RIZA LAHI
Kulla e fluturimit që lëviz nëpër Tiranë
Tirana, që fill pas luftës, ka ardhur duke u populluar pandërprerë. Ajo ka arritur aktualisht shifrën e 850 mijë banorëve. Mirëpo, a s'e kemi vënë re të gjithë që, kur ka qënë puna për të shkëlqyer në mënyrë të veçantë, kanë dalë në atë majë bij nga substrati i Tiranës? Megjith përplasjet e panumërta në metropolin shqiptar bazamenti Tiranës, nga ata që u thonë nënës “ije”, futbollistëve - "çuna", Tiranës – “Tirona”, ka bërë t'i japë tonin lokal kësaj qëndre që mban 1/4 e popullatës aktuale shqiptare.
Karizma e aviatorit që kemi zgjedhur sot, nuk qëndron tek orët e panumurta në guidimin e aeroplanit – ka të tjerë ,madje edhe tiranas, që kanë dalë në pension me reaktiv.
Nuk qëndron edhe te ndonjë akt spektakolar disaminutësh që të ketë bërë ai - tiranasi Bilal Sina – fare i ri,22-23 vjeç, la me gjak të ngrirë një aerodrom të tërë plot me burra derisa bëri të mundur uljen e reaktivit me motorrin e vetëm të fikur në lartësinë 6000 metra. Tiranasi tjetër, Bilal Josa, ka djegur tankun mu para syve të Enver Hoxhës e të tribunës plot, duke hapur zjarr në pikën e fundit të "Lakut të Nestorovit" - një unazë mjeshtërore vërtikale.
Edhe këto 2-3 raste që përmendëm, janë pothuajse anonimë në luzmën e panumërt të jetës tiranase.
Por jo Masar Aga.
I gjatë gati dy metra - me pëllëmbë viganësh, me të qeshurën prej katallani të gojës në përputhje të plotë me ligjin e “korelacionit të rritjes”,atë mund ta shohësh edhe tani në moshën 76-vjeçare, duke i rënë Tiranës anembanë, zakonisht me biçikletën që e nget me ambicien e një djaloshi, të cilën e frenon kur të dojë, duke i vënë të dyja këmbët me numër 47 në tokë menjëherë.
Me sytë ngjyrë plumbi dhe prej një volejbollisti ngatërrestar, ai s'pushon së treguari episode nga të fluturimit. Ua tregon të gjithve. I tregon pa u lodhur. Kur dëgjuesit shtangen - ai qesh me të madhe, si të qe një katallan zemërbardhë, dhe u vë dorën në qafë.
Në festën e 60-vjetorit të Konferencës së Pezës, ne e pamë në presidiumin qëndror.Ne s'u çuditëm kur e pamë të ecte krah ish-Presidentit Rexhep Meidani, apo kur mezi arriti t'i vinte dorën në supin e lartë kryeministri shtatshkurtër Fatos Nano.
Masar Agës i hapen dyert ngado. Sigurisht kjo përzjerje gjithandej, mbase edhe nuk para u pëlqen disa kolegëve të tij të dalë në pension, aviatorë shumë të njohur edhe ata. Por, askush nga "oponentët" e tij deri më sot nuk ka vënë aspak në dyshim dashurinë e tij për pilotët e çfardomoshe ("E kom pas una kursant”)dhe neverinë që ka për paranë e pandershme.
Këtij tiranasi, pas dështimeve, iu besua përgatitja e dokumenteve dhe afirmimi shtetëror shoqatës "Aviatori". Dhe ai e realizoi. Kush tjetër mund ta realizonte atë? Në vitin 1996? Kur nëndhe apo edhe hapur aviatorët akuzoheshin si simpatizantë të Enver Hoxhës, e, në këtë kontekst, shfaqeshin stërkëmbësha gjithfarëshe që ata të mos organizoheshin?
Masar Aga ka qënë sportist shumëplanësh. Ai është mësuar me tifozë – tifozëve të tij përherë ia ka dhuruar me elegancë viganësh edhe profesionin e vet të rinisë - "pilot". Ai është mësuar edhe me tribuna - edhe ata - profesionit të tij të shtrenjtë.
