2011-04-03

Pse libri shqip nuk qarkullon në masën e duhur nëpër hapësirat shqiptare?...

  5 VESHTRIME NGA SHAZIM MEHMETI




Shazim Mehmeti është i lindur më 10. 11. 1958, në Balindoll të Gostivarit, Maqedoni. Ka të botuara tetë përmbledhje me poezi dhe tre përmbledhje me tregime. Opinionit publik i është i njohur edhe me esetë e publikuara dhe me shkrimet e shumta publicistike.
Me poezi, tregime dhe ese është i përfshirë në shumë antologji në gjuhën shqipe dhe gjuhë tjera si: anglisht, frengjisht, gjermanisht, rumunisht, maqedonisht, etj. Është fitues i disa çmimeve të rëndësishme letrare për poezi dhe tregime.
Ai merret edhe me pikturë, dhe ka hapur pesë ekspozita personale me piktura të punuara në teknikat: vaj mbi pëlhurë, akril mbi pëlhurë dhe teknikë të kombinuar.
Është magjistër i shkencave teknike të ndërtimtarisë. Punon në Universitetin shtetror në Tetovë. Jeton në Gostivar.


1.

NË ISHULLIN EGZOTIKA



Në këtë vend joserioz, ku joseriozët bëjnë kërdira serioze mbi seriozët, është budallaki serioze të sillesh seriozisht.
Kështu e mendoj dhe kështu ua them shakanë time serioze sot. Dhe, ta rrëfesh shakanë tënde serioze sot, do të thotë të flasësh për jetën, në këtë kohë kur te ne, jeta rrëfehet vetëm duke heshtur.
Një mik imi, para ca ditësh më bëri një pyetje shumë serioze.
-Lum miku, - tha, duket ashiqare që në shkrimet tua nuk je fare serioz. Flet për minj e për strucër, -tha , - flet për flutura e për mace, në një kohë kur mbi nëntëdhjetë përqind e popullit tonë kanë hall serioz edhe për ato dy kilogramët e bukës së ditës. Tha,- flet për Bethovenë e për kokëleshër të ngjashëm, në një kohë kur njerëzit seriozë problem serioz e kanë lirinë elementare për të frymuar të qetë, kur njerëzit seriozë problem serioz e kanë edhe të drejtën elementare njerëzore për të jetuar pa frikën se si do t’ju zbardhë e nesërmja, a do ketë punë nesër, a do ketë idare nesër, apo a do krisë nesër, etj, etj,…
Natyrisht, miku e kishte tamam. Si joserioze i kishte kuptuar shkrimet e mia, edhe pse….
Por, brenga e tij është shumë serioze. Të njëjtën brengë e kam edhe unë, të njëjtën brengë e keni edhe ju. Të biesh në shtrat natë për natë duke menduar se a do keshë ku të shkosh nesër, a do keshë ku të punosh gjësendi nesër, dhe të gdhihesh mëngjeseve pa ditur nga t’ia mbash e çka të punosh, është vërtet një hall i madh, një pasiguri e madhe, një…, një,… mos o Zot!…
Vendi ku ne jetojmë dhe mënyra e jetesës në këtë vend, paraqesin në vete rastin më skajor të anarkisë sistemore. Qeverisësit tanë joseriozë kanë bërë gjithëherë, dhe bëjnë edhe sot e kësaj dite, kërdi serioze mbi jetën tonë. Ata pasurohen për ditë e më tepër. Ata, për ditë e më tepër e përvetësojnë pasurinë e përgjithshme, për ditë e më tepër na varfërojnë. Dhe ne heshtim për ditë e më tepër. Pasurimi i tyre joligjor është shumë serioz. Heshtja jonë është shumë joserioze.
Kam pas shkruar dikur se, anarkia kundrejt lirisë është si buka e djegur kundrejt bukës së pjekur. Dhe nuk jam pishman. Sot, edhe më vendosur pohoj: buka që na takon neve për ta ngrënë është bukë e djegur; liria që na takon neve për ta shijuar është ëndërr e dozuar.
Ta keshë ëndrrën të dozuar do të thotë të jeshë i lirë dozërisht, dhe të jeshë i ngirë dozërisht, në një kohë kur paria jote joserioze, e vuan seriozisht sëmundjen serioze të përngishmërisë së lukthit e të luksit.
Kam frikë se ai miku im sërish do më kuptojë joseriozisht, por pavarësisht atij, unë edhe kësaj here shakanë time serioze do t’ua përmbyll joseriozisht:
Verë është.
Bën shumë ftohtë
e borë e zezë bie mbi kujtesën e verdhë!
Më pëlqen ajri pa pagesë i Zotit tim të mirë
e në binarë të zemrës jam!
Në ishullin Egzotika bën ditë e ngirë…
Mirëmbetshi shpirtra të dëlirë!!!!…



