Interviste me gazetarin e njohur Arshin Xhezo
(Pjesa
e dytë)
Arshin Xhezo: Shpëtimi i hebrenjve, ruajtje e dinjitetit
dhe jetës njerëzore!
-Berati,
ndër qytetet më të vjetër dhe më të bukur të Europës Juglindore, u bë kryeqyteti i humanizmit.
Nga Elvin Luku,Tiranë
...“Takimi” im i dytë me hebrenjtë ishte,
përsëri, jo i drejtpërdrejtë, por, gjithsesi, më i afërt me ta, edhe sot e
kësaj dite. Madje, jo me hebrenjtë në kampet naziste të përqendirmit, por me
hebrenj që kishim në Shqipëri, në Berat, dhe, për çudi,-brenda në shtëpinë
tonë.
Sigurisht, nuk ishte takim me hebrenjtë
vetë; dhe nuk kishte si të ndodhte kështu në vitin 1954 apo 1955, kur ata,
tanimë, ishin kthyer në shtëpitë e tyre, në Izrael apo nga kishin ardhur.
Ishte “zbulimi” në shtëpi i një dhurate që,
bujtësit, dy familje hebrenje me nëntë vetë, ua kishin lënë për mirënjohje
prindërve të mi, pas një qëndrimi mëse njëvjeçar, në vitet 1943-1944. Ishte një
kuti e vogël bronxi, as 10 cm e gjatë
dhe 7-8 cm e gjerë. Shumë e bukur. Në njërën faqe ballore është skalitur (me
teknikën e rrahjes), Ylli i Davidit, kurse në faqen tjetër, një xhami, krejt e
ndryshme nga tonat; jo me një, por me katër minare. Ishte e zbukuruar me
gjithfarë lulesh e gjethesh, dhe me një zinxhir që, me ç’dukej, shërbente për
ta mbajtur në dorë, por ndoshta, edhe për ta varur në mur. Ishte një vepër e
vërtetë arti! Vladimir Skëndua, ish-drejtor i muzeut “Onufri”, si specialist
për këtë punë, i ka bërë një “Pasaportë” të imtë e të saktë profesionale.
Fati dhe historia e kësaj kutie-dhuratë në
shtëpinë tonë, pas luftës, është tepër e ngjashme me atë të hebrenjve të
fshehur në shtëpinë tonë në dimrin e egër të 1943-44-ës, të Luftës. Kutia, herë
dukej, herë zhdukej, herë zbulohej, herë mbulohej, gjendej përsëri dhe përsëri
humbiste, për t’u gjetur sërish.
Fati i saj i ngjan, gjithashtu, atij të
“Mesharit” të Gjon Buzukut, që sivjet erdhi për herë të parë në Shqipëri nga
Vatikani, i cili, ashtu, si shumë libra të vjetër apo dokumente të hershme të
shqipes së shkruar, për shkak të pushtimit turk apo rrethanave të tjera, zbuloheshin
dhe rizbuloheshin për të katërtën apo të pestën herë.
“Zbulimin” e parë dhe më të rëndësishëm të
kutisë, për mua, e ka bërë ime motër, e vogla, Zenepja, vetëm tre vjet më e
madhe se unë. Nuk i duhet ngrënë haku, sidomos për faktin, se “zbulimin” e madh
e pagoi me një qortim të rëndë nga ime më (por, edhe me ca shpulla “prapa”).
Bëri atë që nuk do të guxonte ta bënte njeri në shtëpi: “rrëmoi” në librat e
babait, nga nxorri kutinë e fshehur. Sherri ishte serioz.
“Zbulimi” u bë një ditë, kur asnjë nga prindërit
nuk ishte në shtëpi.
Me të dyja duart prapa, ku mbante
“surprizën”, m’u drejtua mua:
-“Do të të tregoj një sekret, por zërë be
“për kokën e babait”, që nuk do t’i tregosh njeriu!...
Nga që m’u duk ca e trembur dhe tepër
serioze, ndryshe nga natyra e saj gazmore dhe e qeshur, bëra be, për kokën e
babait.
Nuk u mjaftua me kaq.
-As shokëve!
-As shokëve, të betohem!
Zotimin për shokët e mi më të ngushtë, me
të cilët rrija natë e ditë, e kërkoi emër për emër:
-As Aliut!-As Aliut.- Të betohem! – As
Jasharit!- As Jasharit. – As Perit!- As Perit. – As Astritit!- As Astritit.- As
Bejkushit!- As Bejkushit...
Por, dreqi e mori, si gjithmonë, kur ne të
dy bënim ndonjë gabim apo “gjë të ndaluar”, u hap dera. Hyri ime më, pa kutinë
në duart e motrës dhe u zverdh e u bë dyllë në fytyrë. Por, në çast e mori
veten dhe iu kthye motrës.