Pothuajse në të 39 katastrofat ajrore që ka pësuar aviacioni ynë - Masari ka qënë prezent në familjet fatkeqe, në ceremonitë e varrimit e deri në varrezat - ashtu, një kokë më i lartë nga të gjithë dhe me sytë e plumbtë prej volejbollisti sherrxhi të mbushur me lot.
Herë duke folur pa e pyetur njeri.
Herë duke e lutur mënjanë të thotë edhe ai variantet e supozuara të së vërtetës.
Tirana ka mbajtur për 5 vite udhëheqjen e Luftës dhe s’e tradhëtoi kurrë. Ajo,e vetmja, provoi një betejë frontale kundër nazistëve dhe doli e tëra burrërisht barrikadave.
Myslim Aga ka qenë imam xhamie; i Xhamisë së Kakanozit te Pazari i Ri. Ai kishte 5 djem e tri vajza. Pothuajse të gjithë dolën partizanë, dhe jo vetëm shtëpinë, por edhe xhaminë ( mbase fshehur "Imamit"),ata e kthyen në bazë sekrete për luftën.
Ije Farkën e njohin të gjithë; djali saj Muhameti, ka qënë bashkëshorti i ish-partizanes Fatbardha Aga; Hajdia - gruaja e Besim Fagut, ish- partizane, është nëna e flamurmbajtësit të 28 majit 1996.
Të pestë vëllezërit viganë nga trupi qenë sportistë të njohur." Una kom hy n’burg qysh 15 vjeç" , thotë Aga, dhe tregon shkakun.Po luanin futboll me një skuadër ushtarakësh italianë në vitin 1941. Njëri prej tyre shtyu me dashje dhe e qëlloi me shkelm Zyhdiun, që do të shquhej pas shumë vitesh si oficer i ndershëm i Sigurimit të Shtetit.Sigurisht që italiani do të hante menjëherë grushtin nga Masari, në mbrojtje të “ lalës së madh”. "Më futën tri ditë mrenë,më shqepën m’dajak dhe m’shajshin "komunist"¼ “
"Notën vonë m’njoftun se do të m’arrestojshin për me m’çu në Prishtinë.Dhe kshu una u ndava nga njësiti im gueril e shkova në "Batalionin e Erzenit", thotë Msari i kënaqur shumë nga që e pyes mbarë e prapë, duke treguar se, të vetmen plagë që ka marrë, ka qënë ajo në Tuz, më 4 dhjetor 1944. "Ra një predhë afër meje, e m’fluroi matonë".
Edhe ky bir i Tiranës ka marrë pjesë në çlirimin e Shkodrës sime. Ai më tha: "Una kom qenë me grupin e parë qi ka hy m’Shkodër.Po gdhinte 29 Nëntori 1944,sahati mund të ishte 05.20-05.40. Gjermonët hudhën m’erë Urën e Bahçallikut në orën nji pa dhetë dhe, masanej, thyn qafën”.
* * *
E vërteta është se aviatorët e parë u çuan për t'u përgatitur në Jugosllavi. Te "sërbi", pra. Ishte viti 1945. Për t'u ingranuar në atë "aristokraci", siç ishte aeronautika për bijt e barinjve, bujqve a ndonjë qytetari shqiptar, që të gjithë të sapodalë nga një luftë 5-vjeçare e një populli 80% fshatarë e 80% analfabetë, sigurisht që ka patur mjaft ashpërsira.Industrialisht,Jugosllavia ishte shumë më e zhvilluar në krahasim me Shqipërinë. Megjithëse edhe ajo kish lënë mjaft dëshmorë në Luftën e Dytë Botërore, duke u udhëhequr nga gjenerali Josif Broz Tito, në një plan sekret strategjik, parashihej bashkangjitja e Shqipërisë me Kosovës, dhe, të dyja bashkë, në kuadrin e një "Federate Jugosllave", mbi trapezën e gjeneralit kroat.
Masar Aga përmendë këtë listë, kryesisht, ish- partizanë, që shkuan në Jugosllavi: Babaçe Faiku, Niko Hoxha, Fari Bubësi, Pertef Myftari,Ibish Vokshi dhe vetë ai. Ndonjë muaj më parë kishin zënë bangat e shkollës së aviatorëve atje Edip Ohri, Zyhdi Rada, Sazan Xhelo, Irakli Grazhdani, Dilaver Radëshi. Ishin edhe Vasil Gjikondi, Beqir Dibra, Koço Karoli, Zenel Minarolli e ndonjë tjetër.
