- Nga Tomë MRIJAJ
-
- E kam të lehte por edhe te vështirë që të shkruaj për jetën dhe veprën e klerikut shumë të madh dr. imzot Zef Oroshin, që bëri aq shumë për komunitetit shqiptar në ShBA. Ai ishte një baba shpirtëror i rrahur nga fortunat e jetës së vështirë në emigracion. Kush e njeh këtu në Amerikë dhe nuk ruan kujtime të mira për një antikomunist të vendosur. I donte dhe respektonte shumë figurat e ndritura te Klerit Katolik me të cilët mburrej dhe i kujtonte mësuesit që i mësuan shqip dhe gjuhë të huaja për të njohur nga afër zhvillimin e përparimin kulturor të Evropës Perëndimore.
-
- Marsi për shqiptarët është i veçantë, sepse gjatë këtij muaji janë bërë kryengritje dhe luftra të mëdha për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ky muaj është i njohur edhe si muaj i vdekjes së figurave të shquara të kombit. Vdekja e tyre është fizike, mbasi shembulli dhe kujtimi i tyre pozitiv mbetet një meteor qe shndrit me veprën e tyre ne dobi të kombit edhe pse larg vendlindjes në ShBA. Në gjysëm e dytë të shekullit të kaluar gjatë javës së dytë të këtij muaji, ndërruan jetë figura të shquara të diasporës imzot Fan Stilian Noli (1882-1982), Dr. monsinjor Zef Oroshi (1912-1989) dhe profesor Martin Camaj (1925-1992).
-
- Më 15 mars të vitit 1989 ndërroi jetë në spitalin Albert Einstein të New York-ut, Monsinjor Zef Oroshi, themelues dhe udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” (“Zoja e Shkodrës”). Një ditë pas vdekjes, më 16 mars gazeta “The New York Times” botoi një shkrim për vdekjen e këtij meshtari shqiptar, duke vënë në dukje veprimtarinë e tij fetare dhe kombëtare.
-
- Emri i tij i pagëzimit ishte Zef Çoku. U lind në vitin 1912 në një prej familjeve më fisnike të Oroshit, fqinjë me Derën e Gjomarkut, ku ruhej dhe interpretohej më mirë se kudo tjetër “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Ndrecë Çoku, i zoti i familjes Çoku, përmendet edhe sot e kësaj dite për një akt jashtëzakonisht human, pasi që kishte shpëtuar vrasësit e djalit të vet. Njeriu që i kishte vrarë djalin ndiqej nga trimat e familjes Çoku. Vrasësi, duke parë rrezikun për vdekje, i ra në Derë Ndrecë Çokut. Ky e pranoi në shtëpinë e tij dhe e mbrojti sikur të ishte miku më i madh. Ata që e kanë ditur këtë ngjarje të mrekullueshme, tregojnë, se Ndreca e kishte ulur në çosh të oxhakut dhe pinte duhan dhe kafe me vrasësin, ndërsa djali i tij ishte shtrirë i vdekur aty pranë oxhakut. Ndrecë Çoku e mbajti gjakësorin në shtëpi 24 orë dhe pastaj e përcolli, pasi mori nga djemtë e familjes 30 ditë besë...
-
- Mësimet fillestare Zef Oroshi i mbaroi në vendlindje, ndërsa mësimet e mesme në Seminarin e njohur të Jezuitve në Shkodër. I etur për dije të thella dhe kulturë të pasur civilizuese dhe fetare Perëndimore, ai vijon studimet e larta në degën adhuruese të teolgjisë dhe filozofisë në Romë të Italisë.