2

LAMENT PËR INTELEKTUALIN




Kur, lartmadhësia e tij Zoti, dërgoi jetë këtej poshtë, dërgoi edhe kohë. Dërgoi kohë, që t’i shërbente jetesës si një libër magjik ku do të përjetësohej çdo çast, çdo sekondë.
Por, koha do të ishte asgjë send, po që se lartmadhësia e tij nuk dërgonte këtej poshtë edhe dy dhurata plotësuese që kohën e bëjnë të kuptimtë. Dhuratat që kohën e bëjnë të kuptimtë janë intelekti dhe intelektuali.
Më rastis shumë herë të rri me njerëz që u përkasin sojeve e zanateve të ndryshme, të cilët, në bisedë e sipër, s’ngurojnë të të thonë, madje edhe me dhjetëra herë brenda një çerek ore: ne intelektualët, ne intelektualët, …, etj, etj. Këtë refren e përsërisin më zëshëm e më theksueshëm, pikërisht ca njerëz që s’e përmbushin as minimumin e një kërkese natyrore për intelektualin.

Fatkeqësisht, janë me shumicë ky soj, dhe janë ca "kuadro" fakultetlinjsh që , ju bëj be në Zotin, se nuk e dinë as drejtshkrimin e as drejt shqiptimin e gjuhës së nënës. Janë me shumicë nëpër këto hapësira kuadro me fakultete të kryera prej vitesh e vitesh, që nuk dijnë gjë prej gjëje sa i përket gjuhës vetanake, historisë, kulturës, arteve, etj, etj… Ç’është edhe më keq, të rastis të takosh madje edhe gjuhëtarë që s’dinë gjë për gjuhën, të rastis të takosh edhe profesionistë të tjerë që s’dinë gjë për profesionet e tyre. Ç’është edhe më e rrezikshme, të rastis të takosh edhe të atillë që s’dijnë si quhen as sa bëjnë dy herë dy, por që pretendojnë intelektualin, madje edhe atë që duhet bartur mbi supet edhe ndonjë copë nga ajo që i thonë fat i kombit. Çdo respekt rallësive, por:
Katastrofë, katastrofë!!!..
Katastrofë!…, do të thoshte edhe njeriu më i zakonshëm, njeriu që s’ka ndonjë shkollim të kryer, por që e ka vënë në përdorim lartmadhësinë e tij INTELEKTIN, atë dhuratë që Zoti na e dërgoi këtej poshtë, si përmasë , si dhuratë, a si parakusht të patjetërsueshëm që do ti shërbente sojit njerëzor për ta bërë njeriun brenda vetes, e paralelisht me të edhe intelektualin.

Dua të them preras se vetëcytja e intelektit brenda vetes e bën intelektualin. Kjo vetëcytje nuk e nënkupton formësimin e ndjenjës së të qenit intelektual. Përkundrazi, kjo vetëcytje e nënkupton formësimin e ndjenjës së pakënaqësisë se, përse di kaq pak nga ky fenomen i quajtur jetë, nga kjo dhuratë që perëndia na e ka dhënë për ta bërë të bukur, të begatshme, të përplotshme. Boshësia që mund të hetojë njeriu i vetëcytur nga vetëdija është e madhe, dhe sa më e madhe është kjo boshësi, aq më e madhe është kërkesa e brendshme për dije, aq më në lëvizje është dhurata e quajtur intelekt. Përmasa lëvizëse e intelektit është përmasë shprese. Ajo e shtyn njeriun vetvetiu nga kërkimi, nga leximi, nga krijimi i aftësisë brenda vetes për të kapur, për të marrë edhe nga të tjerët. Ajo e bën njeriun, t’i pushojë kërkesa e egos për t’u treguar, për t’u parë me çdo kusht. Ajo e bën njeriun të aftë për t’ë dëgjuar e lexuar, e sidomos e bën të aftë për të logjikuar e filtruar përvojat e bukura, a përvojat e mënçura që mund t’i përshkrijë brenda mendjes.