Ky grup i madh ka studiuar aeronautikën jugosllave deri në vitin 1948, saktësisht më 17 korrik; specializuar vetëm për një tip të thjeshtë aeroplani - JAK-3, si edhe një pjesë për shturmanë bombardues apo avionë transporti. Asnjeri nga këta aviatorë, një pjesë të të cilëve kam patur nderin t'i njoh personalisht, nuk prononcohet në ka patur diferencë të theksuar kulture mes atyre dhe studentëve të tjerë, ta zemë serbë. Masari thotë, psh, se ka hyrë në punë qysh në moshën 12 vjeçare, se ka punuar atëbotë elektriçist e hidraulik dhe, me paratë që hiqte mënjanë, sigurisht dhe me miratimin e imamit të rreptë të xhamisë së Kakanozit, blinte libra. Fari Bubësi i ndjerë thonë se vinte nga një familje intelektuale.Po kështu edhe Edipi. Po,gjithsesi, pamja e përgjithshme e Shqipërisë, ishte pamja e një vendi agrar të prapambetur, të dërmuar materialisht nga lufta dhe pothuajse analfabet. Mjaft ish-partizanë kishin mësuar shkrim e lexim në pauzat mes betejave të luftës së Dytë Botërore.
Ky grup - pra, në tërësi prezantonte bij të ardhur nga ky vend.Mirëpo, me ç'gjë të veçantë, që ka lidhje me profesionin e pilotit, mund të konkuronin këta djem të padhjamë e të pabrilantinë, të dalë nga betejat, me dekorata trimërie në gjoks dhe me moral puritan? Ohoo... Me sportin!
Që të gjithë ishin rezistentë dhe të gatshëm për të sakrifikuar në ekstrem. Kjo ishte ç'ishte.Por... Pilotët duhet të jenë edhe sportistë të gjithanshëm - me këtë kërkesë u njohën djemtë që në fillim, të cilët, ja, hajt ma, edhe i suleshin topit të futbollit. Mirëpo, ja ku e kishte një "individum" ky grup shqiptarësh të rinj mes serbeve, maqedonëve, rumunëve dhe në ambjentet e ushtrisë serbe.Dhe me instruktorë serbë. Ishte Masari. Më i gjati nga të gjith. Dhe me furi tiranasish, që e kanë gati genetike kameratizmin. Sigurisht, që ai vetëm u ka vënë dorën në supe shokëve të tij shtatëshkurtër, të cilët natyrisht që vetëm buçisnin me tërë shpirtin kur Aga i tyre vigan, që i pëlqente e i mirëpriste shakatë e ndërsjellta me ta, bënte kosh, apo shutonte ashpër mbi barrikadën serbe.Tashmë, tiranasi me të folmen e palatuar tiranase edhe sot e që i tingëllon aq bukur, nuk kishte asnjë konkurent në kërcim së larti, jo vetëm në akademinë "Vojno Vozduhopllovnoe Akademia", por as në Vojvodinë. Ai shkëlqente në volejboll.
Kushedi se sa do të jetë gëzuar e mburrur aviatori më shtat të shkurtër i këtij grupi, labi luftarak Babaçe Faiku, kur Masar Aga pranoi me jashtëzakonisht lumturi propozimin për të qënë në pesëshen e basketbollit të ekipit të aviacionit luftarak jugosllav.
Gjatë stërvitjeve ajrore, mes këtij grupi të bukur djemsh të ardhur në aviacion qënga kakaritjet e mitrolozëve të Luftës së Dytë Botërore, njëri dha jetën.Ishte kosovari Ibish Vokshi, që do të niste serinë e dhimbshme të 34 dëshmorëve të aviacionit shqiptar. U deshën këto flijime që të ngrihej hap pas hapi kështjella madhoshe e aviacionit tonë, kështjellë e cila, në vitet ‘80, arriti të ishte krejtësisht kompetitive me të sillojtat e saja serbe, greke apo italiane.
Përpara se grupi të kthehej në Atdhe më 17 korrik 1948, për t'u nisur menjëherë, pra, më 6 tetor 1948, në BS, iu desh të ndeshej me pamjen e ndyrë të shkëlqimit serb.Pas tentativave të pasuksesshme për të joshur ndonjerin nga aviatorët e rinj me vajzat shtatderdhura bjonde serbe, erdhën tentativat më brutale, më agresive, më të drejtpërdrejta.
