2013-03-10

NE, ISHIM NË ULQIN, ME “PETRO N. LUARASIN”…


( Shënime për dy veprimtari mbresëlënëse, në “Ditën e Mësuesit”) 

Nga: Prof. MURAT GECAJ
1.
Një lexues i vëmendshëm, e ka të njohur faktin që, me rastin e veprimtatrive për festimet e paharruara të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në tetor e nëntor 2012, kam shkruar për dy udhëtime e pjesëmarrje në veprimtari të bukura, organizuar në Shkup e në Prishtinë. Të derguar nga  Shoqata “Lisi i Arbërit” dhe Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë, së bashku me prof. Alfred Uçin-Akademik, ishim atje për të paraqitur librin e këtij autori, të veprës kushtuar “Mësuesit të Popullit” e “Nderi i Kombit”, Petro Nini Luarasi.  Me atë rast, atje dhuruam disa libra për shkollat në gjuhën tonë amtare, kushtuar këtij martiri të shkollës kombëtare shqipe dhe shkruar nga prof. A.Uçi.
Mirëpo, na kishte mbetur “peng” që,  në një veprimtari të tillë, të merrnim pjesë edhe në qytetin bregdetar të Ulqinit. Se siç dihet,  aty  jeton një bashkësi atdhetarësh, arsimdashësish e kulturdashësish shqiptarë. Për këtë gjë, gjetëm mbështetje e bashkëpunim nga drejtori i Qendrës Kulturore, autori i disa botimeve me temë atdhetare e historike, si dhe kryeredaktor i revistës “Lemba”, dr. Nail Draga.  Pasi ai u mor vesh me drejtuesit e Komunës së Ulqinit dhe me kryesinë e Këshillit Nacional të Shqiptarëve aty, së bashku, miratuam projektin, që një veprimtari të tillë ta zhvillonim pikërisht më 7 Mars 2013, në   Ditën e Arsimit Kombëtar Shqiptar.

image
 Nga e majta: Prof. A. Uçi e M.Gecaj (Ulqin, 7 mars 2013)

