diellin
Ndalur ngrohtësisht si buzëqeshje
Mbi buzët ku fle puthja…
Kështu e pash këtë mëngjes Sarandën
Në pasqyrën e kthjelltë të detit
Portin e vogël
Me anijet ngarkuar me grurë dhe agrume
Dhe pallatet
Tek shtohen
Si çerdhet e pranverës
Rrugët e saj
Si një maratonë ëndrrash
Dhe shkallaret e blerta me gjelbërim
Ndërtuar
Nga dashuria e të rinjve…
Përgatiti :F.Bruqi
-------------------------------------
Përgatiti :F.Bruqi
-------------------------------------
Vasil Tabaku: Në Shqipëri nuk ka kritikë letrare, në vend të saj ka disa “qoka”
Shkrimtari dhe publicisti, Vasil Tabaku është autor i disa librave në disa gjini si poezi, prozë, publicistikë, analiza e ese me të cilat ai tashmë ka krijuar influencën e tij në letrat shqipe dhe publicistikën shqiptare dhe ballkanike. Vasil Tabaku, duket si një personazh që sikur vjen nga “Muzeu Historik i EPOKAVE”, zërin e kontributin e tij e kini dëgjuar jo vetëm në emisionet Radiofonike por edhe në RTSH. Por ajo ç’ka e bën atë të shquar,- ai ka rekord botimesh rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare. Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm e të larmishme, lart Vasil Tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjesë e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njeh mirë italishten dhe rusishten. Në këtë bisedë, shkrimtari, poeti, publicisti dhe gazetari veteran i RTSH dhe aktualisht në ATSH, -Vasil TABAKU flet për veten dhe krijimtarinë e tij.
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Ju jeni një nga shkrimtarët pionierë të letrave shqip. Kalimi juaj i suksesshëm nga mësues në poet, prozator publicist e gazetar. Ç’mund të na thoni si filloi karriera tuaj shumë dimensionale? Si u gjendët në këtë “udhëtim” të bukur e mbresëlënës?
– …eh po ju më thoni të kthej kokën pas…natyrisht, kur njeriu ecën e ecën, dikur ndalet dhe kthen kokën. Ja, tej diku është buzëqeshja ime prej gjimnazisti, fytyra ime e çiltër dhe naive… një poezi e vogël lirike,,naive e vibruese, shkruar fshehtas mësuesit të letërsisë …Druajtje, ëndrra, net pa gjumë dhe…dështime të natyrshme. Ajo poezi nuk u lexua kurrë nga asnjë, por ama ishte poezia ime e parë…” Me fustanin prej drite të Hënës,me buzëqeshjen prej luleve të mollës,kalove ti mes për mes ëndrrës, dhe humbe ashtu siç humbet flukëza e dëborës…” Kjo bëri që unë të shkruaja pastaj e të shkruaja pambarim. Filloj kështu një maratonë e poezisë, që më bënë të ndjehem gjallë edhe sot. Ndërsa kur mbarova fakultetin dhe isha mësues në fshatin Ninësh të Mallakastrës, isha autor i një libri poetik. Kisha botuar që student vëllimin poetik “Hyrja e Pranverës” dhe ndërkohë kisha botuar dhe shkrime publicistike tek gazeta “Zëri i Rinisë” apo gazeta “Drita” duke i dhënë kështu vetes edhe një mundësi tjetër krijuese, atë të publicistikës. Sa e bukur aq dhe e vështirë, shpesh duhej të përshtateshe, të shkruaje duke anashkaluar problemet, në të kundërtën, duhej të përballeshe me një trysni politike, pa e kuptuar as vet shndërroheshe në “armik i klasës”. Pra ishin vitet 1977-1978 ku unë një mësues fshati isha edhe poet edhe gazetar, ose me saktë korrespondent i “Zërit të Rinisë” në Mallakastër dhe Fier. Në Ballsh ishte duke u ndërtuar Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës, një kantier i madh pune, isha si të thuash atëherë kronisti i kësaj vepre të madhe industriale duke botuar reportazhe dhe shkrime në shumë gazeta të kohës …Ishte vërtet bukur por dhe e vështirë… Por duhet të them se në Mallakastër pata një stinë të begatë krijimtarie poetike ku botova edhe dy libra të tjerë poetikë, librin “Në të gjitha ditët” dhe librin tjetër “Me këngën time dhe jetën”. E kuptova që tashmë ishte nisur një rrugë pakthim, poezia dhe publicistika…Dy bashkudhëtare të cilat nuk m’u ndanë asnjëherë gjatë gjithë jetës… Ah, edhe diçka…Në Mallakastër njoha dhe Resmën…vajzën që do të shndërrohej në Muzën time të fuqishme të poezisë së mëpastajme. Resma ishte për mua dashuria dhe jeta, ëndrra dhe drita, shpresa dhe familja. Resma ishte një realitet magjik që po e prekja për herë të parë e do të shëndrrohej për mua në një mit, himn i shpirtit të madh e të bukur të femrës…
Mu kujtua shprehja e shkrimtarit të madh, Stefan King, kur e pyetën: “Se si mund të bëhesh shkrimtar. Ai iu përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni çdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra”. A ndani të njëjtën filozofi me të?
