Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/07

"Disidenti" i çuditshëm ?!

Tregim


Nga Përparim Hysi



Me Rako Telon, si të thuash, kisha ngrënë një thes me kripë. Qëlloi që në nga dy nga emrimet e gushtit ( gjithmonë në gusht deri mes viteve '70-të bëhej kuadri në arsim) të punonim në të njëjtën shkollë dhe, me që dhe na pëlqente muhabeti, u bëmë miq. Rako Telo qe nja 5-vjet më i madh nga unë, por nuk qe aspak problem që mos na puqeshin urat. Edhe kur takoheshim në qytet (ai banonte në qytet se unë tërë jetës kam banuar në fshat), ne takoheshim në klub dhe, kur qëllonim të qemë të dy kokë për kokë, digjnim vajguri me hallet e botës. Shkurt: e vinim në lupën tonë gjithë botën dhe mikrobotën. Por,sado kokë më kokë dhe, pothuaj, intimë: vetëm biseda politike nuk bënim. Se, ndërsa ai, politikisht, qe si kulaçi mbi vezën e pashkës, unë, përkundrazi: isha me "plevitë" të rëndë.
Kështu që politikës i ruheshim ashtu siç i ruhet delja gërshërëve. Mua nuk ma mbante, ai qe mbroth: si me koracë dhe, kështu,atyre porblemeve u kish vënë kapak.
Por, për të qenë i ndershëm tek rrëfej, një gjë e kisha të qartë: Rako Telo kurrë nuk lakonte për keq emrin tim, qoft dhe në qoshka të fshehura. Ky qëndrim, ta merr mëndja, që ishte reciprok. Pra, nga kolegë, qemë bërë miq. Kur thoshte një miku im: - Me këto buzë që kemi, do puthemi ! Secili prej nesh kishte huqet e veta dhe, si të tillë, e kishim pranuar njëri- tjetrin.

