Hashim Thaçi :Nuk duhet të frikësohet askush, aq më pak kur dihet saktësisht se do të jetë kjo një marrëveshje që bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovë
Teza për ndarjen e Kosovës ka prodhuar një debat të ashpër edhe mes vetë amerikanëve. Pas vizitës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë, analisti dhe profesori amerikan, Edward Joseph e ka cilësuar këtë takim si një dakordësi për ndarjen e Kosovës.
“Qëllimi i vërtetë i Grenell, Vuçiçit dhe Thaçit ishte të arrihet marrëveshja. Dhe unë besoj se bëhet fjalë për të njëjtën marrëveshje apo të ngjashme për të cilën ishin dakordësuar gjatë mandatit të Mogherinit. Dhe kjo nënkupton ndarjen e Kosovës, që dikur quhej shkëmbimi i territoreve, por në thelb bëhet fjalë për ndarje sepse nuk e dimë se sa territor të Serbisë do të përfitonte Kosova. Sipas të gjitha gjasave diçka minimale”, ka thënë Edward Joseph .
Por, menjëherë pas kësaj deklarate reagoi i Dërguari Special i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke i quajtur të pavërteta pretendimet e Edward Joseph-it.
Sipas tij, asnjëherë nuk është diskutuar për ndarjen e Kosovës të paktën në Shtëpinë e Bardhë apo kur ai ka qenë prezent. Gjithashtu edhe presidenti Thaçi e cilësoi një trillim deklaratën e profesorit Joseph.
“Është zhgënjyese të shohësh se si disa analistë me lehtësi krijojnë planet e tyre të trillimeve (shkëmbim tokash, ndarje, autonomi) dhe t’ua atribuojnë atyre që janë duke u përpjekur të bëjnë një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë. Përhapja e planeve dhe lajmeve të rreme nuk do të ndihmojë këtë proces”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Me gjithë reagimet e Grenellit dhe Thaçit, Joseph ka vijuar të mbrojë qëndrimin e tij duke thënë se duke iu referuar të kaluarës, marrëveshjet e drejta në Ballkan kanë funksionuar, ndërsa marrëveshjet që flasin për territore nuk kanë funksionuar asnjëherë ndërsa mori si shembull marrëveshjen e Dejtonit.
“Kjo është ajo që kemi mësuar. Marrëveshjet e Ballkanit të bazuara në të drejta, si ajo e Prespës dhe Ohrit, funksionojnë ; ato të bazuara në territore si e Dejtonit, nuk funksionojnë. Kosova dhe Serbia mund ta kenë një marrëveshje që funksionon. Krejt çka duhet është lidership”, ka shkruar ai.
Fake News. This has never been discussed in my presence. @edwardpjoseph is reckless here. twitter.com/Otvorenistudio…
Here is what we’ve learned: Balkan agreements based on rights, like #Ohrid and #Prespa, work; agreements based on territory, like #Dayton, don’t. #Kosovo and #Serbia can have an agreement that works. All it takes is leadership. @RichardGrenell @HashimThaciRKS @avucic
Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç 3 muaj më parë zhvilluan një takim në Shtëpinë e Bardhë nën prezencën e të dërguarit të Donald Trump, Richard Grenell. Pas këtij takimi, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh për mediat se do të arrihet një marrëveshje, por e bazuar gjithnjë në Kushtetutën e Kosovës.

“Çdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, në tavolinën e bisedimeve. Kjo është një punë nacionale askush nuk ka nevojë t’i frikësohet prezencës në tavolinë, derisa aty e pranishme është SHBA-ja. Nuk duhet të frikësohet askush, aq më pak kur dihet saktësisht se do të jetë kjo një marrëveshje që bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi në konferencë.
Por, pretendimi i analistit amerikan Joseph duket se ua kthyer planet përmbys, ndërsa nuk dihet nëse SHBA ka dhënë pëlqimin për ndarjen e Kosovës që mund të çojë në një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit apo mbetet vetëm një spekulim.
Kanë kaluar 21 vjet që kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova dhe 12 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për të vlerësuar siç duhet koston e dëmeve të shkaktuara nga fushata ushtarake e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998-1999 ose për t’u përpjekur ta detyrojnë shtetin serb të paguajë dëmshpërblime.
Kostoja e përgjithshme është vlerësuar nga ekspertë ekonomikë nga Kosova dhe arrin në 22 miliardë euro, por detajet ende nuk janë vërtetuar siç duhet nga autoritetet e Kosovës, të cilët gjithashtu nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë hap domethënës drejt kërkimit të dëmshpërblimeve.
Ndërkohë, në një zyrë juridike në Skenderaj, Kosovë, dy avokatë janë përpjekur për më shumë se një dekadë të ndihmojnë për kompensime individët që vuajtën gjatë luftës.

Jahir Bejta (Foto: Dardan Hoti)
Jahir Bejta, 70 vjeç, dhe Kadri Osaj, 54 vjeç, të cilët drejtojnë një OJQ të quajtur “Ngritja e Zërit”, e nisën betejën e tyre për drejtësi në 2008.
“Ngritja e Zërit” mbledh dhe klasifikon prova në mbështetje të pretendimeve për dëme që rezultuan nga lufta e Kosovës.
Pa ndonjë mbështetje financiare nga shteti, Bejta dhe Osaj kanë ndihmuar qytetarë të zakonshëm të Kosovës të përgatisin padi dhe nuk kanë pranuar të heqin dorë pavarësisht se çdo çështje që ata kanë përgatitur deri më tani është hedhur poshtë nga gjykatat në vend.
“U lamë në mëshirë të Zotit”
Në zyrën e Jahir Bejtës dhe Kadri Osajt është çështja e familjes Sejdiu nga fshati Qirez në komunën e Skenderajt të Kosovës. Familja ka kërkuar drejtësi për dhjetë vjet për vuajtjet që u shkaktoi shteti serb gjatë luftës.
Hamdi Sejdiu, tani 66 vjeç, u plagos nga trupat serbe më 28 shkurt 1998, në masakrën e Qirezit dhe Likoshanit, në të cilën u vranë 24 civilë.