-
- Meshtari i përvujtur Mons. Oroshi, gjithnjë me nostalgji, mall dhe gëzim të veçantë, kur binte në mendime të thella për vitet e shkuara të rinisë në Shqipëri, me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtonte të gjithë profesorët që i dhanë dije te qendrueshme dhe kulturë atdhetare e fetare. Një ndër mesuesit më të dashur që e deshti dhe e mbajti afër gjithnjë ishte poeti i njohur dom Ndre Mjeda. Dr. Mons. Zef Oroshi, fliste për talentin e mësuesit, që si poeti dhe atdhetar i flaktë ka ndikuar shumë në jetën e tij rinore, për të qenë një bari i ardhshëm i dashur dhe i përvujtur pranë grigjes së vet. Me sa duket poeti-meshtar Mjeda, ka ndikuar edhe në nxitjen e përkrahjen e talentit të mons.Oroshit në fushën e letrave shqipe. Tematika e shkrimeve të tyre kanë qenë Krishti, Zoja, Familja e Shenjtë dhe temat shoqërore të komunitetit shqiptar. Jo pak shkrime me argumenta historike e fakte, ai i ka kushtuar persekutimit të Klerit Katolik në Shqipëri, që po kalonte kalvarin më të përgjakshëm në të gjithë historinë e Evropës plakë.
-
- Dom Ndre Mjeda, ishte mësuesi i tij më i dashur dhe më i nderuar, për të cilin tërë jetën ruajti kujtime të mira, bile edhe librin “Shkrimi i Shenjtë”, ia kushtoi dom Ndre Mjedës.
-
- Pushtimin fashist të Shqipërisë si shumë patriotë të kohës Dr. Mons. Zef Oroshi e priti me idinjatë dhe dhimbje të madhe në shpirt. I brumosur thellë qysh në bankat e shkollës me ndjenja të forta atdhetare, më 8 prill u kishte bërë thirrje studentëve shqiptarë për një protestë kundër pushtimit të Atdheut të tij. Gjithmonë tregonte, se kishte ngritur flamurin shqiptar në ballkonin e konviktit ku jetonte.
-
- Pasi mbaroi studimet teologjike, dom Zef Oroshi u kthye në Mirditë dhe prej andej shkoi në Korthpulë. Meshën e parë ia kishte kushtuar Zotit, sikurse vepronin të gjithë meshtarët që sapo kishin vënë kuletën e bardhë dhe rrobën e bariut shpirtëror.
-
- Erë e fortunë e keqe do të frynte në Shqipëri askohe komunistët ateistë do të vinin me dhunë në pushtet. Por klerikët katolikë gjithnjë e kishin nuhatur renë e zezë që vinte nga stepat e Siberisë bolshevike, ku të gjithë klerikët katolikë dhe ortodoksë kishin filluar të përsekutohen pa mëshirë në litar, pushkatim me gjyqe falllco. Këtë veprim e ndërmori edhe diktatori ateist Enver Hoxha.
-
- Në fillim të viteve 1950, komunistët shqiptarë me të gjitha format dhe mënyrat e tyre të rafinuar kërkonin shkak për arrestimin e tij, por dom Zef Oroshi, duke e nuhatur këtë dhelpëri të ateistëve komunistë u largua dhe u bashkua me luftëtarët antikomunistë në malet e Shqipërisë. Në vitin 1952 vendoset në Kosovë dhe prej andej kalon në Itali, ku fillon veprimtarinë e tij kombëtare, në kushte tepër të vështira.
-
- Në kishën San Basilio të Romës çonte meshë për mergimtarët shqiptarë, ku shpesh përmendete edhe përsekutimin që regjimi i kuq i Tiranës i bënte vëllezërve në Krishtin në Shqipëri, për kontributin që gjatë historisë kombëtare kishte dhënë kleri katolik shqiptar. Vlera atdhetare e fetare e meshtarëve shqiptarë ishte dhe mbeti gjithnjë ndera e kombit shqiptar gjatë shekujve plot tallaze të historisë sonë. Pranë Universitetit katolik Angelicus, mbaroi studimet e larta, ku mbrojti me nota maksimale edhe tezën e doktoraturës.
-
- Monsinjor Zef Oroshi përktheu në gjuhën shqipe “Shkrimin e Shenjtë” (“KatërUngjijtë dhe Punët e Apostujve”).