Ç’është e vërteta, ime motër i ka të gjitha
të mirat. Madje, megjithëse të dy kemi mbaruar të njëjtin fakultet, të
letërsisë, ajo lexon më shumë se unë. Ka edhe plot të mira të tjera, por,
atëherë kishte një ves të tmerrshëm: kur bënte ndonjë gabim, fajin gjithmonë ma
hidhte mua sy për sy! E keqja më e madhe ishte, se në ato momente, para
prindërve shtirej si viktimë, engjëlli vetë, “si i bukuri shejtan”,thoshe ti.
Lotët vu, që të këpusnin shpirtin: “Dhe, hajde të mos e besoje në ato çaste!
Mirëpo, sapo sherri mbaronte dhe prindërit largoheshin, (por ndodhte dhe në
praninë e tyre), ajo e ndryshonte mimikën, më rrudhte buzët, madje, edhe më
nxirrte gjuhën(!) për të më thënë: “Ta hodha?!”. Edhe këtë herë, e njëjta
skenë: “Për kokën e babait, ai e nxorri kutinë nga librat...jo unë”.
Më vinte të ulërija nga inati dhe shkoja
t’i ankohesha sime mëje, apo babait (më rrallë, shumë rrallë). Por, tanimë, ata
“e kishin mbyllur atë muhabet” dhe më përcillnin gjithmonë me fjalët:
“Pajtohuni tani. Kush grindet gjithmonë me dikë në vogëli, tregon se, kur të
rriten, do të duhen më shumë. Fale, është motra jote”. Tri vëllezër dhe tri
motra në familje, secili nga ne kishte vëllain apo motrën “e vet”, sipas moshës.-Ku
dreqin, më qëllove ti!-i thoshim njeri-tjetrit, kur grindeshim.
Por, sherri i fundit për “zbulimin” e
kutisë, nuk kaloi lehtë. Pas “grykës” së parë me qortime, ime më, ndryshe nga
herët e tjera, na tha të uleshim, të dëgjonim dhe t’i vinim “vathë në vesh” ato
që do të dëgjonim. “E para: E prekët më me dorë kutinë, i thashë Metit, dhe e
dini vet ju, pastaj... E dyta: sot, zëre se nuk patë gjë me sy...”. Nuk tha,
bëni be për kokën e këtij apo atij, por ashtu siç ishte bërë në fytyrë dhe nga
zëri, krejt tjetër, na la të kuptojmë se, betimet ishin të panevojshme. Madje,
kujtoj se, që të na i hiqte më lehtë nga koka “kutinë e ndaluar”, e
zhdramatizoi situatën: “Fundja, ç’e doni?! Një copë kuti është! Kemi pasur në
shtëpi, në kohën e gjermanit ca mysafirë jabanxhinj të largët, hebrenj, me një
tufë kalamajsh, që, kur ikën, e lanë atë për ta kujtuar për mirë
njeri-tjetrin... Kaq gjë është!”.
Ne u larguam kokulur, dhe kutia, kushedi ku
u fsheh, por kjo ngjarje, sigurisht, edhe mua, edhe motrës, pikërisht për shkak
të theksimit të veçantë, na bëri akoma më kuriozë e më të vëmendshëm ndaj
“jabanxhinjve” të largët hebrenj në kohën e gjermanit”...
Kush ishin hebrenjt? Si ishin? Pse erdhën
në shtëpinë tonë? Pse duhej mbajtur aq shumë e fshehur kutia e tyre? Dhurata nuk
ka pse fshihet!...
Për vëllezërit e motrat më të mëdhaja, që i
njihnin dhe kishin luajtur me fëmijët e hebrenjve, këto pyetje, mund të kishin
marrë disa përgjigje, por ne të dy, më të vegjlit e shtëpisë, që, as kishim
lindur atëherë, mbetej që këto pyetje, tanimë, t’ia bënim vetëm vetes, dhe
përderisa nuk merrnim asnjë përgjigje, mbetej t’i krijonim vetë ato.
Me kalimin e viteve, sa më shumë dëgjoja e
lexoja për historinë dhe fatin e çuditshëm e tragjik të hebrenjve në botë dhe
për mysafirët jabanxhinj të largët në shtëpinë tonë, në lagje e në qytetin
tonë, “në kohën e gjermanit”, aq më shumë më ngjante me historinë e “kutisë
dhuratë”, gjithashtu, po aq të fshehur, por tani, pas lufte, në paqe, pa
gjermanin...
-“Zërë be, për kokën e babait, se nuk do
t’i tregosh kujt për kutinë e fshehur në shtëpi”...
-“Zërë be, për kokën e babait, se nuk do
t’i tregosh njeriu, për hebrenjt e fshehur në shtëpi”...
-“Betohu për Flamurin e Skënderbeut, se nuk
do t’i tregosh turkut ku fshihet “Meshari” i Gjon Buzukut!...
Paralelizmi ishte i pashmangshëm!