Ky nivel i të logjikuarit e nënkupton hapin e parë, ose figurativisht thënë, hapjen e portës , për t’u futur paskëtej në atë rrugë të mundimshme nga duhet të ecë për ta bërë intelektualin brenda vetes.
E theksova vetëm hapin e parë, dhe besoj thellë se rruga e vetëbërjes së intelektualit është shumë e gjatë , shumë e mundimshme: sakrifica vetë! Besoj po aq, se pikërisht sakrifica është ajo që i sjell bekimin intelektualit, dhe e bën atë që të mos jetë i verbër edhe kur s’ka sy (më buzëqesh Borhesi!), dhe e bën atë që të mos jetë i shurdhër edhe kur s’ka veshë , dhe e bën atë që të mos ndjehet i boshatisur edhe kur është i uritur…Besoj , madje, se sakrifica është ajo që e bën intelektualin të jetë përmasë kohore. A mund të kundërshtohet teza se jeta dhe koha janë fluide kujtesore që rrjedhin duke u shënuar pikërisht nga mendjet e ndritura, nga intelekti dhe nga intelektualët?

Mungesa e intelektualëve në një mjedis shoqëror është varfëri tmerruese. Varfëri tmerruese është edhe shenjëzimi i një dimensioni kohor nga pseudointelektualët. Kjo e dyta është dy herë varfëri, nga se këta të dytët janë të paparashikueshëm në mosmendësinë e tyre, sa dijnë fort zëshëm ta proklamojnë regresin për progres, mendjen për budallaki, budallakinë për mendje, ndershmërinë për poshtërsi, etj, etj, etj,…
Lutem në vetvete, që ky meditim imi të mos kuptohet si vërsulje mbi të pafajshmit, mbi ata që edhe mund të mos e posedojnë përmasën e intelektit, (gjë që nuk e besoj). Lutem që ky meditim imi të kuptohet si një lament, si një LAMENT PËR INTELEKTUALIN…


