Vjen një pikë, kur koha që të mbetet bëhet e llogaritshme e për pasojë e çmuar. Atëherë dilema e të zgjedhurit, në këtë rast të lektyrës, bëhet edhe më e rëndë, pasi koha është një, ndërsa libra ka shumë. Dyfish më e rëndë është dilema e të rilexuarit; proporcionalisht ajo e të rilexuarit sërish. Mund të zgjedhësh gabim për të lexuar, por jo për të rilexuar; në këtë kuptim, ajo që thamë më sipër është vetëm deri diku e vërtetë, pasi, nëse kur rilexon, humbet mundësinë për të njohur diçka të re, po aq mënjanon edhe mundësinë për të humbur kohën me diçka që nuk ia vlen. (mirazh)
mirazh
Ka pak libra që mund t’i rilexosh për herë të tretë apo për herë “n”. Më të shumtët janë ose libra fetarë: Bibla, Kurani, Bhagavad Gita, etj. ose poetikë. “Tao Te King” apo “Daodejing”, që i atribuohet sipas legjendës Lao Tse-së apo Laozi, të urtit të famshëm kinez, që ndoshta, sipas legjendës akoma, nuk do të qe hedhur në letër, nëse një nxënës i tij nuk do e kishte detyruar ta bënte këtë, është, (mendimi im ky dhe krejtësisht jashtë kanoneve të gjithëkudondodhshme), një sintezë e të dyja zhanreve, një farë “Predikimi në mal” pa dëgjues, më i zgjatur, por po aq domethënës e po aq poetik.
Herën e parë më pat rënë në dorë ky libërth 20 e ca vjetë më parë; nuk pata kuptuar asgjë. Shumë më vonë, po rastësisht m’u dha rasti t’i hedh prapë një sy, ulur në një stol në një kopsht manastiri dhe në atmosferën më të mirë të mundshme e rashë menjëherë në dashuri me të. E kam dhuruar, jam penduar për këtë, e kam blerë prapë, për ta dhuruar gjithashtu prapë, deri sa dikush u kujtua të ma dhuronte kësaj here mua. Ndonëse në kohët tona të shpejta, të ndërlikuara (dhe jo aq moderne sa duan të na mbushin mendjen disa) pakkush vret mendjen për kuptimin e së tërës, e më pakkush akoma dyshon në përgjigjet e marra për të dhëna e nis e interesohet për urtësinë e vjetër, duke u nisur ndoshta nga përkeqësimi dhe jo evoluimi i njerëzimit, Lao Tse mbetet edhe pas 2400 vjetësh çuditërisht i freskët dhe bashkëkohor, një “duhet patur” e lexuar të paktën dy a tri herë në jetë.
...
Tao lindi njëshin .
Njëshi lindi dyshin .
Dyshi lindi treshin .
Dhe treshi lindi të dhjetëmijë gjërat .
Të dhjetëmijë gjërat mbajnë jin-in dhe përqafojnë jang-un .
Ato arrijnë harmoninë duke kombinuar këto forca .
Njeriu urren të jetë “jetim” , “i ve” ose “i pavlerë,”
Por kështu përshkruajnë veten mbretërit dhe zotërit .
Sepse dikush fiton duke humbur
Dhe humb duke fituar .
Atë çfarë të tjerët mësojnë, e mësoj edhe unë gjithashtu ; kjo është :
Atë çfarë të tjerët mësojnë, e mësoj edhe unë gjithashtu ; kjo është :
“Një njeri i dhunshëm do vdesë nga një vdekje e dhunshme!”
Ky do jetë thelbi i mësimit tim ...
No comments:
Post a Comment