... “Rizbulimin” e fundit të “Mesharit” të
shtëpisë sonë, e bëri Nexhi, mbesa ime, në fillim të viteve 90-të. Tanimë, kur
veç të tjerash, im atë nuk ishte më, e as ime më, ajo e kishte nxjerrë pa
problem; e kishte pastruar me merak, dhe e kishte varur në murin e njërës prej
dhomave të shtëpisë sonë të vjetër. (Jo në Bibliotekën Kombëtare!). Kurse miku
im, Simon Vrusho, që e pëlqeu shumë, i bëri edhe disa fotografi.
Thuhet, se kurioziteti njerëzor e nxit
njohjen. “Rizbulimet” e tjera të kutisë dhe “takimet” e tjera, të katërta apo
të shtata me “mysafirët hebrenj” ishin më të gjata dhe më “intime”. Për ta, të
shpërndarë nëpër botë; “si zogjtë e korbit” (siç thoshte ime më), por edhe për
“hebrenjt tanë”, fillova të mësoja përmes ndonjë libri a gazete të vjetër, dhe
sidomos, përmes bisedave, gjithmonë, në
sfondin e Luftës Antifashiste. Këto “thërrime bisedash” i mblidhja me kujdes
vit pas viti, nga ime më, por dhe vëllezërit e motrat, të cilët, në kohën e
luftës ishin: më i madhi, Ylviu, 11-12 vjeç, por edhe të tjerët, të lindur gati
vit pas viti. Më pak, nga im atë, për të mos thënë aspak, sepse ai mendonte;
dhe e kishte të prerë këtë “muhabet”, se e “e mira dhe nderi i bërë duhen
hedhur në det” (a në lumë) dhe nuk duhen zënë në gojë kurrë”. Megjithëse e
dija, këtë ma tha edhe mua, kur një ditë, - isha në vitin e parë në
gjimnaz,-provova ta pyesja. Më përcolli qetë, por shpejt, duke më përkëdhelur
flokët dhe duke më puthur në ballë,-kjo ishte shprehja më e madhe e dashurisë
së tij për fëmijët.
E dija, se në shtëpinë tonë të madhe,
kishin bujtur “për mik” a për “sevap” me muaj e vite, edhe mysafirë të tjerë.
Por, ndërsa për ta, thuajse, nuk flitej fare, për hebrenjtë ishte ndryshe.
Ishte im vëlla, i madhi, Ylviu, që i bënte
aq të bukura historitë e tyre, apo ishin të vërteta ato që tregonte? Mundet, se
në atë kohë, si më i rrituri, ai hynte e dilte në dhomat ku ata rrinin të
fshehur, iu shërbente, por edhe luante më shumë me fëmijët e tyre. U çudita një
ditë, kur më tregoi një fotografi, dhe më tha, se kostumin që mbante veshur në
foto, jo vetëm ia kishin dhuruar hebrenjt, por edhe prerë e qepur “Ismaili” me
“Hakiun”, domethënë Samueli me Joakimin, ditën kur ishte bërë synet. Ma qepën
me makinën tonë, tha, se po ta kishin qepur me makinat e tyre, do ta kishin
bërë edhe më bukur. Në fakt, marka “Singer” e makinës sonë qepëse, që ime më e
kishte nga paja e saj, mbahej nga më të mirat në atë kohë, dhe ajo, bënte si
bënte, nuk na linte pa na qepur të gjithëve ndonjë robë të re për festa apo për
ditën e parë të shkollës.
Nuk e prita pa u çuditur pak, faktin që më
tha im vëlla, se ata ishin rrobaqepës! Ndoshta, për shkak të leximeve, nuk di
ta them saktë, por në përfytyrimin tim,të gjithë hebrenjtë më shfaqeshin vetëm
me libra në duar, dhe, padyshim, me syza optike... Më vonë, kuptova se nuk e
kisha aq të pabazuar përfytyrimin tim. Shumica e shkencëtarëve, shpikësve dhe
gjenive të mëdhenj, ishin me origjinë hebrenje dhe jo ruse, siç shkruhej në
librat e gjimnazit...
Gjithsesi, u duhej besuar më shumë njerëzve
të shtëpisë, prindërve, vëllezërve e motrave, që i kishin njohur dhe kishin
jetuar me ta një vit e ca, në kushtet kur bëhej luftë, dhe, dy makina me
nazistë çdo natë parkonin në rrugicë ndanë portës sonë, pranë Xhamisë dhe
Sahatit të lagjes...
Shpeshherë, mundohem të kuptoj, se ç’ishte
ai guxim të marrësh, që i bënte etërit dhe nënat tona, t’i linin shtëpitë,
sidomos, fëmijët e tyre, në mes të atij zjarri! Nuk mjaftonte rreziku që
ndillnin ilegalët në këto baza të Luftës? Me sa duket, duhej të ishe banor i
kësaj lagjeje dhe i këtij qyteti për të kuptuar ç’ishte miku, “kodi i nderit”
dhe çmimi i lirisë!...
