
Nga Elida Buçpapaj
Në vend të prologut: Fakenews-et duke shpërfjetur imagjinatën i përfytyroj si ajo skena e Ditës së Parë tek trilleri i Steven Soderbergh “Contagion” , kur lakuriqi i natës, derri dhe shefi i guzhinës në një kazino në Makao ia ngjitën Coronavirusin të Infektuarës zero, Beth Emhoff, e cila interpretohet shkëlqyeshëm nga Gwyneth Paltrow.
Fakenews si infeksion i trurit dhe i shpirtit të shoqërisë
Prej kur publiku është karantinuar, janë krijuar kushte optimale për shpërndarësit e lajmeve të rreme, alias fakenews apo thënë shqip trillimeve, të cilat për nga përmbajtja që kanë ushtrojnë presion psikik dhe shkaktojnë efekt emocional tek ata që i lexojnë, qofshin ata që i besojnë, qofshin edhe ata që nuk i besojnë.
Po marr një shembull, dje u botua në shumë gazeta e portale dhe pastaj u shpërnda edhe në rrjetet sociale lajmi që “ish Kongresmeni Joe DioGuardi njoftoi se Presidenti Trump e ka shkarkuar Ambasadorin Richard Grenell”. Trillimi i vërtetë që u përhap dhe u amplifikua jo me rritje eksponenciale por me shpejtësinë e dritës. Mbështetur po në fakenews, kundër JoeDioGuardit, i cili në fakt është figura më e shkëlqyer dhe unike e lobit Shqiptaro-Amerikan në SHBA, ka nisur një fushatë linçimi nga emra pa emra dhe pa asnjë ndikim në jetën e atjeshme të komunitetit.
Po ta shohim përmbajtjen e fakenews në rastin e shkarkimit të Ambasadorit Richard Grenell nga Presidenti Trump, ky lajm do ta kënaqte popullin shqiptar nën efektin e karantinës, pra do të kishte efektin e seretoninës, por lajme të tilla fake për të rritur optimizmin dhe forcuar imunitetin e opinionit shqiptar janë aq të rralla sikur nuk ndodhin kurrë.
Sepse për çdo ditë sa hapim sytë dhe prekim celularin përballemi me realitetin e gënjeshtërt të krijuar nga nëntoka e mediave informative fake dhe gazetarëve fake.
Alfa dhe beta e profesionalizmit në gazetari kërkon verifikimin e lajmit. Ish Kongresmeni Joe DioGuardi, këshilltarja e Ballkanit, bashkëshortja e tij Shirley DioGuardi dhe AACL opinionet apo infot e tyre për mbështetësit dhe publikun i shpërndajnë direkt, jo përmes korrierëve të panjohur dhe të paidentifikuar. Pra zakonisht është shumë lehtë të bëhej verifikimi.
Gazetaria profesioniste i boton infot vetëm kur kanë një burim serioz, duke respektuar Kodin Etik dhe Pesë Parimet bazë të saj që janë vërtetësia, saktësia, pavarësia, humanizmi dhe përgjegjshmëria.
Problemi është se sa i përket komunitetit global shqiptar online qarkullojnë me mijra mediumefake informimi dhe mijera gazetarëfake.
Klikimet përfitimsjellëse janë kthyer në biznes. Të mos flasim pastaj për interesat e politikave okulte ekstremiste që janë gjallëruar shumë.
Do të ishte optimale që, në kohën e Covid 19, e gjithë politika e Perëndimit të fokusohej tek vaksina antiCovid 19, tek shërimi i plagëve i sistemit mjekësor dhe kujdesi për një popullsi vulnerabël e të frikësuar nga virusi, të frikësuar nga rreziku i humbjes të vendit të punës, e cila sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, jeton nën presionin e horrorit të lajmeve fake, që prodhojnë pasiguri, nuk i shërbejnë gjendjes, përkundrazi e përkeqësojnë atë.
