Nga ABDULLAH ZENELI
(Kambanë kujtese për Zahirin)
Poezia qe para-prinë në revistën letrare RINGJALLJA u nderua më çmim...
Poezia e cila i para-prinë revistës letrare RINGJALJA e shkruar nga shkrimtari llapijan zotri . ABDULLAH ZENELI , me 07.09. 2010 në manifestimin tradicional Tahir Desku në Klinë e nderuan më çmim.
Në emër të Klubit Letrar Zahiri në Podujevë dhe në emër timin përsonal si kryetar klubi RUZHDI BERISHA – RUDI ndjehemi të gëzuar qe në radh të parë fitoi çmim shkrimi qe përherë të parë ajo poezi është botuar në revistën tonë llapijone RINGJALLJA. Dhe në emër të Klubit Letrar Zahiri zotri. Abdullah Zenelit i dëshiroj çdo të mirë në jetë, dhe sukseset e tij nuk mungojn, zotri. Zeneli serish dëshmoi që është një figur e veçant ne shkrimet e tij.
Zahirin nuk ishte aq vështir ta njihje atëbotë
Ishte kudo ai kahdo që duhej në atë kohë rrëmet
Në pikun e ditës thellësinë e natës shiut e borës
Zahiri po ishte kalorës që mjegullën nuk e donte
Në mjegull thoshte trimi e tradhtari janë një
S’ka më mirë e paq se një betejë frontale
Me armikun aty e veten jo më larg se përballë tij
Zahiri vetëm me vetëm gjithë shokët e tij një nga një
Njihte çdo pëllëmbë të tokës ajrit zgafellë e ujëvara
Ku thyheshin e loznin ëndrrat që i kishte me plotëni
Zahiri i ëndrrave me komandantët e një pëllëmbe dore
Se pëllëmba tjetër larg o sa larg njëqind vjet larg
E ai në mes aty ku kishte selinë Justiniani i kanunit
Para se të merrte rrugë drejt përjetësisë divine
Zahiri gjithçka të falte pa më të voglën drithërimë
Të falte sytë të falte zemrën të falte vetminë
Të falte ngurrimin të falte frikën të falte mosdijen
Zahiri të falte etjen, të falte urinë të falte dashurinë
Të falte dasmën të falte po edhe metelikun e fundit
Të falte fajin e pafaj të falte buzëqeshjen në vaj
Po nuk të falte jo kurrë nuk të falte tradhtinë
Zahiri shëtiste nëpër të gjithë damarët e atdheut
Vetë i tretë kur duhej vetë i njëmijtë kur kërkohej
Se asgjë nuk matej as me numra as me fjalë
Zahiri po ishte gjithmonë ku duhej për t’i dalë ballë besës
E s’ishte jo ku s’duhej se instinkti s’e tradhtone kurrë
Pos një dite ah një ditë të kobshme në atë veturën ruse
Tek po kthehej nga një betejë të fituar krejt nazethyer
Zahiri s’pëlqente ngazëllimin as kremten as zhgënjimin
I menduar siç qe po pa as më të voglën mëdyshje
Derisa numëronte orëpafundmet lugje e brigje të ilegales
Zahiri s’ishte kockë as mish për epshet e përtejgrilave
E ku duron burri prangat ditë m’drekë e gjithë natën e lume
Jo jo ai këmishën kishte burg si plisin n’dollapin e fëmijërisë
Mbytur me ëndrrazhgëndrrat e pafundme të lirisë
Zahiri po Zahiri zgjohej kur të tjerët binin në gjumë
Kur të tjerët ngopnin barkun e lëpinin kockat e majmërisë
Dhe mbyteshin thellë sa thellë në dafrungat e marrëzisë
Zahiri përplotësonte mozaikun e madh të zisë të euroazisë
Gjithherë me një aksion të fituar a një koloni të asgjësuar
Një plani të prishur ardhësish hajdutërisht të çakërdisur
Aq i qetë qe trimi sa mbështillte duhanin kaçak dalëngadalë