Ndryshe nga im atë, nënës sime, Besijes, i
pëlqente të tregonte herë pas here për hebrenjtë tanë. Sidomos, kur i vinte për
vizitë, shoqja e vjetër, Liria.
Por, kur përshkruante momentet e mbërritjes
së tyre në një natë të dimrit të viteve 1943-1944, fytyra i merrte një pamje të
ankthshme, dhe fliste me një zë, aq të ulët, sa të krijonte përshtypjen se
gjermanët ishin prapa portës.
-Meti, po bie porta! Dil,- i thashë, dhe
gjaku më shkoi te këmbët, se, të trokiturat ishin të lehta, po si të trembura.
Frikë, thua ti? Frikë, doemos, se gjermanët ishin nëpër këmbë në gjithë
qytetin.
Im atë kishte hedhur pallton krahëve, dhe,
me kujdes kishte hapur portën, duke e bllokuar me dorë zilen e fortë të saj.
-Tek porta pashë dy burra; nuk i kisha parë
kurrë,- tregonte ime më. Dukeshin fytyra jabanxhinjsh. Prapa tyre, gra e fëmijë
që dridheshin nga të ftohtët.
-Urdhëroni brenda! Bujrum!-dëgjova Metin.-
Kush jeni zotëria, juaj?
-Samuel!-dëgjova të parin, po, se si mu duk
nga gjuha.
-Urdhëroni, zoti Ismail- dëgjova që i
thirri Meti dhe ngrita supet e habitur.- Aty për aty, ia bëri shqiptar emrin.
-Joakim!-tha burri tjetër që ishte pas tij.
-Urdhëro dhe ti, zoti Haki!- Edhe tjetrit,
shqiptar ia ktheu emrin Meti. -Paske emrin e djalit tim të dytë. – Hyni brenda!
Shpejt! Paskeni një tufë me fëmijë. T’u rrojnë!
Burra, gra e fëmijë, kaluan pa hapur gojën
përmes bahçes dhe hynë brenda. Ta dinin ata të shkretë, se pas ndonjë a dy
orësh, mu aty, prapa portës, do të vinin makinat me gjermanët që kalonin natën,
do të ishin llahtarisur, dhe as do të kishin hyrë fare. Që të nesërmen hapëm
një derë të vogël prapa shtëpisë, që edhe në vinin për kontroll, andej të
gjitha shtëpitë kishin bahçe, dilje në Velabisht e lart, në malin e Shpiragut,
dhe shpëtoj kokën. Dhe, nuk ishin pak. Ishin dy familje dajë e nip-nëntë vetë.
Daja ishte me tre djemtë e të shoqen, nipi,-me nusen, dhe me dy djemtë. Tre
vjeç më i vogli. Nga Kosova kishin ardhur. Se si kishin ardhur, një Zot e di!
Ishin njerëz të mirë. Fukarenj ishin. Të dy
rrobaqepës, dhe me atë zanat mbanin
shtëpi e fëmijë. Po gjermani u kishte futur frikën në kockë dhe iu dridhej buza
kur e kujtonin. M’u përpara syve e kam një vajzë, thoshte njëra nga gratë.
Gjermani ia preu qafën me bajonetë që t’i merrte gjerdanin varur në qafë.
Një vit e ca, natë-ditë mbyllur qëndruan,
të shkretët. I nxirrnim në bahçe një orë a dy në ditë që të shikonin qiell me
sy, dhe prapë brenda. Sidomos, ata të shkretë fëmijë, donin të loznin, si
gjithë vërsnikët e tyre, po ku të linte meraku. Po, shyqyr bahçeve që ishin
mbuluar me pemë plot dhe nuk dukeshin kur dilnin.
Aty, në “burg” ua çoja bukë e gjellë, po
nuk qaheshin. Pasdite, piqja një qebap kafe, e hidhja të ftohej pak, ua bluaja,
dhe ashtu taze, me gjithë xhezve e
filxhanë ua çoja në dhomë. Po ata nuk para e pinin kafenë. Po, do ti, që u
mësuan me kafenë?... Bënim muhabet. Muhabete njeriu: për të gjallë e për të vdekur.