Po, do të thosha se është më tepër një sentencë se sa një rrëfim për procedurën e krijimit letrar…Të bëhesh shkrimtar? Pak e vështirë t’i pergjigjesh. Të shkruarit nuk është artizanat, zeje apo profesion…Jo të shkruarit është së pari frymë, gjendje dhe e lindur bashkë me artistin. Kam bindjen se mund të mbarosh disa shkolla dhe fakultete, por kurrë nuk mund të mësosh si të shkruash…Të shkruarit, vjen, nuk fitohet, Të shkruarit ndoshta është magji…Mbase…Stefan King, ka të drejtë..mbase…Nuk them se jam perfekt në këtë përgjigje, por gjithsesi kështu mendoj dhe…
Ju jeni prozator; romane novela, tregime esse, ….Tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i dhjetëra librave. Çfarë mendoni se ka mbetur konstante?
Asgjë nuk mbetet konstante. Gjithçka është në ndryshim të vazhdueshëm. Krijimtaria i ngjan një vullkani në errupsion të plotë. Cdo libër është një destinacion, ndryshe mund të them një qytet, që ti si shkrimtar në rrugëtimin tënd krijues, tashmë e ke arritur, e ke krijuar, e ke eksploruar, e ke bërë tëndin dhe pastaj ikën. Ikën se nuk mund të rrish aty përjetësisht, pasi do të shkruash librin tjetër. Dhe krijimi i një libri tjetër është një tjetër gjendje, një tjetër performancë, një tjetër botë një tjetër frymë…Ndryshimi është thelbi i krijimtarisë. Qyteti nga qyteti ndryshon ashtu si libri nga libri, roman, poezi, ese, publicistikë…dhe ti si një ZOT, i vështron nga sipër dhe kuptohet, nuk je i kënaqur. Do të doje t’i prishje dhe t’i bëje nga e para, por kjo jo gjithmonë është e mundur. Megjithatë, pikërisht ky ndryshim, kjo mosngjashmëri dhe asnjëherë konstante e bën letërsinë univers të larmishëm dhe të magjishme, të bukur dhe tërheqëse. Letërsia është perandoria e ndryshimit dhe e së ndryshmes…
Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Romani im “Baleti i drerit të plagosur” është më tepër fryti i realiteti. Ai është rrëfim artistik për luftën dhe paqen në Kosovë. Unë si shkrimtar,artist dhe publicist e përjetova thellë këtë luftë në vendin e Dardanisë, truallit mitik të legjendave dhe mbi të gjitha të Eposit të Kreshnikëve. Pata si të thuash afeksion të menjëhershëm. U elektrizova. Kjo mbase nga ndjeshmëritë e mia më të hershme. Në periudhën e viteve ‘90 deri në ‘98–ën, unë isha gazetar në Radio Televizionin Shqiptar dhe aty arrita të realizoj një sërë emisionesh televizive të drejtpërdrejtë për Kosovën, përpjekjet dhe luftën e madhe për liri. Po ashtu realizova disa filma dokumentarë për ngjarje dhe emra të njohur të Kosovës. Kjo e rriti mjaft ndjeshmërinë time si krijues dhe unë tashmë isha i gatshëm për një vepër më madhore. Romanin. I gjithë shkrimi i romanit si vepër për mua ishte nga sfidat më të mëdha të jetës sime…O Zot! Po kishim dëgjuar aq ngjarje dhe ndodhi, bëma heroike dhe tragjedi, makabritete dhe vepra të llahtarshme të genocidit serb në gjithë Kosovën. E pra në shënimet e mia si gazetar, në blloqet e mi dhe diktofonat, kishte shumë dhimbje, klithma, britma njerëzore, përdhunime masive, të femrave të pambrojtura. Vrasje të përbindshme dhe tortura…Dhe kuptohet, unë tashmë isha i mbushur gjer në shpërthim. Si mund të heshtja, si mund të mos ulërija…pra në rastin tim si të mos shkruaja…Dhe e shkrova romanin thuajse për një vit, pastaj