Agjencioni floripress.blogspot.com

2020/05/03

Femra në menopauzë gjatë karantinimit(1)



Fotografia e Lule Alidema Zejnullahu

Shkruan: Akademik Mr.sc. Lule ALIDEMA,psikologe klinike 


(Shpresoj të jetë shkrimi im i fundit që shkruaj rreth karantinës, dyshoj se femrave ju mbeta borxh, prandaj vendosa të shkruaj këtë shkrim, dedikuar gjithë femrave shqipëtare gjithandej ku janë)!
Ju lus që mos t’a personalizoni, sepse nuk e them për person të caktuar.

Mund të tingëllojë si gjykim i gabuar, sepse sigurisht kemi rregulluar jetën deri diku, edhe pse mendojmë se jemi tolerues dhe jemi zhvilluar, mendoj se ende çalojmë në këtë drejtim, e them bindshëm nga ajo që shof sepse jetoj në Kosovë, nuk them për gjithë, por për një pjesë bukur të madhe, ngase në shumë familje tona ende mbretëron kjo klimë.)

Faleminderit për mirëkuptim!

U tha shumë çka në lidhje me karantinën, si po e përballojmë, si duhet ta përballojmë, masat cilat duhet ndërmarrë, si duhet menaxhuar aspektin psikologjikë etj.

U informuam përmes rrjeteve sociale edhe nëpër botë çfarë po ndodhë gjatë kësaj pandemie, nëpër media, portale, profile etj., por askund nuk takova se u diskutua për femrat, e sidomos ato në periudhën e menopauzës, se si po ia dalin me shqetësimet që ajo ka në këtë fazë të jetës, si po trajtohet nga anëtarët e familjes gjatë karantinës, sa kujdes duhet pasur për ato femra në atë periudhë, po pse jo edhe në përgjithësi si është trajtimi i femrës në vendin tonë, nëpër familje!

Gjithkush i qanë hallin vetes, e asnjëherë nuk u përmendë femra, sidomos ato që janë në periudhë menopauze, që dukshëm e kanë më të ndjeshëm aspektin emocional. Athua këtë karantinim më së shumti e vuajnë femrat që janë në menopauzë, apo ndoshta femra është makinë e hekurt, është ajo që përveç gjitha obligimeve rreth shtëpisë duhet edhe aspektin emocional t’i menaxhoj gjithë familjarëve, apo të ndodhë e kundërta.

Athua askush nuk e dinë, apo nuk duam të dimë për femrën, shtyllën e shtëpisë, apo ndoshta ende vazhdojmë me traditën e vjetër, femra gjithmonë në karantinë, ajo është e kalitur të jetoj e kufizuar, ajo është e hekurt, ajo përballon, ajo i qëndron ballë çdo sfide, sepse është femër, dhe e dedikuar për këtë trajtim.

Femra, sigurisht që ka një fuqi të pa imagjinueshme pasi që kaloi shumë sfida, duke filluar me ciklin e parë menstrual, martesën, lindjet, e deri tek faza e menopauzës e tutje…

Ata që pak kanë lexuar, dhe kanë njohuri sado pak, duhet të dinë se nëpër çka kalon nëna, gruaja, motra në këtë periudhë.

Sigurisht, vet ideja se në këtë periudhë fillon të pakësohet gradualisht prodhimi i hormoneve femërore, ndalon cikli riprodhues, duhet kuptuar se është periudhë e ndryshimeve në trupin dhe mendjen e saj!

Kuptohet, menopauza nuk është sëmundje, nuk është as çrregullim, është proces biologjikë, natyral por sidoqoftë është periudhë me një sërë ndryshimesh, ku tek disa hasen shenja dhe shqetësime më të vogla, ndërsa tek disa tjera shqetësime shumë të rënda dhe të komplikuara, si në aspekt organik ashtu edhe në atë psikologjikë.

Në aspekt organik priren të kenë shqetësime me kockat, osteoporozë, tension të lartë të gjakut, shqetësime me zemrën, etj.

Ndërsa shqetësimet psikologjike më theksuara gjatë menopauzës janë: luhatje emocionale, humor të ndryshueshëm, ndjenja të qarit, temperament i shtuar, probleme me gjumin, depresione, nervozizëm, dëshpërim, ankth, lodhje, probleme me përqendrimin, rënie të dëshirës seksuale etj.

Menopauza zgjatë me vite, andaj duhet pasur shumë kujdes, dhe mbështetje nga familjarët, sidomos gjatë periudhës fillestare deri sa organizmi të adaptohet me ato ndryshime.

Qoftë edhe nëse nuk është në pyetje periudha e menopauzës, mendoj që femra duhet pasur një trajtim meritor, ndryshe nga trajtimi që ende mbretëron në shumë familje tona.