Shumë zakone i kishin si tonat. Edhe ata,
si puna jonë, bukën e kishin për gjynah ta shkelnin me këmbë, kur e gjenin
mbërdhe. Edhe synetllëkun e bënin si ne. Mishin e derrit, nuk e vinin në gojë,
si ne. Për msylimanët, e kam fjalën, se të krishterët e hanë. Kurse, atë punën
e martesave, ata e kishin shumë të shtrënguar. Vetëm hebre me hebre. Edhe nga
hebrenjt tanë, këtu në Berat, e pata dëgjuar. Në kohën e Zogut, ngriheshin
hebrenjt nga Berati dhe shkonin të fejoheshin e martoheshin në Selanik të
Greqisë, ku thoshin se kishte shumë familje hebrenje. Këtë e paskeni njëçikë të
tepruar, u thosha. Nuk bëkemi dot krushqi me ju, kështu... “Të dyzetat”, të
vdekurit ia bënin si neve dhe mirë bënin, se në të dyzetën ditë i del shpirti
njeriut. Po ajo që më dukej si çudia më e madhe mua, ishte se të vdekurit ia
hiqnin qefinin kur e varrosnin, dhe në varr, e vinin jo drejt, si e vëmë ne, po
brinjazi. E beson? Pastaj, si ktheheshin nga varrimi në shtëpi, një javë të
tërë, nuk flinin si gjithë dynjaja, po brinjas, edhe ata. Duket, për të
respektuar të vdekurin. Nejse, zakon i tyre, po ishin njerëz të mirë.
Agjëronin edhe ata si ne, po Ramazanin i
tyre nuk ishte 30 ditë si i yni, po më pak e më i lehtë. Nja 7-8 ditë, më
duket. Po, edhe ata, si ne, në ditët e Ramazanit të tyre, pasdarkeve bënin
vizita në shtëpitë e njeri-tjetrit. Po, atëherë, në kohën e Luftës, kur bëhej
ky muhabet, dhe gjermani ishte nëpër këmbë, as neve, as atyre, iu shkonte
ndërmend Ramazani dhe jo më të dilnim për vizita natën...
Një ditë na hynë gjermanët në shtëpi.
Thashë, se, kaq e patëm. Ishin tre gjermanë me automatikë në krahë, që hynë në
portë; kaluar nëpërmes bahçesë dhe hynë në shtëpi. Kishin vënë përpara një
kallauz, që bënte me dorë e me këmbë, e se ç’u thoshte. Kallauzi dukej
jabanxhi. Po them, se do t’i ketë prurë një hafije që kishim në lagje ne, e që,
në kohën e Italisë kishte qenë komiser policie, po tërë lagja ia njihte
surratin.
Si e qysh, hajde ta merrje vesh. Hebrenjt,
s’mund t’u kishin rënë në erë, se ata,natë-ditë, brenda dhe iu ishin bërë
fytyrat të bardha, si letër duhani. Po unë them, o do të kenë parë Lirinë, Liri
Gavelli ishte ilegale. Edhe ajo në shtëpinë tonë rrinte e flinte, po ajo, bënte
ç’bënte, dhe dilte të merrej vesh me ata që ishin në mal.O, them unë, do të
kenë parë Qazimin, Qazim Bilçën. Se, ai i uruar, nuk dinte të ruhej. Zbriste
nga mali dhe vinte e merrte në shtëpi tek ne ndonjë robë e ndonjë ushqim,
mbledhur për partizanët, po edhe kur hynte e dilte nga porta, hipur mbi kalë.
“Ke luajtur nga fiqiri, ti?-i thoshte Meti.
Lëri karshillëqet me gjermanin, se gjermani të vret, nuk ta zgjat.
Kur na prunë në shtëpi mandatin e Qazimit,
na thanë që e vranë mbi kalë, në të dalë të Goricës, duke ngjitur rrugën e
Drobonikut. Gjermanët e kishin parë me dylbi, duket, dhe e kishin goditur me
mitraloz “Breda”, që nga Tabja e Kalasë, tha Meti.
Gjermanët hynë me atë të flamosur kallauz
përpara. Meti, shyqyr Zotit, nuk ishte në shtëpi; po kalamajtë, nëpër këmbë
ishin. Shyqyr që atë ditë nuk qëlluan në shtëpi, as Liria, as Qazimi, se do të
na kishin shkuar në plumb të tërëve. Hi, do ta kishin bërë shtëpinë.
-Shpejt!-më thotë ime më mua- Shpejt, futu
në musëndër!
Unë isha me barkun te goja. Isha me barrë
me Zenepen. Me vrap, në musandër unë. Hodha përsipër jorganë e dyshekë, të mos
dukesha, se ja u vinte mendja edhe atje dhe kontrollonin. Se si nuk e dështova
çupën unë, një Zot e di!
-Dil!-më tha plaka, kur ikën ata. – Dil, se
shpëtuam!
Më rrëfeu pastaj, tërë muhabetin që ishte
bërë me kallauzin e me gjermanët. Se kush e merrte vesh gjuhën e tyre?!
-Nuk kam njeri unë, jam e vetme!-u kishte
thënë plaka.
-E vetme? Po këta kalamaj, kush i ka bërë?
Vetë i ke bërë?! Apo ke pjellë pas pleqërie?
-Të djalit, të djalit, i kam- u kishte
thënë plaka- po nusja më ka vdekur dhe m’i ka lënë jetimë; dhe djali është në
fshat...