m’u desh të përballesha me përpunimin e gjatë. Në roman ka skena makabre, përdhunimi, torturash, vrasjesh dhe shkeljesh të paprecedentë të të drejtave njerëzore. Natyrisht, për të mos e shndërruar veprën rimë në një libër thjesht tmerri m’u desh të hiqja shumë skena të paimagjinueshme krimesh. Skena të cilat unë i kisha marrë direkt nga realiteti i paimagjinueshëm i genocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë…Në shpirt kisha një pezm të rëndë…Isha shumë borxhli ndaj Kosovës dhe shqiptarëve atje…Romani rrinte si dhimbja pa emër brenda ndërgjegjes sime. Isha midis realitetit dhe fantazisë. Përpara atij realiteti, fantazia ime si krijues ishte tepër e varfër…realiteti i luftës në Kosovë ishte mbi çdo fantazi, sado e madhe dhe e shfrenuar të ishte ajo…Atëherë unë lashë vetëm skenat reale të krimeve të serbëve, lashë realitetin e shndërruar me shumë dhimbje në art e në letërsi. Ky është romani im për Kosovën “Baleti i drerit të plagosur” me shënimin në faqe të parë “Këtë roman ja kushtoj miqve të mi poetë të Kosovës…”
Çfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi? A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë?
Nuk mund të them se kam frymëzim të veçantë, sepse gjendja e të shkruarit është situatë tepër e pashpjegueshme, inkandeshencë e shpirtit dhe mendimit…Kur shkruan, (të paktën si e ndjej unë brenda vehtes) është gjendje transi…pse jo dhe magjie. Është universi i talentit njerëzor që triumfon mbi ndërgjegjen duke dhënë produktin e krijimit poetik…
Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Shiko, poezia ka një specifikë…ajo nuk shkruhet kur do ti, por kur do ajo (pra poezia), ajo vjen atëherë kur ti nuk e pret, pra nuk e parashikon, në studio, natyrë apo kafe…eh, po unë do të thosha thjeshtë, -Poezia është trilli më i bukur njerëzor. Shumicën e poezive i kam shkruar duke ecur, pastaj jam ulur e i kam hedhur në letër…
Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Muza…Nuk besoj se do ketë, kush aftësinë për ta shpjeguar. Muza lind,shpërthen dhe materializohet në mënyrë magjike. E vetmja fjalë që mund ta shpjegoj muzën mendoj se është fjala e mistershme MAGJI. Muza është magji. Poeti përjeton gjendje vërtetë të mistershme dhe tepër të veçantë, fjalët nuk dalin nga gjuha, por ato gurgullojnë nga shpirti i poetit, dergjen plot dritë e ngjyra nëpër qiellin e madh të poezisë për t’u shndërruar në këngë të mrekullueshme ku jeta është vërtet e magjishme. Kështu është poezia, e bukur, e mistershme dhe marramendëse…
Ju shkruani poezi dhe prozë? Cili ka qenë poezia, tregimi apo novela tuaj e parë?
E para, mbase poezia, e cila tashmë ka humbur në stuhinë time krijuese. Libri im i parë është libri poetik “Hyrja e pranverës”. Isha ende student në fakultetin e Gjuhë–Letërsisë dhe ju them sinqerisht që ka qenë ndër ditët e mia më të bukura. Kopjen e parë të sapo dalë nga shtypshkronja, ma ka sjellë shkrimtari i madh Jakov Xoxa, kushëri i nënës sime. Dhe mua m’u duk sikur më solli vet botën, jam përlotur, më pas erdhën me radhë librat e tjerë.
Kam shfletuar me interes të veçantë librat tuaj studimore, shkrime trajtesa, analiza politike, kritikë letrare e publikime në fushën e publicistikës. Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?