Familja Bugujevci para luftës, me Saranda Bugujevcin në qendër. Foto kortezi e Saranda Bugujevci.
“Njëzet e një nga ne u shtrinë para tankut. Ata më goditën me thikë dhe më thyen pesë dhëmbë atë ditë. Unë mbijetova me vetëm këto lëndime, por ndenjëm shtrirë para atij tanku derisa masakra në Qirez mbaroi. Katër vëllezërit e mi u vranë atje”, kujtoi Sejdiu.
Dy nga vëllezërit e tij, Bedriu dhe Bekimi, ishin binjakë, të dy studentë që kishin mbaruar studimet vetëm një ditë para se të merreshin peng dhe të vriteshin.

Tym nga shtëpitë që digjen në fshatin Seqishtë, Kosovë, i qëlluar nga tanket serbe në mars 1999.
Foto: EPA/LOUISA GOULIAMAKI.
Pas lirimit të tij, Sejdiu u ribashkua me familjen e tij dhe në muajt që pasuan, ata u endën nga një qytet në një tjetër, duke u përpjekur të gjenin strehë dhe të shpëtonin nga dhuna dhe vrasjet që po ndodhnin në të gjithë Kosovën. Më 18 qershor 1999, pasi lufta mbaroi dhe forcat e Sllobodan Millosheviçit u tërhoqën nga Kosova, ai u kthye në Skënderaj me familjen e tij.
Disa vjet më pas, Sejdiu filloi të mblidhte dokumentet e nevojshme për të kërkuar kompensim nga Serbia.
“E gjithë prona që kisha në Qirez ishte dëmtuar, djegur dhe shkatërruar. Duke nisur nga shtëpia, veglat, hambari dhe gjithçka tjetër”, tha Sejdiu, i cili tani jeton me një pension mujor prej 120 eurosh që merr nga shteti.
Megjithatë, ai beson se një vite do të vendoset drejtësi dhe se Serbia do të paguajë për dëmet që ajo shkaktoi në Kosovë gjatë luftës.
“Duke marrë parasysh ligjet ndërkombëtare, do të prisja që Serbia të paguajë për këto dëme, por përsa i takon institucioneve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës na ka refuzuar tre herë tashmë”, tha ai.
Çështjet e Bejtës dhe Osajt gjithmonë janë refuzuar nga gjykatat e shkallës së parë me arsyetimin se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk kanë fuqi për të sjellë në gjykatë një shtet tjetër. Kur çështjet e tyre refuzohen, të dy avokatët apelojnë në gjykatën e apelit dhe paraqesin kërkesa për vlerësime të ligjshmërisë së çështjes së tyre në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese gjithmonë është përgjigjur negativisht ndaj këtyre kërkesave, megjithatë, “në vend që të marrë një vendim dhe të vërtetojë faktin se kushtetutshmëria është shkelur, ajo justifikon vendimet e mëparshme nga gjykata e shkallës së parë”, tha Bejta.
Kjo ka bërë që Bejta dhe Osaj të akuzojnë institucionet e Kosovës se nuk kanë vullnet të ndihmojnë në procesin e kërkimit të dëmshpërblimeve nga Serbia.
Ata gjithashtu argumentojnë se pretendimi se institucionet gjyqësore të Kosovës nuk kanë fuqi për të sjellë një shtet tjetër në gjykatë është i pasaktë dhe këmbëngulin se Ligji për Procedurën Kontestimore i Kosovës ofron një bazë ligjore për të paditur shtetin e Serbisë në gjykatat e Kosovës.
Ata sugjerojnë se një thirrje ligjore mund të dërgohet në Serbi përmes oficerit ndërlidhës të Beogradit në misionin e BE-së në Prishtinë. “Ligji parashikon se mund ta çoni një shtet në gjykatë, por ata duhet të informohen se po paditen”, tha Osaj,shkruan gazetari Dardan Hoti.
“Serbia e pranoi fajin”
Për Saranda Bogujevci, një e mbijetuar nga një masakër nga paraushtarakët serbë në fshatin Podujevë më 28 mars 1999, paratë nuk mund ta kompensojnë kurrë atë për dhimbjen që ajo po vuan ende për humbjen e të afërmve të saj që u vranë atë ditë.
Bogujevci humbi nënën e saj, gjyshen dhe dy vëllezërit më të vegjël, si dhe gruan dhe vajzën e xhaxhait të saj. Përkundër kësaj, ajo pati guximin të udhëtonte në kryeqytetin serb Beograd për të dëshmuar për krimet. Gjykata Themelore e Beogradit i dha familjes së saj 200,000 euro kompensim.
Gjyqi filloi në vitin 2003, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe. Ajo kujton se si, në fund të dëshmisë së saj, u pyet nëse dëshironte të vazhdonte çështjen gjyqësore për kompensim.
“Kur ata më bënë këtë pyetje, ishte shumë ofenduese për mua. Mbaj mend që u revoltova shumë”, tha tha Bogujevci, e cila tani është deputete për partinë Vetëvendosja.
Ajo tha se e kuptoi vetëm më vonë rëndësinë e vendimit të gjykatës, pasi Serbia në vitin 2007 burgosi pesë anëtarë të njësisë “Akrepat”, e cila funksiononte si pjesë e Ministrisë së Brendshme serbe, për rolin e tyre në sulmin vdekjeprurës në Podujevë.
Familjarët e 14 grave dhe fëmijëve të vrarë nga luftëtarët e “Akrepave” ngritën një padi kundër Serbisë për kompensim dhe e fituan çështjen e tyre në vitin 2016 – e para e këtij lloji, sipas OJQ-së Fondi për të Drejtën Humanitare me qendër në Beograd.
“Unë isha shumë e re dhe nuk e kuptoja se çfarë nënkuptonte i gjithë ky proces. Çështja e familjes sonë është e para në të cilën shteti serb mori një vendim për të dhënë dëmshpërblime, që do të thotë se ata e pranuan fajin për krimet e luftës të kryera prej tyre”, tha Bogujevci.
Detyrimi i shtetit serb për të ofruar kompensim për viktimat e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe shkeljet ndërkombëtare humanitare, që rrjedh nga konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që Serbia ka ratifikuar, do të thotë se shteti është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga trupat e tij.