Duke u fokusuar në Ballkanin lockdown dhe nën trysninë e Covid 19, SHBA dhe BE duhet të presin deri sa të dilet nga situata pandemike dhe pasi populli të dalë shëndoshë e mirë mendërisht e fizikisht le të vazhdojnë politikat e tyre në të mirë të demokratizimit dhe paqes afatgjatë në rajon.
Kur shifrat globale te fatalitetit nga Covid 19 rriten dhe asnjë institucion i specializuar i mjekësisë botërore nuk bën dot asnjë prognozë, dhe po ashtu burrat e shteteve më të fuqishëm të Perëndimit ngrenë supet nga e panjohura, duket se vendin e solidaritetit, humanizmit, mëshirës, ndihmës për njerëzit e mbyllur nëpër shtëpi të fokusuar para ekranit të televizorit apo të celularëve, duan ta pushtojnë media dhe individë të dyshimtë për të minuar qetësinë shpirtërore të publikut, qetësinë sociale në Kosovë, Shqipëri, Ballkan deri interesat kombëtare të SHBA.
Fakenews është kthyer në një rrezik kombëtar. Jo më kot disa ditë më parë me një video deklarate në rrjetin social u paraqit ish Presidenti George W. Bush i cili bëri thirrje popullit Amerikan për unitet.
Sepse situatës Covid 19 i është shtuar edhe pragfushata zgjedhore në SHBA.
Lajm i mirë është se shqiptaro-amerikanët janë aktivë dhe votojnë kandidatët që duan, lajmi i keq është se publiku shqiptar, ai shqiptaro-amerikan apo shqiptaro-eruopian është nën presionin e fakenews si të kohës të diktaturës, të cilat duket sikur i fryjnë zjarrit për luftë civile midis dy kampeve, dmth midis Republikanëve dhe Demokratëve, si ndërsim i Amerikanëve kundër Amerikanëve.
Duket sikur shqiptarët këtë lloj ekzistence njohin, të injektuar mga diktatura, të luftës brenda llojit, të shqiptarëve kundër shqiptarëve, të njërës palë kundra tjetrës palë, sepse paçka de jure thuhet se diktatura është rrëzuar me Murin e Berlinit, në fakt shteti i së drejtës mungon si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e më gjërë dhe këto vende drejtohen nga një kastë e korruptuar, së cilës Amerika i intereson të mos jetë ajo që duhet të jetë.
Prodhimi i fakenews, si një dukuri e kthyer në trend global, ka përhapje në botën shqiptare me përmasa të frikëshme, sepse burimet e tyre tashmë janë televizionet publike, personat publikë, të mos flasim pastaj për mediat online apo portalet anonime, pa emra editorësh, pa emra gazetarësh që janë pa fund dhe që shpërndajnë vetëm trushplarje dhe ndjellin klimën e kohës kur Shqipëria ishte nën diktaturë, sepse përdorin në mediat dhe rrjetet sociale gjuhën e dhunës, violencës, denigrimit dhe vëllavrasjes.
Institucionet përkatëse në Shqipëri si AMA (The Audiovisual Media Authority) me detyrë të mbajnë të pastër higjenën informuese të audiencës, bëjnë syrin shurdh e veshin qorr dhe publiku, në vend që të ketë një ekran apo një rrjet social relaksues apo konform asaj që ndodh vërtet, është nën trysninë e një informacioni luftëndjellës dhe të frikshëm.
Ndërsa gjithçka është në gjendje lockdown, makineritë e koorporatave të trillimeve dhe fakenews janë në kulmin e prodhimtarisë!
Tek këto koorporata nuk ka papunësi, as krizë ekonomike. Krizë identiteti dhe përgjegjmërie po.
Mirë që për vaksinën Covid 19 duhen kërkime shkencore, por për të ndalur coronavirusin e fakenews vaksina ekziston, mjafton që të veprojë ligji, i cili është në letër dhe duhet të zbatohet për t’i prerë rrugën menjëherë luftës psikologjike dhe vrasjes së personalitetit të opinionit publik përmes fakenews.
No comments:
Post a Comment