Kishin kontrolluar odat, sobën këtej, dhe
kishin ikur.
Na shpëtoi zoti, thuaj. Ne, dhe hebrenjtë
bashkë...
Tim vëllai, Hakiut, atëherë 6-7 vjeç i
është fiksuar në kujtesë një ngjarje e lidhur me “adashin” e tij, Joakimin, që
im atë ia ndërroi emrin sapo hyri në portë: “Më është fiksuar ajo që pashë një
ditë. Më kishin marrë hebrenjtë në dhomën e tyre, dhe, njëra nga ato gratë më
vuri përpara një pjatë; me byrek, më duket se ishte. Sa e vura në gojë, u duk
sikur u tund shtëpia e toka bashkë dhe u bë një zhurmë e tmerrshme. Ishin dy
tanke gjermanë që erdhën nga Parku, dolën prapa Xhamisë, dhe drejt xhadesë.
Pashë hebrenjt që, të tromaksur, u mblodhën të gjithë kokë më kokë në mes të
dhomës, dhe ashtu po rrinin pa, folur hiç. Mirëpo, njeri nga burrat, Joakimi,
adashi im, u zverdh në fytyrë dhe i ra të fikët.
-Zoti Meti, zoti Meti! Joakimi po vdes!-
Ishte e shoqja që bërtiste dhe thirri babanë.
-Po prisni, more të uruar,-u tha babai-, se
nuk vdes kaq kollaj njeriu!
Pastaj i rrahu nja dy herë faqet Joakimit,
i hodhi pak ujë në fytyrë. U përmend, erdhi në vete pas një çikë. Kishte dhe
hak, i shkreti. Veç tmerreve që kishin hequr të gjithë, Joakimi zuri tregonte
si ia kishin torturuar të vëllanë m’u përpara syve. Pastaj, e kishin varur në
një pemë dhe i kishin vënë flakën”.
Motra ime, më e madhja, Emineja, ruan më
shumë kujtime se të tjerët. Ajo ka edhe një kujtesë shumë të mirë, por e
ndihmon edhe fakti që atëherë ka qenë më e rritur se të tjerët, mbi dhjetë
vjeçe. Po shkon tek të tetëdhjetat tani:-“Në fakt, ardhjen e atyre dy familjeve
hebrenje në shtëpinë tonë, në mes të natës, sikur e ndolli një ngjarje e
çuditshme, dhe e tmerrshme që më panë sytë, po atë ditë, por në drekë.
Unë, bashkë me tri-katër shoqe të mia të
lagjes, po loznim “Prosta” në rrugicën tonë, përpara portës. E mban mend lojën
“Prosta” ti? Ishte loja me pllaka të vogla guri, që ne, sipas rradhës, duke
kërcyer mbi një këmbë, e shtynim me këmbë, nga një katror në tjetrin. Katër
katrorët vizatoheshin në tokë me shkumës a ç’të gjenim. Në një moment, unë, e
tmerruar, thirra: “Shikoni, moj! Ç’është ajo grua që po bredh si e çmendur
nëpër rrugica, duke trokitur fort, në të dyja duart portë më portë?! Ishte grua
a vajzë, nuk e di. Zeshkane, e gjatë, dhe shumë e bukur. Por fytyrën e kishte
tërë gjak. A e kishin goditur dhe kush e kishte goditur a torturuar, hajde ta
kuptoje. Nuk ishte ndonjë çudi e madhe, se gjermanët rreth e rrotull ishin.
Ajo, e zezë, vërtitej e përplasej si flutura pas llampës, portë më portë. U
binte me grushta portave dhe se ç’fliste me një gjuhë që nuk e kuptonim. Vetëm
“Jugosllavia! Jugosllavia” morëm vesh nga tërë ato fjalë. Donte të fuste kokën
diku, e shkreta, po ajo që ne na bëri të shqyejmë sytë ishte se, ajo, bënte-
ç’bënte dhe mblidhte pas trupit një pallto a ç’ishte, që të mos i dukej trupi lakuriq...
-E torturuar? Lakuriq?
-Lakuriq fare. Siç e kishte bërë nëna, kur
thonë. Siç duket, më pas, ndonjë kishte bërë sevap duke i hedhur atë pallto
krahëve. Kur vraponte e përplasej nëpër porta, apo rrëzohej, palltoja i hapej
dhe i zbulohej tërë trupi i gjatë, i bardhë dhe i bukur!
Ne e lamë lojën përgjysmë, doemos, dhe,
ashtu të ngrira, siç ishin nga turpi, e nga tmerri, mbuluam fytyrën me duar.
Mbetëm pa gojë, po shyqyr që atë çast, u hap porta jonë. Doli plaka jonë. Pa
atë qyqare dhe i thirri: “Kush të ka
bërë kështu, moj korbë?! Si të paskan katandisur, moj e zezë, iu thafshin
krahët! Hajde, zonjë, hyrë brenda, motër! Pa teklif, si në shtëpinë tënde!...