Në Serbi, ekzistojnë tre mekanizma që viktimat mund t’i përdorin për të kërkuar kompensim.
Fillimisht, ka procedura përmes të cilave njerëzit mund të fitojnë statusin e një viktimë civile të luftës, status i cili garanton përfitime të caktuara – edhe pse Serbia nuk e përkufizon luftën e Kosovës të viteve 1998-1999 si luftë, por si një konflikt të brendshëm të armatosur brenda Jugosllavisë.
Së dyti, paditë civile që mund të paraqiten për të kërkuar kompensim nga shteti serb.
Dhe në fund, ekziston një mekanizëm gjyqësor për të ushtruar të drejtën për dëmshpërblime. Ky mekanizëm aktivizohet duke paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim ndërsa një proces penal është në vazhdim e sipër, por duke qenë se Prokuroria e Krimeve të Luftës në Serbi u themelua në vitin 2003, kjo nuk është përdorur asnjëherë.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, qindra kërkesa individuale për kompensim janë ngritur si padi civile kundër Serbisë, qoftë përmes FDH-së ose duke përdorur avokatë privatë.
“Prej vitit 2000 e deri më tani, FDH ka përfaqësuar mbi 1,000 viktima të krimeve të luftës, torturës, ndalimit të paligjshëm, rekrutimit të detyruar dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut të kryera nga forcat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Serbi dhe Kosovë në aktakuza kundër shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës”, tha Meris Musanovic, një analist ligjor në FDH.
Nga këto raste, midis vitit 2006 dhe 2010, FDH ngriti 52 padi kundër Serbisë, duke kërkuar kompensim për 188 viktima të luftës në Kosovë.
“Kostoja e dëmeve të luftës në Kosovë arrin në 22 miliardë euro”
Muhamet Mustafa, një këshilltar në Institutin Riinvest në Prishtinë, ishte koordinatori i ekipit të çështjeve ekonomike të delegacionit të Kosovës në negociatat mbi statusin e saj përfundimtar në Vjenë në mesin e viteve 2000.
“Ekipi i ekspertëve që unë udhëhiqja në atë kohë bëri një vlerësim të dëmeve të luftës në sektorë të ndryshëm dhe kjo kosto arriti mbi 22 miliardë euro”, tha Mustafa.
Shuma përfshin dëmtimin e pronave, të mirat e vjedhura, humbja e kursimeve dhe pensioneve dhe kostot të tjera në buxhetin e Kosovës, shpjegoi ai.
Mustafa u shpreh se nëse marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës do të normalizohen, Serbia duhet të pajtohet të paguajë kompensimin.
“Tani sigurisht për të vendosur pajtimin dhe për të parë që Serbia dëshiron vërtet të lërë pas politikat e Sllobodan Millosheviçit, ajo duhet të jetë e gatshme të shlyejë llogaritë dhe të kompensojë dëmet ekonomike të pronës private dhe dëmet e tjera të shkaktuara në Kosovë përmes qeverisjes së saj dhe luftës për shfarosje që zhvilloi kundër shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.
“Shansi i fundit për të rënë dakord për dëmshpërblimet”
Furtuna Sheremeti, e cila është duke punuar për doktoraturën në lidhje me krimet e shtetit dhe kompensimin në KU Leuven, një universitet në Belgjikë, dhe është gjithashtu një profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, tha se komuniteti ndërkombëtar është përpjekur të ndihmojë në dokumentimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës duke krijuar dhe financuar agjenci dhe gjykata ndërkombëtare.

Por, përkundër kësaj, Sheremeti tha se deri më tani është bërë shumë pak në çfarëdolloj niveli – ndërkombëtar, rajonal apo vendor – për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga krimet shtetërore dhe për të kuptuar më shumë rreth dëmshpërblimeve të nevojshme për viktimat.
Ajo gjithashtu tha se raundi i fundit i dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ishte momenti i fundit për t’u përqendruar te dëmshpërblimet gjatë bisedimeve në Bruksel.
Megjithatë, ajo paralajmëroi që institucionet shtetërore të Kosovës nuk janë të gati të kërkojnë dëmshpërblim nga Serbia sepse “një padi e mirëfilltë duhet të mbledhë të dhëna të sakta dhe origjinale, gjë e cila nuk po bëhet nga zyra e presidentit ose kryeministrit, as nga ndonjë institucion shtetëror në Kosovë ”.
Heidi Matthews, asistent profesoreshë dhe bashkë-drejtuese në Qendrën Jack dhe Mae Nathanson për të Drejtat Transnacionale të Njeriut, Krimin dhe Sigurinë në Universitetin York në Kanada, tha ndërkohë se nëse Kosova kërkon dëmshpërblime gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia mund të kërkojë diçka tjetër në këmbim.
“Kosova dhe Serbia aktualisht po negociojnë njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë si një shtet i pavarur politik dhe sovran. Është e arsyeshme që në këto kushte Serbia mund t’i kërkojë Kosovës që të minimizojë kërkesat për dëmshpërblim në këmbim të njohjes nga ana e Serbisë”, sugjeroi Matthews.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, propozoi në vitin 2016 që të ngrihej një padi për gjenocid kundër Serbisë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por ekspertët paralajmëruan në atë kohë që kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë sepse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e cila është një detyrim që të mund të ngresh një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
GJND-ja gjithashtu nuk ka juridiksion të detyrueshëm, që do të thotë se mund ta dëgjojë një çështje vetëm nëse si paditësi ashtu edhe i akuzuari pajtohen. Kjo do të nënkuptonte që Serbia do të duhej të ishte dakord me këtë, që me siguri nuk do të ndodhte.
Matthews sugjeroi megjithatë që “lejimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të ketë juridiksion mbi çështjen e dëmshpërblimeve shtetërore mund të përmirësojë qëndrimin e Serbisë me shtetet anëtare të BE-së ndërsa Serbia punon drejt pranimit të saj në BE”.
“Është një çështje politike nëse përdorimi i ligjit ndërkombëtar për të zgjidhur problemin e dëmshpërblimit sot do të ishte në interes të Serbisë”, shtoi ajo.
