Nga Fritz RADOVANI
“NJË MONUMENT NEN DHE”
(Fq. 150 – 161) Viti 2004.



PROF. ARSHI PIPA DHE PROF. PRENKË KAÇINARI
Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm.
Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime, ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste.
Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue.
Kryesisht merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të naltë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo dhe se a mund të na shërbejnë ne ose jo.
Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue gjimnazin e shtetit në Shkodër.
Ishte koha kur ishstudentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimëve të tyne.
Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”.
Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuan në Konviktin e njohtun “Malet tona”, ose që kanë banue në Shkodër, por që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit.
Piknisja e Sigurimit të Shtetit nuk ishte vëprimtaria e një personi; shkolla ishte pika e referimit, ndërsa, themelore ishte ajo që i shkonte në mend Sigurimit se shka mundët me pasë koka e atij që kishte atë rrezik me u vue në listën e njerëzve të rrezikshëm për pikëpamjet e tija, kjoftë edhe të pashfaquna. Pra, mjaftonte me i shkue mendja dikujt nga kta terroristë se ky përson asht “i pakënaqun” e, mbyllej dosja, sigurisht tue paracaktue edhe dënimin e “merituem”.
Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi të çonte në duertë e kriminelëve: Cuf Lohës, Ali Qorrit, Ndrekë Nallbanit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, etj. ose, një telefon nga “qendra” dhe të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit.
Po, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të këtyne katilave?
As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta ndonjëherë. Derisa të mbulohet gjenocidi që i asht ba gjithë Popullit Shqiptar, shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem.
Me këtë mendim besoj, do të ishin dakord edhe brezi i njohun i
Prof. PRENKË KAÇINARIT dhe Prof. ARSHI PIPËS.
●Të dy ishin të burgosun në vitin 1947. Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ndër tortura, të dy t’uritun, të dy të “pa marrun vesht”, të dy të humbun ndër birucat e burgjëve të Durrësit, të dy “agjenta” se kanë mbarue shkollat e larta, të dy direkt ose indirekt të simpatizuem nga intelektualët e mbarë Shqipnisë, të dy të respektuem dhe të nderuem nga të gjitha gjeneratat që kanë ndigjue mësim nga kata vigaj të kulturës shqiptare, të dy me një hap marrshi drejt majave të vështira, por që vezullonin si zafire për me ndritë me dijën e tyne rrugën e brezave të ardhëshme drejt Evropës. Por, ç’e don, të dy të “infektuar” nga Kleri Katolik! Prandej, dënimi i dhanun nuk asht i mjaftueshëm... duhën ridënue... Ashtu u veprue!
PROF. ARSHI PIPA “(Dosja 1167), vjeç 27, lindur në Shkodër (nga Libohova), banues në Durrës, profesor, në gjendje ekonomike të mirë, i dënuar nga Gjykata Usht. Tiranë me dy vjet privim lirie, për vëprimtari kundër Pushtetit Popullor, u muar sot më 5 dhjetor 1947 në pyetje nga Prokurori Publik i Prefekturës së Durrësit, Sotir Qiriaqi:
- I pandehuri ka patur të proçeduar për veprimtari antipushtet vëllain e tij Muzafer Pipa, i vdekur në burgun e Shkodrës...”
●Në rreshtin e parë fillon gënjeshtra! Duhej shkrue: “... Muzafer Pipa, i vdekur në tortura në Sigurimin e Shtetit në Shkodër... i padënuar...”.
Vazhdon ma poshtë prof. Pipa:
“1. Për akuzat e reja që m’atribuohën si rrjellim çka ka dalë nga proçesi i Gjyqit të Tiranës, kundër grupëve të organizueme kundërshtare, unë jam krejt në padijeni të tyne dhe nuk asht aspak e vërtetë që kam qenë bashkëveprues me të dënuemit, ose të pandehurit e grupëve të Durrësit të kësaj organizatë. Unë shtoj, se edhe dënimi em i maparshëm, me akuzat që mu banë në atë gjykim kanë qenë disa akuza të pavërteta, të disa të rijve çiliminjë që kanë intërpretue disa fjalë të mija.