* * *

Një ditë prej ditësh, më tregoi një histori që më gajasi. Dëgjo,- më tha,- sado që imatë është kuadër nga të luftës, por unë jam "disident?!". Sa e filloi këtë bisedë, unë pak u "rrënqetha", se nuk më rrinte mirë samari. Jo vetëm nuk më rrinte mirë, po sikur po më vriste dhe po ma bënte kurrizin copë.
-Ore Rako, - e ndërpreva,- po ytatë veteran dhe ti disident, po lëre atë muhabet dhe kalo në "linjë". Me "linjë", mes nesh, ishte muhabeti për ato. Kur them ato, ju duhet të kuptoni se ose ishte fjala për ndonjë kolege, o për ndonjë që qe shfaqur ashtu, kalimthi.
Se të thuash të drejtën: koleget e bukura nuk mungonin në shkollën tonë dhe jo vetëm kaq: qoft Rakos (epo vet nuk e bëj hasha!) dhe qoft mua, na haheshin hudhrat. Dhe u çudita me këtë "disident" në tavolinën tonë. Nuk flas kot, nguli këmbë Rakoja. Ty ashtu të duket, po, kur të t'i rreshtoj faktet do bindesh.
Bobo, mendova, seç ka ndodhur me mikun tim dhe, ç'ka më trondiste dhe më keq, më lindi dyshimi i ndonjë provokimi dhe mpreha vigjelencën.
- Pa hë ta dëgjojmë njëherë këtë "disidencën" tënde,- lëshova pe unë, sado që pak i trëmbur qeshë.
-Unë e di që ti shpreson për ndonjë disedencë si andej matan ( qe fjala për vëndet socilaliste me të cilat kishim patur miqësi ), por kjo "disidenca" ime është e tjetër lloji. Isha ushtar, andej nga Korça, - filloi ai të më tregojë,- dhe si komandant skuadre pata një tetar nga Veriu. Qe graduar si ushtar më i vjetër, por ke parë, e mbante veten si gjeneral. Mua po inati në majë të hundës, po ato të shkreta rregullore ta hanin shpirtin. Ky, Veriori, vërtet ta merrte shpirtin, po kur e hiqte veten si me edukatë. Kurrë nuk të thërriste me emër, pa i vënë atë nofkën: shoku. Shoku Raku (po kur s'më thoshte Rako,po Raku!) shkoni me qrue kartolla në kuzhinë. Shoku Raku këtu e shoku Raku atje, m'u bë si burrë i nënës. Doja ta vija poshtë e t'i hyja dorë me shqelma, po ku unë e ku ai. Qe si lis nga trupi. Ta çaje me sëpatë. Kisha një muzikë nga ato gjermanet. E kisha timen dhe, sa herë që kisha kohë të lirë, i bija ndonjë avazi si me nostalgji nga jeta civile. Tetari më dëgjonte dhe nuk i pëlqente, sado që unë vetëm në kohë të lirë e përdorja. Dhe ja një ditë m'u afrua dhe më tha: - Shoku ushtar Raku pa ma jep njiat mue. Mendova se qe kurioz dhe ia zgjata. E mori në dorë, provoi t'i binte dhe, kur pa, që muzika lëshoi një zë çjerrës, e futi në xhep.
- Shoku tetar,- sulmova unë, është muzika ime dhe nuk është e repartit.
-Po veta jam komandant dhe kur po e gjykoj veta ta napi apo nuk ta napi.
Flokët m'u ngritën gjëmb, por, të them të drejtën nuk ma mbante. Me inat dhe fuqi nuk ia dilja dot. Dhe mendova që t'ia punoja. Si e si t'ia merrja muzikën time. I vura zëmrës një gur dhe një ditë, kur tetari qe në qejf, futa në punë "grackën" time. I them ( rreth e përqark qenë ushtarët e tjerë) : - Vallaj, tetar Marku, i mirë je shumë veçse ke një të metë të vogël.
Ai u këndell (epo kush nuk këndellet që të jesh i mirë po të kesh vetëm një të metë. Dhe kjo- e meta- të jetë e vogël?!) dhe, ndërsa ma zgjati muzikën që më mbante peng, më tha: - Aman, shoku Raku, ma thuej çfarë të mete kam?
-Nuk ta them dot,- ngulmoja si më kot unë.
-Aman,bre, ma thuej se due me e përmirësue, hej ?!
-Jo, shoku tetar, nuk mundem.
Ushtarët sy e veshë se cila do qe ajo e meta ( dhe,patjetër, e vogël ) që kish tetar Marku që e paskam vërejtur unë dhe ata nuk e dinin. Tetari vdiq duke m'u lutur, por unë kisha vendosur t'ia bëja shpirtin derr. Edhe shokët për rreth zunë të mbajnë anën e tetarit:
-Po thuaja, o Rako, se na plase.
-Po të lutna shoku Raku, po mos më korit, he, burrë!- bëhesh dysh tetari.
Unë si u largova aq sa më hante syri nga ndonjë rrezik i beftë (se çfarë nuk prisje nga ia lloj?!), më së fundi, i them:
- I mirë shumë je shoku tetar Marku, por e ke sumën prapa !!! Dhe, papritur reagimin e tij, ia dhashë vrapit sa më hanin këmbët. Prapa më ndiqte brohorima e shokëve se inatin e tetarit vetëm e përfytyroja,se nuk e ktheja kokën prapa. Kur më pa që dhe unë ia dhashë të qeshurit, më tha: - Hë, u binde tani me "disidencën" time. Unë po qeshja me shpirt se u çlirova nga ndonjë dyshim me ngjyrime politike, pa kjo për të qeshur qe.
Por nuk mbaron këtu "disidenca" ime, -ndëryhri Rakoja. E di, - shpejtova unë,- pastaj tetari ta ka marrë shpirtin dhe ta ka nxjerrë "disidencën" nga hundët.
- Jo. Jo. Vërtet që më vuri postë jashtë radhe ,muzikën e fsheha (sikur më kish humbur) dhe këtë "haraç" e pagova deri sa më dërguan në kurs për radiollokator.