Tema e dëmshpërblimeve ende nuk është diskutuar gjatë negociatave të ndërmjetësuara nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë.
Ish-ministrja e Kosovës për dialog, Edita Tahiri, i cili drejtoi ekipin e Prishtinës në bisedime në një moment, tha për mediat se kompensimi nga Serbia do të diskutohej në fazën përfundimtare të bisedimeve.
“Në dokumentin e paraqitur në BE në vitin 2014, ne si qeveri e asaj kohe kërkuam që faza e fundit e dialogut të zgjidhë edhe çështjen e dëmshpërblimeve të luftës; domethënë, përmes kompensimit të dëmeve të luftës në përputhje me ligjin ndërkombëtar, siç ndodh me të gjitha shtetet që kanë qenë në luftë, kur agresori ka detyrim të paguajë për dëmet e luftës”, tha Tahiri.
Ish Drejtuesi aktual i ekipit negociator në ish Qeverinë Haradinaj në bisedimet Kosovë-Serbi , Shpend Ahmeti,ka thënë se Prishtina tani ka paraqitur kërkesën e saj për shqyrtim.
“Në këtë fazë, na është kërkuar që të paraqesim të gjitha temat që mendojmë se duhet të jenë pjesë e marrëveshjes përfundimtare. Ne kemi sqaruar se një nga pikat kryesore të kërkesave tona është çështja e dëmshpërblimeve”, tha Ahmeti.
“Por në këtë fazë, Brukseli nuk po komenton kërkesat e secilës palë, nuk po thotë nëse është një pretendim i mirë apo i keq”, shtoi ai.
Kosova po këmbëngul që një mekanizëm për pretendimet e kompensimit të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, qoftë në formën e një procesi arbitrazhi apo duke përfshirë gjykata ndërkombëtare.
Ahmeti pranoi se Kosova nuk ka ekspertizë të mjaftueshme për të vlerësuar siç duhet këto dëmshpërblime dhe tha se do të ishte më mirë të pranohet një mekanizëm ndërkombëtar që do të ofronte një zgjidhje të drejtë.
Për Hamdi Sejdiun, katër vëllezërit e të cilit u vranë në një masakër nga forcat serbe 21 vjet më parë, çdo kompensim i paguar nga Beogradi do të ishte vetëm një njohje e vuajtjes së tij dhe jo një zgjidhje për të.
“Edhe sikur të më jepni botën, Serbia s’mund ta shlyejë kurrë dhimbjen emocionale që ata më kanë shkaktuar”, tha ai.
“Çfarë mund ta kompensojë vrasjen e katër personave? Asgjë.”
****
Borko Stefanoviç tha se Serbisë nuk ia ka kërkuar askush nga Perëndimi që ta njohë Kosovën.
Zoti Stefanovic, ishte kryenegociator për palën serbe kur kishte negociata me Kosovën...
Ne negocionim cështje teknike, arritëm 7 marrëveshje të ndryshme me Prishtinën, kryesisht për lirinë e lëvizjes, përdorimin e pullave doganore dhe kontrollin e integruar të kufirit, sic e quajmë ne kufi administrative…
IBM?
Po IBM, po është në fakt, IBBM, secila palë e lexon siç do. Ishte gjysëm e suksesshme do të thoja, shumica e këtyre marrëveshjeve nuk patën kurrë jetë në terren, por ishte gjithsesi një hapje e madhe midis nesh dhe Prishtinës. Ishte hera e parë që ne u ulëm bashkë dhe filluam negociatat sy më sy, ballë për ballë dhe ishte një lëvizje e qartë e nevojshme nga Beogradi për të pranuar ekzistencën e Kosovës si një entitet, jot ë Kosovës si shtet. Kështu që është dicka e ndryshme. Miqtë tanë nga Prishtina gjithmonë besonin se ne duhet të nxitonim dhe të pranonim realitetet. Ata thoshin që ne duhet të pranojmë realitetin e të ashtuquajturës Kosovë e pavarur, të cilën ne nuk mund ta bëjmë asnjëherë. Por pavarësisht kësaj, ne gjetëm një rrugë për të filluar për të zgjidhur cështje dhe problem që bëjnë presion tek njerëzit e zakonshëm kudo. Ne nuk u morëm me cështjen e statusit, kështu që zoti Vucic shkoi një hap më tej dhe filloi të negocionte statusin e Kosovës. Ne mendojmë se kjo ishte një grackë e panevojshme për Serbinë dhe dicka që na coi në një rrugë pa krye. Sepse tani kemi një situatë ku Prishtina thotë duhet të na njohni si vend I pavarur dhe Serbia thotë, ne nuk mund ta bëjmë këtë, ose të paktën, nuk mund ta bëjmë pa një lloj shkëmbimi territoresh, që ne besojmë se është një histori edhe më katastrofike. Dhe ne besojmë se cdo shkëmbim territoresh është I dëmshëm për rajonin, edhe për Serbinë, dhe kryesisht për njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe Metohi.
Pra ju po thoni që zoti Vucic po e kërkon këtë?
Ka thashetheme dhe ai e ka thënë edhe publikisht disa herë se do të ishte një zgjidhje e mirë, ne besojmë se do të ishte një zgjidhje katastrofike.
Por a ka folur ai për gjëra praktike? Zoti Vucic, a ka folur se cfarë territoresh do të shkëmbeheshin?
Me sa duket, por ne nuk i dimë hollësitë e të ashtuquajturit plan, sepse askush nuk e pa asnjëherë atë, të paktën këtu në Beograd; ne nuk e dimë cfarë I ka premtuar ca njerëzve jashtë, por e dimë që disa nga partnerët tanë perëndimorë po bëjnë një sy qorr për gjërat që zoti Vucic po bën brenda vendit. Ka një spekulim të fundit në publikun serb, se në këmbim të të bërit një sy qorr për sjelljen e tij brenda Serbisë, ai ka premtuar të përmbyllë cështjen e Kosovës. Por askush nuk mund ta përcaktojë vërtetë cfarë do të thotë përmbyllja e cështjes së Kosovës. Për Prishtinën, sigurisht që do të thotë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës zyrtarisht, për ne sigurisht që jo, dhe për miqtë tanë perëndimorë, me sa duket do të thotë që Belgrade mund të bjerë dakord që Kosova të bëhet pjesë e OKB-së. Kështu që diku në mes, jemi duke pritur për një zgjidhje, por ne jemi po aq larg zgjidhjes sa ishim në 2012. Kështu që asgjë nuk do të ndodhë. Njerëzit nuk duhet të presin zotin Vucic të bëjë ndonjë gjë për të zgjidhur cështjen e Kosovës.