-
- Kushtet e vështira të jetesës në Itali e detyruan të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa vjet jetoi në Boston, ku takohej vazhdimisht me imzot Fan Stilian Noli. Takimet midis tyre kanë qenë gjithnjë miqesore dhe të përzermerta. Shpesh bisedonim me orë të tëra, duke evokuar shumë kujtime gjatë takimeve me Kryepeshkopin shqiptar të Boston-it. Dr. Monsinjor Zef Oroshi pohonte me mburrje, se imzot Fan Noli ishte një patriot i vërtetë shqiptarë. Gjatë takimeve të shpeshta ekumenike dy prelatët shqiptar kishin shfaqur idenë e afrimit të Kishës Shqiptare Ortodokse dhe Kishës Katolike Shqiptare. Bile Kardinali i Boston-it, Cushing e kishte pritur mirë këtë ide dhe kishte marrë përsipër ndërmjetësimin për bashkimin e kishave tona, por me vdekjen e Peshkop Nolit më 13 mars të vitit 1965 bashkimi i kishave mbeti vetëm si ide.
-
- Në fillim të viteve ‘60-të, dom Zef Oroshi vendoset në Nju Jork (New York) dhe më 16 qershor të vitit 1962, së bashku me patër Andrea Nargaj, themelojnë “Lidhjen Katolike Shqiptar-Amerikane” dhe gazetën me të njëjtin emër, e cila pas një ndërprerje filloi të botohet me emrin “Jeta Ktolike”.Ajo përsëri vitet e fundit doli nën drejtimin e udhëheqësit shpirtëror të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, dom Pjetër Popaj.
-
- Deri në vitin 1969, Dr. mons. Zef Oroshi ka dhënë meshë nëpër kisha amerikane. Po këtë vit, bashkësia katolike shqiptare bleu qendrën e vet në Park Avenue në Bronx, dhe në vitin 1973 kjo qendër filloi veprimtarinë e vërtetë fetare, duke kryer të gjitha shërbimet fetare.
-
- Monsinjor Zef Oroshi ishte një burrë i urtë, i zellshëm, i shoqërueshëm dhe me karakter të fortë, por ishte jo i butë me kundështarët. Ai i respektonte të gjithë shqiptarët pa dallim feje apo krahine. Merrte pjesë në të gjitha mbledhjet shqiptare me karakter fetar, kulturor, kombëtar. Kishte një edukatë shumë ekumentike. Ishte shumë i mirëpritur në qendrat fetare islame dhe bashkëpunonte ngushtë me Hirësinë e Tij, Sali Myftia, Vehbi Ismailin, Imam Isa Hoxhën, Hoxhë Perollin, Sheh Halilin, Baba Rexhepin e të tjerë. Ata këmbenin vizita dhe telefonata për Pashkë dhe Bajram.
-
- Dr. Monsinjor Zef Oroshi bëri fushatë për ndërtimin e qendrave katolike dhe islame, bile në listën e emrave që kanë kontribuar për blerjen e qendrës katolike është shënuar emri i shumë shqiptarëve të fesë islame. Shumë prej tyre në fillim shkonin në kishë për të dëgjuar predikimin e Dr. mons. Zef Oroshit.
-
- Për qendrimin e tij antikomunist, nënat, vëllezërit dhe motrat kishin pësuar shumë nga regjimi diktatorial në Atdhe. Zef Oroshi ishte aktiv në të gjitha veprimtaritë e Komunitetit Shqiptar të Amerikës. Bënte pjesë në Këshillin Drejtues të Organizatës Panshqiptare “VATRA” të Amerikës. Shkruante në shtypin shqiptar të diasporës. Kishte një karakter të fortë dhe ishte trim prej natyre. Shumica e besimtarëve gëzonin respekt për Dr. Mons, Zef Oroshin e Mirditës. Ai ishte shumë kryelartë për traditën e vendlindjes. Mburrej me veprimtarinë e meshtarëve të shquar nga kjo krahinë, sidomos me veprimtarinë fetare e kombëtare të Abatit Preng Doçit, patër Marlaskajt e shumë prelatë dhe meshtarë të tjërë që historikisht mbetën krenaria e trevave të njohura të Mirditës.
-
- Dom Zef Oroshi ishte i gatshëm kurdoherë për drejtimin e ceremonive fetare e kombëtare. Në vitin 1969 organizata “VATRA” kremtoi në mënyrë solemne 60 vjetorin e themelimit të gazetës “Dielli” në hotelin “Sheraton” në Manhattan, ku morën pjesë dijetarë të shquar shqiptarë nga Amerika dhe Evropa, në mesin e të cilëve arbëreshë nga Kalabria që erdhën në SHBA me një aeroplan special.
