“Lëvizja Shqipëria e Re” (LSHR) e dënon aktin e largimit me autoblinda dhe terror nga autoritetet qendrore të Beogradit, të përmendores së heronjve shqiptarë në Luginën e Preshevës, të cilët dhanë jetën kundër regjimit barbar të Millosheviçit.
LSHR e konsideron këtë akt dhune të Serbisë zyrtare si një dëshmi tjetër se autoritetet politike në Beograd vazhdojnë trashëgiminë raciste anti-shqiptare Serbe të Sllobodan Milosheviçit dhe në fakt nëpërmjet njërit prej pinjollëve të së njëjtës parti socialiste serbe.
“Lëvizja Shqipëria e Re” beson se me këtë akt të rëndë të Serbisë ndaj shtetasve të saj të cilët duhet të gëzojnë të drejta të barabarta me të gjithë shtetasit e tjerë, politika zyrtare Serbe ka shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare ndaj të cilave ka detyrime të përcaktuara dhe pranuara prej shtetit Serb; specifikisht: Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale.
LSHR mbështet qëndrimin publik dhe politik të Qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Sali Berisha për qëndrim të matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe premtimin se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Lëvizja Shqipëria e Re” beson se qytetarët Shqiptarë të Serbisë duhet të gëzojnë standarde që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut dhe i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të mbështesin të njëjtin qëndrim duke reaguar me forcë ndaj veprimeve të tilla të dhunshme dhe luftë nxitëse në rajonin e Ballkanit, sepse vetëm kështu mund te sigurojmë paqen dhe stabilitetin në vendet tona dhe në rrugën e pashmangshme të integrimit evropian të çdonjërit dhe të gjithëve së bashku si të barabartë", thuhet në reagimin e “Lëvizjes Shqipëria e Re”.
No comments:
Post a Comment