- Mbi akuzat tjera që më përmendën, unë i mohoj, e kam deklarue edhe para gjyqit që më asht ba se me të dënuemit Is-han Podgorica, se mardhanjet e mija shoqnore nuk kanë kalue cakun e marrdhanjëve profesionale për shkëmbim mendimesh për çështje letërsie, dhe kurr ndonjëherë nuk kemi bisedue ose shtrue çështje për vëprimtari kundër Pushtetit.
Me Hysen Çelën nuk kam as njohje, vetëm e njoh kështu si ftyrë, kështu që vetvetiu edhe akuza që më bahët në lidhje me té asht e pavend. Po kështu nuk njoh aspak as edhe si ftyrë Skënder Çelën.
- Akuzat që po me bahën tash unë i kam marrë vesht me anën e fletorës “Bashkimi”, dhe nga zhvillimi i gjyqit të Tiranës, ku i dënuemi Beqir Çela, ka pohue se unë paskam qenë i ndërlikuem me I. Podgoricën, dhe ky direkt me Beqir Çelën ishin në këtë organizatë që u zbulue.
Këto pohime të Beqir Çelës i mohoj plotësisht mbasi as kam pasë dijeni, as pjesë në organizata që ekzistonin këtu në Durrës.
- Unë mohoj gjithashtu pohimët që kanë ba para hetuësisë dhe para Gjyqit të Tiranës, të dënuemit anëtarë të Komitetit të Qarkut të Durrësit, Selim Kokalari, Sulo Konjari dhe R. Tabaku, për që unë të kemi qenë antar i kësaj organizate me pjesmarrje në grupin Social-Demokrat.
- Unë mohoj, se këta i kanë ba këta pohime tue dijtë se unë kam qenë një përson që nuk e simpatizoj Pushtetin Popullor, sikurse e kam pohue edhe ma parë në gjyqin e maparshëm.
Kështu më kanë kallur këtë akuzë, siç kundër u a kanë kallur edhe të tjerve.
- Me të burgosunin H. Ballhysi nuk kam patur asnjë mardhanje për aktivitet kundërshtar, kështu që edhe emni i tij që përmendët si pjestar i grupit social-demokrat për mue asht i pavend.
- Unë duke mohue edhe njëherë akuzat e sipërme ju shtoj përfundimisht, se veprimtaria e eme kundër Pushtetit detërminohet mbi sa kam thanë në gjykimin e parë. Ma vonë shtoj, se detërminohet e shpreha me qëllim me thanë: kufizohet.
- Unë sikurse thashë, jo vetëm që nuk kam pasë mardhanje e marrë pjesë në këto grupe që u zbuluen, porse edhe absolutisht nuk kam pasë dijeni që të kenë ekzistue një organizatë e tillë kundërshtare.
Mbasi nuk kam gjë tjetër për të shtuar sëpse i pandehuri i përgjigjet me mohim ju dha fund pyetjes së tij, të cilat si ju kënduan i vërtetoi me nënshkrimin e tij.”
I pandehuri ( Arshi Pipa) d.v.
Prokurori Publik i Prefekturës (SotirQiriaqi)d.v.
Proçes-verbal i Seksionit të Sigurimit Durrës, Nr. Regj.66,
Simbas shkresës përcjellëse nr.3053 dt. 02. 12. 1947, i dënuari ARSHI PIPA, me fakultet Filozofije në Firencë, nga Libohova, lindur në Shkodër në vitin 1920, ti vazhdohën pyetjet.
Prokurori Publik i Prefekturës: S. Qiriaqi d.v.
“Mbasi nuk mbetët gjë për të shtuar, sëpse i pandehuri përgjigjet me mohim.
Dërgohet për gjykim në Tiranë, si dhunues i dispozitave të sipërme...
Prokurori...firma.
Fletë-akuzë:
I pandehuri Arshi Pipa ka qenë armik i popullit... Për të gjitha këto që përmenda më sipër, neve propozojmë që i pandehuri Arshi Pipa të gjykohet edhe njëherë nga ajo Gjykatë Ushtarake, mbasi dënimi i parë i është dhënë i pakët sëpse mungonin edhe faktët.
Me qenë se veprimtaria e të pandehurit ka qenë e vazhdueshme kundër Pushtetit Popullor dhe se parimet e tija kundërshtare nuk pajtohën kurrë me vijën e Pushtetit Popullor, propozoj, që të marrin dënimin më të rëndë.