Po pse vazhdoni të thoni tërë kohën se nuk do ta njihni kurrë pavarësinë e Kosovës, pse është kështu, ajo është një realitet, është atje, është e pavarur, është shpallur e pavarur dhe është njohur nga lojtarët më të mëdhenj ndërkombëtarë...
Gjatë spastrimit etnik që bënë serbët ndaj shqiptarëve në Kosovë më 1998 dhe 1999, madje edhe gjatë fushatës së NATO-s kundër Serbisë më 1999, Federata Ruse, politikisht dhe materialisht, e përkrahu regjimin e Milosheviqit në Beograd. Konvojet me ndihma ruse dhe belloruse udhëtonin haptas për në Serbi duke bartur ndihmë vitale ushtarake, siç janë komponentet elektronike për mbrojtje të sistemit ajror që kamufloheshin si ndihmë humanitare ruse. Ndihma ruse nuk përkufizohej vetëm në teknologji ushtarake, por përfshihej edhe faktori njerëzor.
Më 1998, Milosheviqi vendosi të angazhojë kontraktnikë rusë, duke i urdhëruar ministrit serbë të punëve të brendshme (shokut të tij të akuzuar për krime të luftës), Vllajko Stojiljkoviqit, që të rekrutojnë vullnetarë të këtij qëllimi. Ministria e punëve të brendshme (MUP), me ndihmë të ministrisë së jashtme, rekrutoi kontraktnikë nëpërmes kompanive tregtare dhe ndërtimore siç ishte “Yugoimport” (udhëhequr nga generalmajori Jovan Çekoviq) që punonte në projektet e ndërtimit dhe të restaurimit në Rusi dhe pastaj këta i dërgonte në Serbi. Vëllau i Milosheviqit, Borisllavi, në funksion të ambasadorit serb në Moskë, mbi të gjitha, veproi si koordinator për rekrutimin e mercenarëve rusë si dhe për trafikimin materialit të luftës nga Rusia për në Serbi që u bë gjatë konfliktit. Banka jugosllave (ABK Bank), që operonte me një degë të saj edhe në Moskë, po ashtu ishte instrumentalizuar në dërgimin e kontraktnikëve rusë për të luftuar në Kosovë. Shumica e kontratnikëve rusë, më origjinë kozake, u rekrutuan nga zyra e ABK-së në Moskë.
Në mars 1999, pas fillimit të fushatës 78 ditëshe të NATO-s në Jugosllavi, një numër i madh i organizatave civile dhe politike ruse nënshkruheshin si vullnetarë për të luftuar kundër shqiptarëve të Kosovës. Për shembull, politikani ekstrem nacionalist rus dhe udhëheqësi i Partisë Liberal Demokrate, Vladimir Zhirinovski, rekrutoi kontraktnikë për të luftuar në Kosovë nëpërmes organizatës së tij militante “Shqiponjat”. Generali Viktor Filatov, organizator i kësaj partie, në mars të 1999 krijoi lista të vullnetarëve, por iu bë shumë vonë për t’iu bashkuar luftës. Vullnetarë rusë u rekrutuan edhe nga neonacisti Aleksandër Barkashov dhe degët e lëvizjes së tij për Unitet Nacional Rus. Në fillim të prillit, një grup i kontraktnikëve rusë kishte arritur në Novi-Sad. Ata ishin rekrutuar nga Fondi Jugosllavo-Rus për Vëllazërim, që organizohej nga Vlado Miqunoviqi, kryetar i degës jugosllave për këtë fond.
Si ishin të organizuar kontratnikët rusë në Kosovë?
Sipas zëdhënësit të Ministrisë për Mbrojtje të Rusisë, Vladimir Mukhinit, në luftën e Kosovës morën pjesë rezervistë dhe ushtarakë të pensionuar rusë. Komandanti i Ushtrisë të rajonit të Lindjes së Largët të Rusisë, Viktor Çeqevatov, kishte parashtruar kërkesë në gjeneralshtabin rus për të dërguar kontraktnikë në Serbi. Është tërësisht e mundshme se disa nga kontratnikët rusë që luftuan në Kosovë, në fakt, kanë mundur të jenë zyrtarë rusë, anëtarë të njësisë elitë policore paramilitare OMON dhe SOBR, brigada komando e Inteligjencës Ushtarake Ruse (GRU), brigadat “Spetsnaz” apo njësitë ajrore, siç është Divizioni i 76 i Gardës Pskov dhe Regjimenti 331 që është në kuadër të Divizionit 98 Kostroma, anëtarë të të cilëve u dërguan në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë si paqëruajtës pas përfundimit të armiqësive që u bë në verë të vitit 1999. Kontratnikët rusë, në mënyrë rutinore, arrinin nëpërmes Beogradit dhe nuk hasnin në probleme me zyrtarët serbë edhe pse nuk kishin bagazh me vehte e që jepnin shenja të qarta se po shkonin në luftë. Vullnetarët e plagosur rusë mjekoheshin në spitalet e Serbisë.
Disa nga rusët që vullnetarisht shërbenin në MUP, u dërguan në Brigadën Intervenuese 124 të njësisë speciale policore, të cilën njësi më vonë e dekoroi Milosheviqi për “shërbim” në Kosovë. Rusët që shërbyen në MUP punuan ngushtë me korpusin e tretë të Prishtinës që komandohej nga gjeneralmajori Vladimir Lazareviq, me batalionin 52 të policisë të udhëhequr nga majori Zhelko Pekoviq, dhe me brigadën 549 të motorizuar, që komandohej nga koloneli Bozhidar Deliq. Një brigadë speciale ishte stacionuar në Gërmi (pushimore afer Prishtinës) dhe nga kjo bazë operonin kontratnikët rusë. Kontratnikët rusë që shërbenin në këtë brigadë bartnin uniformë të rregullt të MUP-it, në ngjyrë të kaltër dhe të beretave të kuqe, e cila gjë i bënte të padallueshëm nga policia serbe.