Është padyshim harxh i madh që shkrimtari, artisti dhe publicisti i paguan pavarësisë intelektuale. Që të mos mbetesh peng i asnjërës e në këtë rast pavarësisë së të shkruarit dhe padyshim lirisë së të menduarit, duhet të jesh shumë i sinqertë me lexuesin, të mos e bësh atë palë, pra të mos e imponosh që ai të mendoj si ti që shkruan, por të mendoj i lirë dhe të gjykoj po aq i lirë, pavarësisht preferencave të tua politike. Në Shqipërinë e kohës sime kjo thuajse është utopi, pra tërësisht e pamundur. Veçanërisht në librat e mi eseistikë dhe me sfond politik, unë nuk do të thosha se jam SHENJT, më besoni që kam qenë tepër realist dhe i hapur. Unë i përkas asaj kategorie krijuesish që i besojmë shumë DEMOKRACISË, dhe natyrisht, liria ka qenë kështu BIBLA ime e krijimit…
A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore, social-politike e historike?
Po kjo mendoj se i ndodh shumë krijuesve. Në fund të fundit artisti dhe shkrimtari janë produkte sociale dhe si të tillë ata nuk mund të mos preken nga “virusi” i kohës në të cilën ata jetojnë. Duke qenë të tillë, padyshim janë tepër të brishtë e delikatë. Ndaj ata meritojnë gjithë përkujdesin e mbrojtjen e vet shoqërisë ku jeton, pasi unë do të thosha pa ndrojtje se shkrimtarët dhe artistët janë PASURI KOMBËTARE.
Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari, si një nga gazetarët më aktivë në mediat e vendit.. Edhe si folës në radio, TV, edhe si kryeredaktor në disa organe të shtypit shqiptar. Keni botuar rreth 5450 shkrime publicistikë, analiza politike, sociale, si dhe shkrime të veçanta studimore në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj të emisioneve të lajmeve dhe artikujve publicistikë?
Nuk di se si mund ti ndaj…pasi janë shumë, natyrisht është një kohë shtrirje e gjatë. Por unë do të sjell këtu një moment vërtetë të veçantë. Isha gazetar në Televizionin Shqiptar, aty nga viti 1996. Punoja për një emision të zgjeruar për Kosovën, mbylljen nga Serbia të Universitetit të Prishtinës. Një rast i jashtëzakonshëm dhe tepër tronditës. Emisioni do të ishte i drejtpërdrejt në transmetim satelitor në gjithë Europën,natyrisht për të sensibilizuar botën e Perëndimit për këtë rast tipik diktatorial të Millosheviçit. Kisha shumë pak materiale dhe një mik nga Prishtina, për të më prurë materiale për emisionin televiziv, së bashku m dy djem të rinj udhëtuan përmes dimrit (ishte muaji shkurt 1996 duke kaluar ilegalisht kufirin nëpër male sepse nuk i lejonte regjimi i egër i Millosheviçit të vinin në Shqipëri nga Kosova.) Pas një udhëtimi prej dy ditësh ilegalisht nëpër male, tre miqtë e mi nga Prishtina erdhën në Tiranë. Ishte mëngjes dhe para RTV Shqiptar rrinin tre njerëz të lodhur, të parruar, por tepër optimist, që më në fund kishin mundur të vinin dhe të takoni gazetarin e TVSH Vasil Tabakun, duke prurë materiale vërtetë të rralla. O Zot, kam shtangur. Ata të mobiluar nga një frymë e shenjtë lirie kishin sfiduar vdekjen e sigurtë, kalimin ilegal të kufirit dhe dimrin e egër të Alpeve. I pushtova si tre njerëzit e mi më të shtrenjtë dhe sytë e mi ishin të mbushur me lot…
…..që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni dhënë lajmet për herë të parë”?
Lajmet…Është tepër e vështirë ti shpjegosh disa gjëra. Të transmetosh lajmin tek të tjerët është një ndjesi e bukur por dhe emocionuese, me përgjegjësi natyrisht…Në studion e Radio Kontaktit jepja edicionin e lajmeve me dy gazetare të njohura tashmë, Elona Meço dhe Eva Simoni. Kishte ndodhur diçka e pazakontë në tunelet e Krrabës ishte vjedhur floriri i depozituar për Thesarin e Shtetit. Nuk isha informuar më parë me lajmet isha ulur në pult bashkë me Eva Simonin dhe po lexoja lajmin se ishte kapur grabitësi, një fshatar me gomarin të ngarkuar me dy kosha me flori. Papritur shpërtheva në të qeshura të papërmbajtshme, ishim në transmetim të drejtpërdrejt…Po ç’të bësh edhe gazetarët njerëz janë…Si mund ta besoja që Thesari i Shteti ishte vjedhur nga një fshatar me gomarin e tij…Në një kohë kur ne në lajme lexonim deklaratat e qeverisë së kohës se “tunelet e floririt ishin të super mbrojtur dhe super ruajtur…”
A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetar? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur që ju zgjodhët të jeni edhe gazetar?
