2013-01-21

Trupa e “Edipit Mbret” shfaqja e parë premierë e Teatrit Kombëtar për vitin 2013...


Trupa e “Edipit Mbret” shfaqja e parë premierë e Teatrit Kombëtar për vitin 2013, ka hyrë në proces prodhimi. Tragjedia e Sofokliut, e përkthyer në shqip nga Henrik Lacaj, vihet në skenë nga regjisori Ilir Bokshi për të ardhur premierë në javën e parë të marsit, raporton ‘Shekulli’. Tragjedia e birit atvrasës dhe incestuoz është një bashkëprodhim i dy teatrove kombëtarë të Prishtinës dhe Tiranës. Nga Prishtina vijnë regjisori Bokshi, kompozitori Trimor Dhomi, skenografi Petrit Bakalli dhe kostumografia Vesë Kraja, që të tre bashkëpunëtorë të mëparshëm të Bokshit si në rastin e “Natës së dymbëdhjetë” të Shekspirit që e pamë vitin e shkuar në Tiranë. Nga Shqipëria është e gjithë trupa e aktorëve, të cilët janë zgjedhur pas një audicioni 10 ditor. Janë zgjedhur 16 aktorë nga 70 të përzgjedhurit. Dhe ka mes tyre aktorë jo të trupës së Teatrit Kombëtar. “Shumicën e aktorëve që u përzgjodhën në këtë trupë për të qenë pjesë e “Edipit Mbret”, i kam njohur dhe më përpara, pasi i kam parë në më shumë se dy shfaqje, secilin prej tyre”, tha dje në prezantimin e parë për median regjisori Bokshi.



Por një nga qëllimet e audicionit, sipas regjisorit, ka qenë që të përzgjidhen aktorë që kanë vesh muzikor, që e mundësojnë depërtimin e muzikës, lehtë dhe qartë.Pasi e rëndësishme për të është që të gjithë së bashku të krijojnë një grup, një kor, ku të përfshihen gjithë aktorët, Edipi si kryepersonazh dhe 15 anëtarët e korit, së bashku me korifeun në krye. Nga ndarja e roleve kemi Helidon Finon për personazhin e Edipit, Yllka Mujon në rolin Jokastës, Ema Andrenë- Korifeu, Neritan Liçaj-Kreoni. Në role të tjera: Olta Dako, Eriona Kakeli, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja. Kori: Eftiola Laçka, Ermela Teli, Florant Veizi, Roel Llupa, Amos Zaharia, Anila Muça, Florian Agalliu, Adriana Tolka. Siç shihet një pjesë e mirë vijnë nga jashtë trupës së Teatrit Kombëtar dhe ka mjaft të rinj të përfshirë në projekt. Koncepti regjisorial parashikon një rilevim nga tragjedia e antikitetit në kohët e sotme. Asgjë nuk ndryshon prej përrallës së Sofokliut, thotë Bokshi: “Kjo vepër vjen e përshtatur në shek. XXI. Problemet do t’i sjellim në ditët e sotme, pavarësisht se bazohemi në tekstin e Sofokliut. Prandaj nëse ky mund të quhet modernitet, është një shfaqje moderne.”



Sipas interpretuesit në tokë të vullnetit të perëndive, orakullit, Edipit i ishte paracaktuar një fat i rëndë, të vrasë të atin e të martohet me të ëmën, Jokastën. Ky njeri i mirë, i cili mishëron idealin e sundimtarit të drejtë e të urtë dhe që i sjell të mira atdheut të tij Tebës, kryen në mënyrë të pavetëdi- jshme krime të tmerrshme. Por Edipi nuk rri duarlidhur, vepron për t’ia nënshtruar fatin vullnetit të tij. Vepra flet për optimizmin dhe besimin e heroit në forcat e veta, ky është shtrati i tragjedisë, i cila mbart një ide kaq përparimtare dhe të guximshme për atë kohë: të luftosh kundër fatit. Po deri në ç’masë e zhvesh Ilir Bokshi mitin e Edipit sipas Sofokliut? “Bazohem në tekstin e Sofokliut dhe nuk do të ndryshojmë asgjë bazikisht nga përralla e Sofokliut”, thotë Bokshi. Por nuk është teksti mbreti i skenës për këtë regjisor.



Teksti është pjesë e një operacioni të tërë skenik nëpërmjet mjeteve të arteve “të tjera”, krijon shfaqjen teatrale. Kështu muzika merr rëndësi të dorës së parë, më saktë mënyra e sjelljes së aktorit me muzikën, elemente të koreografisë, raportimi i tyre me skenografinë dhe ndriçimin. Regjisori ka planifikuar të sjellë për publikun një shfaqje me ritëm dhe muzikalitet dhe sigurisht me elemente shqiptare. “Mbase nuk jam i sigurt, por ashtu siç ka thënë Kadareja se pasardhës i denjë i korifeut antik është polifonia shqipe, do të tentoj që këtë të tregoj gjatë shfaqjes”, vijon regjisori. Salla është e konceptuar pothuajse bosh. Element kryesor do jetë dielli dhe daullet që do përdoren nga vetë aktorët nëpërmjet ritmeve dhe këngëve të cilat do të interpretohen prej tyre, si zbërthime emocionale dhe artistike.



Daullet zbresin nga lart për të treguar një lidhje midis qiellit dhe tokës, një lidhje midis perëndisë dhe njeriut, një marrëdhënie mitologjike si element përcjellës i verbërisë kolektive të njerëzimit në çdo kohë. Ilir Bokshi sqaron se kjo zgjedhje vjen në skenë sepse e tërheq vepra e Sofokliut në tërësi dhe jo personazhet në veçanti. Ai i qëndron idesë së krijimit të grupit dhe jo të individit, prandaj për të historia e personazhit është bazike në vepër për historinë e realizimit të shfaqjes. Të gjitha rezervat që ka pasur për mungesat teknike në skenën e TK, regjisori Bokshi për realizimin e shfaqjes së tij të parë, tashmë i shikon të kapërcyeshme. Pasi tani kanë gjetur variantin e duhur që të mos ndihet kjo mungesë teknike si në të kaluarën. “Provat fillojnë nga ora tetë me kompozitorin Trimor Dhomin, dhe kjo është baza e mirë e punës, për një finale pune të mirë që presim, sepse ai mëson aktorin të punojë në grup”, përfundon Bokshi.

No comments:

Post a Comment

Kush është Dejona Mihali dhe pse është kaq e rëndësishme në LVV

Kërko brenda në imazh Para 2 vitesh  ish Deputeti i LVV, Haki Abazi, i cili  u largua nga 2 komisione parlamentare, kishte  disa akuza të rë...