Burimet e shërbimeve sekrete perëndimore besojnë se ende ka shumë kriminelë brenda mu këtyre forcave serbe të cilat kryen krime edhe në luftën e Bosnjës. Pjesëtarët e këtyre njësive kishin pajisje me kualitet të lartë, që ishte e blerë në Perëndim, veçanërisht çizmet që kushtonin mbi 200 dollarë për një palë, për t’iu përballuar marshimeve të gjata.

Disa nga kontratnikët rusë kanë shërbyer edhe në dy njësitë speciale të forcave “antiterroriste” të MUP-it. Anëtarët e njësisë 700 anëtarëshe (SAJ), kanë qenë të stacionuara në Prishtinë nën komandën e Zoran Simoviq Tutinac. Kontratnikët rusë, sikur edhe anëtarët e SAJ-it, bartnin uniformë ngjyrë kafe të mbyllur dhe maska të zeza në kokë, me vrima për sy. Komandantët e MUP-it, të SAJ-it, gjenerali Obrad Stevanovq, gjeneralmajori Senta Milenkovq si dhe komandanti i gjeneralshtabit të MUP-it, Sreten Lukiq, ishin përgjegjës dhe në mbikëqyrje të kontratnikëve rusë. Ata vepronin të lidhur ngushtë me gjenerallejtënantin Geza Farkash, shefin e Shërbimit të Sigurimit (inteligjencës ushtarake) të Ushtrisë Jugosllave.
Oficeri serb i inteligjencës, Franko ‘Frenki’ Simatoviq, ishte komandant i Forcave Speciale (JSO) të Sigurimit Shtetëror Serb (RDB), kurse miku i tij Raja Bozoviq dhe ish-shefi i policisë së Beogradit, Radomir Markoviq, dërguan në Kosovë edhe trupat e tyre të beretave të kuqe. Djemtë e ‘Frenki’-it, siç ishin të njohur, në Kosovë operuan së bashku me formacionet tjera paramilitare, siç ishin “Shqiponjat e Bardha” (nën komandën e Milan Lukiqit dhe kushëririt të tij, Sredoje Lukiqit) dhe “Tigrat”, siç kishin vepruar në Bosnjë para 3 vjetëve në operacionet për spastrime etnike kundër boshnjakëve.
“Operationi Patkoi” ishte shifra e planit të Milosheviqit për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë. Një kopje e planit “Operacioni Patkoi” është në duart e Gjykatës së Hagës e që vërteton masat e spastrimit etnik që u planifikuan gjatë vitit 1998. Shefi i Armatës së Tretë Jugosllave, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, ishte i ngarkuar për forcat e Ushtrisë Jugosllave (VJ) në Kosovë. Brenda disa javëve të fushatës serbe Pavkoviqi dërgoi në Kosovë dhe rreth kufirit të Serbisë me Kosovën edhe 40.000 trupa shtesë, duke vepruan i lidhur ngushtë me njësitë e MUP-it. Pavkoviqi merrte urdhrat nga gjenerali Dragoljub Ojdaniq, i sapo emëruari shef i gjeneral shtabit të Ushtrisë Jugosllave (VJ), një i akuzuar tjetër për krime të luftës. Emërimi i Ojdaniqit në nëntor 1998 ishte çelësi që hapi operacionet e vrasjeve masive në Kosovë për të cilën ai nuk hezitoj për t’i përdorur, që të ushtrojnë akte brutale, njësitet e MUP-it dhe të VJ-së. Në disa raste, kontratnikët rusë të njësive të MUP-it operuan nën kontrollin e ushtrisë jugosllave.

http://floripress.blogspot.com/2018/05/tigrat-e-arkanit-ekzistojne-edhe-sot.html
Arkani, kapiten Dragani (një shtetas australian me origjinë serbe) dhe kontratnikët rusë operuan së bashku, duke bërë shumë krime në luginën e Drenicës, që u bënë në dimër dhe në pranverë të vitit 1998. Në fillim të marsit 1998 kontratnikët rusë të njësive shtetërore jugosllave morën pjesë në masakrat që u bënë në Prekaz të Ulët. Ky operacion, nën pretekstin e sulmit kundër njësive të UÇK-së, zgjati disa ditë dhe përfundoi më 5 mars. Në qershor 1998, kontratnikët rusë i identifikuan edhe një herë në Kosovë kur anëtarë të LDK-së, me anë të radiolidhjeve, vërtetuan që disa ushtarë në uniformë të gjelbërt të Ushtrisë Jugosllave flisnin rusisht në rajonin e Deçanit.
Dëshmitarët shqiptarë në verë të vitit 1998 tregonin se kontratnikët rusë bartnin maska në fytyrë dhe flisnin në rusisht në fshatin Korenicë, ku i vranë 4 meshkuj shqiptarë dhe ua dogjën shtëpitë. Një mercenar rus, 40-vjeçar, duke përdorur emrin Igor Novikov, e që më herët kishte shërbyer në JNA në Bosnjë, luftoi edhe në Kosovë. Sipas Novikovit, kontratnikët rusë kanë qenë në detyrë në Kosovë nga vjeshta e vitit 1998.
1999
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, kontratnikët rusë dhe paramilitarët serbë të Bosnjës kanë qenë aktivë në rajonin e Rahovecit gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s më 1999. Kjo qendër ka mbledhur raporte të dëshmitarëve për krimet që kanë bërë kontratnikët rusë në Rahovec mes muajit mars dhe qershor të vitit 1999, gjatë fushatës së bombardimeve. Kontratnikët shpeshë kanë ndalur civilë shqiptarë në Rahovec dhe i kanë plaçkitur. Gjithashtu, kanë vënë shumë mina anti-personel në qytet dhe rreth qytetit, e cila gjë shkaktoi vdekje të numërta në mesin e popullatës shqiptare të Rahovecit.