Gazetarinë e kam përjetuar herët, që student. Për arsye ekonomike, për të siguruar bursën për të vazhduar shkollën e lartë, kam punuar si korrespondent i “Zërit të Rinisë”por edhe i gazetave të tjera si Zëri i Popullit” apo “Bashkimi” dhe më tepër si gazetar me reportazhe për aksionistët nëpër hekurudhat që ndërtoheshin aso kohe si Elbasan –Librazhd dhe Fier – Ballsh. Ka qenë periudhë mjaft e bukur, intensive dhe e lodhshme, pasi njëherësh duhej të përballoja dhe studimet, leksionet dhe provimet. Megjithatë them se po të mos ishte nevoja ime e madhe ekonomike, ndoshta do të kisha qëndruar larg gazetarisë, por tashmë unë kisha hyrë kokë e këmbë në detin e gazetarisë, nuk dilja dot më pasi shumë gjëra tek unë ishin shndërruar në pasion…
A mendoni se “OLD TIMES” rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërisë, krahasuar me audiencën e viteve ’80, kur ju jepnit lajmet?
Gjithsesi ndryshimi është sa thelbësor aq dhe cilësor. Në këtë rast krahasimi mendoj se është shumë domethënës. Tashmë LAJMI, ka fituar më tepër hapësirë, më shumë intensitet dhe vjen mjaft shpejt drejt audiencës apo lexuesit. “OLD TIMES” është padyshim një revolucion teknologjik mjaft cilësor por dhe mjaft i efekshëm krahasuar me dinamikën dhe shpejtësinë e emetimit të LAJMIT në vitet ’80 apo dhe fillimit të viteve ‘90 kur unë isha gazetar televiziv apo dhe radiofonik. Padyshim që audienca e sotme mendoj se është më e madhe por edhe më e informuar, kjo falë teknologjisë dixhitale por edhe emancipimit tërësor të vet LAJMIT dhe gazetarisë shqiptare. Gazetari i viteve ‘80 përveç censurës kishte dhe autocensurën, e cila sikundër dihet i rrinte si një “shpatë Demokleu” mbi kokë, ndërsa sot, gazetarët veç formimit akademik tejet të avancuar kanë mundësinë e trajnimeve nëpër mediat prestigjioze perëndimore por edhe vjeljen e një përvoje mjaft profesionale nga kolegë të ndryshëm si në rajon, në Europë apo dhe SHBA.
Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato ç’ka ju keni lexuar, dhënë lajme apo vënë re?
Së pari dua të theksoj faktin se dallimet janë ende esenciale e në ndonjë rast edhe tepër dalluese. E kam fjalën në krahasimin me mediat perëndimore. Gazetaria shqiptare pas viteve ’90, përjetoj një rilindje, një transformim mjaft rrënjësor. Mjafton të flasim këtu për lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, dy nga vlerat kryesorë që i kishin munguar tërësisht medias shqiptare nën diktaturë për më tepër se 45 vjet. Pikërisht këtu fillon dhe rilindja mediatike shqiptare, por edhe ajo ballkanike, pasi dhe Ballkani kishte po të njëjtat probleme si dhe Shqipëria. Kujtojmë këtu ish-Jugosllavinë, Bullgarinë apo shtete të tjera ballkanike. Gazetaria shqiptare pas viteve ’90 fitoj një dimension të ri: – lirinë e shprehjes dhe lirinë mediatike, e cila natyrisht pati dhe keqpërdorimet e saj, pse jo dhe deformime të dukshme. Një pjesë e mediave në Shqipëri, ende vazhdojnë të jenë të ndërvarura nga qarqe të caktuara politike apo dhe nga pronarë të politizuar, gjë e cila ka krijuar shpesh edhe debate, por më së shumti deformime të vërtetësisë së lajmit apo dhe qëndrime subjektive. Megjithatë, unë mendoj edhe pse gazetaria shqiptare ende ka probleme të raporteve të saj me realitetin apo dhe vërtetësinë e faktit, ka ecur mjaft përpara, ka euvoluar, është bërë më fleksibële dhe ka fituar një fizionomi bashkëkohore në shumë raste dinjitoze. Mes gazetarëve shqiptarë ka emra tepër të shkëlqyer, profesionistë të nderuar dhe dominant në tregun mediatik. Po ashtu dhe organe të shtypit apo media audiovizive që janë sa prestigjioze aq dhe të pavarura,që kanë fituar besimin e shqiptarëve, pse jo dhe më gjerë.
Çfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot? Cili ka qenë keqkuptimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?
Nëse do të flasim për kritikë letrare të mirëfilltë, mendoj se kjo kritikë në Shqipëri, aktualisht mungon. Në vend të saj ka disa “qoka” të miqve apo disa njerëzve të interesuar për autorin që bëjnë vetëm ca shënime me lëvdata. Në ndonjë rast këto lëvdata e kalojnë sensin e masës dhe e paraqesin autorin sikur të jetë gjeni, zbulim në fushën e letrave shqipe, kur në të vërtetë është thjeshtë një krijues i rëndomtë pse jo dhe mediokër. Mungesa e kritikës profesioniste si për letërsinë ashtu dhe për artin në përgjithësi, mendoj se ka sjell një pështjellim të madh tek qëndrimi estetik dhe vlerësues i lexuesit të mirëfilltë. Nuk flas këtu për lexuesin e kualifikuar, pasi ai di mirë ta bëjë vlerësimin e veprës së lexuar, unë flas për ata qindra mijëra lexuës të thjeshtë që manipulohen nga gjithfarë lloj grafomanësh.E meqë jam në këtë pikë, do të bëja apel për një qëndrim më korrekt dhe racional të atyre që marrin mundimin të bëjnë shënime për librat, pse jo dhe më të përgjegjshëm në vlerësimet që bëjnë për autorë të ndryshëm. Në kohëzgjatjen e karrierës sime krijuese, ka patur disa raste keqkuptimesh, nëse do ti etiketoja kështu. Përgjithësisht këto keqkuptime kanë ardhur nga mediat e shkruara apo audiovizive. Këto media e kanë shndërruar në biznes lancimin e mediokritetit në letërsi dhe në art duke marrë shuma të konsiderueshme lekësh…dhe padyshim që kjo përveçse është e trishtueshme për të gjithë krijuesit seriozë dhe të talentuar, por mbi të gjitha është një superfyerje dhe shkelje e çdo etike qytetare dhe mediatike. Por ç’ti bësh ja që kjo ndodh dhe është mjaft refraktare ndaj çdo vërejtje që ne bëjmë për këtë fenomen sa grotesk aq dhe të papranueshëm. Praktika të tilla ndaj letërsie dhe artit në Shqipëri duhet të marrin fund, pasi këto lloj praktikash dëmtojnë rëndë imazhin e vërtetë të Letërsisë dhe Artit.
Mendoni e shpresoni se gazeta “Drita”, do të rikthehet”
Nuk besoj….Gazeta “Drita” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë” ishte një editim mjaft i suksesshëm dhe serioz, por gjithsesi i kompromentuar thellë nga partitizmi social-komunist i regjimit të diktaturës. Si e tillë, kjo gazetë edhe pse e suksesshme, nuk mund të kapërcej epokat dhe të rifitoj statusin e një organi të preferuar edhe në Demokraci. Çdo kalim i tillë për mendimin tim do të ishte një bastardim. Koha natyrisht sugjeron tashmë forma dhe mënyra më racionale e përfaqësuese për Letërsinë dhe Artin në Shqipëri. Është koha kur Shqipëria po ribën vlerat e saj dhe po ridimensionon shpirtin e madh, po reformon Kulturën, Artin dhe gjithë universin krijues shqiptar. Organe letrare tashmë kanë dalë disa, por ende të pakonsoliduara dhe të orientuara drejt, por gjithsesi ato kanë filluar të pohojnë vetveten dhe të shndërrohen në tribuna të vlerave të Letërsisë dhe Artit në vend.
Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj? Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përzien” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si gazetar profesionist e i karrierës, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit?