3

SHKRIMTARI DHE KOHA ECIN BASHKË




Shkrimtarin duhet vrojtuar sa nga mrekullitë e mençuritë që i shkruan, aq nga budallallëqet që s’i shkruan. Shkrimtarin duhet vrojtuar poashtu edhe nga guximi dhe ngurimi për gjënë e thënë a gjënë e pathënë.
Atij që pretendon shkrimtarin gjithësesi se i lejohet të ndjejë brenda vetes çaste ligështie, por asesi çaste ligësie. Shkrimtari dhe koha ecin bashkë, dhe shumica e çasteve të asaj kohe janë çaste ligështimi apo ndjesie.
Çastet e ligështimit janë çastet e vërteta që e bëjnë shkrimtarin. Janë pikërisht çastet e ligështimit ato që ndikojnë fort në zbulimin, respektivisht evoluimin e mendjes. Madje edhe në karakterin e shkrimtarit janë atomet e ligështimit ato që shërbejnë si një lloj katalizatori, si një lloj zbuluesi. Duke qenë qenie njerëzore evolutive si gjithë njerëzit e botës, shkrimtari mediton lëvizshëm nga dita në ditë.
Ligësia, për gjithë njerëzit e botës do duhej të jetë një gjë e huaj, e papranueshme. Për shkrimtarin sidomos. Pavarësisht nga fakti se letërsia nuk është moral, një shkrimtar nuk mund të funksionojë si i tillë pa qenë i karaktershëm.
Po njeriu i zakonshëm? Ç’është në të vërtetë njeriu i zakonshëm? Njeriu i vogël, njeriu i zakonshëm është preokupimi i përhershëm i shkrimtarit, madje pa e ndarë veten asnjëherë nga ai. Shkrimtari e di mirë se njeriu i vogël është vetë ai, ndaj kur shkruan për veten shkruan për te. Kur mediton për veten mediton për te. Po karakteri si i lëviz? Si rrjedh? Si rrëshqet ?
Besoj se gjatë jetës , karakteri i njeriut rëshqet njësoj si uji i lumit shtratit të vet. Te nisma, pra te vetë burimi , uji i lumit është i pastërt e i kthjelltë siç është i pastërt dhe i kthjelltë edhe vetë karakteri i njeriut të ri. Por, duke rrjedhur teposhtë, uji i lumit ka rrezik të ndotet nga ndonjë fekalje a ndotësirë tjetër. Ka mundësi që një lumë edhe të mos ndotet fare, dhe uji i atij lumi të pandotur duke rrjedhur gurë pas guri pastrohet edhe më shumë, dhe kur vjen në fund , pra te vetë derdhja, ai është i pastërt deri në tejdukshmëri.
Po kështu , si me ujin e lumit gjatë shtratit të vetë, ndodhë edhe me karakterin e njeriut gjatë jetës. Një njeri , në karakterin e vetë mund të influentohet në kuptimin e pastrimit a begatimit të tij, por edhe në kuptimin e ndotjes , respektivisht në kuptimin e varfërimit. Nisur nga kjo e vërtetë natyrale, vijmë te përfundimi se karakteri i njeriut nuk është kategori vetëm e lindur dhe e pandryshueshme. Përkundrazi , karakteri është një fluid shpirtëror i rrjedhshëm dhe i ndryshueshëm, varësisht nga influentimet që ushtrohen mbi të.
Krahasimi i karakterit me ujin e një lumi që rrjedh, na bën që meditimin ta thellojmë më tej, duke e përforcuar tezën edhe më fort. Një lumë i rregulluar në shtratin e tij, i trasuar shëndoshë, i mbrojtur nga rrjedhat e ndryshme përreth tij, me këtë rast i mbrojtur edhe nga hedhurinat lëndore si mund të jenë edhe papastërtirat e ndryshme fekale, në fundin e vet arrin fare i pastër. Në mos fare, atëherë së paku në atë masë pastërtie që ka qenë kur është nisur nga burimi i tij. Në këtë kuptim , deshëm s’deshëm vijmë te konstatimi se, një karakter i lindur mund të ruhet i pastërt, nëse arrin të jetë imun nga prapështitë e ndryshme që e takojnë gjatë jetës. Po në këtë masë kjo nënkupton edhe mbrojtjen e tij nga varshmëritë jologjike që mund të imponojnë ndryshimin apo ndotjen. Fjala vjen, një njeri i ri, i kultivuar nga prindër me një karakter të pastërt, ka gjasa reale të zhvillohet si i tillë.
Por, paralelisht me kushtin e sipërthënë, është i nevojshëm edhe një tjetër kusht për t’u kultivuar më tej, e ai është kushti i një komoditeti material që duhet t’i vihet në dispozicion nga kultivuesit e tij. Në rastin konkret, fjala është për prindërit apo për familjen ku rritet e kultivohet ai. Kjo, drejtpërdrejt lidhet, tashmë jo vetëm me familjen , por edhe me shoqërinë, a më mirë të them me organizmin shoqëror ku vepron e zhvillohet. Shtrati i rregulluar i lumit, e nënkupton mirëqenien materiale në familje, që është kushti kryesor për t’u mbrojtur individi nga erozionet negative që mund ta ndotin dhe t’ia gërryejnë karakterin.
Në rrethana ballkanike është tepër e vështirë të gjesh një lumë me një burim të pastërt ku nuk është hedhur asnjë hedhurinë. Nëse nuk gjenë hedhurina te vetë burimi, atëherë do gjejsh hedhurina afër burimit. Fatkeqësisht hedhurina është hedhurinë, e era është erë që i bjen vetëvetiu edhe burimit. Besoj madje se në ballkan, nuk gjen dot lumë ku nuk derdhen fekalje të llojllojshme, ndaj prej këtu edhe mendimi se në ballkan nuk ka lumenj të pastërt.
Ky konstatim është tepër dërmues për ta thënë, por heshtja do të thotë të bëhesh dakord me pashpresën. Kjo do të thotë të shndërrohesh vetvetiu në një ujë që nuk lëviz. Në vend se lumë, vetvetiu bëhesh një kënetë. Shumë këneta brenda një shoqërie civile bëjnë një shoqëri kënetash. E kënetat nuk sjellin tjetër përpos malarje.
Edhe pse ballkani dhe shoqëritë shqiptare brenda tij qeverisen nga kënetat, nuk mund të thuhet se gjendja është fare e pashpresë. Shpresë gjithnjë ka dhe duhet të ketë, por shpresa duhet vënë ku e ka vendin, pra jo te kënetat , as te lumejtë që rrjedhin qyteteve e që janë krejt të ndotur. Sado në emër qofshin , lumenjtë e ndotur janë të ndotur dhe shpresa nuk duhet vënë mbi ta. Shpresa duhet vënë atje ku nuk ka hedhurina, apo atje ku ka më së paku hedhurina, Pra, shpresa duhet vënë atje ku karakteret janë të ruajtura nga hedhurinat lëndore. Shpresa duhet vënë te ama, te burimi. E burimi dihet ku është .
Misioni i shkrimtarit është pikërisht bërja me gisht kah hedhurinat. Misioni i shkrimtarit është shenjëzimi i së keqes, e sidomos shenjëzimi i përhapësve të së keqes në shoqëri, shenjëzimi i kënetave. Është në vetë shpirtin e shkrimtarit mekanizmi i zbulimit të së keqes. Zbrapsja e shkrimtarit para këtij mekanizmi natyror apo para ndjesisë së vetë, do të thotë jo çast ligështimi, por çast ligësimi. Të gjithë ata që pretendojnë të jenë shkrimtarë duhet ta dijnë këtë. Po që se se dijnë, atëherë nuk janë shkrimtarë, nuk janë lumenj të pastërt që nga burimi, nuk janë as lumenj të çfarëdoqofshëm, por janë vetëm këneta. Të qenët kënetë dhe të qenët shkrimtar nuk shkojnë bashkë. Kaq.