Zahiri ky dalëzotës i ditëve të para mu para plojës e batërdisë
As prekte me këmbë në tokë as kokën s’e kishte në qiell
Ishte gjithkund ku ishte kushtrimi i palcës së rinisë e idealit të lirisë
Zahiri i ndërgjegjes tharmuar në gjëegjëzat lak të zgjuarsisë
Ç’është një shtëpi pa zot një shtëpi pa çati diku në këtë rropulli
Ç’është një njeri pa tokë një njeri pa fe një njeri pa atdhe
Kosova tha me klithmë Zahiri dhe pa e parë më vete jo as deshi
Me ato njëqind plagë sytë t’i mbylli aty ku lisi i la vend një pylli
E BOTUAR NË REVISTËN LETRARE RINGJALLJA NË PODUJEVË
Abdullah Zeneli, lindi më 25 mars të vitit 1952, është poet, prozator dhe editor i shtëpisë botuese Buzuku, Prishtinë, Kosovë. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Nga viti 1973 ka punuar në shtëpinë botuese "Rilindja", duke kontribuar në përhapjen e librit shqip kur qenia shqiptare ishte nën trysninë e tmerrshme të diktaturave. Pasioni për librin dhe misioni i shenjtë i përhapjes së tij nuk i mundësuan krijimtari të rregullt dhe komode, edhe pse shkrimin e parë letrar, poezinë Rrëfime kohe e pati botuar në revistën më prestixhioze letrare shqiptare Jeta e re qyshkur ishte nxënës i normales së Prishtinës (1967-1971). Në shtypin dhe periodikun shqiptar i janë botuar rregullisht poezitë e Zenelit . Është autor i dy përmbledhjeve tregimesh: Gryka e Drinit, Rilindja, Prishtinë, 1990 dhe Odiseu i Bjeshkëve të Nemuna, Buzuku, Prishtinë, 1997) dhe një libri impresionesh nga jeta 100-ditëshe si refugjat në Korçë (prill-korrik 1999) me titull Toka shqiptare (Nositi - D.I.J.A. Poradeci, Pogradec, 2000) përkthyer edhe në rumanisht: Glia albaneză (Bukuresht, 2007). Ka kontribuar shumë në veprimtarinë botuese shqiptare veçanërisht me shtëpinë e parë botuese postkomuniste Buzuku (themeluar më 1990), duke krijuar një klimë të re në fushë botimesh në gjithë hapësirën shqiptare. Poet ndijimesh të thella, kritik dhe polemist i pakursyer. Ka në dorëshkrim dy romane (Zjarri i Marietës dhe Portreti i artistit në fluturim), tri drama (Nëna lutet për ne - me temë Nënën Tereze, Anabela - belanë e Anës gjatë luftës së 1999-tës dhe Luleshkronjat - për Kongresin e Manastirit në 100-vjetorin e ngjarjes që i parapriu mëvetësisë shqiptare), shumë tregime të shkurtra, poezi, vështrime kritike për libra të botuar tek Buzuku si dhe një mori artikujsh gazetaresk e intervistash në mediumet e shumta shqiptare. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe themelues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, njëkohësisht koordinator i panairit të librit të Prishtinës (1999-2007), i cili që nga viti 1999 i ofron Kosovës dhe lexuesve të shumtë të saj të arriturat e fundit në fushë botimesh.
Tituj te veprave
Gryka e Drinit, Rilindja, Prishtinë, 1990
Odiseu i Bjeshkëve të Nemuna, (Sh.B. Gjon Buzuku, Prishtinë, 1997)
Toka shqiptare (Nositi - D.I.J.A. Poradeci, Pogradec, 2000)
Etj.
Te tjera
Shoqata e Botuesve të Kosovës (2000-2007) si dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2007-2009).