Në pranverë të vitit 1999, 60 kontratnikë rusë ishin angazhuar në sulm kundër qytetit të Prizrenit, ku mbetën të vdekur 22 civilë shqiptarë. Gazetari amerikan, Roj Gutmen (Roy Gutman), që punonte për gazetën “Newsday” të Nju-Jorkut, raportonte se kishte vullnetarë rusë edhe në vijat e frontit të vrasjeve që u bënë në fshatrat Krushë e Madhe, Piranë, Samodrazhë, Korishë, Bellacërkë, Pustosellë dhe Drenoc.
Në prill të të njëjtit vit, në afërsi të Pashtrikut, UÇK kishte zënë rob një mercenar rus, i cili barte uniformë të gjelbër të ushtrisë jugosllave. Po ashtu, në prill, gazeta e përditshme ruse “Novje Izvestia” reportonte për arritjen e një kufome në Moskë e që ishte trupi i pajetë i 34-vjeçarit Fjodor Shulga, një mercenar që kishte luftuar në anën e serbëve në Kosovë dhe i cili më parë kishte udhëtuar për Serbi si turist. Me vazhdimin e bombardimeve të NATO-s, në fund të majit 1999, UÇK-ja ia dorëzoi Kryqit të Kuq kufomën e një mercenari rus, 34-vjeçarit, lejtenant Vitali Bukharin (apo Bulakh), të cilin e kishin vrarë në fushëbetejë. Bukharini, deri në vititn 1997, kishte qenë komandant i një njësie të Ministrisë Ruse për Emergjenca.
Mercenari rus në Gjakovë vrau tre civilë shqiptarë!
Shumë herë gjatë luftës, njësitë e UÇK-së kishin ndërhyrë në radiolidhje dhe kishin dëgjuar bisedat e kontratnikëve në gjuhën ruse, të cilët në muajin maj ishin të angazhuar në fshatin Xërxë dhe në Bellacerkë. Po ashtu, gjatë të njëtit muaj, kontratnikët rusë janë vërejtur në Pejë, një qytet në Kosovën Perëndimore, duke bartur uniformë të gjelbër të ushrtisë jugosllave, por që flitnin rusisht, duke i këshilluar njësitë serbe të mbrojtjes ajrore për përdorimin e taktikave kundër aeroplanëve të NATO-s. Kontratnikët në prill të vitit 1999 janë pa edhe në qytetin e Gjakovës (30 mila në veri të Prizrenit), të armatosur dhe në uniformë të ushtrisë jugosllave.
Dëshmitarët shqiptarë kanë theksuar se një kontratnik rus ka udhëhequr njësitë paramilitare serbe në aksionet shkatërruese që kanë bërë në Gjakovë dhe në Mitrovicë. Në Gjakovë, një mercenarë rus, pjesëtar i brigadës 549 të motorizuar të armatës së tretë të ushtrisë jugosllave, i ka prirë një grupi tetanëtarësh të serbëve vendas, të cilët ishin me maska kur sulmuan shtëpinë e një shqiptari, nëna e të cilit shqiptar ishte ruse dhe e cila e identifikoi mercenarin rus. Aty, mercenari rus me dorë të vet vrau tre burra shqiptarë.
Edhe pse kontratnikët rusë ishin në kuadër të zinxhirit komandues të Ushtrisë Jugosllave, kishte raste kur ata dilnin jashtë tij. Një njësi, me përafërsisht 100 kontratnikë rusë dhe paramilitarë serbë, është bërë e ditur se ka dalë jashtë disiplinës ushtarake dhe ka hyrë në fshatin Zhegër (Gjilan) në fund të marsit 1999, ku abuzuan popullatën vendase. Dy ushtarakë me gradë të lartë u hoqën nga pozita e tyre pasi që kjo njësi, madje, i brengosi edhe civilët serbë të këtij vendi. Duke tentuar që të kontrollohen kontratnikët, njësia u shpërbë dhe pastaj u formuan banda të vogla që vazhduan të shkonin rrugëve të ndryshme, duke shkaktuar probleme të mëdha në fshatrat e këtij rajoni. Ushria jugosllave dhe njësitë e MUP-it filluan të bartnin shirita me ngjyra në kraharor me qëllim që të dalloheshin nga kjo njësi renegate.
Nacionalitetet tjera
UÇK ka deklaruar se, pos rusëve, ka patur edhe mercenarë të nacionaliteteve tjera, siç ishin bellorusët, rumunët dhe grekët e që ishin të përfshirë në radhët e forcave serbe. Ata jo vetëm që luftuan në beteja, por ishin të angazhuar edhe në transportimin e municionit, vendosjen e minave dhe në ndërtimin e autoblindave të rrejshme. Paguheshin nga 300 deri në 400 marka gjermane në muaj.
Në fund të majit 1999, kontratnikët rusë, në mesin e tyre izraelitë me origjinë ruse, janë vërejtur në “Grand Hotel” në qendër të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe kontratnikët rusë ishin pjesë e një bande ekzekutorësh që vranë së paku katër civilë në fshatin Korenicë. Besohet që kjo bandë është formuar nga serbët që u përjashtuan si të papërshtatshëm nga ushtria jugosllave, e cila bandë udhëhiqej nga një izraelit (ish-shtetas sovjetik), i quajtur David Ben Ami. Diku rreth 40 izraelitë janë raportuar të kenë marrë pjesë në kuadër të forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë. Vullnetarët izraelitë, të gjithë imigrantë nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish- ushtarë të Armatës së Kuqe, luftuan kryesisht në njësitë e përziera ruso-serbe në forcat jugosllave. Izraelitët, disa në fakt nuk ishin fare jevrej, por ishin të martuar me gra jevreje, nga ku kishin marrë shtetësinë izraelite dhe ishin veteranë të luftës në Afganistan dhe në Çeçeni.
Ekzistonte edhe një numër i mercenarëve nga Evropa Perëndimore që luftuan për Milosheviqin në Kosovë. Në mesin e tyre kishte gjermanë, francezë, finlandezë dhe danezë. Një danez 26-vjeçar foli për gazetën daneze “Extra bladet”, duke treguar se paguhej 400 dollarë në muaj. Gjatë shërbimit të tij kishte vrarë 20 civilë shqiptarë. Më vonë u arrestua nga autoritetet daneze dhe u akuzua për krime të luftës.
