2012-01-28

“Xhaxhi Islami” dhe “Ramushi” i PS-së

FETI ZENELI





Gafa më e fundit e kreut të PS-së, lidhur me kërkesën e tij zyrtare për takim në Kosovë me 

liderin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, ndërkohë që ky i fundit ndodhet prej afro një viti e 

gjysmë në burgun e Hagës, e përforcon edhe më tej opinionin e disa përfaqësuesve të 

Brukselit për papjekurinë politike të Edvin Ramës, të cilët e kanë quajtur atë “çilimi të 

politikës shqiptare”. Duke marrë shkas nga një gafë e tillë, nuk ka më kuptim që ne të 

tjerët, përveç atyre që duan ta bëjnë politikan me zor Edvin Ramën, të vazhdojmë ta 

artikulojmë emrin politik të kryetarit socialist si të jetë një i rritur. Kësisoj më e drejtë do të

 ishte, që këtej e tutje, emrin e përveçëm politik të kryetarit socialist ta artikulonim me 

përkëdheli, siç veprojmë për një “vogëlush”, duke mos e quajtur atë më Rama, por 

“Ramush”.



Rama është një “çilimi i politikës shqiptare” jo vetëm për gafat politike që bën, por edhe për mënyrën se si mundohet të justifikohet apo mbrohet publikisht. E njëjta gjë ka ndodhur edhe lidhur me justifikimin për gafën më të fundit, ku “Ramushi” i PS-së i kërkoi takim zyrtar në Kosovë Ramushit të AAK-së, duke ia hedhur fajin për këtë “foshnjëri” politike politikanit të sprovuar socialist, z. Kastriot Islami. Një e përditshme pro “Ramushit” të PS-së, mundohet ta qetësojë “vogëlushin” socialist, duke i thënë, pak a shumë: “Ti mos qaj, se do t’ia rregullojnë qejfin atij xhaxhi Kastriotit!” A nuk konfirmon një mbrojtje të tillë të të rriturve për më të voglin shprehja e mëposhtme?!... “Të pyetur nga “Shekulli” për këtë e-mail, gazetarët që kanë emrin në këtë e-mail konfirmuan marrjen e tij dhe dërguesin Islami, që njihet, në fakt, për qëndrimet e tij të vazhdueshme në mediat proqeveritare kundër PS-së”. Sipas këtyre gazetarëve-kujdestarë të kreut të PS-së, ky Islami qenka një ngatërrestar i paparë, që ua bën shumë herë për të qarë “Ramushin” e tyre të vogël. Ndryshe nga ky rasti i fundit, më herët ka qenë vetë “Ramushi” socialist, që e ka drejtuar gishtin nga “xhaxhi Islami”; atëherë kur ky i fundit i llogariti rezultatin e pritshëm të zgjedhjeve të 2009-s. Në të vërtetë “Xhaxhi Islami” i tha që, “pa programe qeverisëse dhe pa koalicione të gjera, PS-ja i humbet këto zgjedhje, siç i tha edhe për zgjedhjet lokale të 8 majit të këtij viti, por “kryevogëlushi” socialist, ashtu si çdo “vogëlush” tjetër në politikë, ka “tekat” e veta. Por politika nuk pranon “teka”, pasi është si një “mushkë xanxare”, siç thotë poeti dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Janë pikërisht “tekat”, ato, që e bëjnë një politikan, të jetë me keq se një “çilimi”. “Ramushi” i PS-së i ka manifestuar këto kapriço fëmijësh jo vetëm si kryetar i socialistëve, por edhe si “bashkëkryetar” i shqiptarëve. Madje, në raport me shqiptarët dhe interesat e kombit ai është treguar një “Ramush” i keq e qurravec. Në njëfarë kuptimi kryetari i mazhorancës dhe ai i opozitës janë “bashkëkryetarë” të çështjes kombëtare, që do të thotë se në këtë rast interesat partiake kalojnë në plan të dytë. “Në politikë, - thotë Sharl de Gol, - është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin”. Por gjatë gjithë periudhës që “Ramushi” socialist ka qenë në krye të PS-së, ka parapëlqyer të tradhtojë interesat e vendit, deri në atë masë sa që ndërkombëtarët nuk e quajnë më vetëm “çilimi” por i shtojnë kësaj edhe fjalën “skizofreni”. Qëndrime të tilla antikombëtare, siç janë ato në dëm të integrimit të vendit, duke bojkotuar Parlamentin për të mos votuar ligjet me shumicë të cilësuar si kushte të Brukselit për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, nuk mund t’i bëjë asnjë politikan sado foshnjorë që të jetë në politikë, po qe se nuk është njëkohësisht edhe një “i sëmurë mendor”.