Veprimtaria armiqsore e të pandehurit Arshi Pipa faktohet edhe më tepër në proçeset e armiqve të popullit, si më poshtë vijon:
Selim Kokolari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat bashkë me H. Ballhysin, I. Podgoricën, H. Çelën etj.
- Sulo Konjari thotë: Arshi Pipa ka bërë pjesë në grupin Social-Demokrat dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi, bashkë me H. Çelën, I. Podgoricën, Skënder Çelën e H. Ballhysin.
- R.Tabaku thotë: Arshi Pipa ka propaganduar vazhdimisht kundër Pushtetit në fuqi dhe për ndrrimin e situatës me ndërhyrje nga jashtë.
Ka punuar kundër Pushtetit në mënyrë sistematike me elemente të pakënaqur nga reformat... Duhët ridënuar...”
Prokurori ....firma.
PROF. PRENKË KAÇINARI: (Dosja1167).
Ka lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e larta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës.
Vjen profesor në Shkodër.
Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht mjekue dhe ka ba pjesë në Organizatën “Balli Kombëtar”.
Në vitin 1946, transfërohet mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue mbasi ishte randue nga sëmundja dhe:
“... Akuzohët:
- Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit Katolik.
- Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.
- Kur erdhi Italia u holl në mal me “Ballin Kombëtar” dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në shtëpi.
- Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi etj.
- Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor dhe për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët.
- Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë.
- Ka punuar me elementët e rinjë për të patur lidhje me demokristjanën dhe grupet e social-demokratës të udhëzuara nga Prenka.
Vëprimtaria armiqësore e tij vërtetohet edhe nga të pandehurit:
- Selim Kokalari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i grupit të organizatës Social-Demokrate që nga formimi i saj.
- Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë Social-Demokrate.
- Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit.
Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
- Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.
- Pashko Gjeçi: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe Prenkë Kaçinari...
Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda, një tek Stavro Frashëri...Ndër të gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari.
Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën.”
Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipën, Hysen Ballhysin e Pashko Gjeçin, përpara Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.
●Me datën 18 dhetor 1947 Prof. ARSHI PIPA deklaron para Trupit Gjykues:
“Përsa i përket akuzës që unë të jemë antar i organizatës trathtare nuk asht e vërtetë, dhe s’e pranoj. Unë me Sulo Konjarin dhe Selim Kokalarin nuk kam pasun ndonjë lidhje e ndonjë miqësi dhe nuk i njoh.
Unë artikujt në kohën e Italisë i kam shkrue në revistën “Kritika”. Kam shkrue mbi Fan Nolin etj. Is-han Podgorica asht profesor...
Pushtetin Popullor nuk e kam pa me sy të mirë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja për situatën dhe çështje politike. Proçesi i em i bamë në Prokurori tregon se nuk kam rrejtë, por jam mundue me thanë të vërtetën.
Gjithë faji i em asht se nuk jam dënue njëherë e mirë, dhe tash më sjellin prap në gjyq për të më akuzue për organizatën që u zbulue, por unë nuk kam marrë pjesë në té.
Me I. Podgoricën kam bisedue çështje letrare por çështje politike nuk kam bisedue, mbasi nuk kam qenë marrë me politikë por kam ndejë tue studjue gjithmonë.
Me Is-han Podgoricën nuk kam bisedue gja. Me ata që më kanë akuzue mue, unë kërkoj të ballafaqohëm.
Me Hysen Ballhysin nuk kam bisedue gja, me të jam takue disa herë por në shtëpinë e tij nuk kam qenë asnjëherë.
Bisedoja se si je, por kurr çështje politike. Skënder Çelën unë nuk e njoh, por mundet që ai më ka ndigjue emnin tim si profesor që unë ishe.
Unë në shtëpia të shokve të mijë nuk kam shkue ndonjëherë.
Pashko Gjeçin e kam njoftë dhe që të kem bisedue gjana letrare po, por, jo, gja politike.
Përsa i përket akuzave që më bajnë dy të rinjë, unë këtyne i jepnja mësim privat dhe nuk kanë kuptue mirë fjalët e mija. Nxanësit nuk kishin ndonjë simpati karrshi meje, unë u jepja mësim privat se më paguejshin edhe ata kishin interes me mësue.