E mori përkrahësh dhe e futi në shtëpi.
Shpejt e shpejt, vuri në zjarr kazanin me ujë e finjë. E lau, e shpëlau, i dha
për të veshur nga robat e saja; pastaj e vuri të hante.
U mahnita, kur e pashë ashtu në shtëpi; të
pastër, të veshur, të bukur. Zuri të hante bukë, dhe dukej se kishte uri, por
me sytë ulur. O nga druajtja, o nga sikleti që ne e kishim parë ashtu, lakuriq,
o nga që nuk i kishte dalë frika akoma, nuk e di.
Kushedi ç’i kishin parë sytë, të zezës! Në
drekë, kjo histori. Prandaj, të thashë, që kur erdhën ato dy familjet në mes të
natës, po atë ditë, thashë se i ndolli ajo”.
... Shega, motra ime, “e mesmja”,- atëherë
nëntëvjeçare kujton se i pati bërë shumë përshtypje fakti që “hebrenjtë e
shtëpisë”, i qerasnin miqtë me fara kungulli të pjekura. Ta merr mendja?
Ndoshta ngaqë ishin familje të varfra, por mund, edhe të ishte zakon i tyre
ky...
Me ç’dukej, bënte krahasime ime motër, kur
me zakonet tona, për miqtë “përmbysej shtëpia”, “hiqej nga goja e fëmijëve”.
(“Ju e teproni”,- na thoshin ata).
Të pasur apo të varfër, tabakaja e
qerasjeve kalonte 4-5 herë përqark miqve të sapoardhur. Në fillim rakia apo
likeri për gratë; pastaj karamele, pastaj, llokume; vinin me rradhë biskotat
(“e bëra vetë”, “biskota shtëpie”, doemos); gliko qershie (edhe ajo “e bërë
vetë”), ose nja dhjetë lloje të tjera... Pastaj, bakllava, kadaif, samsa
(trigona), ose nja dhjetë lloje të tjera... Dhe në fund, një “limonadë” me ujë
trëndafili (të freskët, patjetër, nga lulet e bahçesë). Akoma nuk mbaronte,
sepse e mbyllte kafeja, sigurisht, e sapopjekur dhe e sapobluar, dhe aroma e
saj mbushte shtëpinë...
-“Dysheku i mikut”, “Jorgani i mikut”,
“Qoshja e mikut”, “Oda e mikut”, “Darkë për mik”, “Drekë për mik”, “Raki për
mik”...
Më mirë të ishe mik në këtë shtëpi, në këtë
lagje e në këtë qytet...
Me këtë koracë kulti mbrojtëse, nuk kishte
Zot, që të guxonte ta prekte mikun.
...Vonë, shumë vonë mësova, se familja jonë
nuk ishte e vetmja “me miq hebrenj”.
... Në maj të këtij viti u mblodhëm në një
takim të “maturës” sonë të gjimnazit; u kujtuan edhe hebrenjtë, dhe, duke parë
me rradhë fytyrat (dhe flokët e thinjura), të shokëve të gjimnazit, m’u duk
“zbulim” fakti, që, në familjet e katër-pesëve prej nesh, pra të një klase të
vetme, kishte pasur, gjithashtu, “kuti” të hebrenjve, “Meshar” të Gjon Buzukut,
domethënë, hebrenj në vitet e Luftës: tek Çezari që po lexonte disa poezi humoristike,
tek Eniseja, që po bisedonte me zyshën tonë kujdestare, Haton, tek Myzejeni, që
po merrej me celularin...
Natyrisht, kjo është simbolikë, megjithatë,
nuk është hiç rastësi, sepse vetë qyteti është simbol i shpëtimit të hebrenjve
në Shqipëri. Hebrenj në lagjen tonë “Murat Çelebia”, hebrenj në Goricë, hebrenj
në Mangalem...
“Lagja e Hebrenjve”, “Rruga e Hebrenjve”,
“Varri i Hebreut”...-një toponimi e tërë; hebrenj në familjet myslimane,
hebrenj në familjet e të krishterëve, hebrenj në familjet e bektashinjve...
Ky mozaik reflektohej edhe gati në çdo
klasë e shkollë të qytetit.
-Tek shtëpia e madhe e Ali Koshit (babait
të Çezarit) ishin strehuar jo një, por dy familje hebrenje. Çezari: “Zoti,
Ali,-i tha një ditë Asheri, të zotit të shtëpisë. Zotëria juaj e flet shumë
mirë gjermanishten. Doemos, ke studiuar në Vienë për jurist. Por, të lutem,
lëri shakatë duke më folur gjermanisht. Më fol shqip, se më duket se gjermanët
janë tek porta e më prishet gjaku”. Lanë edhe një shenjë në shtëpinë tonë.