Kreu socialist është burrë vetëm nga shtati, dy metra e ca i gjatë. Ai është gjithashtu burrë, madje nga ata të parët, edhe në raport me gratë, duke i sharë e dhunuar ato barbarisht. Burrë ai tregohet edhe ndaj ndonjë të vobekti në PS-së, për t’i thyer turinj me grushte. Po kështu, burrë apo “trim mbi trimat” ai është treguar edhe tek “Kurbani”, duke sharë si gratë e liga të madh e të vogël në Shqipëri e jashtë saj. Pa u zgjatur më tej në ilustrimin e këtyre ngjarjeve, ku faktet janë publikuar me dhjetëra herë, mjafton të themi se “Ramushi” i PS-së është burrë vetëm në kuptimin fizik. Por posti që mban dhe ai që lakmon të zërë më tej në të ardhmen kërkojnë që kreu i PS-së të jetë burrë në kuptimin politik. Kryetar i opozitës është potencialisht kandidati për kryeministër i vendit. Shqipëria, bazuar tek problematika që trashëgon edhe për shkak të së kaluarës komuniste, është një vend jo i lehtë për t’u qeverisur. Nga ana tjetër kryeministri aktual. z. Sali Berisha ka krijuar një standard të tillë qeverisës që është tepër e vështirë për t’u arritur, jo më nga “vogëlush” i politikës si Edvin Rama, por edhe nga “burra shteti”. Qeveria “Berisha” ka arritur të realizojë në këto 5-6 vjetë rezultate të tilla, që për gjithkënd tjetër do të kishin dashur dekada. Në saj të reformave të ndërmarra pas 2006-s, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, ka përfituar liberalizimin e vizave me zonën “Shengen”, ka aplikuar për statusin e vendit kandidat, ka kryer investime epokale në infrastrukturën rrugore, energjetikë, turizëm e në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë dhe jetës politiko-shoqërore. Janë arritur tregues të atillë në fushën ekonomike dhe atë të të ardhurave fiskale, që e bëjnë vendin tonë të renditet përkrah vendeve më të zhvilluara të botës. Në këto kushte, ky “Ramushi” i PS-së, mund të bëhet kryeministër vetëm duke kapërcyer “ylberin” e standardit politiko-qeverisës që është krijuar dhe do të krijohet me tej nga z. Berisha, gjë që është praktikisht e pamundur. Z. Berisha tregohet shumë i sinqertë kur thotë: “me Ramën në krye të PS-së unë jam në pushtet sa të dua vetë”. Deri tani, kreu i PS-së ka dëshmuar se mund të bëhet “kryeministër” vetëm për disa socialistë që i rrinë para-mbrapa, për disa gazetarë që i tregojnë se fajin për dëshpërimin e tij fëminor e ka Islami, dhe kryesisht për “30 milionerët” që e rrethojnë me pare dhe poste të privilegjuara në parti.
Shpesh, pavarësisht “foshnjërisë politike”, edhe vetë “Ramushi” ka qenë i ndërgjegjshëm se pushtetin nuk mund të fitojë me zotësi, ndaj ka tentuar ta marrë atë me djallëzi, duke gjurmuar rastin kur pushteti mund të vijë si dhuratë nga qielli. Kjo ishte arsyeja që bojkotoi rrugën institucionale dhe doli në rrugë të madhe për demonstrata të dhunshme e të pa\dhunshme. Po kështu, këtë qëllim kishte edhe përpjekja më e fundit e tij për të marrë pushtet në tavolinë me “paktin dhjetëpikësh”. Edhe tani, pavarësisht se ka lejuar që grupi parlamentar i PS-së është futur në Parlament, ai përsëri ëndërron tek rruga joinstitucionale, pasi në vend që të formulojë programe e strategji politike, merret me deklarata cinike, ndaj atyre që ia marrin “bukën nga dora”. Ky “xhaxhi Islami” është, hëpërhë, më i rrezikshmi. Por jo më të “të mirë” po tregohen me të edhe Andis Harasani, Arben Malaj, Ben Blushi, Rexhep Mejdani, Musa Ulqini, Edlira Haxhiymeri e shumë e shumë të tjerë. Edhe tani që një pjesë të mirë të tyre i la jashtë strukturave të larta të Partisë Socialiste, përsëri ata po kërkojnë t’ia marrin “bukën nga dora” apo siç i thonë në gjuhën politike “po i vënë shkopinj nën rrota”. Problemi qëndron në faktin se “Ramushi” i PS-së është mërzitur prej tyre kur kanë qenë pak e të pagrupuar. Aq më keq do të jetë për të tani që ata janë më shumë e më të bashkuar, deri sa po krijojnë dhe parti politike, duke përçarë PS-në e “Ramushit” të vogël. Si do t’i vejë hallit kur shokët e “Xhaxhi Islamit” të bëhen akoma më shumë, megjithëse edhe kaq sa janë ata s’po e lënë të rritet politikisht kreu i PS-së? Natyrisht, kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjen ata që mundohen ta mësojnë të shajë dhe ta qetësojnë të mos “qajë” kryetarin “vogëlush” të socialistëve, pasi vetë nuk arrin të kuptojë se rritja e tij politike në atë post ka mbaruar, qysh se kur filloi të kalonte nga humbja në humbje...
            e-mail <fetizeneli@yahoo.com>


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...