Prishtinë,03.10.2016.-
Të burgosurit shqiptarë të rastit “Kumanova” nuk po ndjehen mirë me shëndet në burgjet e Maqedonisë,, pasi që ndaj tyre është përdorur dhunë nga organet e policisë. Pala mbrojtëse thotë, organet e rendit si shenjë hakmarrje, i kanë rrahur brutalisht shqiptarët që janë përfshirë në konfliktin e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave.
Avokati Naser Raufi në një bisedë me gazetarë ka theksuar se të gjithë të paraburgosurit janë rrahur keq dhe kanë probleme shëndetësore, edhe pse tek një pjesë e madhe e tyre ka pasur ndërhyrje mjekësore.
Deklarata e tij bije në kundërshtim me Avokatin e Popullit, Ixhet Mehmeti, i cili kohë më parë theksoi se të paraburgosurit e Kumanovë janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Inskenim?
E se të gjithë kësaj pune po i vjen era inskenim, duket se nuk nevojitet shumë imagjinatë për ta zbërthyer. Fillimisht, futen ilegalisht (nëse kanë hyrë me armë) në territor të një shteti tjetër madje 30 a 50 veta, pa ndonjë telashe. Nga ana tjetër, po të kenë hyrë legalisht, do të duhej të ishte paksa indikative për policët kufitarë që për një kohë të shkurtër të kalonin burra fizikisht të trajnuar në dukje.
Posaçërisht ngase duhet të regjistrohen në databazën e kufirit – bazë e shënimeve që do të duhej të kishte edhe informata të tjera për ta, po qe se janë njerëz me të kaluar “ushtarake”.
Më pas, këta burra shpërndahen nëpër disa dhjetëra shtëpi të një lagjeje në Kumanovë, që nuk do të mund të thuhet se shquhet për ndonjë pozitë të rëndësishme gjeostrategjike.
Pushteti reagon me gjithë armatimin që ka në dispozicion, dhe i vriten madje 8 policë. Publikisht, Qeveria e Maqedonisë del e thotë se janë vrarë 14 “terroristë”, porse as një javë më vonë nuk del për të treguar as trupa, as emra.
Tjetri ishte xhirimi i arrestimit të “terroristëve”.
Pasojat e paperspektivës
Se çka e tek ndodhi, mbase nuk do ta marrim vesh kurrë. Porse, janë disa gjëra që dalin në pah e që ta vërtetojnë atë që tashmë krejt e dimë, se shoqëritë e shteteve ku jetojnë shqiptarët nuk janë të shëndosha. Duke u nisur nga shoqëria kosovare.
Apo se paskëshin qenë këta njerëzit që i kanë kryer punët e pista për komandantët që janë pasuruar. Po të kishte qenë Kosova vend i shëndoshë, që i integron luftëtarët në jetën normale pas luftës dhe që krijon hapësira për punë të ndershme, asnjëri nga ta nuk do të kishte pasur nevojë t’i futej një aksioni të këtillë, pavarësisht sa patriot do ta ndiente veten".
Nga ana tjetër, Maqedonia nuk shquhet për të qenët shtet progresiv, posaçërisht në dhjetë vjetët e fundit. Por, megjithatë, shqiptarët aty e bëjnë më shumë se çerekun e popullsisë dhe pas Marrëveshjes së Ohrit (sado jo e zbatuar plotësisht) gjithmonë kanë qenë partnerë të koalicionit qeverisës; kanë përfaqësim të ndjeshëm në polici e ushtri; kanë ministra në dikastere jo bash me pak rëndësi; kanë pasur gati përherë pozitën e drejtorit të postë-telekomunikacionit, pra kanë marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit.
I ka bërë të mençur për t’ia nxjerrë yndyrën krejt asaj që të munden, përderisa marrin vendime politike nga kolltukët e rehatshëm qeveritarë – edhe atëherë kur ato nuk kanë lidhje me logjikën e shëndoshë, apo edhe kur janë rezultat i drejtpërdrejtë i këshillave të paqëlluara të “miqve ndërkombëtarë”.
* * *
Mbase Kumanova do të duhej të ishte pikë kthese për shqiptarët gjithandej. Do të duhej të ishte sinjali i fundit se komandantët do të duhej të largoheshin nga politika dhe t’iu hapnin rrugë gjithë një brezi të ri njerëzish, që së paku e dinë se çfarë po flasin. Një brezi që mund t’i spastrojë poret e shoqërisë nga militantët partiakë që kanë për detyrë t’i zbatojnë urdhrat për të “ndrydhur ligje” sa herë që duhet akomoduar ndonjë qejf a qëllim.
Një brezi që do të na e bëjë të mundur të jetojmë një jetë normale në një shtet normal – aty ku të luftosh në një shtet që s’është yti dhe për një qëllim të paqartë nuk është normale. As për dogmë e as për patriotizëm.
.....Shqiptarët në Maqedoni vriten, burgosen pa faj, shtypen dhe nënçmohen si egërsira!
Dikush s’e duron padrejtësinë dhe kujton se vetëm me luftë arrihet liria kombëtare.
S’di a e ka ‘Ushtria Çlirimtare Kombëtare’ me vete popullin siç e kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës simpatinë dhe përkrahjen e madhe popullore.
Se, një popull që ka vendosur të mbrohet nga terrori shtetëror, nga regjimi dhe poshtërimi nuk ka kush që e ndal.
Liria është urdhëri i parë i shpirtit, sado që media shqiptare (si në kohën kur Valentina S. raportonte nga qebaptoret e Prishtinës se çka po ndodh në zonat e luftës), kësaj here i ka ndihmuar Gruevskit që ta fsheh terrorin e tij kundër popullit shqiptar në Kumanovë.
Vetëm sa ua rikujton shqiptarëve të ‘fjetur’ të Maqedonisë se nuk janë të lirë.
Flori Bruqi