4

BETHOVENI DHE KENTAURËT




Miq të mi, do ju them ca gjëra për Bethovenin virtuoz.
Ishte shumë nevrik Bethoveni muzikal, i hante thonjtë. Dhe fliste fort përhënshëm:
strucët mendojnë me sy, thoshte, macet mendojnë me bisht!
Qe i çartur, qe fare truvrarë ky Bethoveni i madh. Qe dashamir i madh i papa(gallit) jeshil.
Për çudinë e të gjithëve, gjithëherë, para se të kompononte muzikë, e fuste kokën në ujë të ftohtë dhe qeshej si troftë. Jam peshk artist, thoshte, nuk jam struc politikan.
Në kulm të frymëzimit ia qepte sytë planetit tonë urban dhe ëndërronte për planetin Uran.
Dhe thoshte përhënshëm Bethoveni plak:
Uran planeti mund të shihet vetëm me sy poeti.
dhe:
nga mushkonjat e këtij planeti, vetëm mushkonjat femra pickojnë.
Dhe vazhdonte, më pas, po aq përhënshëm, Bethoveni:
ndërsa bisha e kërkon prenë e saj mijëra kilometra larg, pëllumbit as nuk i vete mendja për pre.
Nuk di nëse do arrini të më besoni e të më kuptoni drejt, por fakt është se Bethoveni qe edhe imitator i madh i majmunëve. I lakmonte shumë majmunët, dhe, teksa i imitonte e përtypej si ata me banane në gojë, në fletore xhepi e derdhte muzikën e vetë të përhënët.
Ja ca zë nga gjuha e muzikës së tij:
fluturat shijojnë me anë të këmbëve, buallicat shijojnë me bark; minjtë e arbërisë durojnë pa ujë më gjatë se devetë e arabisë!!!!!
Si e shihni edhe vetë, të madhit Bethoven i ziente shpesh mendja delikate edhe për arbërinë e arabinë !…
Atij, njëmend ia merrte mendja se:
në gjithë trupin e tralalait muskuli më i fortë është gjuha tralala!!!…
E pra?…Kot së koti merrej me muzikën Bethoveni muzikal:
Kishte lindur poet.
Poet edhe vdiq!!!…