Siç thuhet, “nga e thëna në të bërë” dhe në mëngjesin e ditë së djeshme ne u nisëm nga kryeqyteti, për në qytetin e Ulqinit. Duke përshkuar udhën Tiranë-Shkodër, me makinën që e drejtonte bashkudhëtari ynë edhe në Shkup e Prishtinë, Bardhyl Zeko  ose, siç i thrrasin për shkurt, Luli, nuk vonuam shumë e arritëm te Ura e Bahçallekut.  Pasi kaluam urën e bukur mbi lumin Bunë, morën kthesën, majtas e shpejtuam për në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Në këtë udhë, kisha shkuar edhe afër dy vjet më parë, në përbërje të një grupi të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, që e drejtonte i ndjeri dr. Ibrahim Gashi. Mbaj mend se atëherë, kur shkrova e publikova librin tim, “Rrahin zemrat arbërore”, kisha bërë “vërejtje” ,se rruga ishte e ngushtë dhe jo e mirëmbajtur.  Ndërsa tani, natyrshëm me shaka, u them prof. Alfredit e Lulit, se organet përgjegjëse në Malin e Zi e kishin marrë parasyshë “kritikën” time! Pra, një pjesë e rrugës  ishte e shtruar, pra “xham” dhe në vazhdimësi po vijonte  me shpejtësi ky process, me  punëtorë e mjete të rënda. Një gjë e tillë, pasi pikën e kalimit kufitar në Muriqan, sigurisht, na kushtoi ca, se u vonuam në udhëtimin tonë. Megjithatë, në heshtje, e miratuam këtë gjë, kur e dimë se, në një rast tjetër, udhëtimi ynë, por dhe i të gjitha mjeteve drejt Ulqinit, do të jetë më i rehatshëm.
Siç është e kuptushme, bisedat tona gjatë udhës kishin temë edhe pjesëmarrjen në veprimtaritë e pritshme, por dhe për qytetin e Ulqinit e të njohurit tanë, të cilët na prisnin me kënaqësi atje. Të parin, që takuam, sapo arritëm pranë Qendrës Kulturore të qytetit, ishte pikërisht Nail Draga. Me buzëqeshje, por dhe pak “rrëmbyeshëm”, siç e ka natyrën e tij, na tha se, së pari, do të shkonim të sistemoheshim në hotelin “Florida”. Për atje na shoqëroi një vajzë e shkathët e plot mirësjellje, Arbiona Lloll. Hoteli ndodhet në bregun e detit Adriatik, në afërsi të Xhamisë së Marinarëve. Për atë, Naili na kishte treguar, në vizitën e mëparshme,  se ishte ndërtuar para ardhjes së turqëve në Shqipëri, pra për t’u shërbyer, në ritet e tyre, pikërisht marinarëve, që vinin dikur  për tregti, nga bregdeti i përtejmë afrikan. Tani aty vërehej qetësi e plotë, ashtu si dhe në lokalin pranë,”Aragosta”, ku drekuam. Por gjatë verës, siç i thonë një fjale,  “nuk ke ku ta hedhësh as kokrrën e mollës”, nga numri I shumtë i pushuesve.
Nga paraqitja e librit kushtuar Petro Nini Luarasit…
Mesdita na gjeti në mjediset e Qendrës Kulturore, ku na prisnin disa mësues, punonjës kulture dhe intelektualë të tjerë. Moderatore e veprimatrisë ishte drejtuesja e bibliotekës, Ardita Rama. Pasi ua dha fjalën dr. N.Dragës, Tahir Tahiri, kryetar  Këshillit Nacional të Shqiptarëve aty dhe zv.kryetarit të Komunës së Ulqinit, Met Gjoni. Ata na uruan mirëseardhjen dhe folën për qëllimin e atij takimi,.
Pastaj prof. A.Uçi u ndal në përmbajtjen e këtij libri, kushtuar Petro Nini Luarasit, i cili është njëkohësisht edhe gjyshi tij. Ndër të tjera, përmendi fjalën e tij të  artë se, edhe “sikur 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi në këmbë!”  Me jetën, botimet që la pas dhe martirizimin e tij, ai dëshmoi përkushtimin ndaj shkronjave në gjuhën amtare dhe shkollën kombëtare shqipe. Petro  Nini  ishte një ndër mësuesit dhe drejtuesit e parë të “Mësonjëtores Shqipe” të Korçës dhe prandaj armiqtë e gjuhës e të Kombit tonë e helmuan. Por udhën e tij e vijuan me vendosmëri breza të tërë, mësuesish e nxënësish shqiptarë.
Pastaj, aty unë fola, sigurisht shkurtimisht, pikërish për atë udhë të ndritur të shkollës shqipe dhe për figura të shquara të arsimit kombëtar shqiptar. Me fjalë të zjarrta zemre, në takim u shprehën edhe disa mësues pjesëmarrës, ndër të cilët: Ismail Doda, Ibrahim Berjashi, Hajro Nimanbegu e të tjerë. Në mbyllje të këtij takimi, prof. A.Uçi u dhuroi disave prej tyre, me nënshkrim, librin kushtuar Petro N.Luarasit.
2.
Pjesë e rëndësishme e vizitës  sonë në Ulqin ishte pjesëmarrja në manifestimin e masiv të ulqinakëve. Ata ishin tubuar  në një sallë të madhe e të zbukuruar me flamuj kombëtarë, afishe e shënime për  Ditën e Mësuesit etj. Të binin në sy, me shkronja të madha edhe vargjet e Ndre Mjedxës: “Prej Tivarit e në Prevezë,/ nji a gjuha e Kombi nji,/ ku lëshon dielli njata rreze,/ që veç toka e jote i di!”
Së pari, të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe kënduan Himnin tonë Kombëtar. Drejtuesa e veprimtarisë, një vajzë e shkathët, pasi foli vetë pak për fakte të udhës së shkollës shqipe, për të përshëndetur ia dha fjalën kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Ulqin, T.Tahirit. Pasi ai përmendi arritjet e mira të kolektivave të mësuesve e nxënësve, të mbështeur nga prindërit e mbarë shoqëria, nënvizoi se shkolla shqipe në Ulqin e në tërë Malin e Zi, ende ndeshet me çështje, të cilat kërkojnë zgjidhje të ngutshme. Ndër të tjera, shtroi nevojën e futjes në tekstet mësimore të disa lëndëve, si gjuhë shqipe e lexim, histori e gjeografi, edukim muzikor e figurative etj., edhe të  fakteve e të dëshmive për identitetit kombëtar, të banorëve  shqiptarë në Malin e Zi.