Sulo Konjarin nuk e njoh, për akuzën që më ban të mejtohet me ke ka qenë! Me R. Tabakun jam takue në kafe por nuk kam bisedue kundër Pushtetit, dëshroj të ballafaqohem!
Në kohën e fashizmit më kanë propozue të bahem kryetar i një reviste italiane që do të delte në Shqipni, por nuk kam pranue. Me Selim Kokalarin nuk kam pasë asnjë bisedë dhe nuk dij pse më akuzojnë!”
Pyeten dëshmitarët Pashko Gjeçi, H. Ballhysi, I. Podgorica, dhe deponojnë ato akuza që kanë deklarue masipër.
“I pandehuri Arshi Pipa mohon thënjet e tyre, nuk janë të vërteta!”. Për secilin përsëritë thanjet e bame para Trupit Gjykues.
Pyetet PROF. PRENKË KAÇINARI, i cili deklaron:
“Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar” për t’i ikë kuesturës.
Me Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943 dhe bashkë me Zef Palin, jam organizue me “Ballin Kombëtar”. Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokratën, por unë i thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë. Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare. Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë apo parti demokristjane. Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine. Jam kenë antifashist.
Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin dhe fashizmin.
Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë nuk dij mbi ç’baza më akuzojnë.”(Dosja 1167, po aty).
Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: “Preka më duket se ka kenë në mbledhje të Durrësit me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë.”
“Prenkë Kaçinari i përgjegjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë!”
Edhe ndonjë dëshmitarit tjetër të parapregatitun Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjigje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq me mohue jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës.
Vetë përdorimi i fjalës “më duket” se ka qenë edhe Prenka!..., tregon lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i akuzuemi me u lëkundë në qëndrimin e tij dhe po e hangri “ullinin”, hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i thanë viktimës: “Të dhashë një mundësi me mohue!”. Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe shpifës, ndërsa burra u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë: “E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu !” e, nuk janë kenë të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të vërtetën.
Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t’i kenë ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj edhe sikur kurrkush mos t’i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t’ishin pushkatue si shumë shokë të tyne.
Por, për me kenë të qetë shpirtnisht, të paktën sot, ata që jetojnë nuk duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, “ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët!”
Jo, jo! Mos rreni veten gjithë jetën! Të gjithë dokumentat janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë se të gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij i ka lanë këtu dhe askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi në vorr!
***
●Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel.
Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:
“... Në emër të Popullit Shqiptar”:
“... Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore, dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.
I pandehuri Arshi Pipa gjatë kohës së fashizmit ka drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në liceun e Tiranës, lidhet me grupin e social-demokratës dhe zhvillon një aktivitet të gjerë në favor të kësaj organizatë.
I pandehuri, vazhdon aktivitetin e tij ndër studenta dhe ndër elementa të pakënaqur duke predikuar mbi demokracinë perëndimore dhe me tjera pallavra, të gjitha këto i bënte me qëllim për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte Pushtetin si një Pushtet terrorist.
Aktiviteti i të pandehurit u provua plotsisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proçes-verbali i tij para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes.
I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.
Prandaj: ... Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:
1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.
2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.
3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.
4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjës 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.
Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit.
Durrës 24 dhjetor 1947.
Sekretari d.v. Antar d.v. Antar d.v. Kryetari d.v. (vetëm firmat)
***
●Në dosjen nr. 1167 ruhët kjo kërkesë e bame nga Prof. Arshi Pipa, të cilën po e botoj pa asnjë ndryshim nga origjinali, mbasi m’u dha mundësia e kopjimit:
“V.F.L.P.
Me anën e Drejtorisë Burgut A.P. Durrsit:
Gjykatës së Naltë Ushtarake Tiranë
I nënshkruemi Arshi Pipa kam nderin T’i paraqes asaj së Nalte Gjykatë, kërkesën time apelimore, si vijon:
I arrestuem që më 27 prill 1946, jam dënue prej Gjykatës së Garnizonit Tiranë, me 2 (dy) vjet privim lirije, për veprimtari kundër Pushtetit.