* * *
Shkova në kurs dhe "shpëtova" nga tetari. Kursin për radiollokator na i bënte një tetar rus. Aso kohe (janë vitet '50-të ) në repartet e mëdha kishte oficerë e nënoficerë rusë. Kursin e mbarova me rezultate të mira dhe u gradova rreshter. Shpëtova nga tetar Marku dhe çdo ditë kisha vëndin tim të punës në radiollokacion. I madhi i repartit tonë qe një kolonel dhe po një kolonel që dublonte atë qe rus. Mirëpo a e ke dëgjuar atë shprehjen ti që deles së zezë venë dhe i ngjiten rrodhet. Kështu ndodhi dhe me mua. Sado që qeshë graduar rreshter, kur vinte puna, duhet të rrija "sus" para atij tetarit që, ndryshe nga tetar Marku, ky qe rus. Qe ai specialisti që kish ardhur nga Rusia. Dhe mbahej apo nuk mbahej. Zakonisht, rusët, silleshin mirë, por ky, tetari "im", kish qëlluar njeri i keq. Donte si e si, për të na zënë në gabim. E quanin Boris. Një qimebardhë (qimeshllirë thoshin në mes tonë se qe punë me rrezik me rusët, shkoje si spata pa bisht) dhe aq i lig qe, sa hallall ta bëja tetar Markun , me atë të "metën e vogël nga pas. Epo do e hidhje vallen sipas muzikës së kohës. Tetar po komandant, or tunjatjeta. Kapelja nuk më rrinte mirë, por nuk ma mbante, or burazer. Kur një ditë nuk durova më. Shpërtheva.
Çfarë,- thashë unë,- dhe atij i the: - E ke sumën prapa.
Jo, ky qimeshëllira qe i lig dhe lindur për poshtërsira. Kish vajtur para meje dhe, pasi kish hequr një nga llampat e radiollokatarit, më urdhëron mua:
- Serzhent Tello, gatov aparat!
Jep e merr unë që ta vë në punë aparatin, po hiç. Qimeshëllira mënd jargosej nga kënaqësia dhe, ndërsa mua inati më kish hipur në majë të hundës, ai tërë mllef, e zbrazi:
- Eto diversant !!! Medemek, atë llambushkën e gadishmërisë e kish marrë diversanti. Shtinte larg qimeshëllira. Ca se nuk e shihja dot me sy (tek lëpinte gjuhën nga kënaqësia), ca se po më vinte në lojë dhe më lakonte për mungesë vigjelence, po më t'ia lëshoi: fap-fap nja dy fllacka të forta, sa i lëshuan shkëndija sytë dhe tërë mllef, i them:
- Diversanti i sat-tëme! Ore qimeshëllira i mutit. Po unë jam rreshter, kurse ti je tetar, ore kokëbardhë nga Siberia. E bëra veprimin, i nxorra këto batare sharjesh nga goja, por i paramendova pasojat: më priste gjyqi ushtarak. Kisha qëlluar një specialist rus. Dhe, aty për aty (nuk priste puna më) vrapova në kuzhinë, gjeta një kokërr qepë. E zhvesha atë dhe i bëra të dy sytë. Lotët po më shkonin çurg dhe sytë dukeshin sikur isha ngritur i lemeritur. Si e pashë veten në pasqyrë, po me vrap shkova e trokita në derën e kolonelit rus. Trokita dhe nuk prita as da as na, po drejt e brënda. Koloneli u çudit që një nënoficer shiqptar vjen e trokit dhe hyn si i alarmuar në zyrë.
Papritur që t'më pyeste ( e ku mirrja vesh nga rusishtja unë?!) , fillova ashtu si duke qarë:
-Menja tetar Borja,bau-bau, pëllëmba menja! Bot ... dhe çurg lotët.
-Shto? Shto? - u alarmua me të vërtet koloneli.
Dhe unë: Bau-bau (zija faqet me dorë dhe u bija me shuplakë),menja,tetar Borja. Lotët po vërgaj.
Koloneli erdhi dhe t'u nxi dhe,sakaq rroku telefonin dhe bisedoi me dikë. Unë aty:-Bau-bau, menja... lotët..
Koloneli doli me mua. Kur shoh që reparti qe rreshtuar. Mbrriti dhe komandanti i repartit tonë dhe ky kolonel. Unë aty me ta.
Koloneli rus urdhëroi: -Tetar Borja pjerjod! (dil para rreshtit). E pashë qimeshëllirën që doli dhe u mat të shpjegohej me eprorin e tij.
Po koloneli rus nuk e zgjati shumë, shkoi dhe ia hoqi spaletat tetar Borjes se kish "rrahur" rreshterin shqiptar. Mua, sado lotët nuk më pushonin, po nuk kishte kënaqësi më të madhe, kur pashë tetar Borjen që ta hipnin në një xhips ushtarak dhe që athëherë nuk u pa më në reparrtin tonë. Unë e dëgjova me një fyrmë dhe ai më pyeti:
-Hë, a kam qenë disident unë?!
-Po,- i thashë,- gjithsesi ke qenë një "disident" i çuditshëm.


* Kujtimit të kolegut tim, Arqile Pambuku, që ka vjete që ka ndrruar jetë.


Tiranë, 7 prill 2013

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...