Por edhe kur, pas  tij, aty e mora fjalën dhe i përshëndeta të pranishmit në emër të kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, i theksova para të pranishmëve në sallë këto çështje. Me këtë rast, shpreha dëshirën e besimin, se në të ardhmen, do të gjindet rrugëzgjidhja e duhur ndaj shqetësimeve të mësuesve e nxënësve e prindërve shqiptarë, nga organet përkatëse, lokale dhe qendrore të Podgoricës.
Pamje nga shfaqja festive…
Salla e madhe shpertheu në duartrokitje të forta, kur në skenë u ngjitën djem-sokola e vajza-zana, veshur me kostume të bukura popullore shqiptare. Nën ritmin e muzikës sonë, ata kërcyen shumë bukur, por dhe kënduan e merituan duartrokitjet e gjata të të pranishmëve. Përmbajtja e këngëve të tyre ishte me ndjenja të larta atdhedashurie, me nderimin e brezave të sotëm për veprën e të parëve tanë, të cilët u sakrifikuan për liri e pavarësi dhe shkollë kombëtare, në gjuhën tonë amtare. Në këtë linjë ishin edhe recitimet plot emocione të disa nxënësve të shkollave të Ulqinit, por dhe të ftuar nga Shkodra. Me këtë entusiazëm u përcollën edhe fjalët e disa mësuesve veteranë dhe recitimet e tyre, si Asllan Bisha, Haxhi Shabani etj.
Ky mjedis festiv u përcoll, pastaj, nëpër udhët e Ulqinit dhe nëpër familjet shqiptare të tij. Se  puna e kujdesi për arsimin dhe shkollën shqipe, janë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Ata dëshirojnë e shpresojnë që, në këtë mënyrë, të arrihet sa më shpejt bashkimi shpirtëror i shqiptarëve, në trevat tona amtare të Ballkanit, por dhe në diasporë.  Ky do të jetë edhe parakusht i domosdoshëm, që ta realizojmë bashkimin kombëtar shqiptar, në udhën e përbashkët drejt Europës e më gjerë.
Nga e djathta: N.Gashaj, A, Uçi e R.Ushaku
3.
Do të ishin të mangëta këto shënime të mijat dhe përshtypjet, nga vizita në Ulqin, po të mos flisja shkurtimisht edhe për takimet e ngrohta e të përzemërta tonat, me disa miq e të njohur, mësues e krijues shqiptarë, si në Ulqin e pjesë të tjera të Malit të Zi. Ndër ta, po u përmendi me respekt të veçantë, kolegun e mikun e mirë, botuesin e revistës atdhetare e kulturore, “Malësia” në Podgoricë, Nikë Gashaj. E kisha njoftuar më parë për vizitën tonë atje dhe, megjithëse i takoi të bënte shumë kilometra udhë,  ai bëri ç’është e mundur që të vinte aty në mbrëmje dhe të takohej me ne. Bisedat tona me të nuk kishin të mbaruar dhe më për zëmër ishin rreth revistës së tij, numrin e fundit të së cilës na e dhuroi me një shënim të vetin. Por bashkë me të ishte  edhe prof.dr Ruzhdi Ushaku. Ai kishte të drejtë të “krenohej” për punën e botimet e tij, por dhe për planet për më tej. Shumë të çmuara për ne ishin dy libra të tij (njëri me bashkautorësi), kushtuar Ulqinit, të cilët na i dhuroi me nënshkrim. Po kështu, ata na i shoqëroi me botime të tjera: “Hulumtime etnolinguistike”(Prishtinë, 2000) dhe “Ndihmesa onomatologjike, nga hapësira ilire-arbërore”(Prishtinë, 2006).
Gjatë asaj mbrëmjeje festive, ne na dhuruan libra edhe dr. Nail Draga (revistën “Lemba”, nr.16), Ali Gjeçbritaj (“Shkolla shqipe në Krajë:1929-2009”), Ibrahim Berjashi (“Floçka e liqenit”., Ulqin, 2006), Ma. Flamur Anamali, (“Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në gjuhën shqipe, në Mal Të Zi”, Ulqin, 2012)  e të tjerë. Por edhe prof. Uçi e unë, dhuruam disa liba me autorësinë toinë, si për bibliotekën e Ulqinit, por dhe për miq e të njohur të veçantë. Kështu, lashë aty kopje të libra të mi: “Nëpër udhët e shkollës shqipe” (Tiranë,2001), “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002), “Bedri Dedja, në kujtesëan tonë”(Tiranë, 2010), “Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011), librin publicistik letrar kushtuar mbesës, “Dorela” (Tiranë, 2012) dhe librin më të ri, me përshtypje e mbresa nga vizita në Suedi, “Me zemër në vendlindje”(Tiranë, 2012).
…Udhën e kthimit për në Tiranë e bëmë sot në mesditë. Me vete morëm kujtime  shumë të bukura e të paharruara, vëllapritjeje e miqësore. Pra, ishim “të ngarkuar” me ndjenja të pastra, atdhetare, arsimore , kulturore e shpirtërore, që u shprehën nga  bashkatdhetarët, vëllezërit e motrat tona në Ulqin, në Fastën e 7 Marsit. Ato lidheshin me  të djeshmen dhe të sotmen e shkollës  në gjuhën amtare shqipe, por dhe me të ardhmen e saj. Se, në vatrat tona të dritës e diturisë, do të kalojnë breznitë e reja të shqiptarëve, të cilët me siguri do ta lërtësojnë emrin e nderuar të Kombit tonë.
Tiranë, 8 Mars 2013

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...