Ishte një dollap kompesatoje. Gjer në vitin 1963, e mbaj mend në shtëpi, se
pastaj, e mori me vete, si pajë, ime motër, Sheriari, kur u martua. Ishim ca
ngushtë atëherë... Kurse me Asherin e me hebrenjtë e tjerë, nuk e di ç’u bë. U
larguan nga Shqipëria pas çlirimit, po se ku shkuan!... Ashtu ishte koha. Edhe
babai, u bë kohë që ka vdekur...”
-Kur kalonte para portës sonë Isuf Qolja,
babai i Enisesë, kuptohej menjëherë, se trokiste kalldrëmi i rrugicës; njërën
këmbë e kishte protezë. Jakovit, hebreut që strehohej në shtëpinë e tij i mbeti
peng që nuk e mbajti dot fjalën që i dha Isufit, se pas luftës do t’i vinte një
protezë të re e të bukur në këmbë, sepse nipin e tij e kishte mjek ortoped në
Beograd. Mirëpo, u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë... Ata ikën e u kthyen
në vendin e tyre, a, kushedi ku... Ne kishim nja dy fotografi të tyret, po na
humbën...
-Para pak vitesh, disa shqiptarë që
ndodheshin për hall në një nga spitalet e Izraelit, u befasuan, kur, një nga të
sëmurët, vendës, u foli shqip: “Qenkeni shqiptarë? Nëse jeni nga Berati, e
njihni Siku Gjogun nga Mangalemi? Më ka mbajtur e më ka shpëtuar në shtëpinë e
tij”. Ç’nuk bën rastësia! Pas disa ditësh, Antigonit, gruas së Sikut, i sollën
në shtëpi një adresë: “Cohen Josef/s/dr/2114 Hod-Ha Sharon Israel”. Gruaja i
shkroi në këtë adresë, por nuk erdhi ndonjë përgjigje. Nga që i thanë, se miku
nga Izraeli ishte i shtruar nga zemra, tha “E pastë shpëtuar Zoti!”. Edhe Siku
nuk rronte më...
-Myzejeni, është, gjithashtu, shoqja ime e
klasës në gjimnaz. Eshtë vajza e Vehxhi Buharasë. Edhe në shtëpinë e tij, u
strehuan dhe u shpëtuan hebrenj. Vehxhiu ishte klerik i nderuar orientalist dhe
përkthyes i shkëlqyer, sidomos, nga persishtja. Njihte 7-8 gjuhë të Perëndimit
e të Lindjes, por në “vendet e punës” ku e çuan për shkak të “biografisë”,
punëtor krahu tek “Gropa e Zhurrit”, ku nxirrte zhavorr apo në rrojtoren e
lagjes të priste kuponat, nuk para i hynë në punë... Hebrenjtë që ishin në
shtëpinë e tij ikën, po se ç’u bënë!...
-Josef Abdyzyss-in që strehohej në shtëpinë
e Toli Dodit, në Mangalem, e thërrisnin Jusa, shkurt. Ishte marangoz i
shkëlqyer; tregon djali i Tolit, Josifi, që gjithashtu ka emrin e mikut hebre.
Një tavolinë, një dollap dhe gjashtë karrige në shtëpinë e Tol Dodit janë
dhuratë e hebreut mirënjohës. Jusa doli partizan. Aristidhi dhe Petraqi e
takuan Jusën në Shkodër për herë të fundit; në ditën e Çlirimit. Më vonë, shkoi
në Itali. Tani banon në Izrael. Pas ’90-ës na lidhi me të Refik Veseli,
fotografi...
-Veli Xhelali (Mukli) ka punuar mësues,
gjithë jetën, por për të, si pothuaj, të gjithë, mbetet të flasin bijtë.
Mirëpo, Çlirim Mukli, i biri, përkthyes i pasionuar dhe studiues i letërsisë,
gjithashtu, “mezi hap gojën”. “Kur u bombardua Berati (pas kapitullimit të
Italisë fashiste), im atë i mori hebrenjtë që banonin tek daja e sime mëje,
Isuf Qolja, në lagjen “Murat Çelebia” dhe i çoi në fshatin Tozhar, tek njerëzit
e tij. Gjithë familjen: Jakovin, gruan e tij, Rashela, dhe dy fëmijët, Davidin
dhe Sonjën. Kujtoj edhe një detaj. Megjithë ankthin dhe tensionin e ndonjë
rreziku të mundshëm rrugës për në Tozhar, Jakovi, me sa duket, për të mos
shkuar duarbosh tek mikpritësit, ishte ndalur në Zhitom, dhe kishte blerë një
pulë. Ishte bërë objekt shakaje, sepse, kur kishin mbërritur në shtëpi, në
darkë, kishte këmbëngulur ta gatuante vetë pulën, dhe kishte gatuar, por me
sheqer e jo me kripë gjellën, si e gatuanim ne...
(vijon
nesër...)
Intervistoi: Elvin LUKU