Igor Saburov – Noki, kishte marrë pjesë në vrasjen e qindra civilëve në rrethin e Prizrenit
Roj Gutmen shkroi për kontratnikët rusë në të cilët hasi me 13 qershor 1999 në Prizren. Atje ai kishte parë një rus të gjatë muskuloz e me mjekër të krehur, i cili pozonte para fotografëve me dy shokë të luftës, duke i mbajtur lart pushkët automatike dhe duke u përshëndetur me tre gishta të ngritur dhe me bërtimë, duke recituar parulla serbe në një përzierje të rusishtes, anglishtes dhe serbishtes. Kjo kishte ndodhur pak çaste para se ta lëshonin Kosovën, siç diktonte Marrëveshja Teknike Ushtarake, e nënshkruar para disa ditësh në mes të NATO-s dhe Qeverisë së Milosheviqit. Kur trupat gjermane mbërrinë në Prizren, kontratnikët u paraqitën përsëri në dy autobusa dhe në një mercedes të lyer me ngjyrë kafeje kamuflazhi, për t’iu ikur shqiptarëve vendas dhe NATO-s. Kontratnikët u larguan vetëm atëherë kur gjermanët sollën dy topa artilerikë dhe iu urdhëruan që të dalin sa më shpejt nga ndërtesa që e kishin okupuar.
Mjekëroshi rus, të cilin e kishte pa Gutman, ka qenë me siguri Vladimir Mijasnikov, i cili ishte udhëheqës i kontratnikëve rusë që luftonin për Milosheviqin. Mijasnikov operoi rrejshëm nën cilësinë e diplomatit rus, por që besohet të ketë qenë anëtar i GRU-së. Ai dhe koloneli Igor Saburov (në Kosovë i njohur me nofkën ‘Noki’), i kishte udhëhequr disa kontratnikë rus që kishin marrë pjesë në vrasjen e qindra shqiptarëve dhe në shkatërrimin e qyteteve dhe fshatrave në rrethinën e Prizrenit, siç ishte rasti në Tusus ku këta vranë 34 shqiptarë dhe dogjën qindra shtëpi me datën 26 maj të vitit 1999. Disa shqiptarë vendas kishin vënë re se kontratnikët, në uniformë kamuflazhi, me maska dhe me shirita rreth kokës, bartnin thika të gjata, pinin cigarillos dhe flitnin në mes vete në gjuhën ruse dhe greke. Madje, edhe në mesin e forcave serbe, koloneli Saburov ishte shumë famëkeq për shkak të brutalitetit të tij ekstrem ndaj civilëve shqiptarë.

Ish Presidenti serb Sllobodan Milosheviqi pranon njohurinë e rastit – detyra e Tribunalit të Hagës
Gjatë gjykimit për krime të luftës që është duke vazhduar në Hagë, Milosheviqi ka pranuar se ka njohuri të plotë për prezencën e vrasësve kontratnikë rusë në Kosovë. Përfshirja e zyrtarëve rusë në këto krime, disa nga të cilët ende janë në funksion, ilustrohet me sa vijon: Në prill të vitit 1999, ministri i Federatës Jugosllave të Mbrojtjes, Pavle Bulatoviq kishte bërë një marrëveshje me autoritetet ruse që këtyre t’ua dorëzojë pjesët e aeroplanit ushtarak amerikan F117 Stealth, të shkatërruar pasi që ishte rrëzuar nga serbët. Ministri jugosllav këtë e kishte bërë pjesërisht në shenjë të falënderimit për shërbimet që kishin dhënë kontratnikët rusë dhe pjesërisht për shkak të kërkesës nga autoritetet ruse. Gjenerali Aleksandar Koshelnik, komandanti i kontigjentit rus të forcës paqëruajtëse në Kosovë (KFOR), ka pranuar mundësinë e pjesëmarrjes së disa mercenarëve rusë në Kosovë.
Në maj të vitit 2000, gjenerali Dragoljub Ojdaniq, i cili qe bërë ministër serb i mbrotjes, vizitoi Moskën, përkundër faktit se ishte akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, për atë që kishin bërë trupat serbe dhe ruse në Kosovë. Ojdaniq kishte udhëtuar në Rusi për të diskutuar prospektet për një bashkëpunim ushtarak me ministrin rus të mbrojtjes, Igor Sergejev, dhe shefin e gjeneral shtabit, Anatoli Kvashnin. Përkundër fletarrestimit ndërkombëtar, të lëshuar nga Tribunali i Hagës, gjenerali Ojdaniq u prit ngrohtë në Moskë dhe qëndroi së bashku me zyrtarë të huaj, duke shikuar paradën ushtarake ruse në Sheshin e Kuq. Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, prandaj autoritetet në Moskë kanë qenë të obliguara që ta paraburgosin Ojdaniqin si të dyshuar për krime të luftës. Nuk është vështirë të dihet pse rusët dështuan ta bëjnë këtë.
Dr. Bernar Kushner (Bernard Kouchner), përfaqësues special i sekretarit të OKB-së në Kosovë, sikur edhe gjenerali Ueslli Kllark (Wesley Clark), komandant i forcave amerikane gjatë operacioneve të NATO-s në vititn 1999, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e kontratnikëve rusë në spastrim etnik, sidomos në rajonin e pjesës jug – perëndimore të Prishtinës.
Më 22 qershor 1999 Pentagoni ka konfirmuar zyrtarisht se kontratnikët rusë kanë luftuar në anën e forcave serbe në Kosovë dhe ka premtuar që hetuesit e krimeve të luftës do të ekzaminojnë rolin e Rusisë në krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. Kanë kaluar më shumë se 3 vjet qëkur është dhënë ky premtim e qëkur janë ngritur aktakuzat kundër kriminelëve kryesorë serbë të luftës, të cilët organizuan krime të tmerrshme në Kosovë, por ekzekutuesit e këtij organizimi, siç janë Vladimir Mijasnikov, koloneli Igor Saburov dhe kontratnikët tjerë rusë që arrijnë shifrën mbi 150, mbetën ende të lirë.


No comments:
Post a Comment