"Na kapshin, jo vetëm veç e veç,dhe na propozojshin të rrishim në Jugosllavi.Si shpërblim do t’kishim shpi, emnim të menjëhershëm pilot luftarak, ofiqe e grada dhe trajtime t’veçanta si "emigrant politik" mbasi, "Enver Hoxha ka tradhtu marksizmin".
Kështu, si Masari, kanë treguar mjaft nga këta pionierë të aviacionit shqiptar, të cilët u kthyen në atdheun që po provonte përditë preludin e provokacioneve të gushtit 1949, ndërsa me Serbinë, ja, po ndahej me dhëmbët skërmitur.
* * *
Edhe tre vite të tjerë në BS. Nga viti 1948 deri në vitin 1951. Vetëm me një tip aeroplani JAK-3-shin, që është luftarak i pajisur me predha dhe bomba. Me JAK-3-shin me të cilin kishte rënë Ibish Vokshi... Një tip të përafërt me të, veçse pa asnjë lloj armatimi, më pas, do të përfundohej në shkollën shqiptare të Aviacionit vetëm për një vit.
Aga kujton këta djem të nisnin aventurën ajrore në emër të Shqipërisë, duke fluturuar përmbi stepat ruse: Babaçe Faiku,Irakli Grazhdani, Pertef Myftari, Hasan Shyti, Estref Shehu, Mati Baba, Vas Kosti, Peço Polena, Vasil Trasha, Thanas Gjiknuri, Vasil Gjikondi, Zenel Minarolli, Areteo Ikonomi ( përgjegjës grupi), Mili Gërbizi.
Kur do të kthehej në atdhe, për të krijuar aviacionin shqiptar, ky grup do dëgjonte këtë kompliment të merituar para rreshtit nga komandanti i "Okrugut" Rostov:" Do të isha i lumtur të fluturoja tërë jetën mes "orlave" shqiptarë".
* * *
Masar Aga këmbëngul: "Nji ditë marsi 1951, n’emën t’ Partisë e t’Qeverisë, na thrriti Mehmet Shehu dhe na komunikoi detyrën: "Të organizohet reparti i parë i aviacionit. Më 1 maj, du qi pesë aeroplana t’flutrojnë mi Tironë!" Ishim : Babaçja,Vasil Trasha, Braho Kuçi, una edhe Mit'hat Gjondedaj,si shef sigurimi. Kryeministri na përcolli me këto fjalë : " Qielli i Shqipnisë duhet t’jet i pastër, siç osht e pastër Partia e Punës!"
Pesëshja qi flutroi mi Tironë ka kenë Babaçe Faiku, Peço Polena, Masar Aga, Vasil Trasha dhe Thanas Gjiknuri. Teknik aeroplanash kina pas Andon Koroveshin.Kurse, më 24 prill 1951, piloti i parë që u ngrit n’ajër ka kenë trimi korçar Peço Polena".
Aga këmbëngul për një fakt që unë nuk kam mundur të konfirmoj plotësisht. Sipas tij, në shtator 1951, dy çifte aeroplanësh janë urdhëruar të mbështesnin sulmin e ushtrisë shqiptare " në kodrën në krah të majtë të Kakavijës", e cila kodër, qe kapur nga grekët, paçka, me sa di, së paku unë, kishin marrë fund ngacmimet provokative të armatosura të gushtit 1949 nga monarkofashistët grekë dhe, me ta, edhe kundërpërgjigja brilante shqiptare.
"Kur morën vesh se do të vijnë avionat shqiptarë, forcat tona u sulën dhe e morën kodrën me një “urra” e pa pas nevojën fizike të aeroplanëve”.
Ishim dy çifte, thotë Aga, por vetëm Babaçe Faiku dhe ai kanë bërë të mundur të realizonin planin numër 2 të përpunuar në tokë - kalimin tej kufirit tonë dhe lundrimin ajror përmbi liqenin e Janinës e kthimin që andej pa asnjë ngacmim grek.