Më 20 dhetuer 1947 jam dënue rishtas nga Gjykata me 20 (njizet) vjetë privim lirije, i akuzuem në grupun social-demokrat në lidhje me organizatën e deputetve. Përsa i përket kësaj akuze, marr lejën të baj vetëm nji vrejtje: Përsonat që më akuzojnë, disa i njof vetëm për fëtyrë, e disa nuk i njof fare. Prej akteve që e Nalta Gjykatë do të marrë në shqyrtim kam shpresë, do të dalë qartë se unë nuk jam nji njeri i politikës por nji njeri i librave, i studimëve; nuk kam marrë pjesë në jetën politike para Çlirimit, nuk kam qenë as me Ballin as me Legalitetin. Me ndjenja kam qenë kundërshtar i fashizmit, gja kjo që provohet ndërmjet tjerash, nga nji dokument që ndodhet n’aktet e mija të gjykimit të parë. Rrjedhi nga nji shtresë e mesme qytetare. Nuk jam i prekun nga Reformat mbasi as unë as prindët e mij nuk kanë të paktën asnji shtëpi banimi tonën.
Përveç të masipërmëve lutem të merren parasyshë edhe këto dy gjana: a. Gjendja ime familjare: tue qenë unë i vetmi mashkull përveç babës që asht tetëdhetë vjeçar e paralitik - në familjen time të përbame nga nana, katër motra - prej të cilave njena e sëmurë tuberkuloze - dhe dy jetime. b. Gjendja ime shndetsore: tue qenë unë që prej shumë kohe me nji infiltracion të mushkërive.
Tue shpresue se apelimi im do të gjejë konsideratë pranë asaj së Nalte Gjykatë, kërkoj lehtësimin e dënimit dhe shpreh bindjen time në verdiktin e sajë të drejtë.
Durrës 27 dhetuer 1947
Arshi Pipa d.v.
I burgosun në Burgun A.P. të Durrësit”
V.O. Burgu A.P. (Armiqve të Popullit), shën.autori.
Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:
“Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:
Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore duke bërë pjesë në grupin e quajtur social-demokrat, që kryesohej nga Gjergj Kokoshi e Suat Asllani. Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta. Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të prëgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve.
Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.
Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut.
Për këto arësye dhe për ato që do të shtroj, kërkoj modifikimin e dënimit Prenkë Kaçinarit, ndërsa Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, dhe Hysen Ballhysa të lehën si ishin.
24 shkurt 1948
Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare
Kapiten I. Nevzat Haznedari d.v.
Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino,
mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:
1. PRENKË VLASH KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.
2. ARSHI MUSTAFA PIPA, me 20 vjet privim lirije.
3. HYSEN NAMIK BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.
4. PASHKO VASË GJEÇI, me 5 vjet privim lirije.
Kryesekretari d.v. Antar d.v. Antar d. v. Kryetari d.v.
(vetëm firmat). “
●Këtu mbyllet vetëm dosja...
***
●Jeta me të vërtetë duket se vazhdoi... por, askush nuk mund të parashikonte si u erdhi fundi këtyne njerëzve, ndoshta, edhe ata vetë në vitin 1947-48, fundin e kanë mendue në Beden, Maliq, Burrel, ose Tepelenë, por kurrë, se mund të jenë një ditë... në Romë,...Washington... ose, ma mirë me thanë se mund të jenë ndonjëherë të lirë.
Fjala liri kishte përëndue bashkë me andrrat e shpresat e tyne. Prof. Arshi Pipa pat fatin me e shijue prap lirinë ndërsa Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se, ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e, ndonjëherë, jo e meritueme kjo për atë që e provoi...
●Lexoni me kujdes këta pak rreshta, (pa koment):
“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)
Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija.
Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.
Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.
Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.
E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.
Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji
Prenkë Kaçinari
Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”
●Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka, z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës dhe origjinali ruhët në familjen e tij. (shënimi i FR).
Melbourne 2004.
