
Akademik Mr.Sci. Lule Alidema, Psikologe klinike
Situata e cila ndodhet tashmë, sikur tejkalon gjitha luftërat e përjetuara deri më tani, ngase njerëzimi po përballet me një dukuri të panjohur, dhe të pashpjeguar nga askush!
Kjo epokë, shënon kulmin e panikut që njeriu asnjëherë nuk e përjetoi më parë, sepse; nuk përfshihet vetëm një, apo disa vende, këtu përfshihet thuaja i gjithë globi!
Kjo pandemi bëri që gjithë bota të jetë në izolim, të mbyllet dhe të pret se çfarë do të sjellë dita nesërme!
Sot është dita që ne të jemi më shumë se kurrë afër njëri-tjetrit, të jemi më tolerues se kurrë më parë, të kemi durimin dhe shpresën e pa kontestueshme, të jemi të aftë të përkrahim moralisht e fizikisht njëri-tjetrin, të jemi solidarë ndaj familjarëve tanë, ndaj miqve tanë, ndaj atyre që kanë nevojë ndihme në forma të ndryshme, dhe bashkërisht t’a tejkalojmë, dhe të dalim sa më të fortë nga kjo situatë…
Po pra, tashmë kjo pandemi na mbylli gjithëve në shtëpitë tona, andaj sugjeroj që secili nga ne, të dimë dhe të gjejmë arsyen se si të përballemi gjatë këtyre ditëve ngase bëhet fjalë për pandemi globale dhe rrezikshmëri jete.
Andaj të ruajmë durimin dhe qetësinë! Të shtojmë kujdesin që na preferojnë profesionistët shëndetësorë, sepse edhe ne, çdo individ në vete ka një dozë përgjegjësie të kujdesit, që të minimizojmë përhapjen e virusit!
Sa më pak raste, situata është më e kontrolluar, mos të lejojmë që situata të na rrëshqas nga duart me vetëdije.
Për askënd nuk është e lehtë kjo situatë “izolimi”, por të mundohemi secili nga ne të gjejmë formën dhe mënyrën e mundshme brenda kushteve që kemi ta tejkalojmë.
Ka forma dhe mundësi të ndryshme që të relaksojmë veten dhe familjen brenda shtëpisë, para se t’a mundojmë dhe mbushim veten dhe familjen me mendime negative, mos të lejojmë të depresohemi për atë çfarë është, dhe çfarë do të bëhet!
Të shpresojmë se shpejt do të kalojë dhe pa pasoja! Prandaj qëndro në shtëpi.
No comments:
Post a Comment