* * *
Kushdo që shkon në Rinas, vëren edhe kufomat e katër IL-14-ëve të mbetura atje. Secili nga ata mund të kryente fare mirë intineraret që kreu firma private ADA-Air. Ata u menaxhuan nga strukturat shtetërore të pas 90-es në mënyrë të mënxyrshme, ashtu sikurse parku i madh i AN-2-shëve, njëmbëdhjetë avionëve të lehtë të transportit.
Nëqoftëse tre nga IL-14 erdhën nga Kina dhe u montuan nga ekipe të përbashkët kino-shqiptare, i katërti, apo i pari, me numër bordi 15-09, ka një histori më vete.
Ai erdhi në Shqipëri si dhuratë e qeverisë sovjetike për udhëheqjen shqiptare; erdhi në vitin 1957 duke qënë nga avionët më modernë të kohës. Sigurisht që u përzgjodhën aviatorët e presupozuar nga më të mirët. Ish kryeshturmani i Regjimentit të Qytetit Stalin ( sot Kuçovë) kryeshturmani i aviacionit dhe shefi i parë, krijuesi i Vend Komandës Qendrore, Masar Aga, u përfshi në këtë ekiupazh që do të provonte, i pari në historinë e aviacionit shqiptar, fluturimet ndërkombëtare; madje, shpesh herë, intensive. Ishte e palejueshme që aviatorët e udhëheqjes më të lartë piramidës shqiptare të kohës, të mos kishin klas të parë; pra të mos ishin të përgatitur që të guidonin avionë edhe natën në kushte të vështira metereologjike. Agës, që kish fluturuar natën me Mig-15, avionin tonë bazë atë kohë, atëherë u desh të kapërcente me sukses testet e "Shturmanit të klasit të parë".
IL-14, me pilotë Babaçe Faikun e Hamit Ulqinakun, me shturman Masar Agën, teknik Daut Gurabardhin dhe radist Masar Binaj, nisi kështu historinë e fluturimeve; fluturime të rrethuara plot admirim që nga aviatorët e tjerë e deri te komshinjtë apo ilakatë e aviatorëve. Një nga kulmet e IL-14 me numër bordi 15-09, është konsideruar fluturimi në kushte të vështira metereologjike që nga baza italiane e Brindisit për në Rinas.
Fluturimi nuk rekomandohej të kryhej nga autoritetet e bazës italiane pasi paraqiste pasiguri të madhe. Në bord ndodhej udheheqësja më e lartë e PPSH që kishte ardhur nga Konferenca e njohur e 81 partive komuniste e dirigjuar nga P.K.Sovjetike me në krye liderin e saj që pat vizituar edhe Shqipërinë, Nikita Krushovin. Shqiptarët kishin rebeluar duke u larguar në mënyrë brutale nga konferenca.
Megjithë mosgarancinë e sinoptikantëve të pagabuar italianë e të mbështetur nga oficerët italianë të aviacionit, lideri i padiskutueshëm, Hoxha, vendosi të provonte gurin e fundit. Të dinte garancinë që jepte ekuipazhi i IL-14 atë pasdreke të 29 nëntorit 1960. Sigurisht që pasiguria e secilit nga "të pestët" do të bënte që delegacioni shqiptar që kishte vendosur të sakrifikonte aq tepër ekonomikisht, financiarisht, por edhe ushtarakisht në emër të sovranitetit të vendit, të flinte atë natë në Bari. Kur në Atdhe kishte fishekzjarre. Të pesë aviatorët, u ndodhën atë natë, në "Pallatin e Brigadave”, ku bëhej mbrëmje solemne dhe ku ishin njerëzit të konsideruar më me vlera nga nomenklatura e kohës.
Kushedi se sa herë do të ketë treguar këtë episod heroi ynë i kudondodhur, i madh e i lartë si një kullë fluturimi që flet vetëm për fluturime. Duke ngritur sa më lart lavdinë e dy pilotëve, Babaçes që na ka lënë, dhe "Homitit", siç e thërret ai me dialektin përherë të lezetshëm tiranas!
* * *
Masar Aga e ka fotografinë e tij në Klubin Sportiv "Partizani", si njëri prej individëve që përbën krenarinë e këtij klubi sportiv, i cili, aktualisht, përveç emrit, nuk i dihet se çfarë lidhjeje ka më me ushtrinë. Ai, si asnjë pilot deri tani, ka shkëlqyer në shkallë kombëtare në sporte.