Fritz Radovani u lind në Shkodër me 6 janar 1940. Në bombardimin e bamë nga Aleatët me 13 tetor 1943 në Tiranë, ìu vra i ati Kol Radovani, major i policisë shqiptare dhe u rrit me t'ëmën. Në vitin 1956, në Shkodër ka përfunduar shkollën e mesme Pedagogjike. U emënue nga Ministria e Arsimit në Burrel, në fshatin Macukull. Për nevoja shendetsore u kthye në Shkodër dhe u emënue disenjator në Kabinetin Pedagogjik, ku punoi 4 vjet. Mbas katër vjetësh,kaloi mësues në lagjen Liria po në Shkodër. Gjatë asaj kohë pra, në vitin 1965 ka përfunduar Liceun artistik me korrespondencë në Tiranë. Nuk ìu dha e drejta me vazhdue shkollë të lartë për arsye biografie. Në vitin 1968 në periudhën e Revolucionit Kultural, mbas arrestimit të dytë të vëllaut të madh, u transferua në fshatin Kosmaç, mësues në klasat fillore. Në vitin 1969, u largua nga arsimi dhe u emënue piktor në fabrikën e Tekstilit Shkodër. Aty nuk vazhdoi vetëm dy vjet me titull Piktor dhe kaloi në organikën e asaj fabrike si punëtor reparti stampimi deri me daljen në pension të parakohshëm në vitin 1992.
Që nga viti 1967 nuk ka pas të drejtë as me marrë pjesë në ekspozita pikture.
Që nga viti 1945 dhe deri në vitin 1998 (tue përjashtua vitet 1961–1964) ka pas vazhdimisht një njeri të familjes në burgjet e kampet e shfarosjes, prandej edhe ka qenë gjithmonë i përfshimë në “luftën e klasave” të pushtetit komunist. Në vitet 1945 janë arrestuar dy dajat Paulin e Mikel Prennushi. Paulini ka ba 5 vjet burg e 5 vjet internim. Mikeli ka ba 10 vjet burg. Në vitin 1946 është arrestuar axha i nënës At Mati Prennushi, Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, i cili është pushkatuar me 11 mars 1948. Në vitin 1948 është arrestuar daja tjetër prift Don Kolec Prennushi, i cili mbas hetuesisë ka vdekur në vitin 1950. Në vitin 1950 është arrestuar vëllau Alfonsi, dhe është dënue 8 vjet burg me grupin e studenteve të Gjimnazit Shkodër. Eshtë arrestuar prapë në vitin 1967 dhe është dënue me grupin e klerikëve të Tiranës, me 10 vjet burg për pikëpamje fetare tue u përfshi në nenin e “Agjitacionit e Propagandës kundër pushtetit”.
Në vitin 1991, në muajin janar u zgjedh Kryetar i Sindikatës së Fabrikës Pëlhurave të Shkodrës, në periudhën e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Po këtë kohë u zgjedh edhe anëtar i Kryesisë BSPSh (Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna Shqiptare) në Shkodër, për sektorin e propagandës dhe marrëdhënieve mes besimeve. Ka kontribuuar në përmbysjen e qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, tue organizuar mbledhje, mitingje, greva dhe në radio “Shkodra” e gazeta, me artikuj kundër komunizmit. Nuk u pajtue asnjëherë me demagogët dhe komunistët e konvertuem në “demokrat” e “socialist”, për këtë arsye edhe nuk kam ba pjesë asnjëherë në asnjë parti politike të djathtë as të majtë. Kjo e ka shtye që në vitin 1997 me u larguar nga Shqipëria ilegalisht, mbasi u kercnue me vrasje. Në vitin 1998 u kthye në Tiranë dhe në vitin 2000 ka emigruar në Australi. Edhe këtu nuk kanë munguar veprimet kundër tij nga metastazat e Sigurimit famëkeq të komunistëve të Tiranës. Falë Shtetit Australian që i ka siguruar jetën.
Këtu ka përfunduar në vitin 2002 librin “Një monument nën dhe” dhe ka vazhduar punën për një botim të dytë të librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, i botuem për të parën herë në Shqipëri në vitin 1993. Në vitin 1992-1993 është bashkautor i librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, libër i cili i është dhurue Papës Gjon Pali II, me rastin e vizitës në Shqipëri me 25 prill 1993. Kam përfundue edhe librin “Gurt’ e Parë” dhe është futë në “labirintet e demokracisë përparimtare”, me mujtë me i dhanë rinisë një punë tjetër modeste nga ana eme. Dy të fundit janë dorëshkrime. Përveç “publicistikës” tashti Radovani po punon mbi një libër të vogël (xhepi) për mësimin e bazave të para të GJUHËS SHQIPE (Gegërishtja e sotme), për nxënësit e rritun në Australi që kanë përfunduar shkollat e ulëta e nuk njohin Gegërishten.Është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork,Prishtinë, Tiranë dhe Shkup nga viti 2018.
No comments:
Post a Comment