Femra duhet të përkrahet, të ndihmohet, të nxitet, të zhvillohet, të arsimohet, të emancipohet, sepse një femër që posedon këto karakteristika do të jetë e dobishme sikur për familjen, ashtu edhe për shoqërinë, si në aspekt edukimi ashtu edhe mirëkuptimi, sepse sikur çdo njeri, ashtu edhe femra kur ndihet mirë me veten do të ndihet mirë me gjithë!

Me shumë bindje them se ende në disa familje tona, femrat janë të kufizuara e të karantinuara që nga rinia e tyre, fillimisht nga familja tek prindërit, mandej tek familja e burrit!

Kuptohet se femra duhet të jetë e kujdesshme në obligimet dhe misionin e saj që ka si nënë e grua, por jo të jetë e vëzhguar, e kufizuar, pa liri shprehje e lëvizje.

Tashmë gjithë e provuam çfarë do të thotë të jesh i kufizuar, dhe mendoj që është momenti të vetëdijesohemi dhe të kuptojmë se çfarë është jeta e kufizuar brenda shtëpisë dhe obligimeve të njëjta, sepse ka femra që terë jetën ishin dhe janë kështu thuaja në karantinë, përderisa duhet mbyllet tërë ditën rreth punëve të shtëpisë, e pa arsimuar, e pa socializuar, çdo lëvizje që bën duhet t’i raportoj bashkëshortit, athu nuk është ky kufizim e karantinim a?

Sikurse çdo kush që ka nevojën e socializimit ashtu edhe femra e ndjen këtë nevojë, e mos të flitet për kohën e menopauzës që është domosdoshmëri!

Pavarësisht në çfarë kushte të mira të jetoj një femër, nëse nuk ka një jetë të organizuar dhe socializuar e që nuk shpërblehet për atë që bënë, nuk ndihet e vlerësuar, është shumë frustruese dhe e pa arsyeshme.

Socializimi është domosdoshmëri, nevojë jetike për njeriun, prandaj femra si qenie natyrshëm më e ndjeshme meriton të jetë e sicializuar.

Më habitë fakti se disa herë dëgjoj nga meshkujt, sikur thonë se ju është konsumuar mbas disa viteve dashuria ndaj gruas, sikur e ndjen nevojën për një shoqëri të re dhe ndryshe, sikur gruas vitet ja morën bukurinë e freskinë, thjeshtë të lodhur nga gruaja dhe nëna e fëmijëve të tyre.

– Vallë vetëm për gruan po ecin vitet?

– vallë mashkulli nuk pësoi ndryshime ndër

vite?

– vallë nuk ishte ajo që deshe dikur?

– vallë nuk ishte ajo që t’i lindi trashëgimtarët tuaj?

– vallë ajo nuk ndjehet njëjtë sikur ju?

– Vallë ku mbetën premtimet e rinisë?

Nuk pajtoj me këtë mendim, jeta nuk është vetëm ashtu si neve na pëlqen, nuk do të ishte e kuptimshme që çdo dhjetë vite ta ndryshojmë familjen, duhet pranuar gjitha ato ndryshime që vijnë krahas viteve, fundja ec me kohën, dhe krahas kohës, zhvilloje veten dhe gruan!

Një grua e mbyllur në shtëpi sigurisht se nuk do të zhvillohet, nuk do ketë mundësinë të jetë një grua që ndjek modelet e reja të trendit të fundit të gardërobës, frizurës etj., sepse nuk do t’a ketë as arsyen, as vullnetin duke qenë e ndeshur tërë kohën pranë punëve të shtëpisë.

Prandaj, je ti ai që mundë ta ndryshoj mendjen, dhe fizikun e saj, do t’i bësh mirë së pari vetes, mandej asaj…

Fundja ajo është gruaja, nëna, motra jote, trajtoje dinjitetshëm ashtu siç e meriton.

Mos e shiko femrën si mjet për kryerjen e punëve të shtëpisë, si statujë shtëpie, pranoje se jeta ecën, e krahas kalimit të viteve, ndryshimet vijnë natyrshëm, ta duam njëri tjetrin ashtu siç i premtuam në rini, ta duam me flokë të thinjura, me deformime trupore, me rrudha në ballë, sepse gjitha këto ndryshime dëshmojnë një dashuri të përjetshme dhe kohën të cilën kaluam bashkë…

Porosia ime; Dija vlerën femrës, ajo krejt çka bëri deri më tani bëri për ty, la familjen e vet erdhi të jetoj në familjen tënde, përjetoi dhembjet më të mëdha të ju sjellë në jetë trashëgimtarët tuaj, deformoi trupin e saj, ata fëmijë që t’i solli ajo, mbajnë mbiemrin tënd jo të saj.

Krejt çka ajo bënë deri në ditën e fundit të jetës së saj është përfitimi yti!

VLERËSOJE FEMRËN SEPSE NUK ËSHTË ASPAK E LEHTË TË JESHË FEMËR!

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...