T’ju them të drejtën, këtë mëngjes më mori në qafë ky Bethoveni virtuoz: m’u ftoh kafeja duke menduar e duke intriguar për te! Por, edhe më ndihmoi fort: duke u marrë me te, më bëri ta harroj sadopak dhembjen e thellë që ndjej akoma, dhembje kjo që lidhet me vëllaun tim, Babaxilin ndjesëpastë, i cili gjithë jetën e jetës e kaloi i buzëqeshur. Në buzëqeshjen e tij unë vazhdimisht e lexoja këtë varg:
“Kush lind shpirtbardhë, shpirtbardhë edhe vdes.”

Ka ditë, i hap librat e mi, e shfletoj poezinë time, kërkoj brenda poezive të mia të gjej së paku një buzëqeshje njerëzore, të gjej së paku diçka poetike, por nuk gjej dot asgjë. E gjithë poezia ime është asgjëhiç, përballë poetikës së Bethovenit të përhënur, dhe përballë buzëqeshjes antologjike të vëllaut tim, Babaxilit ndjesëpastë.
Ndaj, kam ndërmend t’i propozoj vetvetes, që tash e tutje të filloj të shkruaj muzikë. Duke shkruar muzikë, mbase do më buzëqeshë fati e do lulëzojnë në mua luleja e poetikës dhe luleja e buzëqeshjes. Pas këtij suksesi, do t’i ftoj të gjithë miqtë e mi poetë ta ndjekin shembullin tim, e të festojmë së bashku për formulën e suksesit. Dhe, kuptohet, do të formojmë më pas edhe një shoqatë muzikantësh që do merrej vetëm me politikë. Në vend të kentaurëve të politikës që bëjnë veçse muzikë të keqe, dhe natyrisht, edhe për inat të poezisë që nuk na do!!!…