Ne nuk do të ndalemi, as në peripecitë e ndryshme që ai të ketë kaluar gjatë jetës relativisht të shkurtër si pilot, mjaft të gjatë si shturman fluturues, sidomos në aeroplanin më të përzgjedhur, dhe as në meritat e tij të veçanta gjatë kësaj periudhe në ngritjen, pajisjen me kuadro dhe rregulla të vendkomandës qëndrore të fluturimeve. Ai, duke qënë oficer i aviacionit, ka një listë të bukur trofesh sportive dhe ne po i paraqesim të gjitha me shpresë që lexuesi ynë i respektuar të shijojë pakëz përthyerje nga ecuria e jonë vetëm fluturuese në këtë vëllim.
Aga ka thyer 4 rekorde kombëtare të paraluftës në 10 garësh. Ka thyer garën e kërcimit së larti në vitin 1958 nga 1m e 77 cm në një cm më shumë, duke e gëzuar me shpirt rekordmentin e eckaluar. Ai ishte… Met Aga, i vëllai i tij i vogël.
Ka qënë nga themeluesit e ekipit kombëtar të volejbollit dhe, jo vetëm kapiten i këtij ekipi, por, si ka ngjarë rregullisht në ekipet e rrugicave të Tiranës, edhe trajner. Të lumët ata që kanë pas këtë trajner me sedër të xhindosur, të futet në lojë tër kohës e në tëra ndeshjet, pasi ai nuk sëmurej kurrë. Kështu nga 1948 deri më 1964.
Në vitin 1962, volejbollistët e Sarit ( emri përkëdhelës mes shokëve) morën pjesë në kampionatin botëror të volejbollit dhe u kthyen që andej, duke u kryemburrur me vendin e 14-të.
Masari, këtë e dinë pak, ka qënë trajner edhe në BS, në qytetin Ljubed.
Për 15 vite ai ka qënë kryetar i kolegjit të arbitrave.
Ky vigan, duke bërë ligjin gjithandej, përveç prurjeve sportive, kuptohet, edhe me emrin e shtrenjtë sa çdo rrahje e zemrës së tij - pilot, nuk kish si të mos vinte veton edhe në shtëpinë e së motrës, ku mbretëronte një tjetër luan - Besim Fagu.
Fagu i fuqishëm e po aq i famshëm, donte ta bënte Agimin futbollist por ishte e pamundur t'i prishej dajës së fëmijëve, që nuk ka ditur kurrë të flasë me zë të ulët. "Të thom të drejtën, shumica e futbollistave n'atë kohë ishin jo me aqe shum shkollë, kurse Agimi ka kenë gjithmonë i pari i klasës".
Më së fundi, futbollisti i bujshëm Besim Fagu, edhe pas lutjes së Hajdijës, së shoqes "mos ia prish Sarit, Besimo", e dha viston që Agimi të bëhej basketbollist. Basketbollist që ende vazhdon të mbesë më i miri i të gjitha kohrave në basketboll tonë.
Masar Aga është nga të parët "Mjeshtër sporti" në Shqipëri, e, po, kësisoj, edhe "Mjeshtër i Merituar Sporti".
Mbase kjo jetë intensive që ka bërë edhe me sport, ka ndikuar shumë që edhe sot, 76 vjeç, ai të rendë rrugë më rrugë me biçikletën e tij, dhe zyrë më zyrë me të folurën e tij buçitëse tiranase, veçse për hallet e të tjerëve. Tanimë, sidomos pilotëve.
" Una kom qen 15 vjet sekretar partie lagje, e jom msu me i zgjidh hallet e të tjerëve".
Sari gjatë jetës ka ndezur tek-tuk ndonjë cigare apo ka pirë “javash” ndonjë gote raki dhe e ka refuzuar vazhdimisht mishin e dhjamur.
"Un haj shum bulmet, qumësht e fruta në mëngjes. Aaa,në drekë haj mirë. Ma gatun gruja prefekt. Asaj ia thonë emnin Muzejen; o nga familja tironase Kuka".
