2011-04-03

Monarku i ndjesise

 
Zemra e njeriut të arsyeshëm është e ftohtë, e mërdhirë, si qyteti nën dëborë. Poeti (kur them poeti nuk mendoj vetëm në njerëzit që shkruajnë poezi) është ndryshe. Ai nuk është edhe aq i arsyeshëm, edhe aq racional. Ai ka zemër të mëngjër, që jo shpesh i bën vend arsyes. Ndjesia është gjëja së cilës i bën vend domosdo.
 


Ese për Ridvan Dibrën



Nga SHAZIM MEHMETI

Ditë e mirë është. Në binarë të zemrës jam. Jam duke pirë,(në Kaffe Fantastika), një kafe të mirë. Në Gocë Tivar (kështu më pëlqen ta quaj Gostivarin në shënimet e mia), vështirë gjen një vend ku mund të jeshë në binarë të zemrës, dhe të pijsh njëkohësisht, një kafe të mirë. Nga kati i dytë i dhembjes (dhembja është ndërtesë shumëkatëshe që herë pas here detyrohet të durojë një lëkundje, a një tërmet), shoh si bie përtej xhamash, një borë e dendur, e bardhë. Aq dendur bie, sa i duhet vetëm pak kohë, për ta zbardhur fare qytetin.

Bora në vetëvete paraqet disa arsye. E para arsye është vetë të qenët e saj arsye. Arsyeja tjetër është rënia e saj (jo zbritja). Një tjetër arsye e vetëkupton mbulesën që ajo (bora, pra) ia bën qytetit. Nga ana e tij, edhe qyteti paraqet një tjetër arsye, me shumë e shumë arsyet e tjera që ka brenda vetes. Rrugët, fjala bie, dritat, neonët, ndërtesat publike (ndërtesat publike në gjuhë e në mendje gjithnjë na vijnë të parat), ndërtesat e banimit, etj, etj… Me një fjalë, lartmadhësia e saj, Arsyeja, ka mbuluar gjithçka, tamam si kjo borë që është e bardhë sa vetë verbimi (verbimet jo gjithëherë janë terret, verbimet natyrisht që mund të jenë dhe vezullime).

Zemra e njeriut të arsyeshëm është e ftohtë, e mërdhirë, si qyteti nën dëborë. Poeti (kur them poeti nuk mendoj vetëm në njerëzit që shkruajnë poezi) është ndryshe. Ai nuk është edhe aq i arsyeshëm, edhe aq racional. Ai ka zemër të mëngjër, që jo shpesh i bën vend arsyes. Ndjesia është gjëja së cilës i bën vend domosdo. Zemra e poetit reflekton përballë ftohtësisë së arsyes, si një xixë zjarri në dëborë që kundërshton të fiket. Natyrisht, mundësia e dëborës është e madhe sa vetë arsyeja, dhe xixa e vogël detyrohet të fiket, duke pushuar së qeni xixë.

Por, pavarësisht arsyes, pavarësisht bardhësisë verbuese të dëborës, vetë fikja e xixës lë gjurmën e vetë në dëborë. Qoftë edhe vetëm sa një njollë e vogël, kjo gjurmë është e atillë sa s’fshehet asesi, dhe mbetet në dëborën e bardhë, fare e zezë, thua se është një tush i zi i derdhur.

Njolla e zezë në dëborën e bardhë (kontrast i bukur, Zot i mirë), vetvetiu do të thotë jetë, do të thotë kujtesë (në të vërtetë, jeta është ndërlidhje kujtesash e brezash në kohë e gjithësi).
Nëse vihet gishti në mendje, dhe nëse pranohet fakti se jeta është kujtesë, atëherë, e zeza që xixa lë pas vetes në dëborë, është fati i dëborës dhe jo fatkeqësia e bëborës (në fakt jeta është e tillë që kurrë s’na lë të dijmë saktësisht ç’gjë e kemi fat, dhe ç’gjë fatkeqësi).

Gjithësesi, ne njerëzit e ndjejmë se , bardhësia e pafund, e paprekur fare, e lënë krejt virgjine në bardhësinë e vetë të bardhë, do të thotë pagjallëri, inercion i plogët i kotë, moslëvizje, mos lënie shenjë.

Kur shenjën e zëmë në gojë, detyrimisht, mendja na shpie te ngjyra dhe penda e poetit. Dhe e dijmë domosdo, se penda e poetit dhe shenja e poetit, nuk janë fati i tij, por fati i të tjerëve. Sa për vete, poetit i mjafton që ka ndjerë. Ai aktin e shkrimit e bën natyrshëm, si vetëfikje e një xixe, e një zjarri që i ndizet përballë arësyeve aq të ftohta, që mund të jenë edhe fare banale.

Thashë, domosdo, mendja na shpie te poeti. E them detyrimisht "mendja na shpie…", sepse " mendja është monarku i vetëm…", ka thënë, s’di kush. Do shtoja këtu, se mendja është vetëm monarku që shpie në arsyeshmëri. Në të vërtetë, jetës, për të qenë jetë, nuk i mjafton vetëm arsyeshmëria. Ka dhe një monark tjetër që shpie kah hapësitë e jetës, e ky monark është Monarku i Ndjesisë. Nga ky monark udhëhiqet poeti. Pa këtë monark , poeti do të ishte i shkretë, i shkretë, si gjithësia pa diellin, a si bota pa ajrin. Mendja më thotë se,bota pa diellin e pa ajrin do të ishte rërë e vdekur edhe shkëmbinj, pa fije bari e gjelbërimi, pa zëra fëmijësh, pa zëra zogjësh, e zëra të tjerë harreje.

Poeti, kurrën e kurrës, nuk arrinë të shkruajë aq sa ndjen (nuk mund ta mundë bardhësinë e pafund të arsyes në dimrin e ftohtë të jetës e të mendimit!). Por, poeti sfidon edhe kur qeshet, edhe kur lëvron, edhe kur bën dramë, muzikë, a komedi (nuk jemi të vetëdijshëm sa komikë bëhemi kur meditojmë për ligjet e jetës).
Poeti është xixë në dëborë. Të rastis ta gjejsh edhe ndër prozatorë, bile ndër prozatorë i gjenë poetët më të vërtetë.

Ridvan Dibrën e Shkodrës e kemi argument.
Borë e bardhë bie mbi kujtesën e nxirë.
Më pëlqen kafeja.
Në binarë të zemrës jam.
Në Kaffe Fantastika bën ditë e mirë.
Mirëmbetshi, shpirtra të dëlirë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...