Punën time, pra gazetarinë, unë e dua, e admiroj e adhuroj dhe e respektoj. Të qenurit GAZETAR, për mua do të thotë të jesh nga njerëzit më të privilegjuar për lidhjet me realitetin, me kohën dhe njerëzit. Gazetaria është për mua një eksperiencë e jashtëzakonshme të cilën mendoj se rrallëkush e ka në profesionet e tjera. Gazetaria, më dha mundësinë të zbuloj Shqipërinë skaj më skaj, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim. Jo unë nuk besoj se kam vënd të Shqipërisë, fshat apo qytet, pa e shkelur dhe pa e pasqyruar në shkrime, reportazhe, emisione televiziv apo radiofonik…Kjo padyshim është një nga mrekullitë që ta jep vetëm GAZETARIA. Po kështu dhe në shumë shtete si të Ballkanit, Europës apo më gjerë…Gazetari është në fakt njeri mjaft i emancipuar pse jo dhe mjaft i orientuar në kohë, traditë, histori, politikë dhe konceptet bazë. Duke qenë i tillë, gazetari është udhërrëfyes për lexuesin, shikuesin e dëgjuesin. Shpesh gazetari është një sfidues i madh i dogmave, hipokrizisë politike dhe trilleve të kohës. Gazetari di të ndriçojë mjaft denjësisht të VËRTETËN dhe unë do të thosha se gazetari është DISHEPULL i së VËRTETËS.
Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?
Projektet e mia krijuese ende janë të shumta për fat të mirë pasi edhe unë vet ende jam në gjendje të mirë krijuese. Ndër duar kam shumë poezi që ende nuk e di se kur do t’i materializoj brenda faqeve të një libri. Po të keni vënë re në pasqyrën e botimeve të veprave të mia ndër vite, librat poetik vijnë me një kohështrirje mjaft të gjatë nga njëri-tjetri, dhe kjo për vet faktin se unë ndoshta shkruaj vërtetë shumë poezi, por botoj pak. Pra matem si të thuash shumë, duke qënë tepër i rreptë, aspak tolerantë me përzgjedhjen e tyre për një libër të ri poetik. Në projekt kam një roman të ri, i cili thuajse është në përfundim, por ende nuk mund të flas për një datë të saktë botimi . Po ashtu kam ndër duar dhe një libër eseistik për Poezinë Moderne Shqipe. Që të jem i sinqertë asgjë nuk kam peng në punën time krijuese. Por nëse do të thoshim “peng” mendoj se shkrimtari gjithmonë ka një peng, shkrimin e veprës së tij më të mirë, të cilën ende nuk e ka shkruar.
A është i lirë shtypi sot?
Të flasësh për lirinë e shtypit, është relative, pse jo dhe pak e vështirë, pasi liria ka vetëm një emër dhe vetëm një kuptim LIRI. Në Shqipëri unë e them me bindje se kjo liri është relative dhe natyrisht e interpretueshme. Shtyp të lirë unë do të quaja atë shtyp apo media që ka si bibël të VËRTETËN, dhe kjo aktualisht është ende një dëshirë apo një postulatë, se sa një realitet. Realiteti flet për shtyp të angazhuar dhe partiak, pra shtyp që ndërvaret në ekzistencën e vet nga biznesmenë, të cilët e duan gazetën, radion apo dhe televizionin për t’a përdorur në interes të biznesit dhe klaneve të tyre. Po kështu dhe shtypi partiak, i cili dihet është një shtyp i angazhuar politikisht dhe i shërben asaj partie që e financon. Në Shqipëri është ende herët për të folur për një shtyp të lirë, pasi asnjë gazetë, radio apo televizion nuk siguron ekzistencën nëpërmjet tregut mediatik. Të gjitha këto produkte medaiatike kanë si bazë të mbijetesës thjeshtë financuesit, të cilët në shumicën e rasteve janë dhe editorë apo shefa “të mëdhenj” pra më drejt -bosët. Natyrisht këta “bëjnë dhe ligjin” për editimet e tyre. Në ndonjë rast këta “shefa” mediatik apo bosa janë dhe vanitozë cinikë apo edhe mediokër. Por natyrisht, krahasuar me shtypin e para viteve ’90, kur diktatura kontrollonte çdo germë dhe çdo fjalë, tashmë ka mjaft elementë të shtypit të lirë që demonstrohen mjaftueshëm në shumë organe dhe media. Këtë gjë uroj ta thellojmë më tej dhe ta shndërrojmë në një devizë të qartë për shtypin shqiptar që të ketë për bibël vetëm të VËRTETËN.