Masari ka drejtuar volejbollin në Federatën Shqiptare të Sporteve, por, shpesh, ka qenë i ngarkuar edhe me pingpongun e shahun.Me shahun, nga i cili, një ditë do t'i dilte një lepur i madh. Një shans që e bëri të hynte në histori. Nga ajo deriçkë e vogël e "shahut", ai bëri të mundurën që të niste sulmin e tretë për themelimin e shoqatës "Aviatori" dhe afirmimin e fuqisë së saj te kurorat e një piloti dëshmor.
Ja se si e tregon këtë histori ai, pas garancisë së plotë rreth episodeve si në vjershë të disa prej trofeve sportive.
" I kom t’gjitha; i kom me gjith dokumentat m’shpi! Eja t'i thomi Myzejenit të na bojn ndoj meze t'mir. Po e pi ene una i gotë edhe po i shofim kadalë-kadalë".
* * *
"Me thon të drejtën, veterant' e djathtë, qi dun Salën, kishin kriju, edhe ato organizatën OBVL. OBVL-ja kishte n'kry Rrahman Parllakun. Te kjo organizatë ishte edhe "seksioni i aviacionit". Mirëpo, hala, ky seksion, nuk mund me i përfaqsu të gjithë aviatorët… Përpjekjet e para u bon qysh në vitin 1995, por dështun të dyja. Në krye të 33 iniciatorëve - kanë qenë pilotat e shqum, qi una, sigurisht qi i kom shokë, Qirjako Dhima, Gëzdar Veipi, Met Farka... plot. Mirëpo, ministri Zhulali, as që kishin n'men me e lon krijimin e shoqat's "Aviatori", krijim i cili, deri kur e mora una m'dor, u duhte me kalu nëpër koridoret e Ministrisë së Mbrojtjes”.
Aviatorët kishin kohë që nuk mblidheshin më të festonin atë 24 prill që tanimë është bërë traditë. Me të ngrëna e të pira, me fjalë përshëndetjeje, me përkujtimore...
" Mu m'vinte shumë keq që nuk u festote ma 24 prilli. Gjithçka kishte mbyt pesimizmi, mërzija dhe llafet te klubi i Shtëpisë së Oficerëve”.
Masar Aga tregon të ketë ndeshur një ditë në presidencë ( Nga ka qënë dhe është i mirëpritur në të gjithë institucionet shtetërore, paçka se kush ishtë apo është në qeverisje) bash me Ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali.
"Pse, ti je ai Masar Aga?"
"Una!... Kom qejf me ta bo i vizit në zyrë".
" Për Masar Agën dyert janë të hapura. Po të pres të hënën" - i është përgjigjur Zhulali duke e parë nga poshtë si të shihte majën e një xhamie.
Në takimin me shahistin e dikurshëm, Masari, sigurisht që duhet t'i ketë treguar se ishte " pilot klasi e shturman klasi" ( se, sportist, po e po), se dinte aq gjuhë të huaja e se kryesonte shoqatën e sportistëve veteranë të Shqipërisë. Ai i ka thënë Ministrit të Mbrojtjes edhe, siç tregon vetë, se
"Jom ushtarak qysh n'dyzetenjishin… Jom ushtarak ma parë, masanej sportist... Ushtria nuk ka ma nevojë për mu, se jom pensionist".
Në këtë takim ai nuk ia ka përmendur ministrit "Shoqatën aviatori" në tentativë, ama, duke dalë nga dera e Ministrisë së Mbrojtjes, ka qënë i bindur që, falë simpatisë personale të ministrit për të, ai s'kishte si t'i kundërshtonte më dokumentat e shoqatës.
"Ma vonë, bisedova me shok't. U mblodhëm e bomë nji statut për shoqatën "Aviatori" mbi bazën e statutit të shoqatës që drejtoj una. Dhe... e çum në gjykatë... Njat’herë sapo kishte dalë ligji i ri që nuk kishte nevojë të kalojshin dokumentat në Ministrin e Mbrojtjes. Mirëpo, ia kisha frikën, jo vetëm una, por të gjithë se, mjaftote nji telefonatë ka "lart" ene nuk e miratote shoqatën gjykata... U thash shokëve me e mbajt sekret, se përndryshe u dogjëm. Mbas 20 ditëve, mbasi erdh edhe sekretarja e gjyqit prej lejes, u miratu shoqata, ene una u thash shokve "Bërtitni tash, sa t’mundni!! Shoqata "Aviatori" o kriju tashma".