-
- Të gjithë e pranojnë se ky përvjetor ishte një ndër kremtimet më të shkëlqyeshme të shqiptarëve të Amerikës dhe dom Zef Oroshi i priu gjithë komunitetit në një meshë ceremoniale në katedralën e Shën Patrikut. Kardinali i atëhershëm i New York-ut, Terence Cooke dhe Dr. Mosn, Zef Oroshi celebruan meshën për të gjithë shqiiptarët e pranishëm.
-
- Libri “Shkrimi i Shenjtë” (“Katër Ungjijtë dhe Punët e Apostujve”), që e përktheu ky prelat shqiptar ishte dhe mbetet sot e kësaj dite një kontribut i madh për besimtarët shqiptarë katolikë...Me rastin e botimit të këtij libri, Papa Pali VI, Dr. Mons. Zef Oroshin e priti me respekt në audiencën e Tij në Vatikan, e uroj me gjithë zemër dhe bekime për një punë kaq të madhe në fushën e kulturës fetare dhe e shuguroi me titullin e lartë Monsinjor.
-
- Në vitin 1973, Dr. Mons. Zef Oroshi e ftoi në kishën tonë Nënë Terezën në mënyrë zyrtare dhe organizoi për te një meshë madhështore, ku morën pjesë mijëra shqiptarë nga të gjithë anët e Amerikës. Ky verpim ishte një gjest shumë patriotik, sepse atë ditë shqiptarët patën rastin të njihen për së afërmi me Nënë Terezën. Kjo meshë mbetët një ndër kujtimet më të shkëlqyera për të gjithë shqiptaro-amerikanët.
-
- Katër vjet më vonë, në përkujtimin e 50-vjetorit të vdekjes së dom Ndre Mjedës, Monsinjor Zef Oroshi përgatiti në New York një seminar, në nderim të jetës dhe veprës së madhe fetare, atdhetare dhe letrare, ku morën pjesë shumë dijetarë të shquar. Midis shumë të nderuarve në këtë tubim të rëndësishëm kulturorë u dallua me ligjeratën e tij të spikatur Prof. Arshi Pipa (1920-1997).
-
- Dr. Mons. Zef Oroshi themeloi Qendrën Shqiptare dhe më vonë me ndihmën e besimtarëve të tjerë ndërtoi Kishën Katolike. Pasardhësve të tij, kjo përvojë u shërbeu për të bërë vepra të mëdha dhe të sukseshme. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht udhëheqësit fetarë kanë merita të mëdha për ndërtimin e kishës së re, por nuk duhet harruar Dr. Mons. Zef Oroshi, i cili në kushte të vështira vuri themelet e fesë katolike shqiptare këtu në Amerikë dhe punët që bëhen sot në këtë drejtim janë vazhdim i misionit të këtij prelati atdhetar shqiptar, i cili vdiq 14 vjet më parë me dhimbje të madhe që nuk e pa më Shqipërinë e tij dhe vendllindjes e burrave të shquar dhe të njohur të Mirditës.
-
- Komuniteti shqiptar në ShBA e veçanërisht ai i përkatësisë fetare katolike, duhet të përkujtojë çdo vit me nderim këtë meshtar, dijetar dhe atdhetar shqiptar, që tërë jetën veproi për të mirën e çështjes shqiptare.
-
- Klerikët patriotë si Dr. Mons. Zef Oroshi meritojnë që përkutjimi i tyre të bëhet tradicional. Frytet e punës së tij i gëzojmë ne sot. Shpresojmë dhe besojmë se përvjetorët e tjerë të lindjes ose vdekjes së tij të përkujtohen në mënyrë të denjë, siç e meriton një prelatë i tillë i përkushtuar tërësisht binomit të pandarë “Fe e Atdhe”. Veprat dhe puna e tij do të mbetën në kujtimin tonë përgjithmonë,
-
- Pastë dritë! Ashtu qoftë!
-
- Tomë Mrijaj,
- Nju Jork / Sh.B.A.
|