5

LETËRSIA DHE INJORANCA


Para ca vitesh, në Strugë, në njërin nga ambientet e hotel “Drini”-t pinim kafe me një poet me shumë emër nga Tirana. Ishim të ftuar të merrnim pjesë në mbrëmjet e atjeshme të poezisë, dhe vapën që bënte gushti e kalonim duke pirë ndonjë gjë e duke llafosur ngapak për letërsinë.
Sakaq, poeti nga Tirana sikur i vrënjti vetullat e ma tha mes tjerash edhe këtë: “ More Shazim, ta kam parë një ese në “Ars”. Si më thua ti, ia vlen ta lexoj apo jo?”, dhe u gagas si gagaset një laraskë.
Ishte tepër fyese ironia që përdori, ndaj Demoni që frymon brenda meje (s’besoj se ka shkrimtar brenda të cilit s’banon një demon kryeneç) u zgjua sakaq dhe aty për aty iu përgjigj: “Po, ku më ha palla, or, lum miku, në do ta lexosh ti eseun tim, ose jo?!…”
Përgjigjja e tij ishte akoma edhe më fyese:
“Më fal, or mik, por unë ty të konceptoja si në fillim, d.m.th. … si një nga ata …, ose… ”
M’u duk sikur donte të më thoshte, e s’e thoshte dot: “… ose..unë ty të konceptoja më keq se këta bosët a kryetarët e këtyre shoqatave tuaja letrare që…, meqë janë kryeparë, natyrisht se do duhej letrarisht të qëndronin mirë…, e ata janë… aq për gjynah, e…!”
E kuptova hallin e tij, por më lehtë do ta kisha sikur të më thoshte: të konceptoja si një leshko nga provinca, si…!!!…
Prapë se prapë, s’i mbajta inat mikut. E konsideroja veten nikoqir në Strugë (nga Gocë Tivari shkohet më shpesh në Strugë se nga Tirana). Por, gjuha e tij prej nepërke më shtyri të filloj të meditoj për hendikepet e letërsisë shqipe në kushtet që ajo krijohet brenda e jashtë Shqipërisë, dhe në kushtet kur, këtej nga ne, edhe sot e kësaj dite me shumësi mendohet se pikërisht ky soji i nepërkave, i kryetarëve të shoqatave letrare, e bën letërsinë e vërtetë shqipe aktualisht.
Kësisoji, fillova të besoj se përveç shkaqeve të sipërpërmendura (për të cilat besoj se s’është folur e shkruar mjaftueshëm), shkak qenësor që letërsinë bashkëkohore shqipe e bën të mos njihet si e tërë, është edhe injorimi (ta quaj letrar) që shkrimtarët shqiptarë ia bëjnë njëri tjetrit.
Natyrisht, më duhet ta them hapur se ajo që më ndodhi në Strugë me mikun nga Tirana, ka mundur të më ndodhë edhe me ndonjë mik tjetër, nga Prishtina fjala bie, e pse jo edhe nga Shkupi ndoshta?!!…
Asisoji , besoj se mendojnë vetëm të gjymtuarit, apo që të jem më i saktë, ata që janë verbuar nga fama e rrejshme, ata që mendojnë se s’ia vlen t’i lexojnë letrarët nga provincat a ngado qofshin ata që s’kanë bërë emër, sepse ata pa emër e ata të provincave letrare na qenkan balta domosdo.
Gjykuar sipas këtyre narcisëve të letërsisë shqipe, këta të provincave, kot e harxhokan atë pak laps. Por, e bëjnë me sens narcisët injorimin, e bëjnë me takt, si me atë pyetjen e mikut nga Tirana…
Dua të them se letërsia shqipe nuk krijohet vetëm në kryeqytete, as nuk është vetëm ajo që krijohet brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Madje edhe sikur t’ishte letërsia shqiptare vetëm ajo që krijohet brenda kufijve politikë të saj, besoj se ajo as në atë kuptim nuk është mjaft e njohur si e tërë. Jashtë Shqipërisë, letërsia shqiptare është e prezentuar tepër e segmentuar, pikërisht nga shkaku i atij injorimi që është prezent akoma te injoranca letrare, e që bëhet shkak që letrarët shqiptarë të mos dijnë gjë për letrarët shqiptarë.
Ekzistmi i klaneve, privatizimi i institucioneve letrare e kulturore nga hallkeqët letrarë e kulturorë, mosgatishmëria e tyre për pranimin e vlerave të reja e të vjetra si vlera reale, mosfunksionimi i kritikës letrare si përmasë e vërtetë vlerësimi, kufijtë që e bëjnë të ndarë Shqipërinë edhe sot e kësaj dite dhe e reduktojnë lëvizjen e librit shqip, etj, etj,…janë shkaktarët konstantë që letërsinë shqipe e bëjnë jo të tërë.
Hendikep më vete janë botimet. Shumica e botuesve e vuajnë atë sëmundjen e fillimtarit në biznes, domethënë mungesën e parave. Besoj se akoma nuk ka një përkujdesje të instaluar cilësore dhe kombtare për bërjen e letërsisë shqipe letërsi të tërë. Fatkeqësisht , shumica e shkrimtarëve shqiptarë janë pak të njohtuar, ose fare të panjohtuar për njëri tjetrin.
Libri shqip nuk qarkullon në masën e duhur nëpër hapësirat shqiptare, edhe nga shkaqe kufijsh, edhe nga shkaqe të dobësive financiare që i kemi, edhe nga shkaqe injorance. Përderisa të jetë kështu, letërsia shqipe domosdo do rrezatojë si fragmentare. Është gjuha, dhe janë motivet (motivet jo gjithëherë) që mund ta shpëtojnë nga kurthi tashmë i instaluar i fragmentarizimit letërsinë shqiptare.
Fatmirësisht, kohëve të fundit, atë që s’e bëjnë dot injoranca institucionale dhe injorantët institucionalë, e bëjnë ca letrarë asketë , ca të rinj që me botimin e revistave letrare e kulturore, na e bëjnë të mundur, së paku të lexojmë ndonjë gjë të bukur, ndonjë gjë ndryshe, nga letrarë të ndryshëm nga të gjitha viset e atdheut letrar .

Pergatiti per botim Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...