Shahisti Safet Zhulali, që sigurishit që mund të qe informuar për “sekretin” që kryesonte Aga, nuk bëri asnjë përpjekje për një tjetër stërkëmbse ndaj këtyre pensionistëve me një rini të kaluar nëpër lavdi.
Kryetar i parë i shoqatës "Aviatori" u caktua Masar Aga. Shoqata ka vulë, është e regjistruar në gjykatë, dhe, në emër të saj, janë bërë jo pak aktivitete që lidhen kryesisht me ndonjë përmirësim të mundshëm ekonomik të aviatorëve pensionistë. Sidomos këmbëngulja e veçantë e Agës ( ai përditë i nxjerr punë vetes, punë të cilat i merr shumë seriozisht, megjithëse nuk ka fitim qoftë edhe një qindarkë të vetme) ka bërë të mundur që të miratohet një fond i veçantë për familjet e pilotëve të rënë në krye të detyrës.
Një tjetër kërkesë konstante ka qënë edhe në shtyp dhe jo vetëm nga shoqata "Aviatori" e Masarit ( e cila sot paraqitet e degëzuar në dy dhe e mbarsur me nga një dëng thashethemesh kundrejt njëri - tjetrit, produkt, mendoj unë, edhe i "mbledhjeve të mëngjesit" të pensionistëve tanë të respektuar dhe më të lavdishëm nga brezi im).
E pra edhe kjo kërkesë ka të bëjë, me trajtimin ekonomik të pilotëve. Bëhet fjalë për pasqyrimin në pension të përllogaritjes së vjetërsisë së punës – një vit me dy. Eshtë folur, së paku, që pilotët me mbi 30 vite fluturimi të kenë një trajtim pensioni të veçantë, në përputhje me një kategori qytetarësh të zgjedhur nga arti, kultura a ndonjë sferë tjetër.
Të gjithë i kanë shtënë veshët në lesh në lidhje me këtë mënyrë trajtimi të pilotëve të cilët, duke ardhur nga një popullatë tejet e prapambetur, ende vazhdojnë të adhurohen nga tërë Shqipëria. Eshtë ca e turpshme për një oficer – pilot në pension, të dalë të shesë paqeta apo të bëjë roje nate. Për më tepër kur për të janë thurrur legjenda.
Shoqata "Aviatori" nuk ka mundur të bëjë asgjë për këtë. Mbase kjo ka ndodhur edhe nga fakti se tani, piloti gjuajtës reaktiv, që bën akrobacira të pilotazhit të lartë, po shkon drejt zhdukjes si specie.
Në fund të fundit shoqëria shqiptare, mund të ketë ende nevojë për "arkivin" e kësaj kategorie trimash që janë mplakur e që nganjëherë, edhe mburren ca, e u ka aq lezet. E nganjëherë tjetër, heshtin si një tempull.
Gjithsesi, madje, në periudhën kur po rendnim drejt '97, pra drejt shkatërrimit të shtetit, në vitin 1996, u bë e mundur të trajtohej në mënyrë të veçantë një pilot i vrarë. Kjo ishte veçanërisht meritë e përpjekjeve personale e kryetarit shtatdiv e që e frenon biçikletën me këmbët numër 47 - Masar Agës të datëlindjes 1926.
Edhe e ndihmës së dhënë nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes së udhëhequr nga i ndjeri Safet Zhulali. U arrit që familja e pilotit shkodran Idriz Hoxha, që ra në krye të detyrës edhe i denigruar moralisht në mënyrë mizore, të merrte një pension të veçantë.
"Idriz Hoxhën e çoi vetë shteti në katastrofë" - buçet me të madhe në klubin "Pasioni" pranë Ministrisë së Mbrojtjes Masar Aga.
Jam i sigurt që po kështu ai do të buçiste, edhe sikur klubi të ishte i mbushur me agjentë të fshehtë, dhe vendi të ishte në shtetrrethim.
Nga libri “Dinosaurët e fundit” vll I parë; kushtuar sagës së aviatorëve shqiptarë
PS. Masar Aga ka qënë
“Presidenti I shoqatës “AVIATORI”
Kryetari I Shoqatës së VETERANËVE TË SPORTIT SHQIPTAR”
Kryetari I shoqatës “TIRANA”
RIZA LAHI